Futbollisti kamerunas i Librazhdit katër muaj pa rrogë

Sport
660
0
sample-ad

Katër muaj pa u paguar, i ushqyer keq dhe vuajtje deri në kufijtë e mbijetesës. Nuk bëhet fjalë për ndonjë azilant lufte në kampet e Europës apo për të pastrehë që janë të shumtë në rrugët e kryeqytetit shqiptar. Është historia e rrallë dhe rrëqethëse e një futbollisti nga Kameruni. Bëhet fjalë për Janot Tadjong, i cili në verë iu bashkua Sopotit të Librazhdit për të vazhduar karrierën

janot tadjong

23-vjeçari, që luante në Tailandë, zgjodhi Shqipërinë me synimin që më tej të luante në ndonjë kampionat tjetër në Europë. Por, mesfushori nuk e kishte imagjinuar se, pas katër muajsh në vendin tonë, jo vetëm që nuk do të realizonte ëndrrën për të cilën kishte ardhur, por do të përfundonte deri në pikën për të diskutuar mbijetesën.

Në një rrëfim për gazetën “Panorama Sport”, Tadjond vendos t’i rrëfejë të gjitha. “Dy javë përpara ndeshjes së fundit me Turbinën kam mbijetuar duke ngrënë çdo ditë sanduiç. Paratë që kisha grumbulluar, i shpenzova në dy muajt e parë. Kam mbetur pa asnjë shpresë në Tiranë. Vazhdoj të jetoj vetëm falë zemërgjerësisë së disa miqve të mi, të cilët më sigurojnë vaktet e ditës. Kërkoj paratë e mia dhe asgjë më shumë”, deklaron ndër të tjera kamerunasi që nuk i përmban dot lotët.

Janot, si ndodhi që nisët një aventurë në Shqipëri pas disa sezonesh eksperiencë në Tailandë?

Ëndrra e çdo futbollisti janë kampionatet europiane të futbollit. Me anë të menaxherëve, mora një ofertë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, për të luajtur në kampionatet shqiptare. Duke e parë si një shtysë për një të ardhme më të mirë u nisa drejt Shqipërisë dhe kur arrita, mësova se ekipi im do të ishte Sopoti. Kampionatin shqiptar nuk e njihja fare, por më pëlqejnë sfidat dhe prandaj pranova.

Si ju duk Shqipëria dhe kampionati shqiptar, arritët të ambientoheshit pas 4 muajsh?

Nuk ishte ajo që kisha ëndërruar dhe imagjinuar unë. Kampionatin shqiptar e mendoja ndryshe, me më shumë para dhe më shumë përgjegjësi, por nuk qenka kështu. Njerëzit që më rrethojnë po, ata janë të afrueshëm dhe më kanë ndihmuar në çdo aspekt, por eksperienca futbollistike është një katastrofë.

Nuk kam mundur të luaj aq sa kam dashur, pasi kam pasur edhe disa probleme për sa i përket dokumentacionit dhe kjo më ka penalizuar jo pak. Por, çfarë të bësh, ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu si ne e kemi imagjinuar dhe menduar. Gjithsesi, mendoj se kjo eksperiencë jo e mirë në Shqipëri do të më shërbejë për diçka.

Nga fotot tuaja në profilin e “Facebook”- ut, duket që keni një fizik mjaft të përgatitur, i palestruar dhe plot energji. Nuk mendonit se ishit i aftë për një skuadër të një niveli më të lartë se Sopoti?

Futbolli tajlandez vërtet nuk ka ndonjë nivel për t’u admiruar, por ama përgatitja në stërvitje dhe forca fizike e lojtarëve është e madhe. Veç stërvitjes në grup, në skuadër na detyronin të bënim edhe palestër, çka më ka bërë të kem një trup të tillë që këtu në Shqipëri po filloj ta humbas.

Te Sopoti ka pasur probleme financiare këtë fazë të parë të kampionatit. Sa ka rënduar kjo te ju?

Shoh që jeni i informuar për situatën, e cila ka ndikuar keq te të gjithë ne futbollistët, sidomos tek unë. Erdha nga larg për një ëndërr, por po i shtyj muajt nga halli, pasi gjendem në një situatë katastrofike financiare. Nuk jam paguar për asnjë muaj, edhe pse kam katër muaj te Sopoti që stërvitem e luaj. Dy muajt e parë i kam shtyrë duke shpenzuar nga paratë që kisha me vete kur erdha me shpresën se një ditë do t’i kompensoja kur të më paguanin. Por, kjo ende nuk ka ndodhur dhe vazhdoj të qëndroj në Tiranë pa asnjë shpresë.

Si ia bëni që të mbijetoni në Tiranë kur ende nuk jeni paguar asnjë muaj dhe i keni harxhuar edhe paratë që keni pasur kur keni ardhur?

Këto dy muajt e fundit jam sajuar me çfarë të mundem. Shokët më kanë ndihmuar shumë. Një njeri i veçantë për mua, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, më ka ftuar në shtëpinë e tij çdo darkë duke më siguruar vaktin. Dhe, për më shumë se dy muaj, e kam siguruar darkën me anë të këtij shoku që zoti ia shpërbleftë gjithçka ka bërë për mua.

Ndërsa vaktet e tjera m’i kanë siguruar miq të tjerë. Dikush më fton për drekë, ndërsa një tjetër për kafe dhe kështu kam arritur të mbijetoj. Një periudhë kur edhe shokët e mi të dhomës nuk kishin marrë as ata pagat, kemi qenë shumë keq. Dy javë para ndeshjes me Turbinën që ishte e fundit për vitin e kaluar, kemi jetuar vetëm me sanduiçë që na i ofroi pronari i picerisë poshtë shtëpisë, pasi e dinte hallin tonë.

Ndërsa ditën e ndeshjes kemi shkuar pa ngrënë asgjë. Dhe, për çudi, fituam. Të gjithë bënim shaka kur u kthyem nga ndeshja që si arritëm të fitonim, edhe pse nuk kishim ngrënë. Para ndeshjes lojtarët e tjerë morën të gjithë paratë, përveç meje. Nuk e di pse nuk m’i dhanë, por kam besim që do t’i marr një ditë.

Si e mendoni se do të zgjidhet çështja juaj, pasi duket se jeni në gjendje kritike?

Pa marrë paratë, nuk kam ku shkoj. Nuk mund të kthehem në shtëpi pa u çuar familjarëve para, pasi ata presin nga unë. Në këto muaj veçse u kam marrë dhe nuk u kam dërguar asnjë lek. Nuk mund të shkoj e t’u them që në Shqipëri nuk më paguan. Do pres të rifillojmë përgatitjet dhe kam besim se do t’i marr paratë e mia. Zoti është i madh, do mendojë dhe për mua. Ai ka një zgjidhje për të gjitha situatat.

Drejtuesit çfarë ju kanë thënë?

Më kanë thënë që ekipi ka pasur disa probleme financiare dhe së shpejti do t’i zgjidhin. Jam në pritje, pasi pa para nuk kam ku të shkoj. Pres që ekipi i Sopotit të bëjë punën e tij dhe të më paguajë gjithçka më detyrohet, asgjë më shumë. Kam menduar që të filloj të bëj ndonjë punë tjetër sa për të mbijetuar, por nuk më ka ofruar njeri. Mbase prej ngjyrës së lëkurës, nuk e di.

Nëse do ta kthenit kohën pas, çfarë do të kishit bërë, do kishit udhëtuar drejt Shqipërisë?

Ndoshta për të gjetur nuse, por për futboll kurrë më.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

three + five =