Sonata e drejtësisë / Tregim satirik nga Xhovani SHYTI

Shtypi letrar
373
0
sample-ad

[vc_row][vc_column][vc_single_image image=”32351″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][vc_column_text]Jeni të mirëpritur të gjithë ju që dëshironi të publikoni në rubrikën tonë të përjavëshme, krijimet tuaja në poezi, prozë, esse, etj. Materialet na i dërgoni nëpërmjet adresave on-line që i gjeni në fund të faqes së “shtypi.net”!

SONATA E DREJTËSISË / TREGIM SATIRIK *

Nga: Xhovani SHYTI  

Ajo seancë gjyqësore koinçidoi me fushatën gjithëkombëtare për rilindjen e organeve të drejtësisë, sipas standarteve të vendeve më të zhvilluara demokratike.

Dosja penale mbante Nr. 11111, dhe i përkiste Tahir Ramadanit, të birit të Ramadan Ramadanit dhe Xhevrije Ramadanit (Kungulli ), vënë kurorë në çerekun e fundit të shekullit të XIX- të, vdekur  në fundin e çerekut të dytë të shekullit të XX-të. Paskëtaj , i pandehuri Ramadani ishte gjendur jetim.

–  Datëlindja i pandehur ? – e pyeti gjykatësi.

– 23 maj 1949.

– Profesioni ?

– Bahçevan, punoj bahçet e botës.

–   Ç’farë gjëndje shoqërore keni ?

–  Fshatar tirone, denbabaden.

–  Ju pyeta nëse jeni apo jo i martuar ?

– Jo zotëri gjyqtarë. Jam beqar…

Pikërisht këtu prokurori i shkeli syrin gjyqtarit, duke dashur ti thotë “ Një në dorë.”

–  A e dini përse jeni paditur ? – vazhdoi gjyqtari.

–  Jo, por e marr me mend.

–  Po ju pyes, a ju kanë njohur me akt – akuzën ?

–  Gjer më tani jo zotëria juaj, por do të më njohin.

Gjyqtari vendosi syzet mbi samarin e hundës dhe shkëmbeu vështrime me prokurorin, i cili i qëndronte përballë, poshtë parrullës klishe “ Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.”

–  Nuk ju ka marrë në pyetje prokurori hetues ? – pyet gjyqtari.

–  Si urdhëron. Më ka marrë vetëm një herë.

Përsëri sytë nën syze të gjykatësit ranë mbi prokurorin dhe, më tej, mbi akt-akuzën. Nis të thotë :

– Jeni paditur prej zotit Mexhit Mustafai, i cili ju akuzon për përdhunim të bashkëshortes së tij. E pranoni akuzën ?

I pandehuri Tahir Ramadani rreth rrotulloi sytë nëpër sallë dhe ngriti supet.

–  Nuk është hera e pare, që unë hyj në familjen e zotërisë së tij. Të ishte e bëja atë gjë kur isha më i ri.

–  Shkurt nuk e pranon akuzën, – konkludoi gjykatësi, i cili, duke ju referuar fletëve të dosjes që mbante para, nisi të lexoj me zë :

–  Ngjarja ka ndodhur më tetëmbëdhjetë korrik të vitit të shkuar, rreth orës 11.00’, ndërsa zoti Mexhit ishte nisur për një shërbim pune. Meqënëse vetura e tij personale tip “ Alfa Romeo 165 “ pësoi difekt të rëndë, pas shpënies së saj tek mekaniku, zoti Mexhit u kthye në shtëpi, befasisht, pa lajmëruar dhe pa menduar se atje do të kapte në flagrancë të pandehurin Ramadani. Ja çka pohuar zoti Mustafai në padinë e vet: “ Nga që nuk e gjeta bahçevan menaxherin e familjes sime, Tahir Ramadani, as në bahçe  dhe as në katin e parë të vilës sime, pronë private e trashëguar dhe e rikthyer nga KKKP shtetëror, nisa ta kërkojë, pa më shkuar kurrë nëpër mend se do ta gjeja në dhomën tonë bashkëshortore, dhe, për më keq, duke veshur rrobat, pas një përpjekjeje të dështuar përdhunimi ndaj gruas time  Meliha Mustafai. Më kujtohet mirë, në çastin kur unë hyra bashkëshortja ime e ndershme gjendej me këmishën transparente të shqyer,  nga kërthiza e poshtë. Por, edhe sikur të mos ish kështu, brutaliteti dhe dhuna e ushtruar prej të pandehurit vihej re qartë. Nën gjoks, pranë kërthizës, dhe në dy anësitë e buta të kofshëve të sime shoqeje, viheshin re njolla të zeza si mellan… Këto i ka  përforcuar edhe grupi i mjekëve eksperto – ligjorë.”

Përfundoi së lexuari gjyqtari, i cili, duke ju drejtuar të pandehurit e pyeti:

–  Keni të thoni gjë rreth akuzës ?

–  Si urdhëron kam, – iu përgjigj ai. – Jo ndonjë gjë të madhe, por kam.

E ndërpreu rrëfimin, me qëllim që të gjente fjalët e duhura dhe, kur mesa duket ja doli, rinisi sërish të thotë:

–  Gjithë sa dëgjova prej zotërisë suaj janë të vërteta. Kur hyri zoti Mexhit unë isha duke u veshur, kurse zonja e nderuar Meliha qëndronte në këmishë transparente, pasi nuk kish patur kohë ta vishte fustanin. Sa për njollat e zeza.., kjo nuk është e vërtetë. Unë…

