Karvani partiak dhe qentë që s’lehin!

Opinion
187
0
sample-ad

[vc_row][vc_column][vc_single_image image=”8889″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][vc_column_text]Nga: Arben MANAJ

Kryeneçësia autokratike për të shmangur konkurrencën për lidershipin në partinë e Kryeministrit “kokëderr”, siç e cilëson Majko, është simptomatike e një sëmundjeje të rrezikshme.
Otomano-socializmi shqiptar, jo vetëm ka premisat të mavijosë demokracinë e brendshme në partinë në pushtet, por praktikisht po zhbën esencën e shoqërive të lira; konkurrencën, e cila mundëson qarkullimin e elitave politike dhe zhvillon antikorpin si ingredient vital për funksionimin e çdo organizmi, qoftë edhe politik.
Thënia e famshme, e adoptuara me cinizëm nga anglezët se “dy mendje janë më mirë se një, qofshin edhe mendje kokëderrash!” (Two heads are better than one, even if they are pig heads), në rastin e ish-duetit të shndërruar tashmë në duel, mes Ramës dhe Blushit, dëshmon një kontradiktë të madhe të realitetit politik shqiptar.
Frika e pakuptueshme në publik e refuzimit për konkurrencë dhe mosballafaqim me anëtarët e vet, të njeriut më të fortë të socialistëve, me njeriun po aq të fortë intelektualisht të së majtës, e zvogëlon lartgjatësinë politike të Ramës, në mënyrë të pakuptimtë.
Ndërkohë që pseudonaiviteti i Blushit, për të meremetuar dhe bërë remont nga brenda një anije politike që po merr ujë, kur duhet të hidhet prej andej në një varkë tjetër, për të lënë pas kapitenin, ia minimizon deri në vetasgjësim imazhin e zëvendësit real.
Thënë kjo, padyshim që Rama ka bërë reforma të mëdha dhe të admirueshme shtetformuese, që janë të pamohueshme dhe ka rezultate me të cilat mund të mburret në drejtimin e shtetit.
Ashtu siç ka shumë hije korruptive për të dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë, sipas kundërshtarëve, që ai i mbulon me ombrellën e tij ndaj pandëshkueshmërisë ose minimalisht, hetimit të tyre për të provuar ose hedhur poshtë akuzat e rënda, qofshin edhe urbane.
Sa për ta ilustruar, çështja e charter-ve, flet ndoshta shumë për nivelin e konceptimit të demokracisë dhe moskuptimit të saj ose injorimit të rregullave të politikëbërjes bashkëkohore.
Në çdo demokraci postindustriale, një praktikë e tillë e udhëtimeve ajrore të politikanëve do të ngryste shumë vetulla dhe do të shkaktonte tërmet politik, kur një zyrtar i lartë i shtetit, qoftë edhe më i larti, udhëton me avion privat, sepse faktikisht charter-at nuk janë avion publik dhe kushtojnë sa frëngu pulën, kur ai sponsorizohet nga një shtet tjetër ose një biznes tjetër, të cilit pretendohet se funksionari i shtetit shkon dhe i lutet të investojë në Shqipëri.
Thjesht dërgimi i charter-it nga porositësi ose mikpritësi, ku ti shkon t’i lutesh, tregon se faktikisht është ai që të lutet dhe të afrohet t’i mundësosh diçka, koncesion a marrëveshje lehtësuese qoftë, dhe jo e kundërta!
Vërtet zyrtarët e sotëm udhëtojnë me bileta në klasin ekonomik (dhe nuk është sakrificë kushedi se çfarë), si gjithë të tjerët dhe jo në atë të biznesit, edhe pse në avionët nga Tirana deri në vendin më të afërt transit, Itali, Austri apo Angli, nuk ka ndonjë dallim nga radha 5 tek 4 e më poshtë, përveçse një perde që mbyllet dhe një gotë spumante të lirë.
Por, më mirë të udhëtojnë për t’u lutur e për t’ua lypur ardhjen për të investuar në Shqipëri me bileta, qoftë edhe business class, pasi tekembramja të paktën ruajnë dinjitetin politik të shtetit që përfaqësojnë ose aparencën e mosdyshimit.
Në Britani, qoftë edhe një pyetje e bërë nga një deputet në interpelancë me Kryeministrin, në emër të një çështjeje që lidhet hipotetikisht me një biznes ose aktivitet privat, kalon në sitë.
