PD: Deputeti Kokëdhima përfitoi fonde publike, ti hiqet mandati. Përgjigjet deputeti…

AktualitetKryesorePolitike
202
0
sample-ad

Partia Demokratike ka akuzuar deputetin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhimën, se ka përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë së tij, edhe pasi është zgjedhur deputet, duke i kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë heqjen e mandatit. Ndërkohë ka kthyer përgjigje edhe deputeti Kokëdhima i cili ka thënë se kjo është shpifje.

Në kërkesën e demokratëve thuhet se ai ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike me një kompani të tijën, pasi është mandatuar si deputet, çka është e ndaluar në kushtetutë.

Deputetja e PD Jorida Tabaku theksoi se: “Eshtë provuar nga ne, se deputeti përfiton fonde publike prej shtatorit të vitit 2013. Ka qënë media e para që ka zbuluar disa detaje të këtyre kontratave dhe me pas ekspertët e departamentit te antikorupsionit kanë bërë hetime të hollësishme në thesarin e shtetit nga ku ka rezultuar se ‎janë të pakten 150 raste të kalimit të parave në llogaritë e deputetit Kokëdhima.”

Partia Demokratike e ka shoqëruar kërkesën e saj edhe me disa dokumenta që sipas saj vërtetojnë shkeljen. Pjesë e dokumentit është një ekstrakt i thesarit të shtetit, ku janë pasqyruar disa fatura të derdhura në adresë të kompanisë Abissnet.

Në këtë dokument ka vetëm të dhëna të vlerës së faturave dhe të datave të regjistrimit dhe ekzekutimit të tyre dhe jo të lidhjes së kontratës mes Abissnet dhe të institucioneve shtetërore.

Ndërsa në ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit vërtetohet se Koço Kokëdhima ka hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë Abissnet në gusht të vitit 2013, përpara se ai të betohej si deputet i kuvendit të Shqipërisë.

Por i menjëhershëm ishte dhe reagimi i deputetit socialist Koço Kokëdhima në lidhje me akzuat e PD. Në një deklaratë për mediat Kokëdhima shkruan se kontrata për të cilat aludon PD janë lidhur në janar të vitit 2013 me qeverinë Berisha.

Reagimi i plotë i deputetit Koço Kokëdhima

Dëshiroj të sqaroj opinionin publik në lidhje me shpifjet e bëra sot nga Partia Demokratike dhe kërkesën e kësaj partie për heqjen e mandatit tim si deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, me pretendimin absurd se paskam përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a”.

Në lidhje me këtë çështje dëshiroj të sqaroj opinionin publik se nga muaji Shkurt i vitit 2014 nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Abssinet sh.a”. Nga data 06.02.2014 i kam shitur të gjitha aksionet që kam pasur në këtë kompani, fakt ky që mund të vërtetohet fare lehtë nga QKR. Për kontratat e lidhura nga “Abissnet sh.a” me subjekte publike apo private për ofrimin e shërbimit të internetit, përpara se unë të zgjidhesha deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kohë kur unë isha aksionar i kësaj shoqërie, çdo gjë është bërë në mënyrë transparente, konform ligjit dhe çdo kontratë është lehtësisht e verifikueshme.

Kontratat, për të cilat aludon opozita, janë lidhur në janar të vitit 2013 me qeverinë Berisha, në kohën kur unë nuk isha zgjedhur deputet. Nënshkrimi i këtyre kontratave parashikon një kohëzgjatje 12 mujore. Kjo do të thotë që kjo shoqëri nuk mund të zgjidhë kontratat me subjektet përkatëse, vetëm sepse një aksionar bëhet deputet. Shoqëria “Abissnet sh.a” nuk mund të prishte në mënyrë të njëanshme kontratat që kishte lidhur me institucione të ndryshme shtetërore.

Dëshiroj të sqaroj opinionin publik se shoqëria “Abissnet sh.a” nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me institucione shtetërore dhe nuk ka përfituar as edhe një qindarkë nga buxheti i shtetit që nga koha kur unë jam zgjedhur Deputet i Republikës së Shqipërisë e deri në momentin që kam shitur aksionet.

Partia Demokratike ka paraqitur sot pretendimit se shitja e aksioneve në Shkurt të vitit 2014 është bërë me një kontratë jo noteriale. Unë ftoj të gjithë opinionin publik dhe në veçanti përfaqësuesit e opozitës që të lexojnë ligjin për shoqëritë tregtare aksionare, i cili e shpreh fare qartë se shitblerja e aksioneve është e lirë dhe mund të bëhet në një nga format që parashikon ligji, siç kam vepruar unë dhe siç e ka konfirmuar edhe QKR, e cila në datën 07.02.2014 ka njohur transferimin e pronësisë së aksioneve të mia tek aksionerët e tjerë.

Shpreh keqardhjen që opozita merret me shpifje dhe aludime, duke tjetërsuar çdo të dhënë dhe informacion në lidhje me personin tim. Kjo strategji e opozitës për të shpifur ndaj personit tim do të marrë një përgjigje të drejt për drejtë dhe konkrete nga unë si në çdo rast edhe këtë radhë. Jam i hapur për çdo pyetje, sqarim, dokument dhe çështje në interes të opinionit publik. Gjithashtu jam i hapur ndaj çdo procedure që do të gjykojë të arsyeshme Parlamenti i Republikës së Shqipërisë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

four × two =