Mafia e futbollit

Opinion
208
0
sample-ad

Nga: Ian BURUMA

E vetmja surprpizë në lidhje me arrestimin e shtatë zyrtarëve të FIFA-s në një hotel zviceran, herët në mëngjesin e 27 majit, vjen prej faktit që një gjë e tillë ndodhi. Shumica e njerëzve supozonin se këta njerëz të përkëdhelur, me kostume të shtrenjtë, që qeverisin federatën botërore të futbollit, ishin përtej rrezes së ligjit. Cfarëdolloj zërasg apo lajmesh që të qarkullonin për rryshfete, pagesë haraçesh, manipulime votimesh dhe praktika të tjera të dyshimta, Presidenti i FIFA-s Sep Blater dhe kolegët e tij dilnin gjithmonë pa as edhe një gërvishtje.

Deri tani, kundër 14 personave, drejtues aktualë apo të mëparshëm të FIFA-s, janë ngritur auza për mashtrim dhe korrupsion në SHBA, ku prokurorët i akuzojnë, mes të tjerash, për përftimin e 150 milionë dollarëve, mes rryshfeteve dhe haraçeve. Dhe prokurorët federalë në Zvicër janë duke investiguar marrëveshje të dyshimta prapa vendimeve për t’i dhënë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2018 dhe 2022, respektivisht Rusisë dhe Katarit.

Sigurisht, ka një histori të gjatë dallaveresh në sportet profesionistë. Për shembull, mafiozët në Amerika kanë patur një interes të kahershëm në sportin e boksit. Edhe cricket-i, një lojë dikur për xhentëlmenë, është njollosur tashmë prej infiltrimit të rrjeteve të bastexhinjve apo ustallarëve të tjerë të mashtrimit dhe hilesë. FIFA është thjeshtë lopa për t’u mjelë më e pasur, më e fuqishme e botës.

Disa e kanë përngjasuar FIFA-n me MAFIA-n dhe Blatteri, i lindur në një fshat të vogël zviceran, është pagëzuar me emrin “Don Blaterone”. Kjo nuk është tërësisht e drejtë. Me aq sa dimë ne, nuk janë bërë porosi për vrasje nga ana e zyrave qendrore të FIFA-s në Zyrih. Por fshehtësia e organizatës, kanosja ndaj rivalëve të atyre që janë në krye, si dhe mbështetja e saj tek favoret, rryshfetet dhe borxhet e kaluar, janë krahasime shqetësues me botën e krimit të organizuar.

Sigurisht, mund të zgjedhësh ta shohësh FIFA-n si një organizatë jofunksionuese, dhe jo si një sipërmarrje kriminale. Por edhe në këtë skenar për dashamirës, një pjesë e mirë e paligjshmërive janë rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës totale të transparencës tek federata. I gjithë operacioni kryhet nga një grup i vogël dhe i lidhur ngushtë burrash (gratë nuk kanë punë në këtë biznesë të errët), dhe të gjithë këta i janë mirënjohës shefit të madh. Kjo gjë nuk nisi me Blaterin. Ishte paraardhësi i tij, braziliani Joao Havelange, i cili e shndërroi FIFA-n në një perandori të pasur dhe të korruptuar, duke përfshirë gjithnjë e më shumë vende në zhvillim, votat e të cilëve për shefat bliheshin me gjithfarësoj marrëveshjesh marketingu dhe mediatike.

Sasi shumë të mëdha parash që vinin prej Coca-Colas dhe Adidasin hidheshin në sistem, deri në xhepat e sundimtarëve të Botës së Tretë, dhe, sipas akuzave, edhe të vetë Havelanges. Coca Cola ishte sponsori kryesor i Kupës së Botës 1978 në Argjentinë, që në atë kohë udhëhiqej nga një juntë brutale ushtarek .

Blateri nuk është aq i pagdhendur sa Havelange. Ndryshe nga braziliani, ai nuk shoqërohet haptas me banditë. Por, edhe pushteti i tij varet prej votave të vendeve që janë jashtë Europës Perëndimore, dhe ashtu si në të kaluarën, edhe besnikëria e tyre sigurohet përmes premtimeve për para nga të drejtat televizive dhe marrëveshje me kompanitë e mëdha. Në rastin e Katarit, kjo gjë nënkuptonte ndryshimin e Kupës së Botës në një klimë jo të përshtatshme, apo ndërtimin me nxitim të stadiumeve, duke shfrytëzuar punëtorë të paguar keq, e me të drejta të cunguara.

Ankesat e europianëve pakëz më të rafinuar, gjejnë menjëherë kundërpërgjigje me akuza për sjellje neo-kolonialiste, apo edhe racizëm. Në të vërtetë, pikërisht kjo e bën Blaterin një njeri tipik të kohëve të sotme. Ai është një operator i pamëshirshëm, që paraqitet si kampion i botës në zhvillim, që mbron interesat e afrikanëve, aziatikëve, arabëve dhe amerikano jugorëve, kundër Perëndimit arrogant.

Gjërat kanë ndryshuar, që nga koha kur njerëz të korruptuar nga vendet e varfër, paguheshin për të çuar përpara interesat politike apo tregtare të Perëndimit. Kjo gjë ndodh ende, sigurisht. Por tani, paraja e madhe, më shpesh nxirret jashtë Perëndimit, në Kinë, në Gjirin Persik, e madje edhe në Rusi.

Biznesmenët, arkitektët, artistët, presidentët e universiteteve, dhe drejtorët e muzeumeve në Perëndim – ose cilido që ka nevojë për sasi të mëdha parash për të financuar projektet e veta – tani bisedon me autokratët joperëndimorë. Po kështu veprojnë edhe politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Dhe disa – mendoni Toni Blerin – e kthejnë në një karrierë post-qeveritare.

Kënaqja e dëshirave të regjimeve autoritarë dhe rendja pas interesave të errëta të biznesit nuk është një sipërmarrje e shëndetshme. Aleanca bashkëkohore e interesave perëndimore – në arte dhe arsim të lartë, ashtu sikurse dhe në sporte – me fuqi të pasura, jodemkratike, kërkon edhe kompromise, të cilët mund të dëmtojnë lehtësisht reputacionet e krijuar tashmë.

Një mënyrë për të shmangur vëmendjen është që të huazosh retorikën e vjetër anti-imperialiste të të majtës. Të kesh të bësh me despotë dhe manjatë të dyshimtë nuk është më korrupsion, por është fisnike. Shitja e ekskluzivitetit të një universiteti apo një muzeu tek një shtet i Gjirit, ndërtimi i një tjetër stadiumi të madh në Kinë, apo fitimi i parave përmes favoreve në futboll për Rusinë dhe Katarin është progresiste, antiraciste, si dhe një triumf i vëllazërisë globale dhe vlerave universale.

Ky është aspekti më irritues i FIFA-s së Blaterit. Korrupsioni, blerja e votave, etja absurde e shefave të futbollit për prestigj ndërkombëtar, gjokset e fryrë e të mbushur me medalje dhe dekorata – të gjithë këto janë normale, natyrisht. Por, është hipokrizia që të torturon.

të ankohesh për largimin e fuqisë dhe influencës globale nga Europa dhe SHBA është e kotë. Dhe ne nuk mund të parashikojmë me saktësi pasojat politike të këtij ndryshimi. Por, nëse historia e trishtë e FIFA-s na mëson diçka, mund të jemi të sigurtë që, çfarëdolloj forme të marrin qeveritë, ajo që sundon është sërish paraja.

Project Syndicate-Bota.al

Facebook Comments

POST A COMMENT.

4 × 3 =