Miti i një samiti për diasporën

Opinion
382
0
sample-ad

Nga: Arben MANAJ

arben-manaj-Sot është afati i skadimit për plotësimin e një formulari për pjesemarrjen, pas një ftese zyrtare në një samit të diasporës, që do të organizohet në fund të nëntorit në Tiranë.

Nuk e plotesova dhe nuk do të marr pjesë në të. Për këtë “Thanks, but no thanks”, edhe pse e vlerësoj si ftese dipllomatike, me firmë elektronike standarte nga “miqesisht Edi Rama”, po jap arsyet e mospranimit qëllimisht, në mënyrën më aspak dipllomatike, nisur nga konsiderata thjesht parimore.

Parimisht, dhe në kushte ideale, një samit i tillë është i vonuar në kohë, pas atyre butaforike të kohës së Berishës,  por kam drojën se ky më i fundit, është po aq i pasinqertë dhe jo serioz, për nga mënyra sesi është menduar të vilen propozimet dhe sugjerimet e atyre që është menduar “en masse”, per kontributin e diasporës në mbarëvajtjen e punëve të kombit dhe shteteve respektive shqiptare.

Një formë e tillë organizimi kaq masive, me ftesa bujare, duket se është nisur nga parimi kinematografik “në mos njëri, tjetri Melkën do ma marë.”

Të ftuarit janë thirrur me idenë e pjesëmarrjes, pasi kanë kontribute të caktuara, edhe pse jo të gjithë kanë cfarë kontribuojnë cilësisht, dhe kam frikë se në mes tyre më shumë ka fejsbukiste delirante dhe uber të apasionuar pas selfies në një aktivitetet të tillë, sesa të debatojnë sesi mund të rritet kontributi i diasporës.

Mbledhja e mendimeve nga ata që dihet se kanë ide për kësi punësh, mund të bëhej në forma të tjera më moderne në kohën e Viber-it e Skype-it. Por mesa duket, masiviteti dhe fanfara kam frikë është pjesë e konceptimit të këtij eventi të rëndësishëm, por të marr me sportivitet të papërgjegjshëm për të ftuar bahdiava njerëz, që do duhet  të lënë punët e angazhimet e tyre  familjare dhe profesionale nëpër Perëndim, për të ksehasur delire qeveritare.

Ky aktivitet parashikon cuditërisht që pjesëmarrësit të vijnë në Tiranë nga cdo cep i botës me shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe qëndrimit.

Ndonjë turbo-nacionalist alla tallava mund të thotë se për atdheun duhet bërë një shpenzim i tille. Pa problem, per Atdheun Po, por kur ky Atdhe dhe ata që e drejtojnë këtë Atdhe momentalisht , tere meskinitet, kanë dhe i gjejne fondet për arredimin e zyrave të gjithë ministrave pa permendur emra dhe pa përjashtuar emra, apo gjejne para nga taksat e shqiptareve për Jaguar etj, minimalisht për një bilete kthyese, thjesht në shënjë respekti më shumë, se gjithshka tjeter, gjykoj se  parimisht është e pandershme t’u kerkosh atyre qe gjasme i vlerëson, që të vijnë me parat e tyre në një aktivitet që ti kërkon ta serviresh si sukses të punës tënde, e qe tek e mbramja, është një “tick” se e bëmë edhe këtë aktivitet.

Thuajse të gjithë ata që do vinë nga cdo cep i botës, jam i sigurt se nuk e kanë problem një bilete avjoni dhe qëndrimin nëpër shtëpitë e tyre nëpër Shqipëri, përfshi edhe mua, që shpenzimet janë  gjëja më e pakët që më shqetëson, pasi ata që më njohin m’i njohin pasionet dhe gjakimin tim historik drejt surealizmave të kësaj bote.

Por, parimisht është fyese. Plus, trajtimi i kesaj kategorie shqiptaresh si marksist-leninistët e huaj të kohes së Enver Hoxhës, duke i cuar për vizita nëpër muzeume si Krujë e Durrës, sipas programit që na kanë dërguar, është pak ta quash qesharake.

Skepticizmi im për një iniciativë të tillë për thithjen e mendimit të njerëzve të shquar të diasporës përmes një eventi të tillë masiv në ftesa, më duket i pasinqertë, nisur edhe nga fakti se me përjashtim të Erjon Veliajt, askush, që nga kryeministri Rama, nuk ka denjuar të takohej dhe bisedoj me shqiparët e Britanisë, qoftë edhe njeherë të vetme, në afro dhjetë herët që ka ardhur në Londër. Qofte edhe për sy e faqe.

