Ringritja e Europës

AnalizeOpinion
449
0
sample-ad

Nga:”FOREING AFFAIR”

Në vitin 1982, “The Economist “kremtonte 25-vjetorin e Komunitetit Ekonomik Europian, paraardhësit të Bashkimit Europian, duke i dedikuar në kopërtinë një gur varri. “Lindur në 25 mars, 1957. Në prag vdekjeje në 25 mars, 1982.” Më pas vinte si epitaf një shprehje që i atribuohet historianit romak Tacitus: Capax imperii nisi imperasse, “Dukej i aftë të ishte një fuqi e madhe, derisa provoi të ishte e tillë”. Në artikull, revista analizonte dobësite institucionale të komunitetit, shprehte keqardhje për pakënaqësinë në rritje të qytetarëve europianë për të ashtuquajturin integrim europian dhe paralajmëronte një dalje të mundshme të Mbretërisë së Bashkuar nga organizata.

Megjithatë, ato orë të errëta shënuan agimin e projektit europian dhe jo perëndimin e tij. Vetëm tre vjet më vonë, Delors, ish-ministri francez i financave, u bë presidenti i tetë i Komisionit Europian dhe menjëherë injektoi një dozë vitaliteti në organizatën inaktive. Fushata e tij për të krijuar një treg të vetëm në Europë, iniciativë që u prit me entuziazëm nga Margaret Thatcher, shtroi rrugën për Traktatin e Mastrihtit të vitit 1992, që shënon themelimin e Bashkimit Europian. Gjatë 10 viteve që Delors ishte në krye të Komisionit Europian unioni forcoi institucionet, zgjeroi autoritetin me fusha të reja vendim-marrjeje dhe mirëpriti 5 anëtarë të rinj. Në fillim të viteve 1990, sondazhet e opinionit tregonin se 70% e qytetarëve europianë e mbeshtesnin anëtarësimin në BE dhe vetëm më pak se 10% ishin kundër. Brenda një dekade integrimi europian u ngrit nga varri. Bashkimi Europian u shfaq edhe më i fortë nga sa prisnin mbështetësit e tij.

Kjo është një histori interesante parë në konditat e sotme, teksa kritikët parathonë përsëri vdekjen e BE-së. Ata përmendin të njëjtat shenja: pafuqinë institucionale, zhgënjimin e votuesve nga Brukseli dhe mundësinë e humbjes së Mbretërisë së Bashkuar. Këta profetë katastrofash gjenden përgjatë gjithë spektrit politik europian. Ndër ta renditen euroskeptikët e të djathtës, si për shembull Marine Le Pen, liderja e Partisë Fronti Nacional në Francë, e cila deklaroi në tetor të vitit 2013 se BE është drejt kolapsit, “njëlloj si Bashkimi Sovjetik dikur”. Ndër ta renditen gjithashtu edhe eurofilët e të majtës, si Joscha Fischer, ish-ministrja e jashtme gjermane dhe liderja e Partisë së Gjelbër, e cila së fundmi deklaroi se BE-ja mund të jetë drejt shpërbërjes.

Kësaj rradhe BE-ja ka vërtet arsye për t’u shqetësuar. Besimi i publikut në institucionet europiane është në limitet më të ulëta të të gjitha kohërave dhe partitë euroskeptike realizuan fitore historike në zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj 2014. Dhe sfidat ekonomike të BE-së sot i tejkalojnë ato të 30 viteve më parë. Megjithëse duket sikur kontinenti e tejkaloi pjesën më dramatike të krizës së eurozonës, e cila e turbulloi Europën ndërmjet viteve 2009-2012, ekonomia europiane ende mbetet në një gjendje të vështirë. Përtej disa shenjave të vagullta të shërimit, BE-ja vazhdon të lëkundet në kufinjtë e deflacionit dhe rrezikut të rënies në një recesion të gjatë dhe të thellë, teksa rritja është ende minimale dhe nivelet e papunësisë kanë arritur shifra rekord në Europën jugore. Shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, nuk e asociojnë më BE-në me liri dhe me më shumë mundësi, por përkundrazi, e bëjnë fajtore për vuajtjet financiare, papunësinë e tejzgjatur dhe mungesën e mundësive demokratike. Përveç kësaj, BE-ja u shfaq e dobët përpara agresionit të Rusisë në portat e saj dhe rrëshqitjes së Hungarisë në autokraci.

