Pesë pianistë në sallën e Akademisë së Arteve

Kulture
834
0
sample-ad

pianistiko

Kështu quhej koncerti i 5 pianistëve, nxënëseve Iva Zurbo dhe Rejsi Prosi, të vlerësuara në konkurse kombëtare e ndërkombëtare, studentes së talentuar Jonida Lazellari, dhe pianistëve të mirënjohur Desar Sulejmani dhe Herton Mikeli që interpretuan nga dy deri në dhjetë duar në dy pianoforte. Koncerti u zhvillua dje, më dt. 4 qershor në sallën e madhe të Universitetit të Arteve.

Ideuar nga pianisti dhe dirigjenti Desar Sulejmani, i cili ka një jetë të pasur artistike brenda e jashtë vendit, në kuadër të festivalit të XXI mbarkombëtar “Pianisti i Ri”  dhe në vigjilje të 70-vjetorit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, ai përbënte një risi, duke shpalosur vepra artistike të muzikës së dhomës të interpretuara nga fituesit e ҫmimeve të para të këtij festivali, vitet 1995-2015.

Kjo mbrëmje artistike përmbante një program pianistik prej 11 veprash, nga këngët përmetare të R.Sokolit, në literaturen pianistike të kompozitorëve të njohur si: Liszt, Rachmaninoff, Paderewski, Piazzolla e deri tek ata bashkëkohore si Mary Simoni.

Ishte vepra “Die Widmung”- (Përkushtimi) nga Schumann/Liszt, me të cilin pianisti Desar Sulejmani hapi koncertin. Ndër të tjera ai tha se:

“Këtë koncert, unik në llojin e vet, ja dedikojmë trupave pedagogjike që na kanë formuar ndër vite në këtë vigjilje të 70-vjetorit të Liceut Artistik, e më pas atyre të Akademise së Arteve, sot Universiteti Arteve”.

Ishte Rapsodia nr.2 e Liszt-it, interpretuar nga pianisti koncertist Herton Mikeli,

Suita Nr. 1, Op. 5 për 4 duar interpretuar nga Jonida Lazellari dhe Desar Sulejmani, Valsi e romanca për 6 duar i S.Rachmaninoff interpretuar nga Jonida Lazellari, Iva Zurbo dhe Rejsi Prosi si dhe Suita “Espana” e C.Chevillard e interpretuar nga Herton Mikeli, Jonida Lazellari, Rejsi Prosi dhe  Desar Sulejmani e cila elektrizoj publikun.

Një përshtypje të veҫantë në këtë koncert,  bëri dhe prezantimi premiere i “Bach Pentatonic” nga Vasil S.Tole, e cila u interpretua nga pianistja e suksesshme Iva Zurbo dhe Desar Sulejmani. Eshte fjala për një krijim të ri, mjaft i veҫantë i kompozitorit V. Tole i ndërtuar si një dialog mbi preludin nr. 1 të Bahut  i cili përbëri një surprizë të këndshme për publikun.

Koncerti arriti kulminacionin me suksesin e Marsh galop për 10 duar të Albert Lavignac, interpretuar nga të 5-të pianistët. Eshtë vërtet për t’u përgëzuar kjo nismë e suksesshme e EPTA-Albania, të cilin urojme të shndërohet në traditë. 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

16 + sixteen =