Ata pak njerëz që ndodheshin në sallë po dëgjonin vëmendshëm. Ajo seancë po zhvillohej me dyer të mbyllura dhe përveç trupit gjykues,  prokurorit dhe disa ekspertëve kriminalistë, nuk kishte njerëz të tjerë. As avokatë të palëve. Sepse familjen Mustafai prokurori e kishte garantuar për fitoren, kurse të pandehurit as që i binte nëpër mend të harxhonte ca para për t’u mbrojtur nga një akuzë që nuk qëndronte. Bile për të ruajtur nderin dhe dinjitetin e familjes Mustafai nga thashethemet, me këmbënguljen e prokurorit, drejtuesi i seancës kishte nxjerrë në korridor edhe policët që shoqëronin të pandehurin. Ata qëndronin pranë zotit Mexhit, i cili ishte thirrur si palë paditëse dhe dëshmitar kryesor, njëherëshi. Përkundrazi, bashkëshortja e tij Meliha, nuk priste në ambientet e korridoreve të gjykatës, por në një dhomë ngjitur me sallën e gjyqeve, atje ku parapërgatiteshin prokurorët para seancave, e gatëshme për të dëshmuar,  nëse kjo gjë do t’i kërkohej nga ana e trupit gjykues. Por, ishalla kjo gjë nuk ndodhte! Këtë luste Z.Mexhit, i cili kishte marrë pësipër ta përballonte vetë të gjithë situatën dhe luste Zotin që kryesuesit të trupit gjykues të mos i binte nëpër mend të kërkonte paraqitjen e gruas së tij Meliha. E dinte që këtë të drejtë ligji ja ngarkonte prokurorit, mirëpo, këtij të fundit, ia kish kripur kokën me para. Kështu që akuza nuk e shihte të domosdoshme që znj. Meliha të prezantohej me domosdo përpara trupit gjykues.

Pavarësisht se prokurori nuk i dha garanci absolute, zotit Mexhit, ai i premtoi me fjalë burri se do të përpiqej ta vërtiste seancën në mënyrë të tillë, që t’ja arrinin qëllimit, për ta shmangur znj. Meliha, nga dalja para trupit gjykues.

“ Urojmë që ta hajë karemin  kryetari i trupit gjykuese,” kishte thënë prokurori, duke mos e miratuar mendimin e Mexhit Mustafait për t’i futur edhe atij ca kartëmonedha, midis fletëve të kodit penal. “ Po të jenë kofshë femrash edhe mund t’ja bënim ofertën”, pati thumbuar prokurori, gjithë duke i shkelur syrin me nënkuptim z. Mexhit, i cili paskësaj e dyfishoi shumën e kaparit për prokurorin. Vetëm e vetëm që ai ta  garantonte mospërballjen e të shoqes me gjykatësin.

Parandjente se një e keqe të madhe, do t’i vinte nga ajo përballje. Nuk dinte ekzaktësisht të thoshte çfarë konkretisht, por e nuhaste. Sa herë prokurori përmendëte emrin e gjyqtarit që do drejtonte seancën gjyqësore, atij i i trazohej në stomak, ndjente një si lëmsh, që i mblidhej pak më sipër se kërthiza dhe fillonte t’i ngjitej drejt fytit, ngjashmërisht me mitrën femërore në momentin e kontraktimit nga eksitimi.

Ishte informuar se ai gjyqtar ishte pusht, gjuetar femrash, një lloj katundari që pasi i kishte ndritur fati në karrierën profesionale, përpiqej t’i kompesonte mangësitë e rinisë provinciale me aventura në moshën e burrërisë. “Nuk të fal, mjaft që ti venë në dorë”, kështu i’a kishte përshkruar shkurt, karakterin e tij një mik i vjetër, koleg me gjyqtarin kryesues të atij trupi gjykues, që po shqyrtonte hetimin gjyqësor të dosjes me nr. 11111. Po të njëjtin vlerësim kishin dhënë edhe të tjerë, madje edhe prokurori, i cili ndonëse nuk ja shprehte haptazi, “Ruaj gruan nga ai manjak”, e linte të nënkuptuar qartë nënteksin. Mjaftonte kaq, që ti trëmbej ballafaqimit. Aq më tepër që e shoqja ishte aq shpirtdobët, dhe qejfpaprishur me meshkujt, sa kishte arritur të ndizte edhe nepsin e këtij kopshtari derdimen, llamba e allateve të të cilit më shumë, duhej të qëndronte fikur se sa e ndezur,.

I gjori zoti Mexhit nuk e dinte se sa më shumë ai punonte  në konspiracion, për të shmangur kontaktin e të shoqes me gjyqtarin kryesues të asaj seance, aq më shumë znj. Meliha i ndizej nepsi. Edhe pse i kishte kaluar të dyzetë e pesë  vjeçët, ajo ndjehej në forëm “brilante”, sikurse shprehej, kur e pyesnin. Shtati, me gjatësi rreth 1.70 cm, ende vazhdonte t’a ruante trajtën harkore, në vend bashkimin e belit me vithet, ashtu sikurse dhjamosja e pjesës së barkut dukej e largët. Në tërësinë e feminilitetit të saj znj. Meliha ishte sfiduese, jo vetëm për bashkëmoshataret, por edhe për shumë here më të rejat.  E lakmueshme, nga pjesa dërmuese e meshkujve që e kontaktonin, dhe e fishkëllyeshme nga të rinjtë, të cilët i pëlqente deri tek ngacmimi, ajo e ndjente lëngun hormonal ti vërshonte përrueshëm.

Deri atëherë kishte parë e provuar jo pak meshkuj. Aq sa ishte e velur me këtë pjesë të feminiletit. Ndaj dhe ishte bërë përzgjedhëse. Duke mos dashur t’i ngjante aspak asaj pjese të bashkëmoshatareve të veta, të cilat, duke ndjerë pragtrokitjen e çbërjes së femërores seksuale, e lëshonin veten drejt numërshtimit të partnerëve, me idenë se kështu shtonin  vegimet e lakmuara të jetës seksuale, që po i vjen fundi.

