Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda: Kjo është vjeshta e ankthit për drejtësinë

Intervista
457
0
sample-ad

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni thotë se nuk mund të fajësohen të gjithë gjykatësit si të korruptuar. “Ka një lloj histerie në opinionin publik shqiptar, i cili nuk bën diferencën në kategorinë e gjyqtarëve,

por edhe politika duket sikur ka një kompromis të heshtur për të etiketuar në tërësi sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti”, thotë Simoni për emisionin “Debat”.

Përshëndetje, Zoti Simoni. Stina e vjeshtës, sipas kryeministrit Edi Rama do të shënonte kulmin e reformës më të madhe në drejtësi dhe sidomos në gjyqësor. A ishit ju dakord që drejtësia shqiptare të kalonte në një reformë të thellë?

Sigurisht që ne nuk mund t’i kundërvihemi idesë së një reformimi të thellë në gjyqësor apo në sistemin e drejtësisë, sepse ne jemi pjesë e këtij sistemi dhe jemi më tepër të interesuar që ky sistem në tërësi të jetë më efikas dhe gjyqësori të jetë një pushtet i pavarur siç i takon të jetë. Për këtë arsye, ne kemi qenë përkrahës të kësaj reforme për të bërë më të mirën dhe atë që duhet. Pra, të kemi një gjyqësor efiçent, të pavarur, profesional dhe të ndershëm dhe në përpjekje për të hequr idenë e një sistemi drejtësie të korruptuar. Për këtë shkak është një vullnet legjislativ i proklamuar, i mbështetur nga faktorët ndërkombëtarë, të cilin ne e kemi përkrahur. Megjithatë, diskutimet kanë vluar tashmë dhe jemi në pikun e tyre.

Mirëpo, ajo që kemi si perceptim ne njerëzit e medias është se, pavarësisht se diskutimet janë të zjarrta dhe të forta, njerëzit e gjyqësorit nuk janë pjesë e diskutimeve publike. Si ka mundësi që gjykatësit e nderuar, me emër dhe me vlerësim, nuk i shikojmë në media të thonë fjalët e tyre se çfarë po ndodh me ndryshimet e mëdha në projektligjin për drejtësinë dhe rrezikojmë që t’i mësojmë në momentin kur të miratohen në sallën e Parlamentit?

Edhe unë e kam shprehur këtë shqetësim dhe ka të bëjë me mënyrën si është konceptuar kjo reformë. Kjo reformë u përqendrua në parlament nëpërmjet Komisionit të Posaçëm për Reformën e Sistemit të Drejtësisë dhe si grup pune u përcaktua një grup i nivelit të ekspertëve të lartë, i cili në shumicën e tij përbëhej nga persona që ishin të profilit akademik, kryesisht kishte avokatë, prokurorë, por më pak edhe gjyqtarë.

Sa gjyqtarë kanë qenë?

Kanë qenë 2 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Është e vërtetë që ne jemi ftuar në tryeza teknike, të cilat kanë pasur në fokus diskutimi paketa të ndryshme ligjore, por më tepër në çështje të cilat evidentonin të metat e sistemit ligjor, kryesisht në atë të sistemit të së drejtës penale. Ndërsa më vonë ne mësuam që me prezantimin e paketës kushtetuese fokusi kishin qenë ndryshimet drastike kushtetuese.

A është normale, sipas mendimit tuaj, që dy gjyqtarë përfaqësojnë gjithë gjykatat e shtetit shqiptar?

Personalisht, unë dhe kolegët e mi këtë e quajmë jonormale, meqenëse fokusi kryesor lidhet me ndryshimet në pushtetin gjyqësor dhe fokusi kryesor ka të bëjë me gjetjen e instrumenteve kushtetuese për të luftuar korrupsionin në drejtësi dhe kryesisht në gjykata. Do të kishte qenë më mirë që gjykatësit të kishin qenë partnerë e të kishte pjesëmarrje më masive. Kjo ka dhe një faktor tjetër, i cili ka ndikuar. Gjyqtarët janë njerëz të zënë me procese gjyqësore dhe janë persona që nuk angazhohen për shkak të një klime paragjykuese. Ka një lloj histerie në opinionin publik shqiptar, i cili nuk bën diferencën në kategorinë e gjyqtarëve, por edhe politika duket sikur ka një kompromis të heshtur për të etiketuar në tërësi sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti.

Sipas perceptimit tuaj, gjykatat janë nën presionin e reformës që pritet të ndodhë, apo nën presion politik?

Është ë vërtetë që gjyqtarët e ndiejnë presionin e asaj se çfarë mund të ndodhë me procesin e reformës, për shkak se procesi i ndryshimeve kushtetuese po mundohet të përfshijë të gjithë masën e gjyqtarëve, i shtrirë dhe në prokurori. Por  në fokus duket sikur është gjyqësori. Kjo ndodh sepse gjyqtarët janë ata që etiketohen dhe përmenden për vetë faktin që gjyqësori është një pushtet më vete. Ky është presioni më i madh sesa ai politik në tërësi, sepse gjyqësori ka instrumente juridik-kushtetues për të qenë I pavarur, sigurisht nëse ne kemi forcë dhe vitalitet brenda vetë nesh që ta trajtojmë pavarësinë ashtu si e ka përcaktuar Kushtetuta.

