Aleksandër Çipa: Kauza e Rilindjes e tradhëtuar; zgjedhjet me aktorë të vjetër nuk sjellin asgjë të re

IntervistaKryesore
217
0
sample-ad
Aleksander_Cipa

Nga: Eva GJURA

Gazetari dhe analisti i njohur, Aleksandër Çipa komenton në një intervistë për “tesheshi.com” zhvillimet politike në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Duke u ndalur tek tema më e nxehtë e diskutimit të ditës, tek reforma në drejtës, z. Çipa shprehet se kjo klasë politike kërkon ta mbajë këtë sistem në këtë gjendje amorfe. Lidhur me idenë e hedhur për referendumi, ai shprehet se kjo është thjeshtë një alibi i kryeministrit për ta përdorur në funksion të ndryshimit të sistemit. Z. Çipa kritik shprehet edhe ndaj deklaratave të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Ai shton se të tilla zgjedhje me aktorë të vjetër nuk sjellin asgjë të re, derisa do realizohen nga aktorë të vjetër. Ndërsa duke u ndalur tek koalicioni qeverisës, z. Çipa thekson se Rama-Meta e kanë tradhëtuar kazuën e tyre. Në fund, rezervon diçka dhe për Kosovën, zhvillimet e atjeshme politike…

Reforma në drejtësi duket se ka mbetur në vendnumëro, pasi pozita dhe opozita nuk arrijnë si gjithmonë të gjejnë gjuhën e konsensusit. Pse ndodh gjithmonë kështu?

Klasa politike shqiptare mund të jetojë dhe mbijetojë vetëm përmes kësaj kulture politikbërjeje që manifeston dhe ushtron në realitetin shqiptar të të ashtuquajturit tranzicion. Klasa jonë politike nuk do t’i iki stanjacionit politik që është krijuar në vend prej gati 25 vjetësh. Dhe meqenëse nuk do, kjo do të thotë se kjo klasë kërkon të mbajë këtë sistem në këtë gjendje amorfe që funksionon dhe vepron. Shoqëria është e zhgënjyer dhe natyrisht e lodhur deri në depresion prej kësaj situatë dhe e vetmja mënyre për t’i ikur kësaj gjendjeje është që të krijohet një proces i rrotacioni me elitën politike dhe jo i rrotacionit brenda klasës politike për ndryshimin e qeverisjes apo shkëmbimin e posteve qeverisëse.

Kjo mënyrë e të vepruarit deri më tani, ka bërë të mundur që Shqipëria t’i mbijetojë të ashtuquajturit tranzicion, por të mos e mbyllë epokën e ashtuquajtur tranzicion. Ky paradoks i të shprehurit politologjik të situatës, dhe sidomos të kohës, na bënë që ne të vazhdojmë për një kohë të pacaktuar dhe as të ndryshojmë sistemin dhe as të përmirësojmë sistemin. Ky sistem tek ne nuk mund të përmirësohet prej mëkatarëve të vet, por ai mund të ndryshojë vetëm nëse do të ndryshojë kjo elitë. Koha për ta ndryshuar elitën është në fuqi. Asnjë nga palët partiake në vend nuk mund të shpjegojë apo të pretendojë se ndryshon sistemin duke ndryshuar vendet apo pozicionet në rrotacionin qeverisës. Ky është një proces i gabuar dhe është aq më tepër një ndëshkim që mbetet i hapur në kohë për vete vendin për vete shoqërinë.

Gjithmonë jemi ankuar se trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë nuk i ka thënë gjërat troç. Por tani që dy ambasadorët kryesorë, të SHBA-ë dhe BE-së flasin hapur, politika nuk reagon. Çfarë nuk kanë kuptuar politikanët tanë në mesazhin ndërkombëtare?