Për të kthyer fatin e BE-së nuk do të jetë e lehtë, por fokusimi vetëm te problemet e saj ka lënë në hije një realitet tjetër. Faktorë të tillë si dalja në skenë e liderëve të rinj, shfaqja graduale e konsensusit për një politikë të re ekonomike dhe, paradoksalisht, kërcënimet në rritje ndaj integritetit territorial të BE-së nga brenda dhe nga jashtë i ofrojnë Europës një mundësi për rigjallërimin e bashkimit, rishikimin e politikave të saj dhe mundësinë për të rifituar mbështetjen e qytetarëve. Për të realizuar këto objektiva, BE-ja fillimisht duhet të organizojë ekonominë, të rikthejë fokusin tek rritja dhe të rregullojë institucionet menaxhuese të monedhës së përbashkët. Liderët europianë duhet të adoptojnë një qëndrim të përbashkët në çështjet e sigurisë, në mënyrë që të forcohet roli gjeopolitik në rajon. Për më tepër, BE-ja duhet të theksojë përsëri kredibilitetin e saj si një bastion i lirisë ekonomike dhe politike, duke mbrojtur jo vetëm integritetin e sistemit europian, por edhe vlerat demokratike që janë baza përbashkuese e shteteve anëtare. Të gjitha këto hapa janë të domosdoshme në mënyrë që e ardhmja e unionit të jetë shumë më e mirë nga sa presin kritikët.

Vlera e asaj që është në lojë është shumë e lartë. Nëse nuk veprohet në mënyrë të vendosur, pasoja e vetme do të jetë vazhdimi i gjendjes së amullisë dhe, në fund, humbja e rëndësisë. Por ndërmarrja e hapave të vendosur mund të shënojë një rilindje të Europës.

Në duar të mira

Shumë zhvillime të kohëve të fundit kanë krijuar një mundësi të rrallë për Bashkimin Europian. Së pari, liderët e rinj premtojnë të jenë më të mirët që nga era Delors. I pari ndër ta është Jean- Claude Juncker, presidenti i ri i Komisionit Europian. Lideri i ri nga Luksemburgu është kritikuar si pjesë e gardës së vjetër të BE-së dhe rrjedhimisht si jo i përshtatshëm për të ringritur Europën. Por Juncker mund ta kthejë këtë dobësi në forcën e tij më të madhe. Njohuria e tij e gjerë institucionale (mund të jetë personi që është ulur më shumë se kushdo në takimet e Këshillit të Europës) e bën atë shume herë më të përgatitur se paraardhësi i tij Barroso për të ndihmuar vendim-marrësit europianë në kapërcimin e pengesave dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt objektivave të vendosura.

Për më tepër Juncker gëzon respektin dhe mbështetjen e shumicës së krerëve të qeverisë europiane teksa si ish-kryetar i Eurogrupit, këshillit të ministrave të financës të shteteve anëtare të eurozonës, i ka ndihmuar ata në kapërcimin e krizave të shkuara ekonomike. Njëkohësisht, falë një ndryshimi në procesin e përzgjedhjes së presidentit të komisionit, Juncker ka një mandat eksplicit nga Parlamenti Europian. Më përpara, presidentët zgjidheshin nga Këshilli Europian përpara se parlamenti t’i mbështeste. Por në vitin 2014, parlamenti e lidhi përzgjedhjen e presidentit me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Grupet parlamentare të organizatës nominuan kandidatë të cilët bënë fushatë për postin. Kur Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila nominoi Juncker, doli fituese e zgjedhjeve në maj 2014, parlamenti loboi tek qeveritë kombëtare për ta zgjedhur atë. Në këtë mënyrë, Juncker u bë presidenti i parë i përzgjedhur, pavarësisht se në mënyrë jo të drejpërdrejtë, nga qytetarët e BE-së, çka i jep atij një autoritet shume herë më të madh nga paraardhësit për të vendosur për politikat e BE-së.

Për më tepër Juncker përfaqëson koalicionin centrist që ka udhëhequr çdo proces të suksesshëm të integrimit europian. Daniel Cohn-Bendit, një i majtë gjerman, anëtar i Parlamentit Europian, e konsideron Juncker si “kristian-demokratin më socialist që mund të gjesh”. Gjatë mandatit të tij Juncker do të mbështetet nga një ekip i ri komisionerësh europianë (të cilët përbëjnë krahun ekzekutiv të BE-së dhe menaxhojnë politikat). Ky grup i ri komisionerësh përfshin lojtarët “më të rëndë” politikë që ka patur ndonjëherë BE-ja: nëntë ish-kryeministra dhe nëntëmbëdhjetë ish-ministra.

