Na i kthen seksi ilegal i Dritan Priftit miliardat e grabitura nga afera CEZ

Editorial
377
0
sample-ad

Nga: Xhovani SHYTI

Disa foto të “dhuruara” nga politika për tu publikuar në sinkron, kundrejt përfitimit të çastit apo të të ardhmes, kanë përbërë fatkeqësisht, lajmin mediatik skup të ditës së djeshme.

Fjala është për disa foto të ish deputetit dhe ministrit të ekonomisë Dritan Prifti në momente intime me një femër. Sipas disa mediave larg maxhorancës qeverisëse, fotot fillimisht janë publikuar në media pranë LSI –së, ato janë nxjerrë nga një video e realizuar nëpërmjet vetëfilmimit nga Dritan Prifti, në çastet kur ai ndodhej në intimitet me femrën e identifikuar sakaq etj.etj., informacione po aq të parendësishme sa edhe fotot erotike të publikuara e nga të cilat asnjëri prej shqiptarëve të grabitur ndyrazi nga afera e porsashpërthyer CEZ nuk përfiton gjë.

Sepse nuk do shumë mënd të kuptohet  që servirja e fotove intime për publikim mediave është e qëllimshme dhe për ti nxjerrë dhembët e ujkut “rebelit” ish LSI-stë Dritan Prifti, i cili më shumë se një herë ka kërcënuar se do të jetë dëshmitar kryesor nëse Prokuroria do ta thërrasë për të dëshmuar lidhur me aferën CEZ. Por Prifti ka qenë edhe një sulmues sypatrembur ndaj kryeparlamentarit Meta, për të cilin  jo më larg se pak ditë më parë tha se qëndron pas marrëdhënies DIA-CEZ etj.

Nëse deputeti Tom Doshi mund të klasifikohet si kundërshtari numër një i paepur ndaj Ilir Metës, vendin e dytë, pa asnjë dyshim e zë Dritan Prifti. Dikur ish njeri i rrethit të ngushtë të kryetarit të LSI-së dhe që doli nga ky rreth, sikurse ka pohuar, pikërisht sepse iu kërkua të firmoste që kompania e Kastriot Ismailajt, mikut të Metës, të ishte ajo që u bë, pra superpërfituese e fondit të pambledhur CEZ-Albania. Veprimtari kjo që, nga sapo, del ka qenë veç një mashtrim për të grabitur në mënyrë të kulturuar, më së paku 35 milion euro të dalë prej fondit që taksapaguesit derdhin në buxhetin e shteti.

Lidhur me përfshirjen në aferën DIA-CEZ të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ish deputeti dhe ministri i kësaj force politike Dritan Prifti dikasteri i të cilit mbulonte marrëdhëniet me Kompaninë çeke, dëshmoi publikisht se e kundërshtoi urdhërimin e Metës për të bërë rolin e rekomanduesit të kompanisë DIA tek çekët e CEZ dhe për këtë arsye la karrigen e ministrit e më vonë edhe atë të deputetit…

E rreshtuam shkurt historinë e marrëdhënieve Meta-Prifti për të argumentuar se dy fotot intime dhe sulmi i porsanisur ndaj Priftit nuk është rastësor, nuk është pjesë e investigimit gazetaresk apo të ndonjë lloji shërbimi tjetër të specializuar, por pjellë e një pabesie brendamiqësore. Servirja e tyre në media është bërë vetëm për arsye dhe motive personale, për qëllime të pastra presioni ndaj njërit prej dy kundërshtarëve më sypatrembur ndaj kryeparlamentarit, i cili, sikurse ka pohuar më shumë se një herë, ka për të qenë litar në qafën e Ilir Metës deri sa të vendoset drejtësia.

“Publikimi i këtyre fotove tregon se tashmë LSI nuk ka asgjë për të humbur në betejën kundër ish –ministrit të saj që fillimisht e goditi Ilir Metën duke e detyruar të jepte dorëheqjen si zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Në LSI besojnë se Dritan Prifti qëndron edhe pas historisë së porosisë së dy vrasjeve nga Ilir Meta dhe pas sulmit që po i bëhet për aferën CEZ…”, citonte në komentim të dy fotove intime lapsi.al, duke paralajmëruar publikimin nga LSI të fotove e videove të tjera kompromentuese për Dritan Prifitin. I cili, sikurse citonte media në fjalë:“…së bashku me Tom Doshin dyshohet se kanë komunikuar edhe me Kastriot Ismailajn e kompanisë DIA për ta bindur të dëshmojë kundër Metës.

Por pjesë e këtij dyluftimi me interes personal është edhe letra e kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, që në përmbajtjen e saj të shfrenuar, për ta bërë të justifikuar raprezaljen ndaj dy “rebelëve” Doshi-Prifti, arrin deri në ngritjen e akuzës së qënies së tyre autorë të ekzistencës së një plani që synon destabilizimin  e vendit, duke ngjallur panik masiv…

Mirëpo a është e moralëshme një betejë e tillë, që më shumë ngjan me metodat e ish shërbimit sekret të Sigurimit të Shtetit Komunist, që për të të futur në thes të vinte para foto e dokumenta të tilla kompromentuese, apo akuza absurde. Për më tepër çfarë i vlejnë publikut të gjerë dy fotot intime të Dritan Priftit dhe gjithë hollësitë e skenat e tjera erotiko-seksuale të tij, të cilat nuk ndihmojnë fare në zbardhjen e aferës CEZ Albania- CEZ Çekia që, përflitet se në total, i ka grabitur taksapaguesve shqiptar 3.5 miliardë.

Ja dhe qofshin të vërteta këto dy foto (prania e të cilave i ka kushtuar kosto ndarjeje nga bashkëshorti gruas në fjalë dhe falje nga bashkëshortja protagonistit Prifti) apo edhe video të tjera me skena të nxehta, a do na i risjell publikimi apo edhe hetimi i kurortradhëtisë Prifti këtë sasi parash që është e sigurt se është grabitur nga një bandë njerëzish, deri tash të identifikuar nëpërmjet përfoljeve, e që është detyrë ligjore e organeve të hetimit të identifikohen.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

11 + 9 =