E vërteta e pensioneve të falsifikuara

EkonomiKryesore
390
0
sample-ad

Çështja është më e gjerë, më e komplikuar, kur bëhet fjalë për vjedhje, mashtrime, falsifikime në institucionet publike shtetërore…

Pak ditë më parë  mediat bënë me dije opinionin publik se sektori i Auditit i Institutit të Sigurimeve pas kontrollit të ushtruar, ka bërë denoncim në Prokurori për mashtrim e falsifikim masiv të 500 pensionistëve në kryeqytet dhe gati 1500 të tjerë nëpër rrethe, që dyshohet se kanë përfituar pension në mënyrë të padrejtë, nga viti 2000 e deri sot. Ndërkohë, theksohej se njësia e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës ka regjistruar këtë procedim penal dhe do të nisë hetimin e kësaj vjedhjeje masive nëpërmjet falsifikimit dhe mashtrimit me anën e certifikatave false të moshës si dhe të vërtetimeve të vjetërsisë së punës, të bëra kryesisht nga minatorë apo dhe të tjerë, ku dyshohet se janë vjedhur nga Buxheti i Shtetit dhjetëra miliona lekë, përmes dhënies së pensioneve që nuk u takojnë.

Vetëm edhe kaq, ky lajm është një ogur i mirë për çdo shqiptar, ku duhet përshëndetur dhe inkurajuar Instituti, sektori i tij i Auditit, si dhe Prokuroria, që më së fundi janë kthyer në krye të detyrës, si veshi e syri vigjilent ndaj shkelësve të ligjit, ruajtjen e pronës së përbashkët, e sidomos të Buxhetit të Shtetit, që është Kuleta e të gjithë shqiptarëve. Ky i bashkohet edhe qëndrimit të  Qeverisë aktuale, si për të quajturën “falje e borxheve” të ushtarakëve, (që në fakt është kthim i parave të vjedhura nga anti-ligji, që gjithsesi është kthim i një pike djerse të kontributit të tyre në vite), ashtu edhe për angazhimi e saj dhe i ISSH, për rregullimin e diferencimeve që ekzistojnë në fushën e pensioneve në shkallë vendi qysh para vitit 1993 e deri më sot, diferencim ky kryesisht jo për shkak të ligjit, por më së shumti për shkelje, keqinterpretim e keqzbatim të ligjeve dhe akteve nënligjore prej sigurimeve shoqërore dhe organeve eprore në vite.

