Studimi: Tema e Integrimit evropian, e munguar në shtypin e shkruar shqiptar

AktualitetKryesoreOpinion
279
0
sample-ad

Edhe për çështjen gjithëkombëtare të Integrimit të vendit në BE, mjerisht, mediat e shkruara operojnë në mos-integrim, domethenë si të jenë shtet më vete… Teksti i mëposhtëm është pjesë e diskutimit që Sekretari i Përgjithshmëm i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Z. Xhovan Shyti, paraqiti në eventin prezantues të raportit me temë: “Diskursi i Integrimit evropian në shtypin e shkruar shqiptar”, një studim ky i realizuar nga forumi rinor “EU Policy Hub”, me mbështetje të Institutit  “Friedrich Herbert” dhe fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Eventi u mbajt ditën e martë, dt. 28 shkurt 2013.

  Fjala e plotë e Z. SHYTI:

 “ Gjetjet e studimit: “Diskursi i Integrimit evropian në shtypin e shkruar shqiptar”, i realizuar nga “EU Policy Hub” dhe i porsaprezantuar nga z. Besnik Baka,vjen si i pari i këtij lloji, por edhe si evidentuesi e treguesi i qënies së temës të Integrimit europian të Shqipërisë, si shumë më pak e trajtuara prej gazetarisë së shtypit të shkruar, nga sa duhej të ishte. E rezultuar, madje-madje, si një temë gati-gati e lenë pas dore, ndërkohë, që nuk e teproj aspak nëse, për nga rendësia dhe popullariteti mbështetës, Integrimin do ta perifrazojë si një fe të re të ardhmërisë së dëshiruar me gjithë shpirt nga të gjithë shqiptarët.

Sigurisht të tilla të dhena të shënjuara në raporti si:

– Mbulimi jo në vijimësi i lajmeve që lidhen me integrimin,

– Mospërfshirja e temës së Integrimit në politikat editorial të gazetave kombëtare e kulmimi vetëm kur ka ngjarje të rëndësishme, apo kur për to flet politika,

Publikimi i shkrimeve, analizave e komenteve pa autorësi, apo trajtimi i temës së procesit të Integrimit jo si prioritare, jo si pritshmëri e më shumë se 85 % të shqiptarëve, por si një rutinë e zakonëshme e dorës së dytë dhe jo në gjithplotërinë e saj: ekonomike – sociale – kulturore etj., për mua si gazetar dhe ish drejtues redaksish të shtypit të shkruar, nuk janë suprizuese. Madje, duke e ditur mirë sesi funksionon mekanizmi brenda-redaksional,- konstatoj realizëm, vërtetësi dhe objektivitet tek të dhenat që sjell studimi, i cili në konkluzion përfundimtar kumton:

” Në shumicën e raportimeve mbi ngjarje që lidhen me Integrimin evropian vërehet mungesa e shkrimeve analitike apo dhe argumentave nga vetë redaksia e gazetave. Uniformiteti i pasqyrimit të lajmeve dhe ndryshimet ndërmjet tyre, në elementë që lidhen më tepër me gjatësinë e lajmit dhe pasqyrimin e plotë apo të pjesëshëm të deklaratave të zyrtarëve, në thelb nuk trajton çështje të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ose së paku nuk krijon një debat alternativ konstruktiv për publikun, por thjesht raportim të thatë”.   

Këto shtatë rreshta mjaftojnë për të konstatuar mosqënien e temës së Integrimit europian të Shqipërisë në prioritet trajtimi nga shtypi i shkruar. Nga që nuk tërheq lexues, “nuk shet”, sikurse thuhet në gjuhën e profesionit për ta motivuar këtë mungesë të shqueshme, ndërkohë që nga sondazhet  rezulton se për procesin janë të interesuar, madje dhe shumë entuziast, pothuajse të gjithë shqiptarët.

“Sondazhet tregojnë se 85% e qytetarëve shqiptarë janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen europiane konsiderohet si alternativa më e mirë dhe rruga më efikase drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe ekonomie të zhvilluar…”, lexohet në faqen on-line të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të disa dikastereve e institucioneve të tjera të rendësishme, duke e konfirmuar edhe zyrtarisht përqindjen dominuese të interest të publikut për Integrimin.

