Ku qëndron sekreti i trashjes elektorale të LSI?

AnalizeOpinion
456
0
sample-ad

Nga: Xhovani SHYTI *

Nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, partia Lëvizja Socialiste për Integrim /LSI/ doli me rezultatin e 225 mijë votave në favor të saj, duke rezultuar me një rritje prej përafërsisht 75 mijë vota më shumë, nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2013, por edhe duke rivalizuar ndjeshëm Partinë Demokratike, të parën forcë politike opozitare paskomuniste.

Nga të dhënat e publikuara zyrtarisht rezulton se në garën e votave për këshilltarët bashkiakë, LSI ka arritur të dalë parti e parë në 15 bashki, duke lënë pas dhe Partinë Socialiste, që kryeson në 45 nga bashkitë e reja.

Në Pukë, psh, ku kandidati ishte i propozuar prej PS-së, LSI ka siguruar më shumë vota për Këshillin Bashkiak.

Po ashtu dhe në Delvinë LSI ka fituar 300 vota më shumë se PS, ndërkohë që, në Skrapar, kjo forcë kryeson me 3 mijë vota më shumë se PS e në Këlcyrë, pavarësisht se kandiati fitues u propozua nga PS, numrin më të madh të votave në Këshill e ka marrë LSI.

Por, partia e Drejtuar prej Ilir Metës ka mundur të marrë më shumë vota se socialistët edhe në Krujë, ku fitues në garën për kreun e Bashkisë është ish deputeti Socialist Artur Bushi.

Me 500 vota më shumë LSI, kryeson dhe në Memaliaj. Numër të lartë të këshilltarëve brenda koalicionit të majtë, LSI do të ketë dhe në dy bashkitë ku kandidatët ishin të PDIU në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane.

Në Peqin LSI ka marrë 1 mijë vota më shumë se PS, ndërsa në Rrogozhinë LSI ka 100 vota më pak se PS, por duke shënuar një rritje të ndjeshme.

Në Mirditë sërish LSI ka dalë triumfuese në zgjedhjet për këshilltarë ashtu si dhe në Fushë Arrëz, duke lënë PS me 200 vota pas.

Një diferencë të lartë mes koalicionit, LSI ka shënuar në Dropull ku drejton koalicionin me 1900 vota para PS-së, por, me diferencë të ngushtë votash, LSI kryeson edhe në Kamëz, Vorë, Devoll, Kukës, Gramsh, Klos dhe në Përmet.

Po ashtu dhe në Tiranë, LSI ka shënuar një tjetër rekord të votave, duke marrë mbështetjen e të paktën 54 mijë zgjedhësve. Rezultat që, sipas kryetarit të kësaj force politike Ilir Meta:

“Në krahasim me vitin 2013, ka arritur të kalojë dhe dyfishimin e numrit të votave sa i takon të gjithë qarkut të Tiranës ku përfshihet dhe bashkitë Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë dhe Vorë”.

Pra, shihet qartë se, edhe në këto zgjedhje, LSI ka ardhur në ngjitje, duke vazhduar kështu trendin e viteve të shkuara, që mesaduket nuk ka për tu ndalur, ndonëse prej jo pak politologëve, analiztëve e komentatorëve politik, ngjitja e saj elektorale është konsideruar artificiale.

Një shëndoshje e paardhur nga konsumimi i ushqimeve politike “bio”, por pasojë e përdorimit prej saj të OMGJ-ve të tilla elektorale si joshja me vënde pune, blerja e votave me para, futja në veprim e batalioneve të të fortëve, kandidimi i elementëve që kanë para dhe ndikim për të siguruar vota etj.

Gjë e besueshme kjo po të kihet parasysh se fitoret elektorale të LSI kanë rrjedhur nga shfrytëzimi i boshllëkut të votave të duhura për të krijuar qeverisje, njëherë nga PD e më pas nga PS. Kanë qenë lëvizje pa asnjë moral politik, por duke patur si kriter të vetëm kapjen e përqindjeve të pushtetit që pjell vënde pune dhe mundësi për tu trashur me para.

Për publikun e gjerë LSI konceptohet si një forcë zhurrmemadhe, që hedh para pa hesap, duke financuar media e krijuar atmosferë festive luftarake, me të rinj të papërmbajtur të Lëvizjes së saj Rinore, të inspiruar për tu bërë drejtues të lartë, sapo të arrijnë kuotat e udhëruara të fitores në zgjedhje.

Asnjëherë LSI nuk ka paraqitur platform konkuruese elektorale që synojnë të rilindin drejtësinë, ekonominë e financat, që ti garantojnë vendit zhvillim dhe rritme ritjeje, që të hapin vënde pune të merituara etj.

E megjithatë ajo ja ka dalë të korr ngjitje. Duke arritur të sfumojë madje edhe jehonën e skandaleve, me autorë përfaqësues të saj, që normalisht duhej ti ofronin dobësim dhe jo trashje elektorale. Gjë që nuk ka ndodhur as në zgjedhjet e ardhura pas publikimit të video përgjimit Prifti-Meta dhe as në këtë betejë elektorale, ku kryetari i LSI u bë shënjestër e akuzave të deputetit Tom Doshi për dhënien e urdhërit të vrasjes së tij, ndërkohë që dy drejtues të tjerë pushteti, pjesë e LSI, drejtorja e Arsimit të Lushnjes dhe ai i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës, Pjerin Xhuvani, përfunduan nën pranga pasi kishin konsumuar vepra të renda penale.

Skandale që nga sa duket nuk e kanë ndalur hovin e ngjitjes elektorale të LSI, duke lenë ngrehur përgjigjen e pyetjes: Po atëherë? Ku qëndron sekreti që, megjithse e ndodhur në një realitet politik më tepër të mbushur me “skandale” dhe drejtues pushteti të venë nën pranga, nga një palë zgjedhje në tjetrën LSI vjen duke u shëndoshur? Duke konsumuar OMGJ, sigurisht, ushqimin politik që garanton shëndetvënie e, përsëritshëm, dobëson qeverisjet.

* Kryeredaktor “Shtypi.net”

Facebook Comments

POST A COMMENT.

nine − 8 =