Profesori i socialistëve: Duhen ndryshime në Qeveri, koalicioni si marrëveshje xhentëlmenësh

AktualitetKryesore
249
0
sample-ad

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, shprehet se ndryshimet në qeveri janë të mirëpritura nga publiku, ndërsa duhet bërë dhe një vlerësim i koalicionit qeverisës. Ai thotë se nuk duhen mbyllur sytë ndaj disa zhvillimeve të muajve të fundit brenda koalicionit PS­-LSI. Në një intervistë për “Panorama” Pëllumbi shprehet se koalicioni PS-­LSI i ngjan më shumë një “marrëveshjeje xhentëlmenësh” sesa një koalicioni të ngritur mbi parime, ide, programe e përgjegjësish të përbashkëta.

“Kam mendimin se “krisjet” që përmendët ju në pyetjen tuaj janë thelluar pas zgjedhjeve vendore, e sidomos këto ditët e “kiametit” pas “çështjes politike­ CEZ”. Për asnjërën prej këtyre dy momenteve LSI-­së nuk i shkon as roli i viktimës në raport me aleatin më të madh, PS-­në, as deklarimet e tipit “edhe të vetëm trim në lufte” dhe as ndarjet “në të malit dhe të moçaleve”! Është e papranueshme të thuhet se LSI-­ja u sulmuaka nga më “të mëdhenjtë” se u verbuaka sytë rritja e saj! Ndërkaq ka vend për të dialoguar brenda koalicionit, për të mos lejuar thellimin e kundërshtive, për të parë edhe disa aspekte e parime mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë koalicionet elektorale dhe qeverisëse”­ thotë Pëllumbi, duke vazhduar:

“Aq më pak i përngjet ai një koalicioni vlerash, duke filluar nga baza e secilës prej tyre, për pasojë ndarjet “Ne” të mirë, “Ata” të këqij, veprojnë deri dhe brenda koalicioneve, sepse punohet pak ose aspak për kohezionin e tyre të brendshëm dhe ruajtjen e ekuilibrave politike që ekzistojnë në elektorat e në popull. Jo pak ndikim negativ mund të ketë sidomos mënyra piramidale e ndarjes së “copave të pushtetit” që trajtohen si “copa partie­biznesi” për të vendosur “njerëzit e vet”, duke filluar nga titullari kryesor i ministrisë, te drejtorët dhe deri te më i thjeshti, bie fjala, deri te polici i burgjeve në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë, apo të kontraktorëve e nënkontraktorëve, kur është fjala për Ministrinë e Ekonomisë apo ministri të tjera… “.

Pëllumbi thekson më tej se ne kete menyre krijohet një pushtet i mbyllur piramidal, në të cilin të gjithë pa përjashtim duhet “të ndihmojnë” e të mbrojnë “copën e pushtetit Parti”!

“Ky realisht është një defekt i madh i sistemit politik shumë partiak që kemi sot, sidomos i qeverive të koalicioneve, që pjell klientelizëm dhe korrupsion të fshehur pas votës së elektoratit. Diskutimi i thelluar rreth çështjeve të tilla, mendoj se do të mund të parandalonte, të paktën, mosthellimin e “krisjeve”…!”­ thote ai.

I pyetur nese janë të nevojshme ndryshimet në qeveri, Pëllumbi thotë:

“Gjithsesi, kemi të bëjmë me një çështje transparence. Nëse qenka bërë ndonjë vlerësim i detajuar i punës së ministrave nga kryeministri Rama, ai duhet bërë publik, sepse ndryshimet qeveritare nuk janë qëllim në vetvete, por as nuk duhet mbyllur çdo mundësi e tillë, sidomos kur opinioni publik ende vazhdon të jetë i prirë për nga vlerësimi në sens pozitiv të ndryshimeve përmirësuese të qeverisjes dhe të koalicionit për Shqipërinë europiane”.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen + 7 =