Blushi jashtë Kazanit

Opinion
472
0
sample-ad
ben blushi

Nga: Bedri ISLAMI

Largimi i Ben Blushit nga Partia Socialiste nuk ka asgjë spektakolare dhe asgjë të papritur. Tërheqja e tij nga struktura ku militoi për më shumë se 20 vite, thuajse në të gjitha postet e saj, më shumë se gjithçka tjetër, ishte kronikë e një largimi të paralajmëruar, që në fakt duhej të kishte ndodhur shumë më herët dhe shumë më dinjitetshëm se sa sot.

Ben Blushi është figurë e njohur e politikës, e medias dhe e botës së krijuesve. Sado që të mos e duash si njeri i politikës, nuk mund të mos matesh mirë kur sheston vlerat e tij si publicist, sidomos si krijues në botën e librave, njeri nga të cilët, romani i tij “Të jetosh në ishull”, ishte një befasi që të ngjallte edhe kureshtjen, edhe debatin, edhe mërinë, edhe zbulimin që e gjeje në faqet e tij.

Si publicist, me një fillim tek RD-ja, që ishte në fillimet e saj botëpërmbysëse dhe u përmbys edhe vetë pastaj koha e drejtimit të “Koha Jonë”, është njëra ndër më të spikaturat, kur, ende nuk e di se për cilën arsye, pushteti jo vetëm nuk e deshi më, por edhe e dogji vendin ku punonte. Kur them se nuk e di se për cilën arsye, jo se nuk e di dhunën e pushtetit, por nuk e merrja dot me mend se si një pushtet mund të jetë njëkohësisht kaq i dhunshëm dhe kaq i verbër.

Nuk e di nëse hyrja në PS ishte joshja politike e Blushit apo marramendja në një forcë që të dhuronte lehtësisht pushtet. PS e kohës së Blushit ishte forcë delirante drejtuese e vendit, ishte e përfshirë në euforinë e riardhjes në pushtet, jo për meritë të saj, por nga fajet e krimet e paraardhësve të tyre, të cilët, si nuk ndodh kurrë me një forcë të re politike, u kthyen marramendshëm shpejt në shembësit e vërtetë të shtetit dhe grabitësit e tij.

Nuk më interesojnë postet që ka pasur dikur në qeveritë socialiste Ben Blushi. Nëse ia kanë dhënë, do të thotë se kështu kanë menduar. Nëse i ka shfrytëzuar ato, kjo ka qenë në logjikën e mbrapshtë të shumë prej qeveritarëve të kohës, por, pak ose shumë pak, Blushi është ndër emrat e përfolur për korrupsion të habitshëm galopant.

Edhe pse shumë vite më parë ka nënshkruar një marrëveshje për plehrat, bashkë me ministrat e tjerë, nuk është aq e veçantë, dhe sot bëhet luftëtar i importit të mbetjeve, përsëri nga qeveria e tij socialiste, rishtas nuk është mëkat. Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë, më thonte njëherë Adem Demaçi, kur e pyesja për ndryshimet në disa përcaktime të tij.

Ajo që më intrigon është në pyetjen: Përse tani?

Përse pikërisht në këtë kohë, Blushi e hedh veten jashtë strukturës ku ishte njëzet vite radhazi? Cili mund të jetë shkaku i vërtetë i luftës së tij me “plehrat”, të cilat ai i gjen jo vetëm tek një vendim që nuk duhej të merrej, por edhe tek njerëzit, strukturat politike dhe miqtë me të cilët ai ishte deri tani?

Pse jo në një kohë tjetër, më të hershme apo më të vonë?

Gjithçka ka kohën e saj. Kohën për të vënë mend, kohën për të ndryshuar, kohën për t’u larguar, kohën për të bërë një kthesë, qoftë ajo edhe kthesë politike.

A ishte kjo koha e Blushit për ndryshim, për largim, për kthesë, qoftë edhe kthesë politike?

Ben Blushi, për shumë kohë të paktën në disa vite, ka qenë një farë opozite brenda opozitës, kur PS ishte jashtë pushtetit, dhe rishtas për disa vite, ka qenë pjesë e opozitës brenda qeverisë, që ngjante në opozitën e tij si dy pika uji me opozitën jashtë qeverisë.

Blushi ishte nismëtari i “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, një katërshe deputetësh, të cilët më pas, ose shkuan të “flinin me mullixhinë, nga inati i vjehrrës”, si ishte rasti i Kastriot Islamit, ose e gjetën veten jashtë listave dhe kur e futën veten në listën e tyre u gjetën edhe jashtë parlamentit, si ishte rasti i Arben Malajt, ose, kur braktisën kauzën, pra, kur koha për ndryshim u bë kohë për të qenë në listë, i lanë të tjerët dhe shikuan se ku do të jenë, si ishte rasti i Ben Blushit.

Koha më e pritur që Blushi të linte PS-në dhe të kërkonte diçka tjetër që i përshtatej vizionit të tij politik e qytetar ishte pikërisht në krijimin e “Lëvizjes…”, e cila në të vërtetë, përveç debatit që ngjalli, nuk ndryshoi asgjë, nëse nuk e quajmë ndryshim kalimin e K.Islamit në prehërin pritsjellës të Berishës.