Tre janë pikat më të diskutueshme që pritet të bëhen. E para lidhet me magjistraturën: një gjyqtar jo domosdoshmërisht duhet të ketë mbaruar shkollën e magjistraturës, më parë ky ka qenë një kondicion shumë i fortë. E dyta: lufta kundër korrupsionit është parësore, dhe e treta: të gjithë gjyqtarët kalojnë një konkurs, pavarësisht se kanë një karrierë. Si i komentoni ju të tria këto ndryshime?

Paketa e ndryshimeve kushtetuese shkonte pak më tej atyre që ishin diskutuar gjatë tryezave të rrumbullakëta, punimeve të Komisionit, apo diskutimeve të ekspertëve të lartë për evidentimin e pikave të dobëta në sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti. Ne na shqetësoi fakti që evidentohej fillimisht që shkolla e magjistraturës ka qenë një arritje dhe histori suksesi, ndërkohë që tani nuk përfshihet në kushtet për të qenë gjyqtarë. Kjo I jep mundësi kategorive të tjera jashtë profesionistëve të kësaj shkolle.

Çfarë rrezikon kjo?

Kjo rrezikon atë që siguronte Shkolla e Magjistraturës, një nga elementet e pavarësisë, atë të emërimit dhe politizimin e masës së gjyqtarëve që mund të përfshihen në gjyqësor në vijim.

A është vërtet apo jo korrupsioni fenomeni më shqetësues i shoqërisë, kjo është kompetencë e organeve të tjera. Në këndvështrimin tim si jurist, unë kam merakun dhe frikën nëse fokusimi vetëm për të luftuar korrupsionin do të pengojë luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut, pastrimit të parave etj. gjithashtu krijimi i strukturave antikorrupsion është një risi, por nuk merr parasysh faktin që ne tashmë kemi krijuar një traditë të kohëve të fundit që korrupsioni është konsideruar krim i rëndë, duke u vënë në të njëjtën rëndësi me krimin e organizuar dhe trafiqet. Për këtë arsye mendimi ynë ka qenë që nuk ka pse të evidentohen struktura kushtetuese antikorrupsion pasi këto do të anashkalojnë organizimin aktual organik të gjyqësorit dhe duket sikur nuk marrin parasysh ekzistencën e organizimit gjyqësor në Shqipëri dhe konkretisht krijimin e një gjykate të specializuar pikërisht për fenomenin e krimit të rëndë të organizuar dhe të korrupsionit.

Aktualisht, korrupsioni është në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda…

Do të merret opinioni i Komisionit të Venecias nëse mund të merret modeli i Ukrainës, ai serb apo modele të tjera të rivlerësimit të përgjithshëm të gjyqtarëve, por ne nuk mund të konsiderohemi një rast i veçantë si ai i Ukrainës, pasi ne jemi një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe gjyqësori ynë ka pasur evoluime. Ne kemi një sistem drejtësie problematik, por funksional dhe çështja më problematike në këndvështrimin tim është etiketimi i të gjithë gjyqtarëve si të korruptuar. Një rivlerësim i përgjithshëm i gjyqtarëve fyen kategorinë që ka punuar me profesionalizëm dhe etikë dhe shteti ka për detyrë të mbrojë gjyqtarët e ndershëm.

Duke perifrazuar dy shkrimtarët, Ismail Kadare dhe Bashkim Shehu: A është kjo “vjeshta e ankthit” për drejtësinë?

Në njëfarë mënyre, po. Edhe për vetë pritshmëritë dhe për procesin e ecjes me shpejtësi për diskutimet në ecjen e reformës dhe në idenë e kërkimit të opinioneve në Komisionin e Venecias në një afat sa më të shkurtër. Në masën e përgjithshme të gjyqtarëve ka një situatë të ethshme e pasiguri për atë çfarë mund të ndodhë.

Pas disa ditësh Komisioni i Venecias do të thotë fjalën e tij mbi bazën e atyre çfarë do të dëgjojë nga të gjitha palët. Keni për t’iu thënë ju diçka të veçantë anëtarëve të Komisionit?

Komisioni i Venecias duhet të ketë parasysh që fenomeni i korrupsionit nuk është një fenomen masiv dhe politikisht në gjithë këto vite është evidentuar dhe është bërë një fenomen metaforik dhe gjyqësori është një sistem funksional. Në Shqipëri ka mbi 6000 të arrestuar me vendime gjykate dhe ka gjyqtarë me integritet dhe të mos jetë vetëm antikorrupsioni fokus i reformës në drejtësi.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seventeen + 20 =

%d bloggers like this: