Mes dëshpërimit dhe fatalizmit politik

Opinion
233
0
sample-ad

Nga: Arben MANAJ

Kriza që ka kapluar Tiranën politike këto javë, edhe pse ka elementet e “përfoljes së madhe”, në vetvete është e denjë të eklipsojë çdo raport sado realist apo të njëanshëm rutinë, që i shkon Brukselit për zhvillimet dhe problematikën e demokracisë në Shqipëri.

Relativizimi moral është varka me të cilën mund të notosh në ujërat e ndotura keqas të politikës dhe oligarkisë gjithnjë e më kafshuese, që kanë prodhuar “nanodiamantin”, LSI, nga shtërzimet dhe impaktet që kanë shkaktuar në terrenin e demokracisë shqiptare, dy të mëdhenjtë e galaktikës postkomuniste shqiptare.

Diarreja videoverbale dhe halitosisi politik që ndihet gjithandej në ambientet politike e mediatike të Tiranës së këtyre ditëve e javëve të fundit, është tipik i një stomaku të trazuar mafioz dhe korruptiv, ku ndodhet e gëlltitur, pak si shumë çorbë e prishur. Për ta kuptuar sa më mirë këtë “krizë të asgjëkundit”, po i kërkoj lexuesit “të zhveshë” rrobat dhe të zhytemi së bashku në pishinën e logjikës dhe common sense-it.

Kjo krizë, në thelb dhe qëllim, është thjesht politike dhe nuk ka aspak intensione antikorrupsion. Ata që kërkojnë dhe po mbajnë flamurin e antikorrupsionit nuk janë flamurtarë të duarve të pastra dhe s’kanë fytyrë për të mbajtur lart këtë flamur, sesa janë mamuthë të rinj të saj, dhe kjo vlen për të dyja palët.

Po e nis nga PD-ja. Është pretendim i madh që kjo forcë, e cila ende nuk ka bërë një katarsis të mirëfilltë të historisë së saj qeverisëse, e mbushur me afera të shumta e të mëdha korrupsioni, e që i përmendi edhe Gramoz Ruçi në Parlament, të kërkojë

të luftojë Ilir Metën për korrupsion, përmes këtij diversioni kundërproduktiv, që ende nuk e kuptoj personalisht, kërkon të fitojë terren politik dhe të rrisë shanset për ardhjen në pushtet. Loja e saj është kohëhumbëse në rastin më të mirë.

Faktet dhe historia elektorale shqiptare ka dëshmuar më se njëherë se kjo parti është e dyta më e madhja e shqiptarëve dhe fakti që mori Ilir Metën në shtrat kur qeveriste, i mundësoi asaj pushtetin qendror dhe lokal, në kryeqytet më dukshëm dhe më me pikëpyetje.

PD-ja nuk është Siriza, e Basha nuk është Cipras që ka fatin të sulmojë e të fajësojë dy të tjerët, si shkaktarë të krizës e t’i nxjerrë të tjerët në minorancë. Edhe pse në politikë nuk ka moral të mirëfilltë, kjo parti, PD-ja, të vetmin shans, të pëlqen ose jo, e ka përmes LSI-së, realisht. Dhe jo vetëm kjo parti, por edhe PS-ja. As nuk dua ta çoj ndërmend idenë tjetër po aq bizare, të megakoalicionit mes dy të mëdhenjve, që sërish nuk të çon askund.

Hipotetikisht, sado ta ketë jetëgjatësinë, nuk shkon më shumë deri në momentin kur do të duhet të mposhtin sërish njëri-tjetrin si pjesë e lojës në demokraci, përndryshe nuk është e atillë. Ky është një realitet kokëfortë shqiptar, edhe pse i padëshirueshëm, e pikërisht këtu qëndron fatalizmi dhe dëshpërimi politik në skenën e sotme shqiptare.

PD-ja dje, e PS-ja sot, e kanë konsideruar LSI-në si pleh organik (dikush mund të përdorte një term më popullor), që e shpërndan dhe prej saj rritet pema e pushtetit. Dhe kryefermerët e politikës shqiptare janë veçse vetë fajtorë për këtë situatë, të cilën tentuan dikur ta tjetërsonin, por iu kthye në bumerang dhe kam frikë se kështu do t’u kthehet sa herë të tentojnë sërish, nëse nuk gjendet një zgjidhje ekstrashqiptare.

Berisha, i cili ende lëshon një hije konstante dhe shumë të gjatë në partinë e tij, duket se ka punuar me kohë, si njëri që të gjithëve u bën dosje korruptive ose i ka përdorur ato gjatë tërë kohës së sundimit të tij afro-enverian në postkomunizëm.

Dhe ky diversion, i shkaktuar nga fatalizmi dhe mosgjetja e një zgjidhjeje adekuate dhe efektive për të shmangur LSI-në dhe Ilir Metën, i cili duket se do të jetë një gozhdë e ngulur thellë dhe për shumë kohë në politikën shqiptare, ka të gjitha gjasat që ta mbajë partinë e tij për një kohë shumë të gjatë në opozitë.

Edhe sikur sistemi zgjedhor të ndryshojë dhe të aplikohet primi, si në Greqi, PD-ja do të duhet të bëjë sforcime titanike për të mundur të dalë parti e parë në zgjedhjet shqiptare.

Ilir Meta dhe partia e tij, me rritjen e tyre galopante falë zgjuarsisë, klasit të nuhatjes oligarkiko-politike, ka mundur të shndërrohet në strehëzën e çdo të pakënaquri a rebeli të Partisë Socialiste dhe çdo të dyshuari për korrupsion, të çdo të nginjuri të PD-së e ndonjë force tjetër politike. Klientelizmi i përfolur i Metës nuk ka përse anatemohet mbi kritere morale e politike, sepse në politikë kjo është pjesë e lojës dhe ai e luan shumë bukur lojën me top dhe pa top.

