Harta e qyteteve shqiptare ku rreziku i goditjeve nga tërmeti është i lartë

AktualitetKryesore
425
0
sample-ad

Termeti

 Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Saranda janë qytetet ku vala e lëkundjeve është më e lartë. Por, përveç tyre, ka edhe një brez tjetër që po ashtu rrezikohet. Bëhet fjalë për Lushnjën, Elbasanin, Dibrën dhe Shkupin. Predispozita për lëkundje sizmike në këto zona lidhet me faktin se janë goditur edhe më parë.

Pohimi i këtij fakti vjen nga Prof. dr. Rrapo Ormeni, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama”, komenton edhe pasojat e shkaktuara nga tërmeti që goditi Italinë Qendrore, shkaqet që çuan, si edhe masat që duhet të ndërmerren.

– Italia Qendrore u godit nga një tërmet 6.2 ballë, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme. I rëndë është bilanci i viktimave, raportohet për 250 të vdekur deri më tani. Cili është komenti juaj?

Tërmeti i fuqishëm që goditi në datën 24 gusht Italinë Qendrore ishte me një magnitudë 6.2 rihter. Ky tërmet u shoqërua me një seri të madhe pasgoditjesh. Të mërkurën u regjistruan 190 të tilla dhe dje 50 pasgoditje. Shkalla e lartë e dëmtimeve dhe e humbjeve në njerëz lidhet me disa karakteristika të këtij tërmeti. E para është magnituda 6.2, e cila është e konsiderueshme, pasi bën pjesë në tërmetet e fuqishme që sjellin dëme. Së dyti, cektësia e këtij tërmeti, me thellësi 4 km, gjë e cila ka bërë që të rritet në mënyrë të ndjeshme shkalla e dëmtimeve në godina. Duke pasur vatër afër sipërfaqes së tokës, e gjithë energjia kalon në sipërfaqe. Së treti, është afërsia me zonat e banuara. Së katërti, fortësia e truallit ku janë ndërtuar godinat. Për të vijuar me masat që janë marrë parasysh gjatë ndërtimit të objekteve. Së gjashti, humbjet në njerëz lidhen edhe me kohën kur ka ndodhur ky tërmet, i referohem këtu orarit. Dhe së fundmi, tjetër faktor që dua të veçoj është edhe pjerrësia e terrenit, që e ka favorizuar.

– Nga se shkaktohen lëkundjet sizmike?

Shkaku i lëkundjeve sizmike janë lëvizja e pllakave tektonike, kontinentale. Si pasojë e këtyre lëvizjeve, ato goditen me njëra-tjetrën. Për tërmetet në Shqipëri shkak është përplasja e mikropllakës së detit Adriatik dhe Jon me tokën shqiptare. Si pasojë e kësaj, që nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe deri në Sarandë ndodhin deformime të mëdha. Janë pikërisht këto zona, ato të cilat rrezikohen më tepër nga tërmetet. Por tërmetet nuk ndodhin vetëm përgjatë vijës bregdetare. Po ashtu kemi një brez tjetër, Vlorë-Lushnjë-Elbasan- Dibër-Shkup, në të cilën kanë ndodhur tërmete të mëdha. Kjo, për shkak se aty ku ka ndodhur një herë tërmet, ka predispozitë për të goditur sërish, sepse tektonika është më e dobët.

– Cilat janë vendet më të rrezikuara?

Bota ka dy breza sizmikë më të rrezikuar. E para është unaza e zjarrtë e Paqësorit, në të cilin ndodhin 84% të tërmeteve të botës. Brezi tjetër është Mesdheu, këtu përfshihet edhe Ballkani. Në këtë zonë ndodhin 15% të tërmeteve në botë. Në këtë mënyrë, vetëm 1% ndodhin në vende të tjera, pasi 99% e tërmeteve kërcënojnë këta dy breza. A është Shqipëria pjesë e hartës së vendeve ku risku është i lartë? Po, përderisa është pjesë e Ballkanit. Këtu përfshihen edhe Turqia, Italia, Mali i zi, Greqia. Në këto vende tërmetet kanë arritur deri në 7 ballë. Për fat, në Shqipëri lëkundje me magnitudë kaq të lartë nuk ka pasur.

– Kur është goditur Shqipëria për herë të fundit?

Në vendin tonë goditja më e fortë është regjistruar në vitin 1979, në kufirin me Malin e Zi. Tërmeti ka qenë me magnitudë 6.1. Ka pasur pasoja të konsiderueshme në Shkodër, duke rrafshuar lagje të banuara. Kurse më i fundit ka qenë tërmeti i 2009-s, me magnitudë mesatare 5.4, i cili solli dëme në Dibër deri edhe në Peshkopi.

– A mund të parashikohen tërmetet?

Parashikimi ka disa aspekte. E para është vendi, e dyta madhësia e tërmetit dhe e treta koha. Deri më sot vetëm koha nuk parashikohet në asnjë vend të botës. Por parashikimi i dy të parave bën të mundur që të ndërmerren masa, në mënyrë që të minimizohen dëmet që mund të shkaktohen.

– Çfarë masash duhet të ndërmerren?

Bazë është ndërtimi me standarde antisizmike.

– Në vendin tonë, a janë zbatuar këto standarde?

Ne japim vetëm parametrat. Kontrollet duhet t’i bëjë shteti.

– Gjatë lëkundjeve çfarë është mirë të bëjmë dhe çfarë jo?

Kur bie një tërmet, ajo që duhet të bëjmë është pikësëpari të jemi të qetë. Mirë është të futemi nën një objekt, p.sh. nën një kënd apo nën një tavolinë. Dhe është mirë që pas goditjes së parë, të dalim menjëherë jashtë, sepse lëkundjet përsëriten, sikundër ndodhi në Itali. Ndërsa nëse jemi jashtë, mirë është që të rrimë në një vend të zbuluar.

 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

eighteen − three =