Gazmend Oketa: "Opozita nuk inspiron më!" Po mazhoranca..?

IntervistaKryesore
404
0
sample-ad

Gazment Oketa, ish deputet i Partisë Demokratike dhe një ndër themeluesit e Frymës së Re Demokratike, është pyetur nga “Arbëria News”, për situatën politike në vend, për koalicionin Rama-Meta si dhe për një Qeveri të mundshme teknike, variant ky i propozuar nga opozita. Gjithashtu Oketa ka folur dhe për valën e lëvizjeve politike në administratën e vendit.

Z.Oketa, si e vlerësoni situatën politike të krijuar në vend?

Gjykoj se, në përgjithësi, situata politike në vend vazhdon të mbetet tipike shqiptare. Kjo për faktin se sipas traditës, më të keqe të këtyre viteve, vazhdohet të kemi mardhënie të tensionuara pozitë-opozitë. Vazhdohet si gjithmonë me akuza e kundërakuza pa fund, aq sa edhe kur ato mund të jenë të vërteta, vërtetësia e tyre tretet në lumin e baltës së hedhur pa asnjë përgjegjësi. Pra, në terma të përgjithshëm, nuk shoh ndonjë model të ri politikbërjeje dhe kurs të ri të debatit politik në Shqipëri. Nga ana tjetër, nëse i referohemi institucionit më të lartë të shtetit shqiptar, Kuvendit, i cili është dhe vëndi ku duhet të zhvillohet debati kryesor politik, situata është sa tragjike aq edhe komike. Kjo për faktin se institucioni i cili duhet të kishte në përbërje të tij elitën politike dhe intelektuale të vëndit ka sot niveli më mjeran, që nga dita e themelimit të tij. Mjafton të kujtojmë se dhjetorin e shkuar ky Kuvend, me një rezolutë të tijin, vetëpranoi se është i kriminalizuar. Produkti i një institucioni të tillë është lehtësisht i imagjinueshëm, lëviz sa tek komikja aq edhe tek tragjikja.

A mendoni se kualicioni Rama-Meta është i qëndrueshëm?

Varet se çfarë kini në konsideratë me termin “i qëndrueshëm”. Asgjë nuk është absolute dhe mendoj se edhe ky koalicion është krejt normale të ketë uljet dhe ngritjet e tij, përsa i takon shkallës së “qëndrueshmërisë”. Ajo ç’ka duhet të shqetësoj opinionin publik, nuk duhet të jetë mardhënia personale ndërmjet z. Rama dhe z. Meta, por duhet të jetë mënyra se si ata po qeverisin vendin. Në fund të çdo mandati forcat politike duhet të përgjigjen para qytetarëve për realizimet apo mos-realizimet e premtimeve dhe jo se sa herë kanë drekuar apo darkuar me njëri-tjetrin. Një gjë duket mëse e sigurt, që kjo mazhorancë pavarësisht luhatjeve të “qëndrueshmërisë” së saj do ta konsumojë deri në fund mandatin e saj.

Si e gjykoni opsionin e mundshëm të Partisë Demokratike, për kalimin e vendit në një qeveri teknike? A është kjo e mundur nisur nga rrethanat në të cilat ndodhet vendi?

Kur thashë pak më lart se kjo mazhorancë do ta konsumojë deri në fund mandatin e saj, më së shumti kisha parasysh opozitën parlamentare e cila nuk inspiron më. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, sigurisht nuk do të ishte fundi i botës, përkundrazi do të ishte një gjë krejt normale në një demokraci funksionale. Por aktualisht nuk ka shenja që të tregojnë se mazhoranca aktuale ka humbur numrat për të qeverisur vendin. I referohem numrave pasi nuk besoj se klasa politike shqiptare e çon vëndin në zgjedhje të parakohshme kur humbet moralin për të qeverisur. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Që pas zgjedhjeve të 1997 historia e zgjedhjeve të parakohshme ka qënë gjithmonë një histori që përmendej çdo vit dhe më së shumti përdorej për të mbajtur me shpresë militantët sesa si një skenar politik vërtet i mundshëm. Më tepër se për të foluar për zgjedhje të parakohshme, sot duhet folur për rishikim të Kodit zgjedhor, administrim jopolitik të zgjedhjeve të ardhshme, për të mos u ndodhur në të njëjtën situatë tragji-komike, apo dhe më keq se kjo, pas zgjedhjeve të ardhshme.

Në media është publikuar lajmi se Rama ka dhënë urdhër për zëvendësimin e punonjësve të administratës me militante të Partisë Socialiste. A mendoni se kjo është një lëvizje e Ramës, pasi i trembet rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme?

Jo çdo gjë që fluturon mund të hahet, e po ashtu jo çdo gjë që publikohet në media duhet marrë si e vërtetë. Nuk e di deri ku shkon e vërteta e këtij lajmi prandaj nuk kam si ta komentoj.

A është e ngjashme kjo situtë e spastrimit të administratës me atë të lëvizjeve që bënë demokratët në 1992? Dhe a është logjike që  Shqipëria, sot në 2015 të hasë të njëjtat situata politike?

Përsa kohë qytetarët do të mbështesin forcat politike me të vetmin objektiv apo kërkesë, një vend pune, debati për politizimin dhe militantizmin në administratë do të vazhdojë pambarimisht.  Do të vazhdojë me të vërtetat e të pa vërtetat e tij deri sa shoqëria shqiptare të kuptojë se politika është një instrument, në mos i vetmi, i cili duhet t’i shërbej atyre për interesa shumë herë më të mëdha, duhet t’i shërbej atyre për të ndërtuar një vend të zhvilluar për të gjithë shqiptarët e sidomos për brezat që do të vinë. Logjikisht Shqipëria e vitit 2015 duhet të ishte krejt ndryshe. Ajo sot është një vend të cilin nëpër kafene shumica e kritikojnë, shumë të tjerë duan ta braktisin, por të gjithë harrojmë se jemi vetë ne ata të cilët e ushqejmë një sistem të tillë, një sistem në të cilin ata të paktët që drejtojnë dhe duan të qëndrojnë me çdo kusht në pushtet, e zhvasin çdo ditë Shqipërinë dhe sa më shumë e zhvasin aq më shumë shoqëria i mbështet.

Si i shikoni masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen e vendit nga sulmet terroriste, pas situatës së krijuar në Paris? Dhe a mendoni se Shqipëria rrezikohet nga këto sulme?

Nuk mendoj se ka vend për panik ashtu siç dhe, nga ana tjetër, nuk mund të pretendohet se Shqipëria është e parrezikuar nga sulme të ngjashme. Sot siguria globale po kalon situata pothuajse të paparashikuara dhe për ta ulur nivelin e rrezikshmërisë duhet një mirëkoordinim i punës së të gjitha agjencive të sigurisë kombëtare si brenda vendit, ashtu dhe me agjencitë e sigurisë së vendeve të BE, SHBA dhe rajonit. Sulmet e Parisit, ishin tragjike dhe shkaktuan pasoja të mëdha në jetë qytetarësh të pafajshëm. Por ato sulme apo të tjera si ato, një gjë nuk arritën dhe nuk do ta arrinë dot kurrë, të trembin dhe gjunjëzojnë shoqëritë e përparuara.

Arberia News/ Albana PINE/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 + eighteen =