Kuqezinjtë kërkojnë kualifikimin për europianin "Francë 2016", gati përballja me Portugalinë

Sport
427
0
sample-ad

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të kërkojë mbrëmjen e sotme në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, përballë Portugalisë vazhdimin e ëndrrës për një kualifikim në kampionatin europian të futbollit, “Francë 2016”.

Një vit më parë, një gol i Bekim Balajt shënonte fitoren më të madhe të futbollit shqiptar. Kombëtarja mundte falë atij finalizimi të përsosur Portugalinë dhe niste rrugëtimin e saj drejt Francës. Pavarësisht 3 pikëve në Aveiro, pak kush besonte se një vit më pas, përfaqësuesja do të kishte siguruar minimalisht një vend për në Play-Off dhe do të ishte pretendente për vendin e dytë.

Më 7 shtator 2015, Shqipëria do të gjejë sërish përballë Portugalinë, për të vazhduar atë “ëndërr” që nisi në Aveiro. Në “Elbasan Arena” kuqezinjtë pas pesë ndeshjes pa humbje në grup, dhe me 11 pikë kërkojnë sërish ndaj Portugalisë një tjetër rezultat që do të afronte më pranë Francën.

Këtë herë portugezët do të kenë dhe Cristiano Ronaldon, që në Aveiro nuk ishte, por përballë një përfaqësuese që ka treguar se forcën e ka te grupi, një individ i vetëm, qoftë ky dhe lojtari më i mirë i botës nuk mund të bëjë shumë.

Shqipëria e di mirë se për të përsëritur një tjetër 7 shtator të lavdishëm duhet të bëjë ndeshjen perfekte, por ndeshja perfekte nuk i nevojitet vetëm Shqipërisë por dhe Portugalisë, që tashmë i sheh kuqezinjtë si një rival direkt drejt Europianit. Kombëtarja është e vetmja që i ka shkaktuar një humbje Portugalisë dhe në “Elbasan Arena” dhe këtë herë ndryshe nga Aveiro, Shqipëria do të ketë dhe një mur të tërë kuqezi, që do të ngrihet në mbështetje të saj. Në “Elbasan Arena”, do të zbresin në fushë 11 futbollistë, por me miliona zemra shqiptare do të jenë aty me ta, për të kurorzuar një tjetër 7 shtator të lavdishëm, i cili mund të jetë ai i një finishi historik për Kombëtaren Shqiptare, atë drejt Europianit.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

13 − eight =