Ndërkohë Këshilli Europian do të drejtohet nga nga ish-kryeministri polak Donald Tusk, një lider shumë më i fortë se paraardhësi i tij i heshtur, Van Rompuy nga Belgjika. Tusk është një nga liderët e paktë të BE-së që ka fituar rizgjedhjen pas krizës financiare globale. Pas fitores, ekonomia polake e udhëhequr nga ai vazhdoi edhe për tre vjet të tjerë një rritje të qëndrueshme ekonomike, teksa shumica e Europës u lëkund. Bashkëpunimi i tij i fortë me kancelaren Angela Merkel ka ngjallur shpresë se dyshja, në zhargon “Tuskel”, do të jetë shumë më efektive në mbajtjen e bashkuar të Europës, krahasur me dyshen e çuditshme “Merkozy”. Aleanca e Merkel dhe ish-presidentit francez Sarkozy, e karakterizuar nga mosbesimi reciprok, shënoi jo pak përgjigjen e vakët fillestare të BE-së ndaj krizës së euros.

Këta liderë të rinj po e marrin përsipër organizatën në një kohë kur një konsensus i ri ekonomik ka filluar më në fund të ravijëzohët. Të frikësuar nga deflacioni dhe një recesion i ri, politikë-bërësit europianë janë bërë të vetëdijshëm se fokusi i masave kushtëzuese të aplikuara deri më sot është tepër i ngushtë. Mbështetësit e këtyre masave, të drejtuar nga Merkel, promovojnë disiplinën buxhetore si të vetmen mënyrë për të rifituar stabilitetin financiar europian, por politikat kanë pasur mjaft pasoja të tjera, që përfshijnë nivelet e larta të papunësisë dhe nivelet e ulëta dhe të rrezikshme të inflacionit. Shumë liderë europianë po kërkojnë gjithmonë e më shumë stimulimin e rritjes ekonomike. Përfaqësuesi më demonstrativ i këtij konsensusi të ri është presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Draghi, i cili në gushtin e shkuar nënvijëzoi përpara një grupi bankierësh se qeveritë europiane duhet të punojnë bashkarisht me bankën për të stimuluar konsumin dhe investimet, një vision i etiketuar nga disa si “Draghinomics” dhe që po fiton gjithmonë e më shumë mbështetës.

Më të bashkuar

Kërcënimet e jashtme dhe të brendshme ndaj bashkimit të Europës kanë ngjallur një sens të ri solidariteti. Mendja europiane është e fokusuar tek imazhet e tankëve rusë që parakalojnë drejt perëndimit. Në dy dekadat që paraprinë krizën në Ukrainë, vendet e Bashkimit Europian premtuan në mënyrë të përsëritur integrimin e politikave mbrojtëse dhe të sigurisë, por asnjëherë nuk e adresuan atë integrim. Por shtetet kanë tendencën të mblidhen së bashku kur përballen me rreziqe të jashtme të përbashkëta. Për ironi të fatit, presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë lideri që do e shtyjë Europën të bashkëpunojë në lidhje me mbrojtjen.

Faktikisht, një Rusi agresive në portat e Europës po shtyn më në fund Europën të veprojë. Megjithëse shtetet anëtare fillimisht ishin të ndarë në reagimet e tyre ndaj aneksimit rus të Krimesë në mars 2014, ndërhyrja e vazhduar e Moskës në Ukrainën lindore dhe rrëzimi i fluturimit 17 të Malaysia Airlines në Ukrainë në korrik (ku hipoteza më e mundshme është rrëzimi i avionit nga separatistët e mbështetur nga Rusia) kanë theksuar nevojën për një qëndrim të përbashkët. Që atëherë, BE-ja është përgjigjur duke vënë sanksione ndaj Rusisë dhe duke intensifikuar përpjekjet për zvogëlimin e varësisë ndaj energjisë ruse.

Teksa veprimet ruse kanë detyruar vendet e BE-së të afrohen me njëri-tjetrin, rreziku i daljes së Mbretërisë së Bashkuar mund të shërbejë gjithashtu si një forcë përbashkuese. Një tentative e Mbretërisë së Bashkuar për ta braktisur BE-në thuajse patjetër do të krijojë një diskutim të hapur për benefitet e integrimit europian.

