Hillari Klinton projekton fushatën presidenciale

AnalizeOpinion
240
0
sample-ad

[vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_single_image image=”21376″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][vc_column_text]Nga: Mike ALLEN

 Jo vetëm që ajo po kandidon, por ne kemi një ide shumë të saktë, sesi do të jetë fushata e saj. Sipas shumë demokratëve që janë në kontakt të ngushtë me Klintonët dhe ndihmësit e tyre, Hilari Klinton ndodhet në fazat e fundit përgatitore të një fushatë presidenciale, që me shumë gjasa do të nisë në fillim të muajit prill.
Mësohet se ajo tashmë ka vendosur për shumicën e personave me experiencë që do drejtojnë fushatën. Këshilltarët e saj thonë se gjasat e një gare presidenciale, u rritën nga 98 përqind (sipas një personi të afërt, ajo nuk hezitoi në asnjë moment), në 100 përqind fill pas Krishtlindjeve, kur Klinton hartoi një buxhet paraprak dhe ftoi në një takim disa nga figurat kyçe të stafit të ardhshëm.
Shumica e figurave të larta drejtuese tanimë janë vendosur, me një përjashtim të dukshëm: drejtorin e komunikimit, një pozicion që aktualisht është subjekt i lobimit intensiv dhe manovrimeve ndërmjet disa prej emrave më të njohur në gjirin e Partisë Demokratike.
Njëri nga pretendentët kryesorë është drejtoresha aktuale e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Xhenifer Palmieri, e cila është e afërt me atë që më gjasë do të jetë shefi i fushatës, Xhon Podesta.
Mësimet e shumta nga fushata e dështuar e Klintonit në vitin 2008 janë duke u elaboruar për fushatën e presidencialeve të vitit të ardhshëm, duke përfshirë vendosmërinë për të përmirësuar marrëdhëniet me mediat e lajmeve, ose së paku për të qenë një “polic i mirë”, një rol që mendohet ta ndihmojë Hilarin të debutojë me “këmbën e mbarë” me gazetarët, të cilët do ta ndihmojnë për të formuar imazhin e saj në publik.
Duke reflektuar mbi mësimet e tjera të nxjerra nga e kaluara, fushata po përgatitet më shumë me “mentalitetin e tendës së madhe”, sikurse e cilësoi një këshilltar i ish-sekretares së shtetit. Pasi u ndje i izoluar në disa pjesë të fushatës së saj kundër Barak Obamës, bashkëshorti Bill është duke u integruar që në fillim me fushatën e re.
Një element i strategjisë që po harton Hilari Klinton kombinon heshtjen me një mënyrë agresive ballafaqimi me arritjet kryesore të së majtës, çka mendohet se mund të ndihmojë të rrisë nivelin e rehatisë së progresistëve, dhe të marrë kësisoj aromën e një sfidë të mundshme. Dy objektivat kryesorë: Robert Rajsh, ekonomist dhe ish-sekretar i punës në administratën e burrit të saj, dhe republikani Xhon Ljuis, një ikonë e mbrojtjes së të drejtave civile.
Dhjetorin e shkuar, Hilari fitoi mbështetjen publike të ish-kryetarit demokrat të Komitetit Kombëtar dhe Guvernatorit të Vermontit, Hauard Din dhe senatorit Al Franken. Bill Klinton tashmë është i angazhuar kokë e këmbë në fushatë, duke paralajmëruar se Xheb Bushi është kërcënimi i vërtetë, ndërsa guvernatori i Nju Xhersit, Kris Kristi, përbën ndoshta vetëm një fasadë.
Ish presidenti hodhi një sy nga kampi i presidentit Xhorxh HW Bush, pak ditë para se ish-guvernatori i Floridës, Xheb Bush të bënte shpalljen e tij befasuese në ‘Facebook’ në dhjetor se ai do të “shqyrtonte seriozisht” mundësinë për t’u futur në garë. Dy ish-presidentët kanë kultivuar një lidhje miqësore, pjesërisht edhe për shkak të punës së tyre së bashku në programin ndërkombëtar të ndihmës, pas cunamit shkatërrues aziatik të vitit 2004.
Koha e saktë se kur Hilari Klinton do të shpallë kandidaturën e saj zyrtarisht mbetet e panjohur, por aleatët e saj të ngushtë presin që kjo të ndodhë menjëherë pas përfundimit të tremujorit të parë të 2015-ës, në mënyrë që raporti i saj për mbledhjen e fondeve për herë të parë të jetë tejet i suksesshëm. Në datën 4 mars, fondacioni “Clinton” do të mbajë mbrëmjen gala, një eveniment ky i përvitshëm që mbahet në Nju Jork, nën moderimin e Kerol King, dhe kjo pritet të jetë një nga ngjarjet e fundit të mëdha për Klintonët para fillimit të fushatës. Miqtë dhe këshilltarët thonë se ajo është duke planifikuar këtë fushatë “në mënyrën e saj”, pa u shpërqëndruar nga presioni i jashtëm.
“Ajo po merr kohën e saj për t’u përgatitur” – tha një këshilltar. “Pjesë e asaj që është diçka e drejtë, ka të bëjë edhe me marrjen e kohës për të balancuar këshillat që ajo merr nga të tjerët me mendimet e veta. Ajo nuk ka asnjë ngut. Prej kohësh, njerëzit i kanë vendosur një ‘X’ të kuq në kalendar, por kjo nuk është domosdoshmërisht ajo çka po ndodh brendapërbrenda” – shtoi ai.
Klinton do të hyjë në garën brenda Partisë Demokratike me zhurmë dhe praktikisht deri tani nuk ka patur asnjë zë kundërshtues. Senatorja e Masaçusetsit, Elizabet Uorren, që mund të bënte një fushatë serioze nga e majta, është shprehur se nuk do të kandidojë dhe se nuk po bën asnjë përgatitje në prapa-skenë.
Zv.presidenti Xho Bajden thotë se ai mundet shumë mirë të kandidojë, por kryesisht nuk do që të përplaset me Klintonin. Ky hezitim lë në garë një treshe rivalësh të mundshëm, por me para të pamjaftueshme për të udhëhequr fushatën: senatori Berni Sanders, ish-guvernatori i Merilendit Martin O’Mallej dhe ish-senatori i Virxhinias Xhim Ueb. Pra opozita potenciale është aq e dobët, sa Klintonit mund të mos i duhet fare që të debatojë gjatë zgjedhjeve primare, çka shumë demokratë e shohin si një bekim të përzier.
Ekipi i Klintonit e di se nuk mund të zhvillojë një fushatë me krekosje, aq më tepër në kushtet e një kandidature të paragjykuar, për shkak të garimit të saj në vitin 2008. Për këtë arsye, disa këshilltarë po negociojnë privatisht me sfidantët potencialë si senatori i Kolorados Majkëll Benet dhe ai i Virxhinias Tim Kein, emrat që dominuan spekullimet e hershme mbi këtë garë.
Disa këshilltarë ndërkaq presin të ketë një shtytje të mëtejshme drejt emrave të tjerë. Pra lista e shkurtër gjithashtu pritet të përfshijë Sekretarin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Hulian Kastro, Sekretarin e Punës Tom Perets, senatoren e Nju Xhersit Kori Buker dhe ndoshta Prokurorin e Përgjithshëm të Kalifornisë Kamala Herris, që aktualisht po kandidon për senatin amerikan.
Përkundër besimit të brendshëm, Klinton nuk do të hyjë pa shqetësime të konsiderueshme dhe pengesa në këtë garë. Disa nga këto pengesa janë mëse të dukshme, dhe ndodhen në fokusin kryesor të diskutimeve mes këshilltarëve të saj kryesorë. Krahu i Uorrenit mund të pritet të vazhdojë ta nxisë atë të flasë për tarifat e majme që kërkojnë për çdo fjalim që 2 bashkëshortët mbajnë, dhe marrëdhëniet dashamirëse me Uoll Stritin, si dhe të përpiqet të tërheqë atë më në të majtë, përmes mënyrash që janë të panatyrshme për Klintonët.
Nëse ajo do të anonte më majtas, do të rrezikonte të shfaqej e pasinqertë apo e thënë troç mashtruese. Këta aleatë njohin gjithashtu problemet e kaluara mes bashkëshortëve Klinton, të cilat mund të rishfaqen: kampet konkurruese të Billit dhe Hilarit, donatorët e diskutueshëm dhe përgojimet kur gjërat tensionohen. Njerëz të afërt me Klintonët bëjnë përgjegjës një strukturë të ngatërruar dhe konfuze, që shkaktoi jo pak probleme në fushatën primare për presidencialet e vitit 2008.
Në pritje të nisjes së fushatës, po punohet për t’i dhënë përgjigjen e duhur këtyre shqetësimeve, duke krijuar një strukturë udhëheqëse koherente dhe “bashkimin e botëve” të Billit dhe Hilarit. “Ka shumë koordinim dhe komunikim në zyrën e saj” – tha një këshilltar. “Të gjithë e pranojnë se kjo është shumë e rëndësishme”. Një trio e njerëzve me aftësitë e duhura menaxhuese nis me menaxherin zyrtar të fushatës Robi Mok, duke vazhduar me Xhoni Podestën, që ka dhënë doreheqjen nga postin e tij si këshilltar në “West Wing”. Filip Reines, një nga këshilltarët më jetëgjatë të Hilarit, do jetë emri i tretë më i rëndësishëm i fushatës, duke shërbyer si këshilltar jashtëm.