Shqiparët e Britanisë edhe pse janë ndër më të sofistikuarit për mendimin tim personal, kanë probleme të shumta që asnjë qeveri nuk ua ka zgjidhur, dhe as ka marr mundimin për një gjë të tillë, përkundrazi.

Ja vetem disa prej tyre, duke filluar nga me trivialet: Ligji për ndalimin e makinave angleze, që është miratuar pasi gjoja ndikokan në rritjen e aksidenteve, jo vetëm që nuk është i bazuar në shifra, por edhe ka dëmtuar tërë shqiptarët e Britanisë.  Ky ligj me lobim të fuqishëm afarsit, ua ka bërë më të vështirë qëndrimin në Shqipëri atyre që janë me origjinë prej andej.

Ashtu si edhe shqiptarët nga vendet e tjera, edhe për shqiptaret e Britanisë, udhëtimi në atdhe është ndër më të shtrenjtët me linjat ajrore që bëjnë kërdinë me udhëtarët shqiptare, dhe mungesa e impenjmit për të bërë më shumë apo edhe të pamundurën për afrimin e linjave britanike ose jo low-cost me leverdi për të gjithë shqiptarët, është humbje edhe për shtetin, por që dukshëm nuk ua vret xhepin parisë dhe oligarakëve që sjellin fëmijët për ti shkolluar nëpër shkollat dhe univeristet e kripura britanike.

Shqiptarët e Britanisë kane mundësira të mëdha financiare dhe një know-how të konsiderueshëm, por mundësia e tyre për ti investuar ne atdhe, ndesh në murrin e lartë të korrupsionit.

Une, personalisht, jam ne dijeni të disa rasteve kur shqiptarë të suksesshëm të Britanisë kërkojne mik e ndërhyrje se duan të investojnë, por u kërkojnë t’u rrjepin lekurën.

Komuniteti shqiptar i Britanisë ka shumë njerëz të ditur dhe profesionist  të integruar që punojnë nëpër institucione të respektuara të botës së biznesit, në shoqërinë civile dhe media, por askush në atdheun e super të ditureve te shkuma party, nuk u ka për borxh t’ua marr mendim dhe t’ua vjelë ekspertizën.

Qeveria mund të niset nga modelet hebraike të ndikimit dhe marredhënieve me disporën transatlantike, por Shqipëria nuk është Izrael dhe shqiptarët nuk janë aq të pasur ne financa dhe dije sa hebrenjtë, por po aq te lidhur sa ata me atdheun dhe fatet e tij. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e atdheut tone dhe atyre që e kanë drejtuar deri më sot sa me padije aq edhe me fodullëk.

Shqiptarët nëpër botë, mbi të gjitha, dhe kjo është kryesorje, do duan të ndihen të respektuar dhe te barabartë, dhe t’u njihet e drejta e votës nga kudo që jetojnë, të regjistruar apo pa regjistruar, me emrat reale apo fiktive nga halli, sic abuzohet me mosdëshirën për t’u dhëne të drejtën e votimit.

Dhe kjo mosgatishmëri për një të drejtë kushtetuese, që mbi të gjitha të bën të ndihesh pjesë e shtetit amë, është e patjetërsueshme dhe detyre e atyrë që e kanë në dorë për ta bërë, pasi ka modele të gatshme, por që nuk duan, pasi i tremben votës së pavarur të emigrantëve që për shkak të latimit perëndimor, janë të pablershëm nga një thes miell, 200 euro apo një vënd punë në administrate. Dhe kjo votë e tyre mund t’u prish shumë punë kalemexhinjëve elektoral.

Eshtë e turpshme që Kosova u’a mundëson shtetasve të vetë votimin në distancë, e deri Filipinet e shumica e vëndeve normale në botë, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë do duhet të paguajne mbi 350 pound bileta avjoni apo tre ditë rrugë nëpër kontinent me makina, për të votuar në verë në Shqipëri për politikanë që nuk u bie  ndërmënd për ta se egzistojne po jo, aty ku i degdisi fati i nje fati të munguar në atdhe.

Ndaj dhe personalisht, nuk denjoj te shkoj ne samit, dhe nuk pranoj të bëhem lojë e një fanfare, që dyshoj se do këtë suksesin e proklamuar.

Gjithësesi edhe pse nuk do marr pjesë personalisht, sërish ky shkrim modest, është per aq sa vlen, kontributi im i aty per atyshem, për këtë cështje, që edhe këto këshilla dhe sugjerime për qeverinë, si britanik, edhe unë i ofroj falas, sipas një modeli blerist të njohur tashmë…! Shqip

Facebook Comments

POST A COMMENT.

15 − 2 =