Të gjithë në krah të terrorizmit

Opinion
543
0
sample-ad

Nga: Herald KOSTA

Pavarësisht se e gjithë bota e lirë (cilido qoftë kuptimi i këtij termi) është rreshtuar krahas viktimave, familjarëve të tyre, e më në përgjithësi krahas Francës, shumë mendime, në kërkim të shkaqeve të sulmit, në mënyrë indirekte dhe shpresoj të pavullnetshme, janë duke liruar deri diku moralisht (pasi legalisht do te ishte e pamundur) autorët e sulmeve. Tre janë tezat kryesore të formuluara ne opinionin shqiptar apo me gjerë, dy nga te cilat megjithëse në parim duken të pranueshme, nuk janë te perputhshme me realitetin dhe në rastin më të keq, nxisin, e në atë më të mirë, justifikojnë, terrorizmin si zgjidhje politike.

Teza e parë, e ripërsëritur së fundmi dhe nga kryeminstri Italian (për ngritjen e një shërbimi sekret europian), i shikon keto krime, në menyrë të ngjashme me krizën ekonomike, si rezultat të një Europe, apo Bashkimi Europian, jo plotësisht të integruar nga ana institucionale. Ideja për krijimin e një agjencie të ngjashme me Europolin, është më tepër retorikë politike (Renzi, si lider i socialistëve në Europë, ka një interes të drejtpërdrejtë per fuqizimin e Bashkimit Europian) se sa zgjidhje konkrete e problemit. Sulmet e 11 Shtatorit tregojnë që integrimi i institucioneve të sigurisë nuk është një kusht i mjaftuëshëm për luftimin e këtij lloj krimi. Megjithatë, ideja e Renzit ka një anë pozitive, atë të trajtimit të terrorizmit si krim e jo si ideologji.

Teza e dytë, e ngjashme me të parën, e mbrojtur me zell dhe nga disa personalitete shqiptarë, i gjen shkaqet te kriza ekonomike, apo dhe te një krize e supozuar e identitetit Europian. Kjo tezë, më shumë se e para, në mënyrë indirekte lehtëson përgjegjësinë morale të terroristëve në Paris. Varfëria dhe pabarazia futen në kategorinë e atyre argumenteve tautologjike qe mund të “justifikojnë” cdo problem apo krizë sociale. Këto kushte mund të përdoren për të shpjeguar ngritjen e regjimeve totalitariane të mes-shekullit të kaluar, ndarjen e Europës në dy kampe të izoluara për më shumë se 4 dekada, forcimin e lëvizjeve populiste në shekullin e XXI e të tjera si këto. Kriza e përkohshme financiare, shpeshherë e fryrë nga media, nuk është e krahasueshme me atë të vitit 29’, ndërsa nga ana tjetër terrorizmi është, të paktën moralisht, shumë herë më i rrezikshëm si ideologji se fashizmi apo Leninizmi. Përsa i përket krizës së identitetit Europian, historia nuk ofron ndonjë shembull bindës, kur ky identitet i supozuar ka qenë më i fortë.

Teza e fundit, ndoshta më e rrezikshmja, e përdorur dhe nga vetë terroristët, e shikon sulmin si pergjigje te ekspansionit “Perendimor” në punët e brendshme të “Lindjes”. Personalisht, mendoj se është e pamundur të përcaktohet qartë qoftë përgjegjesia historike (nëse dicka e tillë mund të pranohet që ekziston) qoftë balanca midis parimit Vestfalian dhe atij Wilsonian. Nga ana tjetër, ky akt nuk ka, e nuk mund të ketë, lidhje me këto diskutime. Asnjë akt terrorist nuk mund të jetë zgjidhje politike, për vetë natyrën asociale te terrorizmit.

Përse jo? Cfarë është terrorizmi? Të dy përgjigjet janë të ndërlidhura dhe shpjegojnë përse padashur shumë nga akuzuesit e atentatorëve po marin në mbrojtje këta të fundit. Në 1977, profesori i mirënjohur i Shkencave Politike ne Princeton, Michael Walzer, në librin e tij Luftëra të Drejta e të Padrejta, i dedikon një kapitull “Terrorizëm”. Ky artikull është i rëndësishëm edhe pas 5 dekadash, jo vetëm për perceptimin origjinal mbi fenomenin, por edhe për kohën kur është shkruar. Në mënyrë të pavullnetshme, shumë njerëz, shpeshherë edhe akademike, e lidhin fillimin e terrorizmit me 11 Shtatorin, perceptim i cili lidh gabimisht një fe me një lloj krimi (jo lufte) dhe krijon një mburojë etike duke “nderuar” terroristë me titullin “Xhihadistë”. Sipas Walzer, karakteristika dalluese e terrorizmit (të paktën atij modern) ështe rastësia që përdor në përcaktimin e atentateve. Terrorizmi derivon nga fjala terror, dhe në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij, që është “shkatërrimi i moralit të një kombi apo grupi, të thyejë solidaritetin ekzistues social, vret në mënyrë të rastësishme njerëz të pafajshëm”. Terrorizmi është një metodë vrasje kolektive e përdorur që në kohërat më të hershme nga tiranë në Heladën e vjeter apo diktatorë dhe perandorë në Romën e lashtë. Sa për të thënë një shembull, mund të përmendim listat e zeza të përdorura gjatë kohës se diktaturës (në kuptimin institucional romak) së Sullës. Nga ana tjetër, terrorizmi u transformua si mjet lufte, kur kushtet teknologjike ishin të përshtatshme për t’a implementuar. Për të përmendur disa shembuj të famshëm mund të konsiderojmë episode nga Lufta II Botërore apo dhe me vonë (bombardimi i Londrës, i Dresdenit, i Gazës, apo dhe Hiroshima e Nagasaki). Ajo që i lidh të gjithë këto episode është qëllimi i përbashkët, i shkatërrimit të moralit të civilëve. Në fakt kjo mënyrë afrimi ndaj luftës është kaq indirekte, sa shumë ushtarë refuzojnë t’a quajne luftë, dhe në fakt nuk është e tillë. Në luftë, vrasja eshte e lejueshme për shkak se ekziston një rrezik objektiv, i cili nënkupton se nëse nuk vret do të vritesh.

Walzer dallon midis këtij lloj rreziku dhe atij që vjen nga “terrorizmi i vjetër” subjektivitetin në përcaktimin e rrezikut. Terrorizmi i vjetër (i cili në fakt nuk është terrorizëm, po i tillë është emërtuar asokohe, dhe krijon më lehtësi në krahasimin me terrorizmin modern) i ngjan më shumë vrasjeve politike, të cilat megjithëse përdoreshin për të vrarë civile (gjë që e dallon nga lufta) nuk ishin të drejtuara nga rastësia apo nga qëllimi për të terrorizuar popullatën. Ky lloj terrorizmi njihte një kod te pashkruar, pasi terroristët ndanin midis civilëve që mund dhe atyre që nuk mund të vriteshin. Shembujt qe merr Walzer jane ato te populistëve ruse në fillim të shekullit XX dhe Lehi, apo Banda e Sternit (nje grup ekstremist Zionist ne Luftën II Boterore). Për rastin e parë, një grup vrasësish rusë braktisin planin për të vrarë Dukën e Madh, Sergei (që supozohej si kundërshtari me i madh i lëvizjes së tyre), pasi në karrocën ku ishte vendosur bomba e atentatit udhëtonin dhe fëmijet e Dukës. Në rastin tjetër, dy pjesëtarë të grupit Lehi ekzekutuan Ministrin e Shtetit Britanik në Lindjen e Mesme. Sidoqoftë, pak më vonë, atentatoret u kapën nga nje polic egjiptian, te cilin ekzekutuesit mund t’a kishin eleminuar me lehtësi, por zgjodhën për të mos e bërë, pasi sipas fjalëve të tyre nuk perfaqësonte regjimin shtypës britanik. Ne kësi rastesh, ekzekutorët jane te fajshëm ligjërisht, pasi ndryshe nga ushtarët, te parët eleminojnë njerëz, të cilët nuk mund të konsiderohen rreziqe objektive (kush e percakton nëse dikush eshte përgjegjës për represion apo jo?). Sidoqoftë, moralisht këto lloj vrasjesh nuk janë te barabarta me terrorizmin modern. Të parat janë të drejtuara drejt individëve, te cilët eleminohen për shkak te aktivitetit (shpeshherë te supozuar) politik, ndërsa terrorizmi i sotëm eleminon njerëzit vetëm në varësi të identitetit të tyre (francezë, amerikanë, anglezë, spanjollë,cifutë apo dhe myslimanë).

Cfarë ishte Charlie Hebdo?

Nga këto përcaktime, është e qartë që sulmet që filluan me 7 Janar mund të kategorizohen vetëm si terrorizëm (modern). Ky nuk ishte një sulm drejtuar punës së Charlie Hebdo, por një sulm i menduar per terrorizimin e qytetarëve francezë dhe më gjerë. Nëse atentatorët do të kishin si qellim vetëm goditjen e aktitivitetit te revistes (ashtu si e justifikojnë), atëherë mund të ekzekutonin individualisht redaktorin apo qoftë dhe karikaturistë të kësaj reviste. Në të vërtetë, gjatë sulmit, ata nuk kursyen oficerë policie, punonjës (që nuk kishin lidhje me vizatimet satirike te Muhamedit), apo dhe njerez të ndodhur aty rastësisht, si Michel Renaud. Në kontrast, sic u sipërpërmend, atentatorët ideologjikë (qoftë ideologjia, politike apo fetare) vendosin një kufi midis civilëve që mund të vriten dhe jo. Në këtë frymë, besoj eshte i qartë titulli i këtij shkrimi. Në momentin kur sulmi i Charlie Hebdo lidhet me diskutime mbi krizën financiare, mbi “imperializmin” e ri Perëndimor, apo qoftë dhe mbi karakteristikat ushtarake të Islamit, terrorizmi fillon të gjejë mbrojtje morale. Ashtu si është sqaruar më lart, terrorizmi është përdorur dhe përdoret për të mbajtur një regjim autokrat (shpeshherë dhe Enverizmi, ne Shqipëri perdorte terrorizmin), për të fituar një luftë totale (Lufta II Botërore), apo dhe në luftë guerile (si perdoret sot). Terrorizmi është perdorur nga levizje politike (fashiste, komuniste apo dhe nga demokraci te ndryshme) dhe nga fe të ndryshme (Islami, Krishtërimi, Judaizmi e kështu me rradhë). Kjo nuk do të thotë që diktatura, lufta guerile, apo Xhihadi (pa iu futur diskutimit të ndarjes midis Xhihadit të madh dhe të vogël) është i barazvlefshëm me terrorizmin. Ky i fundit është një lloj krimi, ndoshta më i rrezikshmi dhe asociali, duke qenë se nuk njeh limite në vrasje, qe duhet të dënohet rëndë si i tillë. Në momentin, kur analiste të ndryshem diskutojnë sulmin mbi Charlie Hebdo si sulm ndaj lirisë së medias, si pjesë të Xhihadit “te keqinterpretuar”, apo si pjesë te krizës ekonomike, padashur trajtojnë terrorizmin si ideologji, dhe cdo ideologji mund të justifikohet moralisht.

Për këto arsye, si përfundim, nga të tre tezat e sipërpërmendura, më e vlefshmja duket ajo e para, e Renzit. Ideja e tij nuk ka ndonjë vlerë të madhe praktike (si u shpjegua më lart), por kap thelbin e terrorizmit, i cili është krim, dhe jo ideologji apo besim.

/shtypi.net/

sample-ad

Facebook Comments

Website Comments

POST A COMMENT.

6 − 3 =