Pseudo-sovraniteti që po shkatërron vendin

AktualitetEditorialKryesore
548
0
sample-ad

XHOVANI 

Nga: Xhovani SHYTI

– Në situatën ku e kanë shpenë vendin qeverisjet e klasave politike të pas viteve 1990, ku përsëritja e krizave është sunduesja, si e vetmja dalje e përgjithmontë  prej tyre është rënia dakort për një lloj qeverisjeje “tutorike”, të mbikqyrur nga të huajt. Një lloj qeverisjeje, të cilën kolegu Aleksandër Çipa, në një shkrim-opinion të datës 06 janar 2016, botuar në gazetën Shqip, ndërsa fliste: “për krizën e besimit tek politika shqiptare, tek sistemi i drejtësisë dhe tek ligj-ndëshkimi”, e artikulonte me frazën: “Tutorizëm ndërkombëtar i zyrtarizuar” .

Një opsion që, i përsëritur me gjuhë më të thjeshtë: nënkupton shpëtimin,nxjerrjen e  vendit nga kriza shkatërrimtare jo prej faktorit të brendshëm politik, që fanatizmin e ruajtjes së “sovranitetin” e përdor për ti thithur sa më shumë gjak atdheut, jo nga korrupto-politika shqiptare në detyrë, por nga faktori i jashtëm. I cili, realisht, është i vetmi që është përpjekur dhe përpiqet ta balancojë keqpërdorjen abusive të lidershipit dhe për ta nxjerrë vendin nga bataku ku e ka zhytur klasa e kalbur politike.

Në fakt klanet politike që prej më shumë se dy dekadave të ikura, ndërsa flasin për demokratizim treg të lirë e konkurues, të drejtën për të qenë pjesë lidershipi e kanë reduktuar jo në të tillë terma e vlera konkuruese, por në monopolizim. Në servirjen imponuese të vetëm fare pak emra që ngjiten, zbresin, e rihipin në skenën e pushtet-politikës sipas oreksit të drejtuesve partiak.

Deri në daljen nga skena politike të Fatos Nanos mexhilisi i tavës politike që na servirej ishte hedhja e detyrueshme e votës ose për të preferuarit e PS-së, së Fatos Nanos, ose për të preferuarit e PD-së, së Sali Berishës. Kur Fatos Nano u vetëhoq nga politika dhe në fushën e të majtës mbiu LSI-ja e Ilir Metës, në tavën tonë zgjedhore vërtetë u shtua një subjekt elektoral, por alternativa mbeti po ajo: Votimi për një të majtë me dy koka, atë të Edi Ramës dhe Ilir Metës, si edhe për një PD po me dy koka, atë të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës. Pra donim nuk donim, duam nuk duam duhet ta hedhim votën elektorale vetëm për tre subjekte politike dhe arradhën e ushtrisë së listës së tyre kuvendore.

Dhe çfarë kemi fituar?

Nën qeverisjen e kësaj elite politike rrënimtare 25 vjeçare, Shqipëria ja ka dalë të rreshtohet si vendi ish komunist me korrupsion të pandalshëm, me një sistem drejtësie nga më të padrejtët dhe më të korruptuarit, me një ekonomi të rrenuar, që ka sjellë pasojë varfërinë ekstreme të një pjese të mirë të popullsisë, por edhe braktisjen masive të vendit.

Rreth dyqind mijë aplikantët për llotarinë amerikane dhe njëqind mijë refugjatët e Gjermanisë, janë treguesi më i mirë i vrasjes së shpresës së të ardhmes ndryshuese dhe kjo është plaga më e rendë, tragjedia më e madhe e shkaktuar nga ata që morrën përsipër ndërtimin e të ardhmes demokratike dhe të kapitalizmit shqiptar paskomunist.

Tragjedia më e fundit, që kjo kastë e baltosur politike po përpiqet ti sjellë shqiptarëve, është loja me Reformën në Drejtësi: me “Vettingun”, dhe shtatë ligjet e domosdoshme për ta bërë atë të zbatueshme. Është reforma bazike, e vlerësuar si shansi i vetëm që mund ta rikthejë lokomotivën e trenit të demokratizimit në shinat e domosdoshme për të vazhduar rrugëtimin.

Shihni si luajnë politikisht palët! Shihjani fytyrën e vërtetë politikës që kemi votuar për 25 vite me rradhë! Fytyrnxirrën,që luan lojën e pabesisë sërish me të vetmin synim: sakrifikimin e fatit të atdheut për interesin e shpëtimit të vetvetes.

Të korruptuarit e mandatuar kundër fatit të së ardhmes demokratike të atdheut! Më zi nuk ka!

Pasi rrethi vicioz i politikës vazhdon të jetë i mbyllur, pa alternative konkuruese, i sajuar për ta vrarë cilindo që do të guxojë sfidën e lidërshipit, dhe në horizont nuk duket ndonjë shenjë shprese përtej të majtës dhe të djathtës, me nga dy koka: Rama-Meta, Berisha-Basha. Po atëherë?

“…Kjo klasë e rrezikshme e 25 viteve e ka ndarë rotacionin në një mënyrë të tillë që duket se s’ka për t’i braktisur kurrë raundet e lojës. Kjo klasë po e çorodit “shoqërinë”, duke e mbajtur në gjendjen reale të një parashoqërie. Në këtë vend, prej gati dy vjetësh, qeverisësit ankohen për një sistem të shembur të drejtësisë dhe gjyqësorit…  Palët partiake në vend janë mjeshtre të sajimit të konfliktit dhe të ndarjeve penguese. E gjitha kjo gjendje dhe situata si në skenar, parathotë krizën mosmarrëveshëse të reformimit të drejtësisë që pritet të kaplojë sërish skenën politike dhe ta kthejë Parlamentin e këtij vendi në një foltore pa orar për dikë dhe një mungesë pa arsye për dikë tjetër. Ky i dyti, nevojitet të jetë përditshmërish aty…”, përmendëte kolegu Çipa në shkrimkomentin e sipërcituar, ku si finale theksonte:

“Matanë këtij skenari, shumë idealistë të mbetur ende në këtë vend e shohin me vend flijimin e pseudosovranitetit dhe zëvendësimin e tij të menjëhershëm me tutorizmin ndërkombëtar të zyrtarizuar. Pasi në këtë vend, sjelljet e tilla shtetvrasëse dhe shembëse të klasës politike, kanë mbërritur në atë pikë sa realisht rreziku i humbjes së demokracisë po arrin pikën e kërcënimit të interesave…”.

Kërkesa për “shpëtim nga jashtë prej padrejtësisë së regjimit të korrupto-politikës së sotme shqiptare vjen e lartësohet si një sfidë e painjorueshme dhe natyrisht edhe ekzistenciale për drejtësinë dhe institucionalizmin në këtë vend. Kjo kërkesë zbulon lakuriq plotësisht krizën e besimit tek politika shqiptare, tek sistemi i drejtësisë dhe tek ligj-ndëshkimi, duke hedhur idenë e parë këmbëngulëse për një investim rishtar amerikan për interesin jetik të Shqipërisë institucionale dhe sidomos për të rikthyer triumfin e ligjit në këtë shoqëri të vogël”.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

1 × two =