Ishte koha kur ai vetë mund të provonte se si mund të ngrihet një forcë politike, jo nga jashtë dhe të gjetur gatshëm në shumësinë e saj, por nga e para; ishte koha kur partitë, sipas thënies së tij, nuk do të ishin vetëm kazanë plehrash, pra ai vetë do të mund të sillte një fytyrë të re në politikën shqiptare, qoftë e së majtës, e mesit të artë apo e të djathtës.

Sepse nuk dihej se çfarë mund të krijonte Blushi, këtë askush nuk e di në Shqipëri, ku as e majta nuk është e majtë, as e djathta nuk është e djathtë dhe ku shumçka është e shitshme.

Blushi mund të dilte shumë lehtë “nga kazani i plehrave” partiake, shumë më herët se sa kjo qeveri të miratonte një ligj, që, edhe pse të ndryshuar, ishte vazhdë e një vendimi që kishin hedhur poshtë që para se të vinin në pushtet. Ai nuk doli kur ishte koha, u bë zëdhënës i largimit të Ramës që në vitin 2009, kur çdo kush, edhe ai vetë e dinte se vjedhja e votave në zgjedhjet parlamentare kishte qenë spektakolare, që do të shfaqej haptas në zgjedhjet e mëpasme për bashkinë kryeqytetase. Nuk doli as kur radikalizimi i lëvizjes politike të Ramës nuk solli përmirësimet që priteshin dhe nuk e bëri më demokrat Berishën e ligjet nuk i zbuti. Nuk doli as kur “21 janari” u braktis si kauzë dhe si drejtësi politike dhe kjo ishte shumë më e rëndë se sa një ligj për mbetjet që mund të hidhet lehtësisht poshtë. Nuk doli as kur Rama ndërtoi qeverinë  e re, që është në disa struktura shumë fluturake, por ku nuk u bë vend për të; nuk doli as pas debatit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë, ku retorika e fortë e shpesh herë e drejtë, mbeti vetëm retorikë. Dalja e tij në masën e socialistëve, që ende nuk ishin aq të pakënaqur sa mund të jenë sot, ishte testi që  bëri dhe ky test, sado i shpejtuar apo i vonuar, nuk solli asnjë risi, veç disa dhënieve mjeshtërore që tani nuk mbahen mend.

Rasti Blushi nuk është as i veçantë, as spektakolar e as habitës. Është si të gjitha largimet e tjera, si kanë ndodhur largimet e bujshme në kohën e vet dhe mbytëse pastaj, të Cekës, Imamit, Zogajt, Pashkos, Rulit, më tej Koplikut, Shehut, Kalakulës, Selamit, Hajdarit, Pollos, një listë e gjatë të larguarish, të cilët më pas, duke ndjerë shijen e pushtetit e të pasurisë, janë kthyer e janë bërë më “demokratikas” se vetë Berisha.

Politika jonë është e mbushur me largime, të cilat fillimisht kanë tingëlluar të bëra për një kauzë, për një vizion ndryshe e më pas, rëndom, kanë qenë ripërsëritje të një kthimi drejt pushtetit, larje gojësh nga e thëna e parë. Ceka, e me të, grupi i Mocionistëve të parë, kërkonte nga Komisioni i Lartë i Kontrollit të Pastërtisë së Figurave Politike të hetonte figurën e presidentit të kohës, Berisha, sepse, sipas tyre, “ai ishte agjent serb”, e më pas,thuajse të gjithë iu rikthyen prehrit të… agjentit.

I vetmi rast në politikën tonë, kur një” i larguar” nuk është rikthyer, por është bërë forcë e tretë, dhe e treta e domosdoshme e qeverisjes, ishte largimi i Ilir Metës nga socialistët në pushtet, por deri më tani, asnjë tjetër, nuk kishte pragmatizmin e tij në politikë dhe ndërtimin e strukturave nga e para.

Nuk do të doja që Blushi të kthehet si djali plangprishës. Nëse është i zoti, le të krijojë forcën e tij politike, por ky do të jetë një mision thuajse i pamundur. Konsumimi i tij i deritashëm në politikë dhe risjellja e të njëjtit debat në përsëritje të lodhshme, do ia bëjnë të vështirë të jetë një pol i politikës shqiptare.

Sot është bërë e rehatshme dhe “moderne” të jesh kritik i Ramës. Të gjitha qeveritë në botë kanë kritizerët e rremë dhe opozitarët e saktë.

Deri më tani Blushi ka qenë mes të dyjave, herë herë është konceptuar si kritizer i rremë, herë-herë si opozitë brenda qeverisë. Nëse ai do të rrijë në linjën e vet, pavarësisht se nuk është pjesë parlamentare qeverisëse, kjo do të shihet në një kohë të ardhshme.

Që ai do të jetë edhe më tej komod në kritikën e tij, edhe kjo dihet. Ai do të bashkohet me pjesën e miqve të tij, të cilët uroj të mos i zhgënjejë duke u bërë njëri prej tyre. Pra një zë opozitar, sado i fortë të jetë.

Kambanat e zgjedhjeve të ardhshme po bien. Çfarë kambane do të jetë Blushi? Në fakt duhet shtruar ndryshe: A do të arrijë ai të bëhet njëra ndër kambanat e politikës sonë?  / Marrë nga gazeta DITA/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

13 − eleven =