Unë nuk pretendoj dhe nuk jam person që përfshihem tek optimizmi që për shkak të të folurit drejtpërdrejt të diplomatëve të huaj mund të ndryshojë ky vend. Klasa politike në Shqipëri ka kapur sistemin dhe, duke kapur sistemin ata po e përdorin sistemin në funksion të interesit të vet, ndërkohë qe në shoqëritë me standarde ndodh e kundërta. Sistemi është ai që e mban klasën politike në shërbestari; ndërsa tek ne ndodh e kundërta dhe për këtë arsye ne jemi në këtë stanjacion dhe sidomos në vendnumëro.

Artikulimi i disa prej diplomatëve më të rëndësishëm, përgjithësisht të SHBA dhe kryesori që përfaqëson vullnetin diplomatik dhe politik të BE në Shqipëri, kësaj here vërtet është bërë i drejtpërdrejtë, por është bërë pikërisht për të ndryshuar këtë raport të klasës politike me sistemin. Shërbestaria e klasës politike ndaj sistemit, është një shërbestari e munguar; dhe nga ana tjetër ata janë komandues të sistemit; dhe nga ana tjetër nëse do të këmbëngulet nga faktori ndërkombëtarë, por më së shumti nga qytetarët e këtij vendi, mund t’ia arrijmë që ne të vëmë në sistemin në dispozicionin tonë dhe jo sistemi i kapur nga klasa politike, fatkeqësisht gjasat dhe premisat edhe në aktin e tanishëm duket se klasa politike po përpiqet ta ndryshojë për përdorim sistemin, por jo t’i ndryshohet sistemit, në momentin që do t’i nënshtrohet sistemit, atëherë besoj se mund të kemi mbërritur në një moment ku Shqipëria të jetë vend me aspirata europiane.

Është hedhur ideja për referendum. Mendoni se arrihet apo është thjeshte shashka e radhës?

Unë mendoj se është thjeshtë një akt alibik i kryeministrit për ta përdorur referendumin në funksion të ndryshimit të sistemit. Unë mendoj se kjo është thjesht një alibi. Nuk mund të realizohet në këtë mënyrë. Vullnetet e aktorëve politik në skenën politike shqiptare, janë vullnetet e ngjashme edhe në antagonizmin tyre. Në rastin konkret, vini re, kryetari i opozitës kërkon vullnetin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrimi, nga ana tjetër në orët e vona të natës dy ortakët në qeverisje Rama dhe Meta bëjnë takime të cilat kompromentojnë vullnetin e tyre ndaj sistemit. Është thjesht mënyrë për të mbajtur përmes akteve, pazareve dhe lojrave të brendshme politike peng sistemin dhe jo për t’iu nënshkruar reformimit të sistemit. Në Shqipëri mesa duket kjo mënyrë e të vepruarit dhe të sjelljes së klasës politike nuk e pretendon dhe nuk e garanton reformimin e sistemit.

Opozita ka ditë që deklaron se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe reforma në drejtësi është “qershia mbi tortë”, duke krijuar së pari një qeveri teknike. Ju duket skemë e drejtë kjo?

Kjo është një alternative për të krijuar një mjegull dhe jo për të ndryshuar sistem. Zgjedhjet e parakohshme me aktorë të vjetër nuk sjellin gjë tjetër veçse ndryshojnë pozicionet në skakierën politike, por nuk japin një alternativë të re të ndryshimit, aq më tepër të qeverisjes. Për çfarë duhen zgjedhjet e reja?! A do të konkurrojnë sërish këta aktorë?! Le të marrim të gjitha opsionet e mundshme. Mund të rikthehet përsëri një aleancë elektorale midis PS-së dhe LSI-së dhe çfarë do të ndryshojë?! Apo midis LSI-së dhe PD-së dje çfarë do të ndryshojë?! Jo! Kjo mënyrë e të premtuarit të ndryshimit të strukturës të një fushatë parazgjedhore është abuzive.

