Adresari që do të saktësojë të dhenat për pronën

Ekonomi
504
0
sample-ad

 

Adresari, që Ministria e Brendshme është duke azhurnuar në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), do të prodhojë të dhënat mbi sipërfaqet e banesave në të gjithë vendin, të cilat më pas Ministria e Financave do t’i përdorë për qëllime taksimi, ku me formulën e re të pritshme, taksa mbi pronën do paguhet mbi vlerën e tregut dhe jo me kuotë fikse.

Ministria e Financave ka nënshkruar për këtë qëllim një memorandum me OSHEE për ndarjen e bazës së të dhënave.
OSHEE dhe Ministria e Brendshme po aplikojnë në terren formularin për adresarin e ri të apartamenteve. Është duke u plotësuar një formular nga zotëruesit e apartamenteve në të gjithë vendin. Ai ka për qëllim të evidentojë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e objektit, të dhënat për kryefamiljarin, të dhëna për NIPT-in nëse ka biznes.

Gjithashtu formulari kërkon të plotësohen të dhënat në lidhje me sipërfaqen e banesës dhe pronarin real të objektit. Në formular kërkohen të plotësohen të dhëna të detajuara në lidhje me stacionin e kontratave të energjisë dhe të ujit. Për energjinë kërkohet nëse keni matës apo jo dhe nëse keni kontratë me OSHEE. Të njëjtat të dhëna do të kërkohen edhe për ujësjellës kanalizime.

Këto të dhëna pasi të grumbullohen nga kompanitë që ndodhen në terren do të përdoren nga qeveria edhe për qëllim të kadastrës fiskale që synon të vërë një tatim mbi pronën në bazë të vlerës së tregut dhe jo në kuotë fikse siç aplikohet tani. Duke qenë se fondi i banesave në të gjithë vendin është gati 60 për qind pa hipotekë, kjo sipas të dhënave të censusit të 2011, ky regjistër i ri në lidhje me sipërfaqet e banimit do të ndihmojë qeverinë të taksojë edhe banesat pa hipotekë.

Do të pilotohen taksimi i pasurisë sipas kësaj formule në qytetet e Tiranës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe më pas projekti do të shtrohet në të gjithë Shqipërinë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

three − two =