Katër arësye pse PD humbi zgjedhjet në Dibër

EditorialKryesoreOpinion
364
0
sample-ad
ngjela1

Nga:Spartak NGJELA

– Shqiptarët nuk mund të pranojnë më sakrifica kundrejt mirëqenies individuale, për të shpëtuar abuzuesit që i kanë qeverisur me përkrahjen apo me votën e tyre.

Dibranët dhanë sot shenjën e parë të pragmatizmit perëndimor në Shqipëri. Sigurisht që janë disa arsyet kryesore të humbjes së thellë të Berishës në Dibër. E para është se shëmtimi Berisha nuk mund të ketë më mbështetje në Shqipëri. Ishte ky shëmtim që u dallua qartë nga të gjithë shqiptarët në këtë muaj të fundit, dhe u përbuz prej tyre. Shëmtimi Berisha vjen nga filozofia e tij totalitare e armikut.

Arsyeja e dytë është analiza vetiake e dibranëve për provat e korrupsionit Berisha, gjatë kundërvënies që i bëri ai politikës amerikane për të bllokuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri, kur ky ishte kusht për të ardhmen europiano-perëndimore të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Arsyeja e tretë është trendi i kohës që nuk mund të pranojë më injorancën që nuk di të qeverisë por të gënjejë, për ta konsideruar “armik” kundërshtarin apo rivalin politik.

Arsyeja e katërt është se, fluksi i mediokritetit që paraqiti PD në Dibër, ishte inercia e ligësisë Berisha. Një kryetar partie kukull, që mendoi se me ligësi dhe gënjeshtra fëminore “kundër armikut” mund të përballej me një nga popullsitë më inteligjente të shoqërisë shqiptare.

Të katra këto arsye, që na duken racionale, krijojnë mendimin racional se Partia Demokratike nuk ka më fare të ardhme elektorale me këtë lidership. Ajo gjendet midis agresivitetit Berisha që e do të gjithë Partinë në dispozicion të mbrojtjes së taborit Berisha nga drejtësia kundër tij, dhe nga shpronësimi i gjësë së vjedhur prej tyre në tetë vjet abuzim me pushtetin. Ky agresivitet tregoi në Dibër se është i neveritshëm për popullin e thjeshtë.

Shqiptarët nuk mund të pranojnë më sakrifica kundrejt mirëqenies individuale, për të shpëtuar abuzuesit që i kanë qeverisur me përkrahjen apo me votën e tyre. Vjen gjithmonë një çast historik kur një popull e kupton se pasioni armiqësor në ndarjen politike, është instrumenti i mbajtjes së pushtetit personal nga udhëheqësit abuzues antiligjorë, dhe kjo është edhe arsyeja e varfërisë dhe vuajtjes shoqërore.

Armiqësia kundrejt kundërshtarit politik krijoi tragjedinë e zgjatur të diktaturës Hoxha; dhe, po ashtu, armiqësia kundrejt rivalitetit politik, krijoi abuzimin njëzetvjeçar korruptiv Berisha.

Dibra sot, ishte e para ajo që, si popullsi kompakte, e flaku me përbuzje dasinë e imponuar si armiqësi në politikë.

A thua që kjo të jetë një shenjë reale se ne shqiptarët, si shoqëri, kemi hyrë më në fund në rrugën e pragmatizmit politik, për të dalë nga fenomeni i pasionit shterpë i armikut, që ka filluar në Shqipëri që në vitin 1944? Unë them se po. Dibra e sotme nuk ishte një rastësi.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen − eleven =