Hyn në fuqi kjo mënyrë e re vlerësimi për gjimnazistët

AktualitetKryesore
459
0
sample-ad

Samiu  

Në udhëzimin e shpallur dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktohet se qëllimi kryesor i vlerësimit sipas skemës së re, është gjykimi mbi arritjet e nxënësit referuar filozofisë dhe përmbajtjes së kurrikulës bazuar në kompetenca, si dhe të mbështesë të nxënit dhe përparimin e nxënësit…

Nisja e vitit të ri shkollor 2016-2017 do shoqërohet edhe me zbatimin e skemës së re të vlerësimit me notë të nxënësve. Autoritetet e arsimit kanë detajuar tre elementët përbërës, si dhe formulën që do të zbatohet për nxjerrjen e notës finale në çdo lëndë. Ndërkohë që janë shtuar edhe detyrat për mësuesit, të cilëve tashmë u duhet që të argumentojnë me shkrim vlerësimin e dhënë, teksa çdo tre muaj do të raportojnë me shkrim edhe tek prindërit mbi procesin e të nxënit dhe përparimeve që ka bërë fëmija i tyre gjatë periudhës përkatëse.

Në udhëzimin e shpallur dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktohet se qëllimi kryesor i vlerësimit sipas skemës së re, është gjykimi mbi arritjet e nxënësit referuar filozofisë dhe përmbajtjes së kurrikulës bazuar në kompetenca, si dhe të mbështesë të nxënit dhe përparimin e nxënësit. Ky qëllim përmbushet nga kombinimi i vlerësimit për të nxënë dhe i vlerësimit të të nxënit. Konkretisht, elementët periodik të vlerësimit të nxënësit janë: “Vlerësimi i vazhduar që ka të bëjë me shënimet dhe  evidencat që mban vetë mësuesi i lëndës, elementi i dytë që ka të bëjë me vlerësimin e marrë në teste dhe detyra përmbyllëse, si dhe elementi i tretë i siguruar nëpërmjet vlerësimit të portofolit lëndor të nxënësit”. Secili prej këtyre tre elementeve përbëhet edhe nga treguesit e vet specifik.

Si bëhet vlerësimi i vazhduar

Kjo formë e vlerësimit është pjesë e mësimdhënies dhe motivon përparimin e nxënësve në të gjitha aspektet e të nxënit, në situata të ndryshme të njohura dhe të panjohura. Në këtë rast, vlerësimi bazohet në vëzhgimet dhe gjykimet e mësuesit mbi përgjigjet me gojë, ose me shkrim, punët në grup, diskutimet e mësuesit me nxënësit, vetëvlerësimin e nxënësit, vlerësimin e nxënësit nga nxënësi, pjesëmarrjen në aktivitete dhe debatet në klasë, vlerësimin e detyrave të shtëpisë, apo të klasës, etj. Për të bërë këtë lloj vlerësimi të vazhduar të arritjes së të nxënit mësuesi duhet të mbajë shënime dhe evidenca të sakta për secilin prej tyre. Shënime këto që mund të bëhen në notë, simbole, komente, sipas arritjeve dhe performacës që nxënësi ka manifestuar me përvetësimin e njohurive të lëndës përkatëse. Shënimet do të përdoren nga mësuesi për të argumentuar vlerësimin e dhënë për çdo tremujor. Sipas udhëzimit, lidhur me këto vlerësime mësuesi duhet të: “Konsiderojë dhe të paraqesë rezultatet e të nxënit për të cilat nxënësit janë duke punuar, të japin shembuj që ilustrojnë rezultatet e pritshme, të përcaktojnë kriteret e suksesit përmes diskutimeve ndërmjet tyre dhe me nxënësit, si dhe të krijojnë mundësi që nxënësit të demonstrojnë njohuritë, të kuptuarin, aftësitë dhe qëndrimet e tyre”. Gjithashtu mësuesi duhet që të marrë në konsideratë edhe balancën ndërmjet njohurive, shkathtësive, qëndrimeve, ashtu siç përshkruhet në rezultatet e të nxënit në programin lëndor. Vetë mësuesi mund të përshtatë formatin e evidencës së përcaktuar në varësi të specifikave të lëndës, ose të krijojë një formë tjetër të mbajtjes së shënimeve, duke ruajtur pjesën përmbajtjesore të saj.

Vlerësimi nëpërmjet testit dhe detyrës përmbledhëse

Ky lloj vlerësimi ka për detyrë dhe qëllim të matë nivelin e arritjeve të nxënësit për një grup të caktuar rezultatesh të nxëni, në përfundim të tremujorit. Sipas ekspertëve të arsimit, ky vlerësim e orienton mësuesin për të përmirësuar mësimdhënien dhe procesin e të nxënit.