“Shkundje” tek Billi dhe Çelsi

Tom Najdes, që u rikthye në “Morgan Stanley”, pasi shërbeu si zv.sekretar i Shtetit, do të ketë një rol kryesor në fushatë, ndoshta për mbledhjen e fondeve tek njerëzit e shtresës së lartë. Denis Çeng, zyrtari i lartë i Fondacionit Klinton pritet të lëvizë edhe ai në një post kryesor në drejtimit të financave. Këshilltarët e dinë se Klinton as e pëlqen dhe as e beson shtypin. Ajo mendon se kjo është e ndërsjellë. Ajo mbetet një konsumatore e pangopur e lajmeve për veten e saj, herë pas here duke u ankuar në lidhje me tonin e një artikulli apo gabimet.
Fakt është se zonja Klinton pati një mbulim kryesisht të favorshëm gjatë kohës që mbajti detyrën e  sekretares së shtetit, me një trupë gazetarësh që përqëndroheshin të ishin më shumë substancialë e më pak të bujshëm. Gjatë udhëtimeve ndërkombëtare, ajo i vizitonte gazetarët në pjesën e pasme të avionit të saj, duke zbuluar se ata nuk “kafshojnë”.
Pra fushata planifikon të përfshijë një zyrtar të komunikimit mediatik-miqësor, si një kundërpeshë ndaj fyerjeve instiktive të “Hillaryland”-it. “Ju vëreni se çfarë funksionon dhe e adresoni atë herën tjetër” – tha një këshilltar. “Shkatërrimi nuk është alternativë përballë mentalitetit të pit-bullit”.
Përveç Palmierit, emra të tjerë që janë në diskutim: Erik Shulc, ndihmësi kryesor i sekretarit të shtypit në Shtëpinë e Bardhë; Brian Fallon, një ish-nxënës i zyrës senatorit të Nju Jorkut Çak Shumer, që aktualisht është zëdhënës kryesor i Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holder; Mo Elajti, drejtor i komunikimit në “DNC’; Karen Finej, një ish-prezantuese e televizionit MSNBC dhe Kiki Meklin, konsulente dhe stratege, që ka punuar në krye të shumë fushatave kombëtare.
Nik Meril, që ka punuar me Reinesin në departamentin e shtetit dhe është tani zëdhënës i Klintonit, është i besuar, pëlqehet ndaj dhe do të mbetet në rrethin e brendshëm.
Klinton ka rekrutuar gjithashtu dy nga njerëzit më të zgjuar të fushatës së Obamës: anketuesin Xhoel Benenson dhe strategun e medias Xhim Margolis, të cilët punuan edhe për fushatën e burrit të saj në zgjedhjet e vitit 1992. Tani që arkitektura e fushatës është e qartë, të dy po ndihmojnë në detyrën e ardhshme kritike: elaborimin e mesazhit të saj ndaj opinionit publik. “Politico”/ bota.al

* Titulli është i “shtypi.net”.[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

9 + 6 =