Kryeministri David Cameron ka premtuar mbajtjen e një referendumi lidhur me qëndrimin ose daljen e vendit nga BE-ja në mes të vitit 2017, në rast se Partia Konservatore që ai drejton do të fitojë zgjedhjet e këtij viti. Por edhe nëse një referendum i tillë mbahet, ka pak gjasa që rezultati të jetë një votë për të dalë, duke marrë parasysh që vetë Cameron do të punojë për ta shmangur. Një dalje nga BE-ja jo vetëm që do të dëmtojë ekonominë britanike, por do të rizgjojë përsëri zërat për pavarësi të Skocisë, e cila është vendi më pro-europian nga pjesëtarët e Mbretërisë së Bashkuar. Cameron i druhet këtij fakti. Ai do të preferonte një skenar të ndryshëm: të lobojë në BE për koncensione më të mëdha, përpara se të bëjë fushatë për qëndrimin në BE. Nga ana e tyre, Juncker, Merkel dhe Tusk e kanë theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Mbretërinë e Bashkuar në adresimin e shqetësimeve të saj. Në fakt, gjatë fushatës elektorale në pranverën e shkuar, Juncker premtoi të bashkëpunojë me Londrën për arritjen e një “marrëveshjeje të drejtë”.

Nëse Cameron mund të fitojë lëshime specifike për Mbretërinë e Bashkuar, atëherë një referendum britanik do ta forconte bashkimin. Muajt përpara referendumit do të karakterizoheshin nga një fushatë e fortë pro-Europës, gjatë të cilës Cameron do të theksonte të gjitha benefitet e anëtarësisë në BE dhe liderët europianë do të kërkonin nga britanikët të mos largohen nga familja europiane. Një shfaqje e tillë solidariteti do të përfaqësonte një ndryshim rrënjësor nga imazhi rutinë i liderëve europianë që i hedhin fajin Brukselit për të larguar vëmendjen nga paaftësia e tyre për të qeverisur. Njëkohësisht do u kujtontë qytetarëve të Europës benefitet që kanë prej bashkimit. Nëse Mbretëria e Bashkuar do të votonte për të qëndruar në BE çështja e largimit nga unioni do të pushonte për të paktën një gjeneratë, mbështetja publike do të shumëfishohej kudo në kontinent dhe politikë-bërësit europianë do të merrnin shtysën e nevojshme për të ndërmarrë reforma kritike.

Reforma të vështira

Për të shfrytëzuar mundësinë që u paraqitet, liderët europianë duhet të fillojnë ndjekjen e një axhende të re. Nevojiten një sërë hapash të vendosur për të ringjallur ekonominë europiane, për të fituar përsëri besimin e votuesve dyshues dhe për të ritheksuar autoritetin e bashkimit në arenën botërore.

Fillimisht politikë-bërësit europianë duhet të ndryshojnë kursin e ekonomisë nga austeriteti dhe rregullat fiskale tek investimet dhe rritja ekonomike. Për shumë vite, politikat ekonomike të BE-së janë diktuar nga konservatorët fiskalë gjermanë, të cilët u kanë paraqitur kërkesa jo të qëndrueshme vendeve anëtare periferike të eurozonës, si në rastin e Greqisë dhe Portugalisë. Theksi mbi këto politika mund të ishte i nevojshëm në fillimet e krizës së eurozonës. Atëherë u përdor rreptësia fiskale për të shkurajuar idenë se në rastet e vështirësisë BE-ja do të zgjidhte vetvetiu gjithçka. Por këto politika kanë dëmtuar rritjen, kanë ndikuar në rritjen e deflacionit dhe kanë fituar mërinë e qytetarëve në gjithë kontinentin. Ka ardhur koha që liderët europianë ta ndalojnë këtë axhendë vetë-shkatërruese.

Treguesit më të fundit ekonomikë sugjerojnë se këto masa mund të thellojnë problemet ekonomike, ndërsa nga ana tjetër stimujt fiskalë mund të prodhojnë një efekt tejet pozitiv për rritjen kur implementohen në recesione të mëdha. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, përgjithësisht mbështetës i limitimit të buxheteve qeveritare, rishtazi kritikoi politikat e deritanishme europiane si tepër dogmatike. Në një analizë të vitit 2013, FMN paralajmëroi se inflacioni tepër i ulët po ndikonte në thellimin e pabarazisë së të ardhurave në eurozonë, duke thelluar papunësinë dhe duke rënduar shtresat e varfëra. Rezistenca gjermane deri më sot ka bërë që rregullat strikte fiskale të jenë ende në fuqi, por Gjermania është gjithmonë e më shumë e vetme në këtë qëndrim. Me shumë mundësi rreziku i deflacionit dhe kërkesat për politika rritjeje do e bindin Gjermaninë të mbështesë iniciativa investimi dhe, si rrjedhim, të tolerojë ri-interpretimin e rregullave fiskale.