Si është e vërteta e pensioneve

Shkrova “vetëm kaq, sepse çështja nuk është kaq, por më e gjerë, më e komplikuar, kur bëhet fjalë për vjedhje, mashtrime, falsifikime në institucionet publike shtetërore. Në një shtet ligjor, cilido, qytetar a shtetar, që vjedh, mashtron e përfiton në mënyrë të padrejtë dhe në kurriz të të tjerëve, pa hezitim duhet të ndëshkohet nga ligji. Kjo është a-ja në çdo shtet të së drejtës. Mbi ligjin nuk mund të dalë askush, e aq më pak vjedhësit, mashtruesit, si për pronën private dhe për atë shtetërore. Por cilido shqiptar, i shëndoshë mendërisht, e di fare mirë se hajdutë ka patur e ka në cilëndo kohë e sistem. Ata nuk lindën në vitin 2000. Ndaj secili, që është esëll e nuk ka pirë `tollonin`e hashashit të kudombjellë e kudokorrë, mund t`i shkrepet e të bëjë ca pyetje fare të thjeshta: Certifikatat fallso, për ndryshimin e moshës, i përgatitën vetë këta hajdutë, apo u dhanë me firmë e vulë në zyrat e gjendjes civile që administrohen e ruhen nga organet shtetërore?! Po vërtetimet e vjetërsisë në punë, me firmë e vulë me stemën e Republikës, i falsifikuan ato vetë, në mënyrë primitive, apo u hartuan, u shkruan, u firmosën dhe u vulosën nga zyrat e personelit të burimeve njerëzore në qendrat e punës, që administrohen e ruhen nga shteti?! Certifikatat e vërtetimet iu dhanë si bamirësi, apo kundrejt një shpërblimi të majmë, që përbën një mbirrogë të dytë?! Ku e gjetën gjithë këtë kurajo e guxim punonjësit e administratës publike shtetërore, që nuk ua bën syri tërr, përpara asnjë kërcënimi me kobure të hajdutëve, që nuk kanë fare frikë dhe sfidojnë shtetin dhe ligjin? A mos e gjejnë  mbrojtjen në `bunkerin`e vetë shtetit `demokratik`, që gjasme aspiron për në BE?!Kushdo që mund t`i shtjellojë e bëjë tërkuzë përgjigjet e këtyre pyetjeve apo dhe të tjera si këto, arrin në përfundimin logjik, se veç hajdutëve, që kurrë s`kanë munguar, kemi edhe organizmat shtetërore që i stimulojnë, sepse , në fund të fundit, hajduti nuk i ka marrë ato me thyerje kasaforte, apo me bërje tuneli të nëndheshëm për të hyrë nëpër zyra, por janë dhënë nga vetë punonjësit `e besuar`, të zgjedhur me dorë nga vetë shtetarët e emëruar në to. Më shumë se hajduti, na rezulton se më hajdut është vetë shteti me shtetarët dhe nëpunësit e tij, që në këto 25 vjet tranzicion inkurajon, shkatërron gjithçka që ka të bëjë me ligjin, pronën, dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ja pse mungesa e Shtetit, ose Hiç-Shteti është një e keqe e madhe për gjithë shqiptarët! Dhe për t`i vendosur në binarët e duhur të shtetit ligjor nuk e mban dot as sektori i Auditit të ISSH, dhe as Taks-Forca e Prokurorisë, sado sy zgjuar të jenë! Sektor/degë/drejtori të Auditit, i shqipëruar `të kontrollit`, që përfshin specialistë, ekspertë, kryesisht ekonomistë kontabël, apo dhe të profesioneve të tjera, ka në çdo sektor shtetëror, përfshi dhe administratën publike. Sipas ligjeve në fuqi, Auditi në ISSH kontrollon veprimtarinë ekonomiko-financiare në sigurimet shoqërore, me synimin dhënien e një raporti (informacioni) të gjendjes reale të kësaj veprimtarie, nëse është kryer sipas kërkesave të akteve ligjore e nënligjore që normojnë këtë aktivitet. Këto raporte u shërbejnë organeve vendim-marrëse për të njohur e përmirësuar gjendjen, për të parandaluar çdo pasojë që rrjedh nga shkeljet e ligjit e të rregullave. Veç auditimit të brendshëm kryhet edhe auditim i jashtëm, nga organet eprore më të larta, deri tek Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas ligjeve (që gjithsesi janë të mirë), këta auditë cilësohen profesionistë të pavarur, që në veprimtarinë e tyre udhëhiqen nga Kushtetuta dhe legjislacioni ynë në fuqi, për të zbatuar të gjitha principet themelore si integriteti, objektiviteti, paanëshmëria, pavarësia,  ligjshmëria, profesionalizmi, përgjegjshmëria, transparenca, evitimi i konfliktit të interesit etj. Së paku kështu shkruhet në ligje dhe në Kodin Etik të ushtrimit të profesionit të Auditit, por se si zbatohet, kjo vlerësohet konkretisht në sheshin e mejdanit.