Gjyqtarin që kishte në shqyrtim çështjen e saj, nuk e njihte, por kishte dëgjuar jo pak për të, nga radioja,televizioni dhe gazetat. Ai ishte bërë personazhi qëndror i masmedias për faktin se  kishte marrë përsipër të shpinte në burg një përfaqësues të rendësishëm të jetës politike të vendit, menjëherë sapo kishte përfunduar kursin e specializimit për gjyqtarë në një godinë të ngritur pranë detit e të rrethuar me plepa.  Madje, nga katedra e leksioneve ishte paraqitur drejt e në detyrë, pa shkuar fare pranë familjes, të cilën e kishte ende në një skërk fshati të humbur midis malesh.  Rasti i paraqitjes së tij nga bankat e kursit disa mujor drejt e në detyrë ishte lakuar si  devotshmëri ndaj fateve të atdheut dhe të demokracisë.

Ajo i’a kishte pare portretin nëpër ekranet e televizioneve dhe i ishte dukur simpatik, tepër simpatik. Edhe pse flokët me balluke të lëpira e të lëshuara poshtë ballit e tregonin shumë fshatar, i’a pat lexuar hamshorllëkun tek buzët me ngjashmëri viçi, tek sytë e mëdhenj e të nxjerrë ca para, që ia ngulte intervistueseve femra, të cilave u buzëqeshte pakuptueshmërisht.

Ajo e njihte mirë këtë tip mashkulli hamshorë me gen fshatari, që nis ta fantazojë bërjen e seksit, që në moshën 13-14 vjeçare, duke i rënë me dorë. Kur bie me femra ky tip është i pangopshëm, i babëzitur, dhe tepër i vlefshëm për gratë me moshën e saj. Këtë lloj mashkulli e pat ndeshur, për të parën here, shumë vite më parë. Kur shkonte për verim në një nga pronat e të shoqit, që ndodhej në një fshat turistik e që gjatë pushtetit të shkuar kishte shërbyer si residence shlodhëse, për udhëheqjen e vendit. Ajo ndërtesë ishte prona e parë që komisioni shtetëror ia ktheu të shoqit, trashëgimtarit të vetëm të fisit të tij.

“Gango fshati”,  i quante me vete. Nga jashtë kishin të gjithë një prerje. Në vend të xhelit, për të lëpirë flokët, përdornin dhjamë pate, ose rose, të shkrirë. I vërdalloseshin poshtë dritareve të vendverimit, ndërsa qëndronin në pozicionin trupor “drapër”, duke mbledhur e çmbledhur rreth gishtit të madh të dorës zinxhirin.

Kureshtja, vetëm kurioziteti e kishte shtyrë ta ftonte, njërin syresh, për të parën here në dhomën verore matrimoniale. Një mesditë vere, të muajit korrik. Kur në kryeqytet të “hante gjinkalla”. Asfalti i tejnxehur ditën, nga rrezet përvëluese të diellit, çlironte gjatë mbrëmjes një lloj avulli mbytës, që të largonte çfarëdolloj kënaqësie.

I shoqi, zoti Mexhit, në atë kohë ikte shpesh me shërbime të gjata. Kështu që nuk kishte kundërshtuar, kur ajo i propozoi që së bashku me dy fëmijët të shkonte në shtëpinë verore të Drizës, një fshat gjysëm malor ky, me pyje dhe korije lajthish, që pikonin freski ajri e uji të lehtë. Shtëpia e tyre dy katëshe ishte e ndërtuar mbi një kokojkë lajthishteje, ku të bënte shpirt gajret të qëndroje me orë të tëra në verandë, apo brenda dhomave dritare hapur, nga ku në çdo çast hynin dallgët e ajrit, që të zgjasnin jetën e të ndiznin llambat e fikura të kënaqësive. Të të gjitha kënaqësive, edhe të atyre kafshërore. Kështu i quante ajo me vete efektet e pazëvendësueshme të vullkanit seksual: “kënaqësi kafshërore”. Një term ky që i kishte shkrepur në mëndje pas leximit të psikanalizës froidiane. Aty kishte zbuluar se, në tërësinë e saj, subkoshienca njerëzore nuk shfaqte përmbajtje vetëdijeje,por ishte një bashkëpërbërje instiktesh të pavetëdijëshme, të pakomanduara nga mbretëria e arsyes, por nga një qendër tjetër, që stimulonte rudimentet aktive të prejardhura nga epoka majmunore e ekzistencës së njeriut. Brenda këtij universi kafshëror gjallonte instikti i riprodhimit, dhe brenda këtij të fundit pulsonte “llamba PC-900 e qejfit” (e kishte pagëzuar kështu, pasi vatra e qejfnxitjes njerëzore i ngjashmëronte me llambën“PC-900” të televizorit të dikurshëm, pa ndezjen e të cilës asnjë pjesë tjetër e tij nuk funksiononte). Veçse, në ndryshim nga “PC-900” teknologjike, që sa më shumë përsosej aq më funksional e bënte televizorin, “PC-900” e qejfit njerëzor, sipas saj, ndiqte kahun e kundërt të grafikut, me kurb zbritëse, nga lart poshtë.

Znj. Meliha gjykonte se, sa më e pazhvilluar të ishte teknologjia e “llambës” së qejfit mashkullor, aq më shumë kënaqësidhënie i dhuronte të ngjashmes së saj femërore. Këto dy “llamba”, brendanjerëzore, por që seksualisht i përkisnin gjinive të ndryshme, qenë të lidhura përkundër njera-tjetrës sipas parimit të burimit të prodhimit dhe të dhënies së energjisë. Që donte të thoshte se, sa më e ngarkuar të jetë “PC-900” mashkullore me energji kënaqësuese, aq më shumë do t’ja karrikojë baterinë e qejfit “PC-900”-tës femërore. Rrjedhimisht, sa më pranë gjëndjes kafshërore të jetë një mashkull, aq më të papërpunuar teknologjikisht e ka këtë gjenerator qejfprodhues.

