De Biazi: Serbia e vështirë por na duhen edhe 6 pikë në këto kualifikuese

Sport
466
0
sample-ad

Xhani De Biazi ka udhëtuar drejt Italisë një ditë pas ndeshjes me Portugalinë. Natyrisht, ka marrë me vete humbjen e parë në këtë fushatë kualifikuesesh, që është munduar ta “sheqerosë” sadopak me një kontratë që ka nën shkruar në vendin e tij, në rolin e opinionistit te “RAI”, në programin sportiv “Novantesimo Minuto”. Sigurisht, italiani me pasaportë shqiptare nuk e ka lënë këtë rast pa folur edhe për “të dashurën” e tij shqiptare, kombëtaren kuqezi, në krye të së cilës qëndron prej fundit të vitit 2011.

Madje, De Biazi shpalos së andejmi objektivat për dy sfidat e fundit kualifikuese në Grupin I, ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”, më 8 tetor, dhe ndaj Armenisë, në Jerevan, më 11 tetor. “Së fundi luajtëm kundër Portugalisë, e cila na shkaktoi humbjen e parë në këto eliminatore. Ky kundërshtar elitar në Europë na krijoi vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona të shënonim. Dihet se çfarë përfaqëson Portugalia në futbollin europian, duket qartë në vendin që mban edhe në renditjen e FIFA-s.

Humbëm prej një goli në kohën shtesë, prej një shpërqendrimi të vetëm, ndaj jam i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra ime. Futbolli është sporti më i bukur, por, gjithashtu, mund të jetë i vrazhdë. Për Shqipërinë ishte i bukur deri në minutën e 90-të ndaj Portugalisë, u tregua i pamëshirshëm e fatal në kohën shtesë. Megjithatë, gjëra të tilla ndodhin në futboll, me rëndësi është që të mësojmë nga kësi gabimesh shkruan Telesport.

Kualifikimi ynë për në finalet e Kampionatit Europian, që zhvillohet në Francë vitin e ardhshëm, është akoma i mundur. Kemi edhe dy ndeshje kualifikuese për të luajtur, të cilat duhet t’i fitojmë. Vetëm kështu kemi gjithçka në dorën tonë, ndryshe gjërat janë ndërlikuar disi pas humbjes me portugezët,” – deklaron De Biazi.

Duke folur për dy kualifikueset e fundit në grup të kuqezinjve, De Biazi vlerëson Serbinë dhe Armeninë, edhe pse kanë dalë jashtë çdolloj objektivi:

“Po ta shohësh në letër, konstatimi i parë është se luajmë përballë dy ekipeve jashtë gare, jashtë çdolloj objektivi në këto kualifikuese. Mirëpo, me serbët bëhet fjalë për më shumë se një ndeshje futbolli. Sikurse e dini, ekzistojnë këto problemet mes dy tifozërive, çka prodhoi edhe ndërprerjen e ndeshjes së parë në Beograd, tetorin e vitit të kaluar.

Duke e parë vetëm në këtë drejtim, pa llogaritur individualitetet e potencialin mjaft cilësor që mbart grupi i lojtarëve të Serbisë, ndeshja me ta do të jetë shumë e vështirë. Uroj shumë që t’i mbyllim sa më mirë këto kualifikuese, sepse jemi paraqitur shkëlqyeshëm. Kemi luajtur më mirë edhe se Danimarka, që është rivali ynë direkt për vendin e dytë dhe shkuarjen në finalet e Europianit të Francës.”

Të martën, trajneri i kombëtares shqiptare u prezantua si komentator në programin sportiv të “RAI” për Seria A. Ai do të jetë përkrah emrave të njohur të futbollit italian, si Cesare Prandeli dhe Alberto Malesani, me analizat e tij për kampionatin italian, që ndiqet kaq shumë e me interes maksimal në Shqipëri.

Në lidhje me emisionin sportiv të “RAI”, ku do të jetë në rolin e opinionistit për Seria A, De Biazi ka thënë: “Shkëputja do të jetë e herë pas hershme, sepse kam angazhimin kryesor me kombëtaren shqiptare, por interesi për këtë emision do të jetë 100%. Futbolli është loja më e bukur, i argëton njerëzit, ndaj shpresoj të jemi në këtë sintoni edhe me analizat tona, në raport me shikuesit.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 + 5 =