SHUMICËS SË MAJTË PO I DALIN PROBLEMET JASHTË

Editorial
417
0
sample-ad

Nga: Arbër DALMATI 

Nuk është e vetme përplasja e deputetit Ben Blushi me kryeministrin Edi Rama! Janë disa. Përplasje lexohet edhe brenda heshtjes së deputetëve të Partisë Socialiste, edhe në të mes ministrave dhe pakënaqësisë së të papërfshirëve në qeveri edhe…..tek shumë të tjerë.

Të gjithë të heshturit në PS janë të pakënaqur dhe ankimtarë nëpër kafene e rrugë. Kanë një fytyrë të ngarkuar mllefi, që mund të pikturohet ashtu siç e tha Migjeni: “Balli që e ka/sytë që e shprehin/buzët që më kot mundohen ta fshehin”.

Në shumicën e sotme të majtë ka disa përplasje, që tashmë e kanë “nxjerrë ajkën” mbi sipërfaqe, ose po i shfaqin protagonistët dhe sipërmarrësit e saj hapur. Ka rinisur historia e dikurshme që ish- kryetari historik i PS-së,Fatos Nano, i quante “delfinë”. Po i çojnë letrat dhe dokumentet tek “hani i bajraktarit Berisha”. Ai po luan dhe po i hap me ngutin e diabolikut, që nuk lodhet si në mot të rinisë së vet politike.

E keni vënë re? Sali Berisha është bërë reporter i kronikës së zezë dhe hedh statuse në facebook për “policinë e Saimir Tahirit”, më shumë se të gjithë reporterët e Sandrit apo të Irfanit të marrë së bashku. Mirëpo Berisha fshihet pas gazetës që lexon në facebookb, duke inspiruar gjithë llumrat e krimit ordiner, të cilët ose mërgojnë periodikisht në Bruksel, ose fshihen si shpellarë nëpër malësitë e “Rrugës së Kombit”, apo në Kosovë.

Kjo është “armata e gadishmërisë” së përhershme tribal për t’iu përgjigjur shenjës së “Doktor rrumpallës”. Matanë kësaj loje, me aleancë të tërthortë, po i ndihin doktorit edhe socialistët fytyrevrerosur dhe të shumtët e pakënaqur të anëtarësisë së majtë. Këta të fundit janë realisht të besueshëm në gjithëshçka dhe për çdo gjë. Këta janë shumë, por ndaj tyre Edi Rama ka gjithë vitin e dytë të qeverisjes që është futur në mëkat dhe nuk po i del kush t’i thotë se po humbe këta ke humbur pakthyeshmërisht shumë! Po humbe plotësisht këta ke hyrë në zonën e fatit të humbësit të përhershëm. Prandaj kujdes!

Mirëpo në gjendjen kritike, në të cilën po hyn politikisht Edi Rama, nuk janë vetëm përplasjet që thamë më lart. “Ajka e përplasjes” me ortakun e l(ëviz)shëm LSI, po shfaqet me fytyrën maskë të Petrit Vasilit, Spartak Brahos e tjetërkujt që i janë vërsulur “gjatovinës” pa shumë bereqet, ministrit ende në detyrë të Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Eshtë më i dashur me këtë ministër të maxhorancës së majtë qeverisëse deputeti pjesëtar i koalicionit opozitar me Ramën, Nard Ndoka, se sa nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili! Pse të ndodhë kështu? Mos vallë gjithë këta protagonistë që i vërsulen si opozitarë ministrit pa bereqet janë të shqetësuar nga reforma, apo cilësia në spitalet tona është arësyeja e vërtetë?!

Jo mor jo. Eshtë fare e thjeshtë; Një luftë për ilaçet, tenderat dhe punësimet. Një turp shqiptar i qeverisësve koalicionistë për të lënë në mjerim edhe më tej shëndetësinë publike.

Por përplasja me aleatin LSI nuk është vetëm tek Beqaj, por në shumë e shumë nivele të tjera të administratës publike dhe gjithë zotërimet e ndara sipas disproporcionit PS-LSI. Të majtët janë bërë “kashtë e koqe” tashmë.

Historia e shëmtuar me kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, nuk nxjerr në shesh vetëm shëmtinë e drejtësisë së vendit, por po ndëshkon vetë të majtët dhe po shemb plotësisht brendinë e “Rilindjes”. Jo se Shpëtimi është i shpëtuar apo i pa cen! Jo! Shpëtimi dhe llojet e baronëve të pushtetit vendor në Shqipërinë e këtyre 15 vjetëve të fundit janë “të komanduarit e porositur”, apo bejlerët e kohës modern, të cilët kanë fuqi të dukshme e të padukshme.

Avokatia që i bën prej dy javësh “Doktor rrumpalla” shpëtim Gjikës, flet qartë se drejtësisë i duhet edhe një rrotë tjetër penguese nga katili-rrezil antishtet. Në këtë logjikë debatikasit e 2015-ës shpërndanë mbrëmjen e të mërkurës në Vlorë traktet kundër diktaturës, duke paralajmëruar një shkumë tjetër përplasjeje që përgatitet dhe nxitet kundër qeverisësve të së majtës.

Në këtë gjendje të admiruar prej rrumpallistëve të këtij vendi, zotër  brenda “së majtës dhe së djathtës”,  por jo “matanë së majtës dhe së djathtës”, kryeminstri Edi Rama po ngutet si ai luani që e sulmojnë hienat. Problemet kundër tij kanë dalë jashtë shumicës së majtë.

Ilir Meta ka fituar vesin e të heshturit, të cilit nuk i vlen më aktrimi i të patrazuarit. Kjo gjë i duket së largu, sikundër po aq e pafshehshme është edhe hajnia elektorale, që me kohë ka nxjerrë brirë të mëdha jashtë vathës së shumicës, por që s’dihet kë ka më të madhen pjesë brenda saj.  Shtypi.net

sample-ad

Facebook Comments

Website Comments

  1. Qytetari
    Reply

    Artikulli i Arber DALMATI dukt i sakt,i drejtper drejt .Analitik i mpreft po vetem dukuri pa alternativ.Gjthsesi eshte nje terheqie vemendje.Duhet shkundur e analizuar situata e te mos ngelen pa perfillur insituatat e brendeshme e te jashtme.Duhet keputur ky fille ”armik” e te shpejtohet hapi duke pastruar ferat neperkembese me te drejten e kopetencat qe ka maxhoranca.

POST A COMMENT.

seventeen − 7 =