Kështu analizonte,znj. Meliha, ndërsa lexonte Frojdin në qetësinë kënaqësuese që i jepte veranda, vetmia dhe pylli i lajthive, ndërkohë që, duke dashur t’i ballafaqonte këto arsyetime me realitetin, sillte nëpër mend fragmente episodesh seksuale të kaluara me meshkuj të ndryshëm.   Gërmonte, përpiqej të sillte nëpër mend diçka që t’ja vërtetonte këto arsyetime, mirëpo rezultati i dilte dëshpërues, nga që konstatonte se, deri atëherë kishte patur të bënte me  “PC-900”-ta mashkullore tepër të përpunuar teknologjikisht. Pak a shumë, të prerjes së të shoqit, që edhe kur kap me dorë organin e tij genital, apo kur i ngjitet, pa dashje, ndonjë pllanga sperme në gjymtyrë, a trup, ndjen neveri dhe vrapon ta shplajë sa më parë. Nga bashkëveprimi me këtë tip gjeneratori mashkullor, ajo ndjehej e kontraktuar dhe rrallë, shumë rrallë e karrikuar. Sepse më shumë jepte, se sa  marrte energji kënaqësuese.

Përkundrazi, krejt e kundërt i rezultoi prova e parë me atë drizarin, të cilin e përzgjodhi si kavie, për të verifikuar gjithë sa mendonte lidhur e këtë pike. Atë ditë korriku, kur ajo ndodhej e ikur në pronën e fshatit Drizë, nga që asfalti i kryeqytetit e thithte nxehtësinë e padurueshme  ditën, për ta shpërthyer gjatë orëve të natës.

Kishin kaluar rreth  dhjetë ditë, nga zbritja në shtëpinë vendverim, së bashku me fëmijët. I kujtohej se ishte duke lexuar kapitullin e fundit të një studimi, që merrte përsipër të shpjegonte raportin midis “subkoshiencës dhe koshiencës” (pavetëdijes dhe vetëdijes), tek qënia njerëzore, kur ishte ndjerë zilja e mushkës së bardhë. E mori me mend se duhej të ishte ai, “gangua i fshatit”, duke kaluar në rrugën poshtë verandës, ku ajo  qëndronte e zhytur në zhbirilimin e labirintheve të psikikës.

Atë “gango”, zoti Mexhit, u’a kishte pajtuar të shërbente si furnizues dhe mbrojtës i familjes, në mungesë të tij. Me flokët e xhelatinosur, me pantallonat “blu xhins” dhe atletet “Reabooc”, ai ishte përpjekur ti binte në sy, që në dy ditët e para të mbritjes së tyre atje.  I ishte përveshur pastrimit të oborrit, nga barishtet dhe ferrat e vogla, për ta bërë atë pasqyrë brenda disa orëve. Për ti bërë përshtypje, gjatë punës ishte zhveshur me kanotiere, poshtë cohës blu të së cilës i lëvizte një trup i zhdërvjerlltë, kurse nga dy ripat i dilinin të lakuriqtë llërët muskuloze të krahëve.

Nuk duhej të kish më shumë se 35 vjeç. Përpara se të ikte, zoti Mexhit i pati shpjeguar se “hyzmeqarin” ( i pëlqente ti thërriste kështu të punësuarit, për të ripërtërirë traditën e kaluar të fisit të tij prej bejlerësh), e kishte në dispozicion për çdo nevojë, por, gjer atëherë, asaj nuk i ishte dashur.

  … Tek dëgjoi zilen e kafshës, hodhi vështrimin poshtë parmakut të verandës dhe e pa mushkën e bardhë, të lidhur në njërin nga hunjtë e oborrit. Drizari kishte shkarkuar prej saj ca thasë, dhe po i fuste në hambarin e katit të pare. Kur e përfundoi këtë punë, shkoi pranë çezmës dhe nisi të shpëlahej. Nga mezi e sipër ishte zhveshur lakuria. Ajo i’a kish ngulur sytë trupit të tij dhe po e hetonte. Blloqet e muskujve i uleshin dhe i ngriheshin ritmikisht, sipas lëvizjeve që bënte. S’dihet pse, duke i parë të luanin ashtu, iu përfytyruan lëvizjet e organit mashkullor në çastin e daljes nga kllëfi i përgjumjes.  Edhe grupmuskujt e tij ashtu çmplekseshin. Fillimisht përtueshëm, pastaj zgjatueshëm, deri sa vinte çasti i hardallosjes, i papërmbajtjes dhe i pulsimit. Pulsimi ishte faza finale, kur gjeneratori mashkullor, kishte arritur ta nxehte filamentin e “PC-900” femërore, qelqi i të cilës priste të thyhej, sapo  gjeneratori të lëshonte energjinë e grumbulluar.

Drizari lahej, kurse  nga muskujt e trupit, ajo e kishte zbritur shikimin tek shtrati i pantallonave, duke u përpjekur të hamendësonte fazën në të cilën ndodhej penisi i atij fshatari, në ato çaste. Si duhej ta kish? Të gjatë e të hollë, robust, apo të shkurtër e të trashë, tip xhunge, që të shkakton dhimbje e të largon çdo lloj kënaqësie seksuale? Ndjente se kurioziteti për brendësitë e fshehura froidiane të atij fshatari, po i kthehej në mani. Nisi ta vështroj ngultazi. Jo vjedhurazi, por hapur fare. Ashtu ishte ajo, po ti binte në kokë për diçka zgjidhte rrugën e drejtëpërderejtë. Pa lajka. Nuk i pëlqenin shtirjet, kurse i quante humbje kohe nazebërjet për diçka që ta ka qejfi.

I tha drizarit që, me të mbaruar punë, të ngjitej sipër, në verandë. Atë ditë fëmijët kishin zbritur në fshatin ngjitur për t’u larë në lumë, kurse qëndronte e vetme, midis asaj qetësie shlodhëse, që nuk të nxiste asgjë tjetër, përveçse amëshim.

Veprimet e mëtejshme qenë fare të thjeshta, jashtë çdo lloj protokolli biseksual. Drizari ishte ngjitur lart, në verandë, qenë ulur së bashku në një kënd të saj, ku kishin biseduar gjëra koti, për t’u gjendur të përleshur seksualisht në dhomën e gjumit…

Nuk ishte gabuar. Drizari doli një kafshë e vërtetë froidiane, që nuk dinte të ndalej. Dinte të bënte gjithçka, ti fuste turinjtë kudo, ku mendonte se fshiheshin folikulat e qejfit. Me të vetmin qëllim që ti shpërthente ato.

