Borxhi publik kalon emergjencën

Ekonomi
1.4K
0
sample-ad

 

borxhi-publik-17-01-2014

Interesat e ulëta e kanë akomoduar stokun e borxhit publik drejt afateve më të gjata të maturimit. Në këtë mënyrë borxhi i Shqipërisë ka kaluar emergjencën e rifinancimit të borxhit të brendshëm.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shihet se në stokun e borxhit të brendshëm prej 528.7 miliardë lekësh, 56% e tij është në instrumente afatgjatë (në obligacione, 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçare).

Ky raport ka ardhur në zgjerim vitet e fundit. Në vitin 2012, borxhi afatshkurtër me afat maturimi 1 vit përbënte 53% të detyrimeve të brendshme. Pozita e instrumenteve afatgjatë dhe atyre në afatshkurtër në totalin e borxhit u barazua në vitin 2013 dhe më tej borxhi afatgjatë dominoi mbi atë afatshkurtër.

Por gjithsesi  borxhi i brendshëm paraqitet më i kushtueshëm se borxhi i jashtëm, kryesisht për faktin se është borxh i emetuar tërësisht me terma tregtarë dhe për shkak të kushteve makroekonomike që karakterizojnë vendin.

Megjithatë, kosto mesatare e borxhit të brendshëm ka ardhur vazhdimisht duke u ulur edhe pse në portofol është rritur pesha e instrumenteve afatgjata. Ndërkohë, kosto mesatare e borxhit të jashtëm gjatë viteve të fundit ka qenë më e qëndrueshme duke u luhatur maksimalisht me 10 pikë përqindje.

Borxhi i brendshëm shtetëror përbëhet 100% nga instrumente të tregtueshme, të tipit bono thesari dhe obligacione. Ndërkohë, borxhi i jashtëm shtetëror përbëhet në masën 86.6% nga instrumente të patregtueshme, si kreditë e projekteve për zhvillim, mbështetja buxhetore dhe kredia pjesërisht e garantuar nga Banka Botërore (PBG). Pjesa e mbetur prej 13.4% përbëhet nga instrumente të tregtueshme në tregjet ndërkombëtare, të tipit Eurobond.

Gjatë viteve të fundit, borxhi i brendshëm është karakterizuar nga rritja e vazhdueshme e peshës së obligacioneve, si pjesë e politikave menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve. Ndërkohë, borxhi i jashtëm karakterizohet nga rritja e peshës së mbështetjes buxhetore. Rritja e këtij komponenti është e lidhur me politikat e Qeverisë për të likuiduar detyrimet e prapambetura, me qëllim uljen e nivelit të NPL-ve në ekonomi dhe stimulimin e rritjes së kreditimit ndaj sektorit privat./monitor

Facebook Comments

POST A COMMENT.

1 × 3 =