Çka presupozon se nëse tema e Integrimit nga shtypi i shkruar do të trajtohet siç duhet, nëse lajmet dhe të rejat nga kjo fushë do ti sjellin e përcjellin gazetarët profesionistë, nëse për të do të flasin, analizojnë e sqarojnë specialistët kompetentë dhe jo “ekspertët” politikë që e shndërrojnë debatin e Integrimit të vendit në betejë të rendë për veshët e publikut, interesi i këtij të fundit për këtë temë nuk ka mundësi të jetë i ulët dhe të mos shesë gazeta. Përkundrazi tirazhi do të jetë i ulët për aq kohë sa gazetat të përcaktojnë si politika redaksionale bërjen palë me liderët politikë dhe rendjen pas tyre në përpjekjet për ta shndërruar procesin e Integrimit nga politikë gjithëkombëtare në lojë votash e pushteti personal.

Unë gjykoj se:

– Mungesa e gazetareve dhe reportereve, të cilët të ndjekin specifikisht lajmet mbi Integrimin, si edhe ajo e analistëve, opinionistëve e komentatorëve specifik për trajtimin e një teme të tillë,

– Mungesa e artikujve, shkrimeve e lajmeve me relevancë  dhe cilësi të lartë publikimi në faqet e para, ndërkohë që raporti konstaton sasi informacioni që prek fushën e “integrimit”,- janë pasojë sa e botuesve dhe edituesve, të cilëve me të drejtë u digjet xhepi nga mosshitja e gazetave, ndaj dhe preferojnë të mbesin tek rutina e përditëshme që u garanton tirazh të lartë: Kronikë e zezë-politikë- rubrikë rozë,- por janë pasojë edhe e obezitetit të institucioneve zyrtare shtetërore, që, megjithse Integrimin e kanë objekt të punës së tyre të përditëshme, pak ndihmojnë në propogandimin e asaj çfarë përfaqëson procesi në tërësinë e vet.

Çfarë të reja i sjellë Integrimi Shqipërisë e shqiptarëve në jetën e tyre të përditëshme? Çfarë sjell për ekonominë, financat, bujqësinë, industrinë, sipërmarrjen private dhe shërbimet shtetërore…? Çfarë detyrimesh na obligon, çfitojmë dhe çfarë humbim nga qënia pjesë anëtarësuese e BE? Çdo të thotë të jesh pjesë e Unionit dhe qytetar i bashkësisë europiane etj. Janë hapësira ende të paeksploruara nga media pasi në përgjithësi askush nga strukturat përgjegjëse shtetërore nuk ka marrë përsipër nisjen e një aksioni sqarues të këtyre termave. Nga ky boshllëk informative ka rrjedhur fakti që pjesa dërmuese e publikut shqiptar Integrimin e njeh dhe i gëzohet vetëm nga që i heq vizat, i lejon të udhëtojnë vetëm me pasaportë në të gjitha shtetet e Unionit, duke i garantuar madje të jetojnë ku të duan nëpër Europë. Gjë që sigurisht është e vërtetë, por jo informacioni më i rendësishëm dhe më kryesori.

Ngritja e një net-worku, e një njësie menaxhuese për shkëmbim informacionesh dhe lajmesh, midis institucioneve zyrtare shtetërore, përgjegjëse direkte për Integrimin dhe të paktën redaksive të gazetave më të rendësishme të vendit, do ti ndihmonte palët në pasurimin e njohurive të publikut për procesin integrues, që sakaq nuk është më një objektiv për tu arritur, por një realitet i prekshëm, e që, nga mungesa e informacionit të bollshëm, mbetet ende i paeksloruar nga publiku i gjerë në shumëanshmërinë e tij.

E përmenda mosqënien e integrimit ende objektiv, por realitet i prekshëm për tu arritur pasi po të hysh nëpër faqet on-line të disa prej institucioneve zyrtarisht përgjegjëse për procesin integrues të vendit i vetmi informacion që ndesh zgjerueshëm është ai që flet për historikun e nisjes së këtij procesi 26 vite më parë si objektiv që synonte integrimin. Dua të them me këtë se edhe nëpër faqet e institucioneve aq shumë të gjuajtura nga gazetarët virtual të shtypit të shkruar gjen informacion shumë herë më të pakët sesa ai që ofrojnë organet  “mëkatare”, të shtypit të shkruar, të cilat edhe për çështjen gjithëkombëtare të integrimit, mjerisht, operojnë në mos-integrim, domethenë si të jenë shtet më vete.

baka besnik

Facebook Comments

Comments are closed.