Gjyqësia në Kosovë

Opinion
335
0
sample-ad

Jakup_Krasniqi  

Nga:Jakup KRASNIQI

Drejtësia në Kosovë në vazhdimësi ka qenë pika më e dobët e pushtetit të huaj dje, ajo vazhdon të jetë një pikë tepër e dobët edhe sot. Vazhdon të jetë pikë e dobët edhe sot, për faktin se i kanë mbetur shumë lidhje me të djeshmen, që ishte më shumë se e politizuar.

Drejtësia zakonisht mbështetet në tri shtylla. Në Hetuesi, në Prokurori dhe Gjyqësi.

Hetuesia në të kaluarën zakonisht është mbështetur në dajak, në dhunë, në dëshmitarë të rrejshëm, në mashtrime e “shpërblime”; as sot nuk ka ndonjë dallim të dukshëm, ndoshta sot është hequr dajaku, por jo edhe angazhimi për t’i eliminuar veprimtarët atdhetarë. Kjo përpjekja e fundit sikur tepër koincidon me hetuesinë e para luftës çlirimtare, me atë të UDB-së famëkeqe.

Prokuroria dje është shërbyer nga hetuesia, siç është parë, dëgjuar e lexuar në gjyqet e montuara politike të mbajtura viteve të fundit, nuk është parë të jetë bërë ndonjë përmirësim i dukshëm. As Prokuroria e këtyre viteve, në shoqërinë e re kosovare nuk ka bërë ndonjë përparim cilësor. Dje kishim shumë aktakuza politike, ishim të bindur se pas luftës çlirimtare do të fillonte një prokurori tjetër, një prokurori e liruar nga politika ditore, por u mashtruam keq. Prokuroria vazhdon rrugëtimin e saj të politizimit të turpshëm.

Gjyqësia ka fatin të ngrihet mbi dy shtyllat e para dhe e ka vështirë të ngrihet mbi to e të marrë aktgjykime të qëndrueshme e të pranueshme për opinionin kosovar. Kush gjatë këtyre viteve ka vërejtur dështimet e njëpasnjëshme të gjyqësisë ndërkombëtare dhe kosovare, përveç që i ka ardhur keq për njerëzit që janë goditur nga padrejtësia, më shumë iu është dhimbsur drejtësia. Gjyqë¬sia kosovare sikur është ngritur mbi pazare të fshehta për të ruajtur struktura të vjetra të padrejtësisë. Sikur të veprohej ndryshe, jashtë kornizave të shkollës shoviniste serbe, gjyqësia ndërkombëtare e kosovare do të ishin të nderuara e të respektuara. Prandaj themi: Gjyqësia në Kosovë jo me fajin e kosovarëve ka falimentuar.

Gjatë këtyre viteve është folur, dëgjuar e shkruar shumë për krimin e organizuar, për kontrabandën e korrup¬sionin, për trafiqet e ndaluara e prostitucion e sëmundje tjera të shoqërive në transicion. Për këto shëmti nga Kosova, nga shoqata qeveritare e joqeveritare janë shkruar raporte, analiza e komente që jo pak kanë dëmtuar procesin e pavarësisë e të demokracisë në Kosovë. Kishte edhe zëra shqip me mendësi të huaj që ne e njohim mirë. Emëruesin e kishin të përbashkët – sulmin mbi vlerat kombëtare e qytetare të Kosovës.

Nga gjyqësia kosovare kërkoj: zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës e veçanërisht vrasjet e cilësuara politike. Gjyqësia kosovare e ndërkombëtare duhet të njoftojë legjislativin e Kosovës, cilat janë rezultatet e gjyqësisë të rastit të Shaban Manajt, të Ismet Racit, të deputetit Smajl Hajdaraj, të Komandant Drinit, të Tahir Zemajt. Pse asnjë fjalë për vrasjet e pjesëtarëve të UÇK-së? Pse heshtet për këto dështime? Cila është e vërteta e këtyre rasteve? Cilat janë rezultatet e hetuesisë për rastin Ze¬maj? Pse heshtet për këto dhe rastet tjera? Pse pati shumë zhurmë mediale? Pse u lejua kjo zhurmë? Kush përfitoi dhe humbi nga kjo zhurmë? Kush dhe pse merrte rolin e hetuesit, të prokurorit e të gjyqtarit? A ishin të gjitha këto rastësi? Çka tregoi rasti Drini? Pse u viktimizua Salih Veseli? 10 vitet e Salih Veselit a mund ta shpëtojnë nga turpi “drejtësinë” e UNMIK-ut? Cila është vlera e betimit të dëshmitarëve para gjykatores? A duhet të ndëshkohen dëshmitarët e dëshmive të rrejshme? Pse gjyqësia në Kosovë ka ndjekur vetëm një drejtim? Pse u ngritën gradat politike të vrarëve? Cili ishte qëllimi? Pse dhe kush i amnistojë shërbimet sekrete serbe nga krimet e orga-nizuara politike? Kush e bën lojën e këtyre shërbi¬meve në Kosovë?

U bënë dhe spote: “askush mbi ligjin” dhe dikush s’i zbriti kurrë atij, dhe dikë s’e rroku kurrë ligji. U tha tolerancë zero për krimin, kontrabandën, korrupsionin. Zhurmë për asgjë. Mali polli një mi! Sa vjedhje, sa keqpërdo¬rime, sa të korruptuar, sa shkaktarë të avarive dhe – asnjë përgjegjësi?! Ku nuk vepron ligji e drejtësia, kalon terri, lulëzon krimi e pasiguria. Ata që duhet të luftojnë korrupsionin, marrin në mbrojtje të korruptuarit. Kujtoni rastin e kontratës fantome të PTK-së?! Sa të tilla i ka mbuluar pluhuri në sirtarët e të plotfuqishmeve?! Në Kosovë po sundon padrejtësia, paligjësia, anarkia, e në institucionet e Kosovës amullia, përgjumja dhe shterpësia.

Gjyqësia ndërkombëtare në Kosovë ka bërë dy gabime të mëdha:

1 Ka ndjekur, burgosur me muaj e vite njerëz të pafajshëm, me dëshmi të dëshmitarëve të motivuar politikisht, shpesh të nxitur nga hetuesia për të përfolur veprimtarë të lartë politikë. Kjo është parë në rastin “Drini”. Rasti “Drini” është nën nivelin e Procesi të Prizrenit të vitit 1956.

2. Nuk ka zbardhur asnjë vepër të rëndë të krimit të organizuar politik, ekonomik, të kontrabandës e të korrupsionit.

Gjithë këto dështime, askush në përgjegjësi! Çka i thonë kësaj?

PS: Ketë shkrim të shkruar më 2002. Përshkak të disa zhvillimeve po e sjelli pa asnjë ndryshim. Shkrimi është i botuar edhe në librin tim: Një luftë ndryshe për Kosovën, botim i Buzukut, Prishtinë 2007, faqe 77.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

sixteen − five =