Është thjeshtë një alibi, ashtu sikurse edhe referendumi. Në këto kushte referendumi nuk mund të vendosë atë që quhet vullneti i sovranit. Kush do ta komandojë referendumin, kush do ta organizojë, kush do ta administrojë rezultatin e referendumit?! Historia politike dhe sidomos e administrimit të këtyre proceseve zgjedhore është një histori që ka konfirmuar deformimin dhe abuzivizmin elektoral, dhe ne nuk kemi pasur përvojë dhe kulturë referendare. Kjo do të thotë që Shqipëria nuk e ndryshon dot në këtë mënyrë. Me ujin e ndenjur, nuk mund të pastrohet uji.

Si e shihni koalicionin Rama-Meta?

Një koalicion me probleme thelbësore të dy çështjeve: së pari mungon kohezionin i një ndërgjegje për ndryshim dhe reformim; dhe së dyti është tradhtuar kauza fillestare, ajo me emrin “Rilindje”. Në këtë vend duket se askush nuk po e vret mendjen për brendinë reale të Rilindjes, madje as protagonisti, pagëzuesi i saj kryeministri. Vini re se çfarë po ndodh: në dy vjet të qeverisjes së të majtës në koalicion, imazhi i tyre është bjerrur në mënyrë të frikshme dhe, ç’është më e rëndësishmja rezultati i premtimeve elektorale është tronditës. Nuk ka forcë për të mbrojtur as atë që është arritje dhe nuk ka forcë për të justifikuar as atë që nuk është arritur.

Mendoni se po ngelet në klasë kjo qeveri?

Kjo qeveri po shembet më së shumti prej pamundësisë së vetvetes , prej mungesës së një kohezioni të aleatit politik të saj. E majta erdhi në pushtet me devizën e bashkimit dhe unifikimit të së majtës, dhe nuk erdhi në pushtet për të krijuar perceptimin apo skemën e hiseve të pogaçes së ndarë. Në këtë mënyrë kjo pogaçe është e copëzuar dhe vazhdon të jetë jo më ushqyese për mandatin e pretenduar nga elektorati i majtë, por është rikthim i pozitave të problemeve të brendshme të një heterogjeniteti brenda homogjentitetit të së majtës Ky hererogjenitet i së majtës momentalisht është vërtet tronditës dhe nuk premton mbijetese të mëtejshme politike të saj.

Opozita po drejtohet nga Lulzim Basha. Keni ndonjë gjykim për drejtimin tij, çfarë është ajo parti sot?

Procesi i reformimit të Partisë Demokratike është në kohën fizike të domosdoshme. Është normale që një parti politike e dalë nga një qeverisje 8-vjeçare ta ketë të paktën edhe 3 vjet një kohë të riorganizimit dhe ristrukturimit të saj, aq më tepër një Parti Demokratike, e cila është mbajtur peng nga dy faktorë të saj: së pari nga lidershipi historik i vjetër, i cili ka influenca të fuqishme jo vetëm në strukturat dhe në atë që quhet arkitektura e partisë, por mbi të gjitha në atë që quhet mentalitet politik; dhe sidomos në gjenerimin e projekteve dhe mega-projektit regjenerues dhe reformues të saj. Në këtë këndvështrim mendoj që PD-ja është në kohën normale të reformimit, mirëpo natyrisht ka edhe një problem tjetër. Në kushtet kur lidershipi i vjetër është kaq imponues dhe kaq ndikues në të gjithë elementet e ristrukturimit dhe reformimit të saj, lidershipi i ri është i dënuar të këtë kompleks apo atë që unë e quaj indulgjencën e atit ndaj të birit. Në rastin konkret, marrëdhënia midis politikanit të vjetër dhe historik Berisha me politikani e ri Basha, është pjesë e kësaj stileve të njohur jo vetëm në literaturën teologjike.

