Bashkia e Tiranës me dy standarte për tendat e bareve

KryesorePolitike
449
0
sample-ad

Megjithse duket sikur institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj nuk të fal dhe e ushtron detyrën sipas sentencës: “Ligji është i barabartë për të gjithë”, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Të paktën në dhënien e lejeve për të ngritur tenda përpara hapsirave publike për të cilat pronarët e bareve paguajnë taksat kjo formulë barazie nuk funksionon. Për tu bindur mjafton ti hidhni një sy lokaleve që funksionojnë si të tilla në qendër të kryeqytetit, tek pallatet në krah të Piaces e përreth. Disa janë lejuar të ngrenë tenda moderne që u sigurojnë klientëve ngrohje dhe komoditet qëndrimi, disa të tjera janë pa to. Përse?

“Disa muaj më parë kam provuar të vendos një tendë, por nuk kaluan as dy ditë dhe mu shfaqën “fadromaxhinjtë” e Bashkisë që ma rrënuan të gjithë investimin, që më iku kot. Më thanë se nuk kisha leje për ta ngritur tendën. Kjo ishte e vërtetë, por duhet të kini parasysh se disa herë kisha kërkuar për tu pajisur me leje nga Bashkia por më mbanin pezull pa asnjë motiv. Kështu që, prita e prita, vendosa ta ndërtoj me iniciativë….  Ajo që më nervozon është se ndërsa mua nuk më lejojnë të ngre tendë, nuk ja refuzojnë lejen disa lokaleve që ndodhen në krahët e mi, e që janë të njohur si militantë e miq politikanësh. Duhet të paguaj nën dorë? E përse duhet ta bëj këtë kur fakti që këta disa lejohen tregon se është një e drejtë ligjore dhënia  e lejes…”.

Këto janë deklarime të bëra nga disa pronarë baresh, që zyrtarisht i mohojnë në Bashki, kurse konfidencialisht nuk i mohojnë.

“Për momentin lejet janë ndërprerë dhe besojmë se do të shbllokohen nga janari. Kush do të jetë i interesuar le të aplikojë, madje dhe on-line e pas shqyrtimit do të lejohet të ngrejë tendën nëse është komfort ligjit, ose jo. Kështu ka funksionuar gjithmonë”, – shprehet për “shtypi.net” njeri prej zyrtarëve të lartë, i njohur për besnikëri dhe servilizëm ndaj Kryetarit të Madh, por që, çuditshëm, këmbëngul të mos e identifikojmë.

Mirëpo krejt e kundërt del të jetë e vërteta e konfirmuar për “shtypi.net”, nga burime zyrtare kofidenciale brenda Bashkisë, sipas të cilave:

Pajisja me leje tendash e disave dhe mohimi i të tjerëve është proces i trashëguar dhe prezent në vijueshmëri. Funksionon kështu jo vetëm për tendat, që lejohen ti ngrenë miqtë, shokët e të afërmit e të pushtetshmëve, por dhenia e lejeve është kthyer në tregti. Që ta kesh dhe të lejohesh të ngresh një tendë duhet të paguash nën dorë. Proceduralisht propogandohet se mjafton një aplikim on-line, tek zyrat bashkiake të sherbimit ndaj qytetarëve dhe brenda dy, tre javësh të vjen përgjigja,- shpjegojnë burimet konfidenciale, duke shtuar se e gjitha ajo që shitet si lehtësi me on-line etj.etj, është veç një propagandë. Pasi kurrë nuk ka funksionuar e nuk funksionon kjo rrugë zyrtare ligjore.

Po, ndodh dhe që ta bëjnë aplikimin dhe të mbajnë varur, pa të dhenë asnjë përgjigje madje. Po ta përsërisim: Asnjë tendë e ngritur nuk rezulton të jetë dhenë në rrugë meritokratike, duke zbatuar procedurën e on-lines. Jo vetëm lejet për ata rreth Piaces, ku thoni ju, por të gjitha lejet janë lëshuar për militantë, për miq dhe për ata që kanë derdhur “xhixhat” nën dorë… Edhe tek ish Blloku gjen të diferencuar dhe jo vetëm tek rreth Piaca. Ca me tenda. ca pa tenda. Njësoj si me duhanin që tek disa lejohet të pihet tek të tjerë nuk lejohet se ha gjobën. E njejta histori është… Gjen ngado ku ka dyndje klientësh, ca me tenda që majmen, të tjerë pa tenda që thahen… Madje dhënia e lejeve për tregti asnjëherë nuk ka ndalur. Ajo vijon të funksionojë edhe në këto ditë “embargoje” dhe për ta pasur mjafton tu derdhësh “xhixhat” nën dorë sekserëve. Jo direkt drejtorëve kompetentë por sekserëve të llojit M.S.,- dekonspirojnë burimet konfidenciale, që nuk e lejojnë kapërcilin e kufirit informaciondhenës.  Gjithsesi në vijimësi të ndjekjes së problemit “shtypi.net” do të publikojë identitetet e sekserëve posa të bjerë në gjurrmë të tyre.

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

15 + thirteen =