Në titull shkrova auditë me një sy e një vesh! Vallë të tillë kanë lindur dhe si të tillë janë zgjedhur? Jo, Jo! Të gjithë janë lindur të saktë, me dy sy që shikojnë për mrekulli, me dy veshë që dëgjojnë çuditërisht jo vetëm kur flitet me zë, por edhe me zë fare të ulët e lëvizje syri e buze deri dhe me shenja. Që të gjithë janë shik nga veshja, të pispillosur mirë dhe po ashtu gëzojnë shëndet të shtresës dhjamore. Kanë një rrjet të shumëfishtë lidhje me njerëzit e posteve të larta në Partitë-Shtet, në organet shtetërore, Gjykata dhe si të tillë, kanë edhe të mirat e tyre, në gëzimin e posteve të kontrollit, që ushtrojnë. Këto dihen nga opinioni publik, i ndeshin përditë, falë jo vetëm prej sjelljes, por  dhe veprimtarisë konkrete, me shkrim, firmë e vulë kudo që ata punojnë. I vetmi difekt, fare `i vockël` dhe shumë i vështirë për t`u `shëruar`,është se për çështjen e zbatimit të ligjit, kur u shkelen të drejtat e interesat legjitime fakirfukarenjve pensionistë, as nuk shikojnë dhe as dëgjojnë fare, u funksionon vetëm njëri vesh dhe njëri sy, me gjysmë kapaciteti. Por këta dëgjojnë e shikojnë shumë mirë kur u flasin e urdhërojnë ata që i emërojnë! Me një fjalë, nuk zbatojnë Ligjin, por Maliqin. Le ta ilustrojmë këtë, me faktet që japin me shkrim e me gojë, ose siç thuhet `Pohojnë me gojën e tyre`: Auditi ka `zbuluar` 2 mijë dosje që dyshohet për mashtrim e falsifikim nga viti 2000 e deri më sot, (16 vjet) , që më shkoqitur, rezulton se në mbi 600 mijë pensionistë në vend, në 300 prej tyre, njëri është i dyshuar për mashtrim dhe ka rënduar Buxhetin e Shtetit, se ka marrë afërsisht 14 mijë lekë/muaj. Kjo shifër përbën sukses të madh, zili për mbarë botën, që në 15-16 vjet, kemi një vjedhës, kur në fakt vjedhës, të kalibrit të madh e të vogël, të çdo shkalle, ngjyre e flamuri kemi e ndeshim çdo ditë, me shumicë e tepricë?! Urojmë që të jetë vetëm ky `dëmi` i hajdut-pensionistit që i bëhet Buxhetit, dhe jo të tjera më të mëdha si ai i vjedhjes Thesarit (floririt), apo ai tjetri, i Bankës Qendrore, që Guvernatori na u shpall nga gjykata i pa faj, dhe kërkon pagën edhe një herë aq sa u vodh banka, për 4 vjet?!

Pensionet e ushtarakëve dhe abuzimi me to

Një fakt tjetër. Në këto15 vjet, nga 20 mijë ushtarakë, mbi 4 mijë kanë fituar gjyqet me sigurimet shoqërore, për shkelje ligji, ku u janë mbajtur me vite të tëra shuma nga 2-3 milionë për person, ose 8-12 miliardë lekë gjithsej vetëm për 4 mijë, pa llogaritur për 20 mijë. Dhe e çuditshme është se `specialistët` auditë kanë firmosur, e vulosur si të rregullta vendimet e sigurimeve! A nuk përbën ky fakt një skandal të madh shtetëror, ku prokuroria me iniciativë duhej të niste hetimin?! A nuk përbën shpërdorim e abuzim me detyrën të auditëve, për shkelje ligji, vjedhje në përmasa të mëdha, e në mënyrë kolektive, dhe si të tillë  duhet të procedohen penalisht, për krimin ekonomik të vjedhjes së pensionistëve?! Vetëm  mbajtja çdo muaj 3 mijë lekë për 10 mijë ushtarakë, vjedhja arrin në 30 milionë lekë/muaj të Buxhetit të Shtetit, që nuk dihet si u shpërdoruan e nuk shuan në xhepin e pensionistëve. Janë mbi 6.5 miliardë lekë që Qeveria Berisha nuk dha asnjë kacidhe pension suplementar që u takonte me ligj, 20 mijë ushtarakëve në vitet 2006-2009. Moskompesimi i bukës e dritave, 500 lekë/muaj, për 15 mijë vetë, për 10 vjet me pension të parakohshëm, arrin 900 milionë lekë; Një shembull fare i thjeshtë: Vetëm 50 lekë “gabim” në llogaritje të rritjes a kompensimit të gjithë pensionistëve në vend arrin 30 milionë/muaj, ose 360 milionë në vit. Shikoni, ç’vjedhje e shpërdorim i madh, që nuk bie në sy, kur shihet se vetëm 50 lekë që i vidhet secilit, është sa një bidon ujë. Pra pensionet, janë minierë ari për vjedhje që bëhet nga nëpunësit e administratës publike, që mbrohen nga shteti. Një vjedhje që bëhet fare kollaj, vetëm me majë lapsi, pa zhurmë e bujë, pa mina e tritol. Nuk bie fare në sy, sikundër vjedhjet e tjera, sepse e kanë vetë kuletën e qytetarëve pensionistë dhe futin dorën e marrin si e sa  herë duan. Po kush i kontrollon dosjet e pensionistëve, nëse llogaritjet janë në pajtim me ligjin?! Kjo është detyrë madje kryesore e Auditit! Po auditët, kush i kontrollon si e kryejnë detyrën?! Askush! Vallë nuk dinë, nuk duan apo janë të korruptuar këta auditë, që  nuk i shikojnë se si nëpunësit aty shkelin ligjin, vjedhin pensionet, veprim i cili përbën krim dhe që është i dokumentuar me shkrim, firmë e vulë në çdo dosje pensionisti! Janë mijëra dosje që në vendimet për caktim a shqyrtim pensioni, si për civilët dhe ushtarakët, në fund të tyre gjejmë edhe një firmë, pa emër, që i korrespondon Auditit të ISSH. Pyesim për emër e mbiemër, nuk na e tregojnë, e mbajnë `tepër sekret`. Duhet të bësh kërkime të pazakonta, deri edhe me Interpolin, që mund të gjesh se cili është ky person! Po pse fshihen dhe nuk vendosin emër e mbiemër, dhe të firmosin sikundër përcakton ligji dhe rregullat, por bëjnë një shkarravinë mbi vendime?! Pra, ja paradoksi: auditit si kontrollues i zbatimit të ligjit, shkel haptas ligjin! Ky qëndrim a nuk është virusi kanceros i korrupsionit mbarë shtetëror që po bren shtetin dhe shkatërron shoqërinë tonë?!