Aty znj. Meliha konstatoi se meshkujt e kontaktuar, deri atëherë prej saj, s’kishin qenë veçse femra. E mbajti mënd Jaho drizarin, që i ndezi pasionin e saj seksual për meshkujt vulgarë, të cilët ajo nisi ti gjuaj sa here i shkrepte në kokë për t’u lyrosur seksualisht.

… Pikërisht Jaho drizarin i rikujtoi fizionomia e atij gjyqtari, që kishte pushtuar shtypin dhe median. “ Në kohët e ndryshimeve të mëdha, familja vjen pas detyrës, “ i ishte përgjigjur ai një pyetjeje të intervistuesit. I veshur “shik” e i kollarisur, ai “gango fshati”, përpiqej të qëndronte serioz, në përpjekjen për t’u hapur si vaji në lakër, por znj. Meliha, ja shquante pushtllëkun, që i lodronte në cep të syve. “ Qënka K. e vjetër,” pati menduar, duke vënë buzën në gaz.

Ky ishte çasti kur  ndjeu gjakun t’i hipte në kokë. Tamam si në rastin me Jaho drizarin, poshtë shtratit të pantallonave të të cilit përpiqej të hamendësonte llojin e organit genital mashkullor që pulosnte.

Jahoja drizari e kishte patur të ndërmjetëm. Mjaftueshmërisht të gjatë e të trashë. Po gjyqtari?  Kurioziteti për ta gjetur enigmën i kishte hipur në kokë. Dhe kur asaj i shkrepte  në kokë diçka do ta realizonte me të gjitha mënyrat. Deri atëherë, asnjeri prej jashtëmartesorëve me të cilët kishte patur marrëdhënie, nuk kishte patur profesionin e gjyqtarit. Uronte që, krahas kësaj të veçante, ky “gango i ri fshati”, të mos dilte një mashkull si i shoqi, i cili, edhe pas 15 viteve martesë, vazhdonte të aplikonte në krevat stilin klasik të dy kofshëve që hapeshin në pozicionin kovë, dhe dy kofshëve që, pasi mbylleshin qirishëm, shtyheshin para, pa arritur ta shkaktonin kurrë drithërimën frojdiane.

Pas kësaj mëndjengritjeje, nisi të mendonte për të gjetur një mënyrë njohjeje sa më origjinale me të. Pa i’u lëpirë, pa i rënë në sy as atij dhe as të shoqit, tek i cili, kohët e fundit, kishte vërejtur shenja dyshimi. Por, fundja, me këtë rast edhe përfitonte diçka nga ai kokoroç fshati, që i ndodhur në pozicionin zyrtar të gjyqtarit kishte në dorë rikthimin e pronave të trashëguara të të shoqit. Deri atëherë diçka ishte marrë, por mbeteshin ende shumë të tjera, për njohjen e të cilave, prej vitesh, i shoqi hipte e zbriste shkallët e gjykatave. Pra,përveçse kënaqësonte shpirtin e saj seksual, marrëdhëniet me atë gjyqtar të devotshëm, që para familjes vinte detyrën, i  hiqte të shoqit edhe këtë barrë. Më shumë se kaq nuk mund ta ndihmonte. Sepse kaq kishte në dorë të bënte. Të vinte në përdorim atë pjesë të dhuratës femërore, që i kishte falur Perëndia, nëpërmjet të cilës nuk mund të dilje keq.

Megjithse për takimin me gjyqtarin “gango fshati”  e vrau mëndjen, për ditë të tëra, nuk  kishte mundur të gjente zgjidhje tjetër, përveç sakrifikimit të hyzmeqarit të familjes. I gjori Tahir! Që prej dhjetë vitesh shërbente me zell e ndershmëri në familjen e tyre, ashtu siç kishin shërbyer për vite e vite me rradhë paraardhësit e tij tek dera e Ramadanajve, ish bejlerëve të Drizës, Shkozës, Ahut dhe Panjës.

I  dhimbsej sa më s’ka Tahiri, megjithatë s‘kishte çbënte… Nëpërmjet sakrifikimit të tij, me një gurë vriste dy zogj. Edhe të shoqin e bindëte, përfundimisht, për moralin dhe ndershmërinë e saj, edhe qëllimin e saj femëror e realizonte. Kishte nuhatur se Mexhiti e survejonte, ndërse  ndjente që fura e seksualitetit të saj femëror ishte në prag të ftohjes. Po ndjente t’i trokiste faza finale e zhbërjes së ciklit menstruonal, dhe, ndoshta, gjyqtari do të ishte i fundit aventurier në atë marrëdhënie jashtëmartesore.

… Ndërkaq, seanca gjyqësore në hetim të dosjes penale me nr.11111, vazhdonte.

–  Duhet të dëgjojmë ç‘thotë e dëmtuara ! – ngriti më së fundi zërin gjykatësi.