Pa folur për udhëtimet e zyrtarëve të shtetit ose edhe ish-ministrave, siç ishte së fundmi, përdorimi i ambienteve dhe rezidencave të ambasadorëve britanikë dhe shërbimeve të diplomatëve për ish-ministra të Toni Blerit dhe atij vetë.
Por t’i kthehemi “kokëderrësisë” kryeministrore, për të mos e çuar përpara karvanin partiak dhe mungesës së qenve që lehin, kur karvani rri në vendnumëro ose prapësohet.
Unë, personalisht, besoj se një Blush sfidant dhe një Ramë Kryeministër dhe kryetar partie i shkundur e nën fre, është shumë më mirë për stadin aktual të punëve në PS dhe qeverisjen e saj.
Madje, Rama e ka të lehtë fare ta realizojë këtë gjë, pa shkaktuar kaq debat të kotë, edhe pse çështjet e ngritura nga Blushi janë shumë të drejta e parimore dhe ato do të duhet të aplikohen në një parti shumë më funksionuese, nëse nuk do të duhet që PS-ja, partia “under-dog” e 25 viteve më parë, kur nisi demokracia, të humbasë staturën e partisë që e sfidonte në atë kohë komunizmin dhe mentalitetin e mbrapshtë të asaj epoke, parti që demokratikisht, edhe pse me probleme të mëdha funksionimi të brendshëm, kanë ndërruar vendet me njëra-tjetrën.
Ramës dhe Partisë Socialiste nuk i duhet një formacion që bën sikur funksionon dhe bën reforma në shtetbërje dhe dështon në reformat në shtëpinë e vet politike.
Kjo është një kontradiktë e frikshme që rrethon përgjithësisht njerëz autoritarë në politikë.
Shto këtu arrogancën dhe fudullëkun ballkanik e kompleksiv të Kryeministrit, që çuditërisht rrethohet nga qen që s’lehin kur karvani i tij partiak nuk ecën përpara dhe demokracia e brendshme e pluraliteti politik stanjon, fenomene për të cilat, Rama rebel komunist ka luftuar dikur fort e shumë dhe po aq fort e shumë ka ngrënë edhe dru fizik nga paraardhësi i tij autokrat.
Rama e ka të lehtë për të keqen e vet, në një plan afatgjatë dhe të formacionit të tij, të bëjë çfarë të dojë, në vetafirmimin e tij me rregulla dhe pseudorregulla, pasi ka riaktivizuar dhe rivënë në punë një sistem të tillë drejtimi partiak, ku ka edhe gurin e arrën dhe gjithë qenërinë moslehëse ose “shkërdhatokracinë”, siç thotë Dritëroi.
Sakaq Blushi, realisht, pavarësisht nga sa pretendon, lipset të jetë shumë më i sinqertë me bazën e tij të të pakënaqurve, për t’i inspiruar, jo në vetëkorrigjimin e PS-së nga brenda, që ai nuk e beson, sesa në mundësinë e një skizme, e dalë nga partia e Ramës.
Nuk mendoj se Blushi realisht beson se Ramës nuk do i shkojnë nga pas në Kongres e më tej, Taulant Balla e ministrat e tij, as Braçe që Rama e la varur deri në minutën e fundit për ta vënë deputet ose jo në zgjedhjet e fundit apo Ruçi që ha bukë me të gjithë kryetarët e partisë, as Majko hokatari, aspirant për president, e senator i messhekullit të kaluar me fëmijë biznesmenë, e kështu me radhë.
Siç duket, nga makineria partiake dhe kryeministrore, Blushi është i pashans dhe Rama me shumë shanse, të veprojë si paraardhësi në Kryeministri, për shkak se nuk ka konkurrencë të hapur dhe mendim të kundërt.
Për të kuptuar sa larg jemi botës që predikojmë se shkojmë, kujtoj që Kryeministri britanik po lejon ministrat e tij të dalin kundër projektit të tij politik kryesor të këtij mandati, në fushatën për daljen e Britanisë nga BE-ja, pa i ndëshkuar politikisht dhe duke vazhduar punën si ministra, për një projekt që Cameron ka javë pa gjumë në negociata nëpër tërë kontinentin dhe është thinjur në një javë më shumë se Rama në 18 vjet në pushtet.
Rama dhe Blushi po tentojnë të sfidojnë në mënyrat e veta gravitetin politik, kur forca që zakonisht i përplasin në tokë të tjerët, ata kërkojnë të ngrihen gjithnjë e më lart. shqip[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

4 × 3 =