Ndërsa në këndvështrimin tjetër mendoj se kjo opozitë sot ka nevojë për dy elemente: së pari për të rikthyer modelin e një ideali të programimit politik; që do të thotë, të rikthehet në konotacionin dhe brendinë reale të djathtizmit të saj; dhe së dyti të mund të ndërtojë atë që quhet koalicionin e djathtistëve shqiptarë. Këto dy elemente, të cilat janë lidhur me programin dhe strukturën e domosdoshme të funksionimit të saj, ajo duket se i ka lënë si pjesë të dorës së dytë apo të një kohe tjetër. Koha në fakt po rrjedh edhe më shpejt sesa e mendon edhe opozita sot. Sikundër po humbet po aq më tepër sesa ç’ mund ta ketë planifikuar edhe shumica në qeverisje. Në këtë mënyrë sesi po rrjedhin zhvillimet në skenën politike shqiptare, dhe sidomos në skakierën politike, neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të dy palët e aktorëve politike të shikojnë sesa afër dhe sa fqinjërues janë me krizën politike dhe me krizën e administrimin e vendit.

Duket se shqiptarët kudo që janë po tregojnë se nuk dinë të bëjnë shtet. Kam parasysh këtu situatën në Kosovë, e cila është mjaft e tensionuar dhe pa stabilitet politik. Çfarë po ndodh?

Ndaj kryekëput mendim të ndryshëm nga një pjesë e atyre që kërkojnë ta shpjegojnë dhe ftillojnë fatin politik të vendit me trashëgiminë antropologjike në realitetin shqiptar. Jo! Shqiptarët i kanë kapacitet dhe mundësitë për të nxjerrë protagonistë të vendimmarrjes politike dhe të kurajës politike. Por shqiptarët kanë një problem që lidhet me atë që unë e konsideroj kohezionin e bashkësisë politike, këtë gjë ne e kemi të munguar, por jo të trashëguar. E kemi të munguar në kohë të ndryshme. Sjellja politike, e klasës politike të re ndoshta më e reja në gjithë historinë politike të Europës së sotme në Kosovë, është një sjellje e turpshme dhe madje e patolerueshme në shumë aspekte. Aspekti më determinant për të cilin kjo klasë politike duhet të ketë brerjen e ndërgjegjes dhe disponibilitetin për ta tejkaluar, lidhet me fatin e republikës së re.

Republika e Kosovës është republike e re; dhe si e tillë ata duhet të vendosin në epiqendër prevalimin e interesit të republikës mbi interesin e sjelljes dhe pozicionin që ata duhet të kenë në skakierën politike, derisa të ndodhë kjo gjë. Kosova udhëton në një rrugë pa krye dhe shpesh në kryqëzime dilematike. Këto duhet të mbyllen një orë e më parë, madje nuk është e domosdoshme që kjo klasë politike të paracaktojë pozicionet e ardhshëm të saj, siç është rasti për pretendimet e paracaktuara për presidentin e ardhshëm apo kryeministrin, por të krijohet ai që quhet prevalimi i interesit publik dhe i interesit të republikës mbi interesat partiake dhe politike. Nëse këtë realitet do ta dominojë ai që në e kemi quajtur korrupto-politika, siç ndodh edhe në Shqipëri, atëherë ky vend ka për të udhëtuar në një tranzicion pa krye dhe koha që gjeneron tranzicioni. Fatkeqësisht Kosova nuk duhet ta emërtojë ashtu si edhe Shqipëri, “periudhë të tranzicionit”.

Çfarë duhet të bëjë klasa politike në Kosovë për të dalë nga kjo gjendje dhe për ti kthyer një politike normale?

Të mos braktisë dy elemente jetike për normalitetin e një vendi: luajalitetin politik dhe konstruktivizmin politik; dy gjëra të munguara në historinë politike të 25 viteve nga Shqipëria politike dhe fatkeqësisht të shfaqura si mungesë edhe në këtë realitet të shkurtër edhe të politikës së re të Kosovës, për shkak të protagonistëve dhe për shkak të partive politike të saj.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × 2 =