Prokurori  mbeti për një çast i shushatur. Nuk e mendonte që ky çast do të vinte aq shpejt, dhe aq befasisht. Sepse, në fakt, nuk ishte krijuar asnjë situate e re që të impononte thirrjen e dëshmitares kryesore, zonjës Meliha, pa përfunduar pyetja e të pandehurit. Nëpërmjet përplasjes së gjykatësit me të pandehurin, prokurori kishte menduar t’a nxirrte pa kontaktuar zonjën Meliha, duke ja ngarkuar të gjitha mbi shpinë atij derdimeni të pambrojtur nga askush. Deri atëherë seanca ishte zhvilluar siç e pat projektuar. Nëse do të vazhdonte ta ruante nga ekspozimi, përpara atij gjyqtari plepist, zonjën e zotit Mexhit, do ta fitonte davanë, në të kundërtën…

Këto po mendonte prokurori pa e ditur se gjyqtari mezi po priste t’a sillte në sallë Meliha “Hanëmin”, për bukurinë dhe kurvëritë e të cilës kishte dëgjuar qysh në ditët e para të mbritjes. Etja e saj seksuale, e mbështetur mbi koncepte dhe filozofi bashkëkohore, ishte kthyer në proverb për rrethet ku ai hynte e dilte. Fillimisht ishte përpjekur ta përfytyronte. Një ditë e kishte ndeshur tek “ Bar – Berluskoni ,“ në krah të një burri të hollë me mustaqe, që nga mosha dukej sikur të ish i ati, por që i patën shpjeguar se ishte i shoqi. Po ashtu, informatorët i patën thënë se ai ishte pinjoll i vetëm i një dere pronarësh të mëdhenj dhe trashëgonte jo vetëm identitetet e të gjyshit, por edhe gjithë pronësitë  e fisit, një pjesë fare e vogël e të cilave i qenë rikthyer, kurse pjesën tjetër e kishte në dorë gjykata.

Edhe e shoqja, ajo bukuroshe kokete, i përkiste po sërës së tij. Dinte që martesa e tyre ishte bërë për të ripërtërirë një lidhje të vjetër krushqie midis dy fiseve, që, dikur, në kohën e mbretërisë së parë, kishin sunduar jo vetëm qytetin por gjithë nahijen. Edhe pse kishin shumë vite martesë ata nuk patën lindur fëmijë. Për faj të moshës së thyer të atij , apo për hatër të shterpësisë së Meliha “Hanëmit”, këtë nuk kishte mundur t’a zbulonte ende, pasi nuk i interesonte. Vajza dhe djali, ishin bijë të adaptuar nga të dy fiset, djali nga të sajët, kurse vajza ishte marrë nga raca e tij.

– Protestoj, zoti gjykatës ! Ngul këmbë t’i bëni të qartë të pandehurit të mos hyjë në hollësira por t’i përgjigjet vetëm pyetjeve tona, – ngriti zërin prokurori. Sepse vërtet në shkronjat “ g” e “ f “, Kodi i ri i Procedurës Penale parashikon të drejta më të zgjeruara për palën e paditur, por në të nuk ka asnjë nenë që të lejoj marrjen nëpër këmbë të dinjitetin të zotërinjve, e, aq më tepër, të zonjave që kanë vuajtur tmerrin e kuq të komunizmit!  I padituri duhet të ketë të qartë se ka ikur koha e komunizmit, kur pinjollët e bejlerëve konsideroheshin  të deklasuar dhe ndaj tyre mund të thoshe çfarë të deshte qejfi.

Gjyqtari as që ja vuri veshin kësaj lloj proteste të sforcuar të prokurorit. Dëgjonte vëmendshëm shpjegimin e hollësishëm të të pandehurit, duke e pyetur vetëm për ato gjëra që i interesonin atij.  Dhe kur ky i fundit përfundoi rrëfimin e hollësishëm të ngjarjes, gjykatësi u çlirua nga  vëmëndja. U kujtua për protestën e prokurorit dhe, duke dashur të shmangte qoftë edhe përplasjen më të vogël me të, i’u drejtua  të pandehurit:

– Këtej e tutje do t’u përgjigjesh vetëm pyetjeve që do të drejtojnë.

Prokurori mori frymë i lehtësuar. Ja pra, kishte mundur ta risillte ujin në mullirin e vet.

– Keni të drejtën tuaj koleg, – ndjeu zërin e gjyqtarit ta ftonte.

E falenderoi atë me një përkulje koke dhe, për të parën herë, i buzëqeshi. “ Nuk është edhe aq fshatar sa duket,” mendoi vetëtimthi.”  Është fshatar kodosh ”, saktësoi me tej, vetëtimthi, me vete, duke e konsideruar më të arsyeshëm konkluzionin: “Po i the fshatar tjetrit, mos vazhdo ti ngjitësh epitete të tjera përkeqësuese, pasi i’a ke thënë të gjitha”.

– Të thirret dëshmitari i vetëm, por jo në rolin e paditësit, – propozoi me tej.

Gjyqtari tundi miratues kokën dhe pyeti dy ndihmësat e tij, nëse kishin të thoshin gjesendi rreth kërkesës së prokurorit. Ata, që të dy tundën kokën mohueshëm. Kjo donte të thoshte se e miratonin urdhërin e tij për ballafaqimin me të thirrurin.

Paskëtaj, zoti Mexhit hyri rëndë – rëndë në sallë dhe qëndroi në krah të prokurorit. I dha gjyqtarit të gjitha gjeneralitetet, që ai i kërkoi, dhe kërkoi falje për ndonjë fjalë të tepërt që mund të thoshte. Shpjegoi se, si familje bejlerësh, ishte i dërmuar nga koha e diktaturës, por, ndjehej akoma më i dërmuar, prej goditjes që i kishte dhënë i padituri Ramadani, me të cilin, edhe pse vetë nuk ishte fort në gjëndje të mirë financiare, për hatër të gjakut të të parëve,  ndante bukën e gojës…

Pa dashur ta lejë përhapjen e “aromës” së trishtimit në salle, gjyqtari e orientoi zotin Mexhit të përqëndrohej tek ngjarja konkrete e 18 korrikut. Kështu që ai nisi të tregojë gjithsa kishte pare me sytë e tij. Nga sa po vërente gjyqtari, të thënat e dëshmitarit paditës, në pjesën e tyre dërmuese, përputheshin plotësisht me ato që i padituri u kishte pohuar hetuesve. Këtë e pati ndeshur edhe gjatë shqyrtimit të dosjes me nr.11111. Sakaq, ngjarja në trurin e tij prej “juristi plepash gjashtë mujor” ,po nis të merrte forëm, sikurse hija e dyshimi se në këtë histori përdhunimi, kishte diçka të sajuar, nga dikush, për të arritur diçka. Ç’farë konkretisht? Kush ishte autori i vërtetë i thurrjes së kësaj intrige? Sepse e shihte qartë që ai derdimen, i cili i qëndronte përpara si i paditur, nuk ishte veçse njeriu i përdorur nga përfituesi, një molomën që edhe sikur t’ja nxirrje para të gatëshme tavën femërore vështirë se kishte dëshirë e fuqi ta shijonte. Po atëherë?