Vlerësimi me portofol lëndor

Vlerësimi i nxënësit bazuar në portofol lëndor, bëhet në përfundim të çdo tremujori dhe ka për qëllim vlerësimin në një kontekst të gjerë, duke përfshirë dokumentimin e kontributeve dhe arritjeve të çdo nxënësi për lëndën përkatëse, për kompetencat kyçe, për punën individuale dhe në grup, krijimtarinë, talentin, si dhe për aspekte të gjykimit dhe reflektimit të nxënësit për veten dhe të tjerët. Referuar specifikave të lëndës, çdo mësues duhet të përcaktojë vetë rubrikat e portofolit të nxënësit. Në rubrikat e portofolit mund të grupohen punë dhe detyra të kryera në klasë dhe jashtë saj, projekte individuale ose në grup, detyra dhe kontribute të pavarura të nxënësit, të cilat janë dëshmi e talentit, e hulumtimeve praktike, e punëve tematike (me shkrim, audiovizuale,etj), vetëvlerësimet e nxënësit për arritjet e tij, si dhe reflektime të prindit dhe nxënësve të tjerë ndaj ecurisë dhe arritjeve të nxënësit. Vlerësimi i nxënësit kryhet nëpërmjet vlerësimit periodik dhe atij përfundimtar.

Vlerësimi periodik

Vlerësimi periodik, kryhet në fund të një periudhe tremujore, për të evidentuar përparimin dhe arritjet e nxënësve, me qëllim monitorimin dhe raportimin e tyre. Ky vlerësim jepet nëpërmjet 3 notave të veçanta, që kanë të bëjnë me: “Vlerësimin e vazhdueshëm me notë, që bazohet në shënimet e mësuesit të mbajtura në evidencat për periudhën tremujore, vlerësimin me notë nëpërmjet testit, ose detyrës përmbledhëse në përfundim të periudhës tremujore, si dhe vlerësimin me notë të portofolit të nxënësit për periudhën përkatëse. Që të tria këto vlerësime të bëra për nxënësin shënohen me notë në regjistër në kolonat përkatëse në përfundim të çdo tremujori.

Vlerësimi përfundimtar

Vlerësimi përfundimtar kryhet në përfundim të vitit shkollor me notë dhe përshkrim referuar niveleve të arritjes. Nota përfundimtare vjetore përmbledh: “Notën vjetore të vlerësimit të vazhdueshëm për tri periudha tremujore, notën vjetore të vlerësimit me test dhe detyrë përmbledhëse për tri periudha tremujore, si dhe notën vjetore të vlerësimit të portofolit të nxënësit për tri periudhat tremujore. Peshat në përqindje sipas vlerësimeve janë vlerësimi i vazhdueshëm me 40 për qind, ai me test po 40 për qind, si dhe vlerësimi i portofolit të nxënësit me 20 për qind”.

Hapat për njehsimin e notës përfundimtare vjetore

Fillimisht përcaktohet nota vjetore e vlerësimit të vazhdueshëm (NVV), bazuar në tri notat tremujore, duke gjykuar në mënyrë progresive. Më pas përcaktohet nota vjetore e testit dhe e detyrës përmbledhëse (NTP) bazuar në tri notat tremujore, duke gjykuar në mënyrë progresive. Hapi tjetër është vlerësimi i notës vjetore të portofolit të nxënësit (NVP) bazuar në tri notat tremujore, duke gjykuar në mënyrë progresive. Secili prej këtyre tre treguesve shumëzohet me përqindjen përkatëse të përcaktuar. Mblidhen këto prodhime dhe shuma rrumbullakoset me numër të plotë (për shembull 8,8 » 9). Kështu formula e notës përfundimtare do të jetë:

Formula Përfundimtare = (NVV x 0.4) + (NTP x 0.4) + (NVP x 0.2).

Në fund mësuesi duhet të bëjë edhe përshkrimin e notës përfundimtare vjetore, e cila argumenton nivelin e arritjeve të kompetencave të fushës dhe lëndës përkatëse.

Raportimi i arritjeve dhe i përparimit të nxënësve

Po sipas udhëzimit mësuesit duhet të raportojnë me shkrim edhe tek prindërit. Raportimi i arritjeve të të nxënit bëhet nga mësuesi një herë në tre muaj dhe i jepet me shkrim prindit. Autoritetet e arsimit argumentojnë se ky raportim shërben për dy qëllime kryesore: “Së pari, siguron informacion të plotë dhe të vazhdueshëm rreth të nxënit të nxënësve dhe përparimit të tyre, duke shërbyer si bazë për të krahasuar arritjet me rezultatet e pritshme të të nxënit, së dyti, krijon një platformë, e cila u shërben mësuesve dhe prindërve të mbështesin nxënësit në hapat e mëtejshëm të të nxënit, si dhe vetë nxënësve të zhvillohen në këtë proces”. Raportimi i arritjeve dhe i përparimit të nxënësve bazohet në evidencat e vlerësimit të vazhdueshëm, testet dhe detyrat përmbledhëse, si dhe portofolin e nxënësit. Gjithashtu, evidencat e vlerësimit të vazhdueshëm do të dorëzohen në përfundim të tremujorit në drejtorinë e shkollës, ku ruhen deri në përfundim të vitit shkollor. Testet dhe detyrat përmbledhëse dhe portofoli i nxënësit janë objekt monitorimi deri në fund të vitit shkollor.

Pesha e secilit tregues në vlerësimin përfundimtar

p

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seven + 13 =