Le të shënojmë dhe deklarimet e shtetarëve. I Larti Kontroll i Shtetit, deklaroi publikisht se gjatë auditimit mbi ligjshmërinë dhe rregullshmërinë në  ISSH për vitin 2013 janë mbi 10 miliardë lekë kontribute të pambledhura; rreth 114 mijë persona nuk janë përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore në fshat! Një vit më pas deklaroi se: efekti negativ i kontributeve arrin 1,7 miliardë lekë; Reforma e skemës së re të pensioneve vihet në dyshim; Në kundërshtim me ligjin janë shpërblyer me padrejtë 1443 punonjës të ISSH në vlerën 15 milionë lekë. Rritja e pensioneve nuk është bërë sipas rritjes së indeksimit të çmimeve, por me VKM, me mendësi politike. Më pas Kryeministri e ministrat dhanë alarmin tronditës, kur publikuan jo vetëm shifrat e gropës së zezë të mosmbledhjes së kontributeve, por dhe 1400 institucione shtetërore e private, që s’paguan sigurimet për punonjësit e tyre. Më skandaloz është fakti që, për 8 vjet rresht, në qeverinë që ra nga fiku, punonjësit e shtetit punonin në të zezë, u janë mbajtur paratë e nuk janë derdhur kontributet, ku kampione është vetë ISSH, ministria e Mirëqenies, ALUIZNI,- Inspektorati i Punës, etj.“Ky  është krim ekonomik, një batërdi keqadministrimi-deklaroi Kryeministri.

Ja, publiku dëgjoi dhe pa me figurë e zë deklaruesit! I lexoi kudo këto shkelje ligji!

Po pastaj? Asgjë! Kush mbajti përgjegjësi ligjore për këto krime? Asnjë! Ku ishe? Asgjëkundi! Ku ishte dhe ku është Auditi i brendshëm dhe ai i jashtëm! I varur në gozhdën e Maliq Antiligjit! Ku ishte dhe ku është Prokuroria? Bën gjumin letargjik! Ku është Shteti Ligjor? Në drejtim të paditur!  Ku është Drejtësia? Është marrë peng, nga politika! Kush e pëson nga këto shkelje të ligjit? Si gjithnjë, populli i thjeshtë, tek ai shkarkohen të gjitha “rrufetë”!

Mos e harroni mençurinë popullore e shprehur në thëniet proverbiale: ” Peshku qelbet nga koka” dhe “Frika ruan vreshtat”! Me sakatllëkun e udhëheqjes shtetërore, në çdo kohë, të sakatosur dhe të humbur jemi të gjithë! / Marrë nga Dita/

   * Autor i shkrimit është  Ismet Isufi, ushtarak në pension

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fifteen + fifteen =