Faktet nuk mund të flasin vetë

AnalizeOpinion
415
0
sample-ad

Nga: Iliriana KUÇANA

 Dija sociologjike nuk mund të jetë plotësisht objektive pasi ajo mbart në vetvete subjektivitetin e sociologut.  Pavarësisht dëshirës apo domosdoshmërisë, sociologjia nuk mund të jetë një dije objektive, sepse sociologu asnjëherë nuk mund të tejkalojë natyrën e tij të vërtetë, natyrën njerëzore e cila e shoqëron individin gjatë gjithë jetës së tij, pavarësisht nga statusi shoqëror dhe profesioni. 

Lidhur me këtë temë, Weber ka përdorur një term i cili njihet si “neutraliteti i vlerave”, i përdorur për të treguar domosdoshmërinë e objektivitetit të studiuesit gjatë studimit të problematikave në shkencat sociale. 

Pavarësisht se Weber e shikonte “neutralitetin e vlerave” si dicka thelbësore gjatë studimit, këndvështrimi i tij ishte se asnjë shkencëtar nuk mund të jetë absolutisht neutral dhe gjuha e tij e observimit nuk mund të jetë e pavarur nga mënyra se si individët i shikojnë fenomenet dhe fokusimin në aspekte të vecanta të një fenomeni të caktuar.  Është lidhja midis qëndrimit teorik dhe metodologjisë së përzgjedhur nga studiuesi momenti në të cilin mund të ngrihet pyetja nëse është e mundur ekzistenca e një sociologjie objektive.

Koncepti i neutralitetit ndaj vlerave, lidhet me idenë e pozitivizmit sipas së cilës zbulimi i ligjeve të zhvillimit shoqëror mund të cojë drejt krijimit të një shoqërie më të mirë.  Të gjithë jemi dakord se dija sociologjike mund të shërbejë si një instrument për të ndikuar në rregullimin e botës, por edhe vetë koncepti i një bote më të mirë është subjektiv, pasi ajo të cilën unë mund ta shikoj si një botë më e mirë nuk është e sigurt se do jetë e tillë dhe për një individ tjetër.  

Një nga figurat kryesore të përpjekjeve për vendosjen e sociologjisë si një shkencë të respektueshme ishte Comte.  Ai e shikonte zhvillimin njerëzor, si një proces i cili kalonte nëpër tre faza të zhvillimit të dijes njerëzore: cdo dije, cdo koncept i zhvilluar nga individët kalojnë nëpërmjet tre kushteve teorike, teologjike ose imagjinare, metafizike ose abstrakte dhe shkencore ose pozitive. 

Ai argumentonte se mendja njerëzore zhvillohet duke kaluar këto tre faza të cilat janë të pashmangshme dhe për këtë arsye panvarsisht dëshirës apo vullnetit të mirë, cdo studiues e ka të pamundur për të tejkaluar natyrën e tij njerëzore e cila gjithnjë do jetë nën këndvështrimin subjektiv të cdo individi. 

Sipas pozitivistëve, vëzhgimet do të vendosen në qendër të teorive sociologjike, gjë e cila do bënte që vëzhgimi të bëhej kriteri qëndror i verifikimit, verifikimi do bëhej kriteri qëndror në formulimin e ligjeve dhe këto ligje do të kalonin teste të vazhdueshme deri në fitimin e legjitimiteti.  Por sidoqoftë, edhe nëse këto ligje do të gjejnë aplikueshmëri në kontekstin shoqëror, ato gjithmonë do të mbeten produkt i një zgjedhje subjektive të studiuesit që nga momenti që ky individ ka zgjedhur të fokusohet në gjetjen e një teorie të caktuar të një problemi, në një kohë që realiteti shoqëror është i mbushur me probleme të ndryshme të cilat mund të kishin shërbyer si alternativa studimi të këtij studiuesi. 

Zhvillimet e pozitivizmit gjatë shekullit të 20 dhe në vijim cuan në idenë se faktet mund dhe duhet të ndahen nga vlerat, pasi detyra e vetme e shkencëtarit është identifikimi i ligjeve shkencore.  Sidoqoftë, Weber në veprën e tij “Metodologjia e Shkencave Sociale”, shprehet se e gjithë njohja e realitetit kulturor…është gjithmonë nga një këndvështrim i caktuar.  Ai gjithashtu shton se nuk mund të ketë një gjë të tillë si objektiviteti absolut shkencor i një analize kulturore apo të një fenomeni social, i pavarur nga një këndvështrim i njëanshëm sipas të cilit….ata përzgjidhen, analizohen dhe organizohen për qëllime publikimi.  Kjo tregon se faktet nuk mund të flasin vetë.  Faktet nuk ekzistojnë si koncepte të vecuara dhe të pavarura nga konteksti, dhe “ajo që ka rëndësi për përcaktimin e një fakti social është e determinuar nga botkuptimi moral me anë të cilit ne vështrojmë botën.

   Një shembull i tillë mund të jetë dhe programacioni i një media të caktuar, në kuptimin që mënyra e transmetimit të një ngjarjeje politike të ndodhur jepet nëpërmjet një këndvështri të ndryshëm nga dy kanale të ndryshme mediatike, edhe pse është fakt që ngjarja ka ndodhur realisht. 

Si përfundim mund të themi se cdo deklaratë për objektivitet absolut nga ana e një studiuesi, duhet parë me dyshim. Qasja e rekomanduar nga Weber bazohet mbi idenë se studiuesi duhet të jetë koshient vlerat dhe besimet personale, dhe gjithashtu duhet të jetë koshient se një gjë e tillë do të shfaqet gjatë studimit, duke filluar nga momenti përzgjedhjes së problematikës, por e rëndësishme është që metodat të jenë ato të cilat do të përdoren në mënyrë neutrale.  Në ditët e sotme, sociologjia është fragmentarizuar në shumë fusha studimi, dhe nisur nga kjo mund të themi se nuk ekziston një realitet i vetëm i cili mund të zbulohet nga të gjithë.  Edhe nëse do të biem dakord se mund të jetë e mundur gjetja e një cështje relativisht neutrale ndaj vlerave dhe metodologjia e përdorur do të jetë e zhveshur nga botkuptimi individual, asnjëherë nuk mund të shprehemi se dija sociologjike do të jetë absolutisht objektive, pasi ajo gjithmonë do të mbetet mbartëse e subjektivitetit të sociologut.

 Gjithashtu mund të themi se dija e përftuar gjatë një studimi nga ana e një sociologu është pashmangshmërisht e ndikueshme nga vlerat të cilat janë një produkt kulturor.  Kështu që ajo që një shoqëri përcakton si dije, është një reflektim e vlerave të asaj shoqërie, ashtu sikurse një shoqëri tjetër do të përcaktonte gjëra të tjera si dije të asaj shoqërie.

 

 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

14 − 9 =