Zoti Mexhit e përfundoi  rrëfimin e tij dhe po i lutej trupit gjykues të tregohej i pa mëshirshëm ndaj fajtorit, nëse donte t’i vihej fre fenomenit të kapjes me dhunë të femrave,fenomen që këto vitet e fundit ishte bërë sundues në shoqërinë postkomuniste. “Duhet të keni parasysh faktin se në shoqërinë e re, që duam të ndërtojmë, femra dhe dinjiteti i saj janë gurët e themelit”, tha triumfator.

Pas këtyre fjalëve qëndroi në pritje por, meqënëse, as trupi gjykues dhe as i padituri nuk kishin ti drejtonin ndonjë pyetje, apo ti kërkonin sqarim, pas lejes së dhënë nga gjykatësi, zuri vend në sallë. Këtë herë ishte prokurori ai që u çua vrinkthi nga karrigia, dhe, duke dashur të mos i lerë kohë gjykatësit t’ia  prish planet, shpejtoi ti jap fund.

– I propozoj trupit gjykues përfundimin e fazës së hetimit gjyqësor, pasi e quaj plotësisht të vërtetuar fajësinë e të pandehurit Tahir Ramadani, ndaj familjes së nderuar Mustafaj,- tha prokurori, duke vazhduar: – Heshtja e të pandehurit në ballafaqimin me paditësin Mexhit është një tjetër fakt domethenës i pranimit të fajësisë nga ana e tij. Përpos kësaj, i bëj thirrje atij trupi shumë të nderuar gjykues, ti lejë mënjanë parrullat e Shoqatës së Mbrojtjes të Drejtave të Njeriut, të KSHH-së etj., dhe të tregohet konseguent në zbatimin e Kodit të ri të Procedurës Penale, që i ka brenda të gjitha. Sipas neneve të këtij kodi, i pandehuri Tahir Ramadani, i biri i Ramadanit dhe Xhevrijes, me gjëndje civile i pamartuar, gjendet plotësisht fajtor dhe duhet ndëshkuar: për tentativë kryerje marrëdhëniesh seksuale të dhunëshme me një femër e nënë, për tentative prishjeje me dhunë të familjes, për tentative ç’nderimi të një zonje të nderuar dhe bashkëshorteje besnike. Si palë paditëse, duke u mbështetur në faktet që përmban dosja,  e që u vërtetuan edhe  këtu përpara jush, i propozoj atij trupi të nderuar gjykues dënimin maksimal të të paditurit Tahir Ramadani. Gjithashtu,  bëj thirrje që, gjatë marrjes së vendimit të keni  parasysh moshën e të pandehurit Ramadani, qënien e tij i vetëm, pa asnjë përkrahje sociale, si edhe faktin që, megjithse nuk ka asnjë gram shkollë, gjatë seancës ka mbajtur qëndrim korrekt, duke ndihmuar në daljen sa më lakuriq të të vërtetës…

Pasi citoi nenet përkatëse të kodit, ku e mbështeste kërkesën, prokurori përfundoi pretencën, ndërsa  gjyqtari i nguli sytë dhe, duke buzëqeshur me cep të buzës, po mendonte:  “ Hë skile e  vjetër! Si bilbil ligjëron kur ta mbushin xhepin.”

Kur prokurori i dha fund fjalës së tij, i bindur se gjithçka, tashmë, kishte marrë fund, gjyqtari komunikoi pushim konsultues për trupin gjykues. Ndjehej nervoz pasi nuk e kishte pritur që zonja e zotit Mexhit të dilte aq e papërlyer. Manovra e prokurorit e nxirrte atë virgjëreshë, megjithse në këtë fushë, minimalisht kishte përvojën e rreth dy dekadave martesë. Si ishte ndodhur i padituri në dhomën e saj ? As pretenca e prokurorit dhe as ai derdimen bahçevani menaxher me pranga nëpër duar, nuk i’a kishin shpjeguar. Padia e zotit Mexhit ishte ngritur mbi momentin e futjes së Tahirit në dhomën e gjumit të familjes Mustafaj, pa shpjeguar asgjë, për atë që kishte ndodhur më parë. Po atëherë? Çfarë duhej të thoshte?

– Trupi gjykues vendosi t’a vazhdojë hetimin gjyqësor, – komunikoi.

Prokurori deshi të protestonte, por këtë herë ishte gjyqtari që i’a dogji kartat në dorë.

–  I paditur, – shpejtoi të thotë.

Dhe, kur ky i fundit u çua në këmbë vrinkthi, vazhdoi:

– E pranoni fajësinë e akuzës ?

Kur e pa që hyzmaqari vazhdoi të qëndronte si guhak, e mori me mend se ai nuk po arrinte ta kuptonte pyetjen, që i drejtoi. Ia përsëriti më shkoqur :

– Përse hyre me forcë në dhomën e gjumit të zotërinjve Mustafaj ?

Dhe, nga që Tahiri i gjorë vazhdoi të qëndroj si i ardhur nga një planet tjetër, u mat t’ia përsëriste për të tretën here pyetjen, mirëpo, sakaq, i pandehuri foli.

–  Unë nuk hyra me forcë, – tha.

Gjyqtari po priste në heshtje, që ai të vazhdonte sqarimet e mëtejshme, por më kot. I pandehuri Tahir Ramadani e vështronte në loçk të syrit dhe priste pyetjet e tij. Nuk kishte qënë asnjëherë nëpër dyert e gjykatave, kurse nga filmat kishte mësuar se duhej të përgjigjej vetëm pasi ta pyesnin.

