Veliaj shihet si "trashëgimtar" i PS-së

Kryesore
272
0
sample-ad
veliaj_8

Edi Rama e ka zgjedhur pasardhësin e tij në krye të PS. Dhe këtë po e konfirmon dita- ditës. Sepse një politikan vepron me akte, e jo me fjalë. Dhe aktet të çojnë te Erion Veliaj. Ishte Rama që e zgjodhi pa pyetur asnjë nga forumet e Partisë si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Më herët, në tagrin që i jep kushtetuta, ai e zgjodhi ministër të Mirëqënies Sociale. E më herët akoma e mori, nga një parti që ekziston vetëm si subjekt në gjykatë dhe me një zyrë të vetme në Tiranë, G 99, dhe e vendosi në zinxhirin drejtues të PS. Akoma më herët e përdori në krye të organizatës Mjaft për të goditur kundështarin kryesor në Parti, Fatos Nanon, të cilin e rivalizoi në vitin 2003 dhe e pasoi në 2005 në një garë pa kundërshtarë.

Pas zgjedhjes në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka angazhuar Erion Veliaj t’u drejtohet me fjalime forumeve dhe aktiviteteve që i kalojnë përmasat e qeverisjes vendore.

Ishte Erion Veliaj që hapi Kongresin e PS. U përpoq, në fjalën e tij, ta justifikonte këtë privilegj me mesazhin e mikpritësit, si kryetar i bashkisë ku zhvillohej aktiviteti partiak. Po a nuk zhvillohen në Tiranë të gjitha aktivitete kryesore partiake? A do ta kishte mbajtur fjalën hapëse kryetari i Bashkisë së Vlorës, nëse Kongresi do të zhvillohej në Vlorë?

Edi Rama ua prezantoi të tijëve Veliajn, jo si administrator të qytetit që i kishte rënë lapsi për të mbajtur Kongresin. Me aktin e tij ai ua imponoi socialistëve atë si një aktor të rëndësishëm të PS-së së të nesërmes, si njeriun që sot u drejtohet atyre në forumin më të rëndësishëm për t’i përshëndetur e nesër për t’u kërkuar mbështetjen për t’i udhëhequr.

Ende pa kaluar një muaj nga ky vendim i Ramës për t’ua vënë socialistëve në podium të përzgjedhurin e tij, Erion Veliaj u pa sot duke folur në një aktivitet me përmasa kombëtare. Rama e kishte zgjedhur për të hapur ceremoninë për 7 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO! Veliaj iu drejtua të pranishmëve duke folur për rëndësinë e kësaj Aleance, duke i dhënë vetes rëndësinë e një shtetari të thekur, a thua se në kohën kur Shqipëria rropatej për t’u bërë anëtare ai ishte ndër të parët në linjë duke lobuar dhe jo se ishte i përfshirë në aktivitete prej debatikasi.

Me ç’tagër i drejtohet një kryetar bashkie një aktiviteti të këtyre përmasave? Ministria e Mbrojtjes, organizatore e ceremonisë, në njoftimin e saj bëri të ditur faktin se do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit. A është Veliaj një prej tyre? Sigurisht që protokolli nuk ia njeh këtë privilegj. Ai është administratori i një qyteti dhe ky fakt nuk i jep privilegjin që të ngjitet në podiumet e çdo forumi apo qoke që zhvillohet në territorin që administron. Aq më pak në një aktivitet të NATO-s, përmasat e të cilit nuk kanë lidhje me vendin ku zhvillohen ceremonitë.

Karriera nuk është në favor të Veliajt për të justifikuar faktin që ai hap një ceremoni të tillë. Më së shumti ai ka qenë ministër i Mirëqënies Sociale, një dikaster që s’ka asnjë lidhje me Aleancën ushtarake më të madhe të globit, shkruan Lapsi.

Por me gjasë, ashtu si në Kongres, Rama nuk e kishte zgjedhur për t’i dhënë rëndësi aktivitetit. E kundërta: aktiviteti u përdor për t’i dhënë peshë Veliajt. Dhe më shumë sesa për aktivitetin, Veliaj edhe këtë herë u ngjit në podium për t’u folur socialistëve, si i përzgjedhuri i Ramës për t’i lënë vendin në Parti! Dhe për t’u treguar gjithë të tjerëve që aspirojnë të bëjnë karrierë në PS, se si duhet të sillen, kush duhet të jetë modeli për të ecur përpara. Erioni është simboli i të riut të plakur që nuk i bën hije kryetarit.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

9 + 7 =