Ekskluziv/ A po e realizon LSI “thithjen” e PS

EditorialKryesoreOpinion
509
0
sample-ad
shtypi logo

Nga: Shtypi.net

Më herët Blushi, Hafizi, Dade e të tjerë në emër të demokratizimit dhe zbatimit të statutit trazuan ujrat e Partisë Socialiste, që u duk se u qetësuan me forcën e kartonave të kongresmenëve, por jo me fashitjen e pakënaqësive ndaj mënyrës se si Edi Rama po e drejton partinë dhe qeverisjen.
Çka do të thotë se me votat “pro” të shumicës së kongresistëve fitoi të drejtën e vazhdimësisë së kryetarllëkut dhe të qënies kryeministër Edi Rama, por jo demokracia e brendshme e partisë.

I ndihmuar nga kartonat e “yesmenëve” të tij të “rilindjes”, sikurse i etiketon Blushi, dhe duke e thelluar pakënaqësine e heshtur të pjesës dërmuese të socialistëve të devotshëm kryetari Rama ja doli të rruajë domenet e veta e të “rilindasve” duke mos dashur tja dijë shumë për vazhdimësinë e rrugëtimit të tij politik majtas mbi tehe shpatash…

Më pas, sërish trazim ujrash,brendapartiak, por, këtë herë, pështjellimi e zgjeroi hapsirën, duke përfshirë jo vetëm PS-në por gjithë koalicionin e së majtës qeverisëse.

Në të vërtetë, loja e paskuintave PS-LSI nuk ishte ndonjë e re e paparashikuar, por një plagë e vjetër, e hapur gjatë periudhës kur, duke shkelur principet e të majtës, Ilir Meta iu bashkua në bashkëqeverisje “armikut” permanent të së djathtës,Sali Berisha, të cilin e braktisi vetëm disa muaj para se të finalizonte rikthimin tek duvaku i të majtës.

Bashkëjetësa midis dy të majtave në 2013 ja doli të bëhej e paqtë, por paqja midis dy drejtuesve Rama-Meta vazhdoi dhe vazhdon të rrugëtojë nëpër tehun e shpatës. Të dy presin këmbëshkarjen e njeri tjetrit për të përdorur pastaj majën e shpatës. Çka don të thotë se përtej paqes së dukëshme koalicioniste lufta e ftohtë PS-LSI vijon të mbetet sunduesja e marrëdhënieve të dy shemrave të majta.

E të majtës së çarë që kur PS-në e drejtonte Fatos Nano dhe falë një konflikti me këtë të fundit Ilir Meta braktisi FRESH-in e profiloi LSI-n. Megjithse në rivalitet më Nanon për të kapur kreun e partisë Edi Rama e përdori si argument rivalizues ribashkimin e të majtës nuk ja doli ta saldojë çarjen dhe as uljen e ish simotrës së majtë LSI në prehërin e të djathtës berishiste. Veprim ky i etiketuar nga nanoistët “degjenerim ideologjik” dhe që në vend të përfundonte me zbythjen e Nanos, pas  Rama hipi në fronin drejtues të PS, vijoi të ishte e të jetë present edhe sot e kësaj dite.

I vetmi ndryshim në këtë erë pas-nano qendron në faktin se “degjenerimi ideologjik” I simotrës së majtë LSI është tashmë present jo hapur e dukshëm, por ndër flirtimet e fshehta Meta-Berisha, ku profilohen strategjitë e kokëngrënies politike të Ramës dhe shtënies në një dorë të së majtës.

Më së fundi, sërish pështjellim brendasocialsitëve. Deputeti Vladimir Kosta ka lajmëruar publikisht largimin nga grupi parlamentar i kësaj force politike, pasi ka hedhur në një letër të hapur publike pakënaqësitë e tij ndaj kryetarit, Edi Rama.

Letër pakënaqësia e Kostës ka ardhur njëherësh me një goditje që, ish deputeti i kësaj force politike, Koço Kokëdhima, i lakuar si krahu i djathtë i Edi Ramës dhe i katapultuar prej këtij të fundit në rangjet e larta të legjislativit e forumet e larta të partisë, i ka dhenë mentorit të tij.

Për të derdhur pakënaqësinë ndaj Ramës Kokëdhima ka shfrytëzuar figurën e gazetarit Mero Baze, të cilin edhe pse e ka vendosur në qendër të artikulimit nuk ja ka dalë të mbulojë objektivin kryesor, pra kryesocialistin Rama.

Megjithse pas heqjes së mandatit Kokëdhima vazhdon të ruaj postin partiak brenda PS-së, burime pranë tij paralajmërojnë si hap të pritshëm një kapërcim tek LSI e Ilir Metës dhe jo vazhdimësinë e qëndrimit nën forcën politike që drejton miku i tij Rama. Edhe Vladimir Kosta, sipas burimeve jo zyrtare, thuhet se do ti bashkëngjitet Ilir Metës dhe në një të ardhme jo të largët përflitet se mund të bëj të njejtin kërcim pindarik edhe Anastas Angjeli, deputet i PS-së, por që nuk është hedhur në barkën LSI-së, së mikut të tij të vjetër Meta, pasi shpreson të kap një post ministri në ndryshimet e pritëshme vjeshtore të kabinetit Rama…

Gjatë gjthë kësaj kohe koalicioni pompa e majtë LSI asnjëherë nuk është fikur. Gjithmonë ajo ka qenë e gatëshme për të thithur ujëtrazuesit e divorcuar nga simotra e saj PS, duke ecur përpara sukseshëm drejt objektivit që pas përçarjes e bërjes koqe-koqe të kësaj të fundit, ta vendos të majtën vetëm në një dorë. Ne dorën e Ilir Metës, të etiketuar nga socialistët gjakpastër si: “Jagua i të majtës”.

 

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

ten + 14 =