Nëse PS-ja, e cila është në koalicion me LSI-në, hap zyra pune anembanë vendit, Ilir Meta punëson, përmes një tipari që rrallë e kanë në nivelet e tij, homologët e vet, pasi di t’i mbajë njerëzit dhe simpatizantët e vet, duke u ofruar atë që nuk ua ofrojnë edhe kur kanë mundësi të tjerët. E nëse ai është në atë pozicion, kjo është meritë e tij, aq sa edhe dështim i bashkë-koalicionistëve të tij, të djeshëm e të sotëm.

Ilir Metën mund të tentosh ta eliminosh politikisht, por votuesit e tij mbeten çështja, që në fund të fundit e mbështesin dhe zgjedhin në shumicën dërrmuese atë dhe partinë e tij në mënyrë demokratike, edhe pse mund të duket elektorat pragmatist.

E meqë jemi te të sotmit, koalicioni mes Ramës dhe Metës ka qenë, që në fillesat e veta, dhe mbetet i sforcuar e i kushtëzuar, e në politikën botërore ka raste më se të shumta të kësaj natyre.

Mosbesimi është filli që përshkon koalicionin e sotëm qeverisës dhe kërcënimi i do ditëve më parë nga Meta ndaj Ramës, duket se mund të jetë i fundit, për t’i kujtuar se kur nuk ke luajtur luajalisht ke humbur dy herë, edhe pushtetin qendror, edhe Tiranën.

Ndaj Rama, edhe pse ka që nga 2 korriku që nuk është takuar me Metën, do të bënte harakiri po të prishte një status-quo, që i mundëson reforma, edhe pse me çmim elektoral dhe politik, por gjithsesi si e keqja më e vogël e mundshme.

Nuk do të kishte kuptim (qoftë edhe duke spekuluar me një shtytje ndërkombëtare!!) që Rama të bënte një lëvizje bosh, e cila do e risillte atë në një pozicion, ku po t’i humbiste realizmi politik dhe ai sondazheve, do të humbte mazhorancën që ka dhe do të hynte në një proces elektoral, që pa Metën nuk do t’i siguronte kurrsesi atë mazhorancë që ka aktualisht.

Skena politike e mëpasshme do të ishte shumë e koklavitur dhe pazaret e çmimi i tyre do të ishte shumë më i lartë sesa është sot, qoftë edhe sikur një forcë tjetër politike, si çamët, të bënin rokadë, edhe pse me gjasa minimale, me LSI-në. Plus, kjo do të vinte në rrezik të madh edhe funksionimin dhe mbajtjen më tej të pushtetit lokal dhe, më e rëndësishmja, Bashkinë e Tiranës, nesërdej.

PS-ja e PD-ja mund të jenë më të pakënaqurit e gjendjes që e krijuan vetë, të cilën Ilir Meta e çoi në nivele kërcënuese, për meritë të tij, në fund të fundit, por atyre fatkeqësisht do t’u duhet të merren me të dhe të gjejnë një ilaç, që do duhet ta provojnë vetë për të parë efektet anësore në organizmin e tyre, përpara se ta aplikojnë.

PS-ja dhe Rama, tash e tutje me Metën dhe LSI-në, do të duhet të veshin antiplumbin, si mjet mbrojtës ndaj njëri-tjetrit deri në zgjedhjet e ardhshme dhe koalicioni sado që shitet rozë, nuk është më ai që ishte përpara zgjedhjeve lokale, aq më tepër pas “përfoljes së madhe”.

Gjithsesi, në një analizë të fundit, kjo krizë që ka në bazë, start e shkak, CEZ-in dhe korrupsionin e supozuar, që nuk më habit dhe nuk shpresoj se do ta çojë diku pas do kohësh, siç nuk kanë çuar më herët raste analoge, dëshmon se politika shqiptare mbetet sa rishtare, aq edhe e hapur ndaj praktikave korruptive të vendeve që kanë përvojë e mjekër më të madhe, si në rastin habitës të Çekisë, e cila siç duket nga influencat e “Fyle & son”, ta kërdisin akoma më shumë imazhin që kërkojnë të injektojnë përdhunshëm, si bartësit e pastërtisë politike apo si epitomistë të demokracisë së kulluar.

Kjo krizë korruptive politiko-financiare në Shqipëri, e cila hapi dhe mbylli disa porta, në emër të integrimit europian, edhe mund të ishte shmangur, si çmimi që do të duhet të paguanin shqiptarët për t’u futur në një klub politik si BE-ja, që po dëshmon çdo ditë, fatkeqësisht, se është një utopi siç ishte komunizmi.

Por për hir të kësaj utopie integruese, trajtimi i kësaj krize duhet bërë në atë formë që të kënaqë e të përmbushë disa kritere formale të një shteti dhe demokracie funksionuese, sëpaku të një vendi kandidat apo idealisht, të një vendi anëtar si Rumania, që heton për korrupsion Kryeministrin aktual.

Personalisht nuk është se kam shpresë, e kjo krizë nuk do të çojë askund, e Shqipëria do të vazhdojë të jetë akoma më keq sesa e pasqyrojnë raportet që u çohen burokratëve të BE-së, që edhe kur i lexojnë, i lexojnë tangjentalisht, sepse për ta Shqipëria është prapa liste.

Dhe kjo është një nga fatkeqësitë plus të fatalizmit dhe dëshpërimit politik që ka kapluar Shqipërinë dhe politikën e saj tangjentale. shqip

Facebook Comments

POST A COMMENT.

six − five =