– Po si, përse shkove në dhomën ku ishte zonja Meliha ? – ndërhyri gjyqtari.

– Sepse më thirri vetë ajo.

Këtë herë përgjigja e bahçevanit ishte e menjëherëshme. “ Një në dorë,” bëri me vete gjyqtari i kënaqur së tepërmi që, më së fundi, e gjeti çelësin e hapjes së portës së misterit.

–  Si, përse të thirri ? Hajde de fol ! Na ndihmo në nxjerrjen e të vërtetës dhe në vendosjen e drejtësisë, – e urdhëroi.

Gjithë sa ndodheshin në sallë vunë re një ndryshim të çuditshëm tek i padituri. Sakaq, ai e kishte hedhur tej plogështinë, derdimenllëkun e injorancën dhe po fliste normalisht. Po thoshë:

– Në datën 18 korrik, paradite, zonja më çoi haber, të ngjitesha lart në dhomën e saj. Duke e ditur se bahçevani e ka për detyrë të mos i’a bëj fjalën dysh pronarit, lash punën në kopësht dhe u ngjita lart. Kur hyra në dhomë, e pashë zonjën e nderuar që ishte pranë dritares, e veshur me rroba transparente,dhe desha të dale, por ajo më bëri zë të hyja dhe unë u futa. Isha duke mbyllur portën,kur zonja iku nga dritarja dhe u shtri mbi krevat. Pastaj më urdhëroi t’i ngrija kryqet, pasi nuk ndjehej mirë. Nuk dija ç’të bëja. Ishte hera e parë që ma kërkonte këtë gjë. Iu afrova krevatit dhe…

Heshti. Vështroi ngultazi gjyqtarin që po e ndiqte me shumë interes këtë element të ri të ngjarjes dhe, pasi ky i tha : “ Për të nxjerrë të vërtetë duhet lënë mënjanë turpi,” vazhdoi :

– Zonja e nderuar nisi të më thotë se po t’i bindesha do t’ja mbushte mëndjen zotit Mexhit të m’i jepte të gjitha rrogat, që nuk m’i kishte paguar deri atëherë. Por, përsëri, mua nuk më bënte mëndja ti bindesha. Pastaj, nuk di ç’të them. Ajo më sulmoi si shqipe, ma kapi fort kokën dhe tentoi të ma fuste poshtë fustanit të saj transparentë… Arriti ta bëj këtë, por unë nuk i hapja sytë. Kështu që nuk pash gjë. Po mbrohesha…Kur zotëria e tij hyri befasisht në dhomë unë kisha mundur të shkëputesha nga poshtë fustani dhe po ngrija pantallonat, që s’di të them kush mi kish shpënë në fund të këmbëve… Sa për njollat e zeza në trupin e zonjës, di t’u them se ato ishin bërë nga bloza e rrobave të mia. Sepse në kopësht, përpara se të shkoja tek zonja, isha duke shkundur blozën e tubave të oxhakut…

“ Ja ç’na paska qenë,” bëri me vete gjyqtari, jashtë mase i kënaqur që, më së fundi, i qe afruar fare pranë të vërtetës.

– Na thuaj sa ishte ora, kur e pe zonjën pranë dritares ?

I pandehuri, Tahir Ramadani,  u mendua për një cast, duke dashur të kujtoj kohën.-Mund të ketë qenë dhjetë, dhjetë e gjysëm. Nuk di ta them me ekzaktësi, zotëri gjyqtar., – sqaroi, por gjyqtari nuk ja vuri veshin më tej.

Truri i tij kishte nisur të ndërtonte ngjarjen, duke ndërfutur edhe këta elementë të zbuluar në sallën e gjyqit. Zoti Mexhit kishte pohuar se ishte gjendur pranë shtëpisë rreth orës dhjetë, dhjetë e gjysëm, që përputhej me kohën  kur e shoqja depononte se po sodiste nga dritarja. Pra, ajo e kishte parë atë tek vinte dhe ishte ngutur të sajonte atë ngjarje me hyzmeqarin. Po përse ? Ç’farë kishte dashur të nxirrte prej saj? Kjo ishte e vetmja pikë e errët që mbetej të sqarohej.

– Të thërritet zonja Meliha ! – urdhëroi.

Zoti Mexhit brofi në këmbë. Pas tij edhe prokurori, i cili u përpoq të argumentonte kotësinë e zgjatjes së proçesit. Mirëpo gjyqtari qëndroi i patundur në kërkesën e tij. Kështu që zonja Meliha hyri plot qejf. Qëndroi veç pak metra përballë njeriut me balluke fshatari e buzët si viç i palëpirë, takimin me të cilin mezi e kish pritur, duke mos ngurruar ta vështrojë me plot syrin. Edhe ai e vështronte sikur do t’a përpinte. E kishte turbulluar portreti i saj, që edhe nga afër ishte po aq joshës sa edhe nga larg. Bile në sytë e saj kishte parë të lundronte barka që i duhej për ta përfunduar seancën. “Seç ka diçka prej profesionisteje kjo kodoshkë!” mendoi.

I kërkoi gjeneralitetet, e pyeti nëse kishte të thoshte gjë rreth ngjarjes së 18 korrikut, dhe kur ajo mohoi, i dha leje të shkonte.

Kaq dhe vetëm kaq kishte qenë e gjitha. As zoti Mexhit dhe as prokurori nuk e prisnin këtë reagim. Zunë vëndet e tyre, duke marrë frymë të lehtësuar.

Ndërkaq, gjyqtari e quajti gjithçka të përfunduar dhe lajmëroi tërheqjen e trupit gjykues, që kryesonte, për marrjen e vendimit. Parpara se të dilnin, i’u afrua të paditurit Tahir Ramadani, dhe  zë ulët e pyeti:

– Në çfarë kati të shtëpisë e ka dhomën zonja Meliha?

– Në të dytin.  Dera e parë djathtas, – i’u përgjigj ai.

 

* Tregimi është pjesë e vëllimit me tregime “Qentë bastardë”[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

1 − 1 =