Për kursin e ri që duhet ndjekur liderët europianë do të bënin mirë t’i hidhnin një sy planit ekonomik të “tri piketave” të kryeministrit japonez Shinzo Abe dhe të kombinonin dy elementë afat-shkurtër si zgjerimi monetar dhe stimuli fiskal me reformat strukturore afatgjata. Draghi vuri piketën e parë teksa në vitin 2012 deklaroi se Banka Qëndrore Europiane do të bëjë çfarëdo që është e mundur për të shpëtuar euron. Tetorin e shkuar, banka filloi një lehtësim të konsiderueshëm të sektorit privat duke blerë asete bankare për të injektuar para në ekonomi. Gjatë atij procesi banka u përfshi në blerjen e bondeve të mbuluara (letra me vlerë me risk të ulët që lëshohen nga bankat) dhe të letrave të tjera me vlerë, për një total prej një trilion euro. Synimi ishte lehtësimi i bankave të eurozonës dhe, si rrjedhim, rritja e kapacitetit të tyre për t’u dhënë borxh bizneseve.

Këto masa fillestare zhgënjyen mjaft investitorë të cilët druheshin se në tregun e BE-së nuk kishte asete të tilla të mjaftueshme dhe shpresonin se Banka Qëndrore Europiane do të përkushtohej edhe në blerjen e bondeve kombëtare. Kjo masë radikale ende mbetet si opsion. Por blerjet e deritanishme kanë treguar se banka është e gatshme të ndërmarrë hapa konkretë për të stimuluar ekonominë europiane.

Gjithsesi vetëm lehtësimi sasior nuk mjafton për të sjellë rritje ekonomike. Kjo politikë duhet të bashkë-rendohet me një piketë të dytë: masat fiskale që do të stimulonin në mënyrë të drejpërdrejtë rritjen e kërkesës. Komisioni Europian duket i gatshëm të veprojë në këtë drejtim. Një investim i ri me vlerën e 300 bilion euro i propozuar nga Juncker do të rrisë padyshim kërkesën duke ndërmjetësuar paratë në projekte infrastrukturore dhe do të lejonte mundësi më të mëdha veprimi për Bankën Europiane të Investimeve. Por politikë-bërësit europianë duhet të ndërmarrin hapa edhe në nivelet kombëtare, ku janë resurset e vërteta buxhetore. Ekonomitë e mëdha të Europës veriore duhet të stimulojnë kërkesën me masa fiskale. Në veçanti Gjermania duhet të lejojë rritjen e rrogave brenda vendit, në mënyrë që të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve gjermanë.

Së fundmi, qeveritë e BE-së duhet të lëvizin drejt piketës së tretë, ose më saktësisht liberalizimit të punës dhe të tregjeve së shërbimit. Këto masa do e lehtësonin punësimin e qytetarëve, por edhe largimin e tyre nga puna, duke rritur ndjeshëm konkurrencën. Ndryshime të këtij lloji godasin interesa specifike dhe sektorë të cilët janë mbrojtur deri më sot, çka shpjegon dhe vështirësinë e implementimit të këtyre masave. Gjithsesi, reformat e vështira padyshim do të ishin ndihmesa më e madhe për rritjen që mund të gjenerohet nga stimuli fiskal.

Mbështetja e monedhës së përbashkët

Njëkohësisht liderët e BE-së duhet të ringjallin besimin tek monedha e përbashkët dhe tek bashkimi monetar. Paradoksalisht, pavarësisht tronditjeve ekonomike dhe financiare, monedha e përbashkët është mjaft e pëlqyer nga votuesit europiane. Mbi 2/3 e popullsisë së eurozonës e mbështet sot euron, shifër gati e njëjtë me atë të periudhës përpara krizës. Liderët europianë duhet të tregojnë se edhe ata e mbështesin euron dhe se do të sigurojnë stabilitetin e saj në të ardhmen.

Që nga lindja bashkimi ekonomik dhe monetar i Europës ishte i paplotë në mjaft aspekte thelbësore. Futja në qarkullim e euros e centralozoi politikën monetare, por politikat fiskale i la në duart e qeverive kombëtare. Kjo dikotomi e bën të vështirë rregullimin e ekonomive kombëtare, teksa ato preken ndryshe nga tronditjet ekonomike. Për më tepër, megjithëse tregu i përbashkët u dha mundësi bankave të ofronin shërbime financiare përtej kufinjve kombëtarë, përgjegjësia për rregullimin e këtyre bankave u mbeti qeverive individuale. Rreziqet që kjo strukturë kishte në vetvete u bënë evidente sapo u shfaq kriza e eurozonës dhe kriza bankare kërcënoi aftësinë paguese të vendeve anëtare, të cilave u mungonin mekanizmat e konsoliduar të shpëtimit. Për të perifrazuar Mervyn King, ish-guvernatorin e Bankës së Anglisë, bankat e BE-së ishin europiane në jetë, por kombëtare në vdekje.

Për të ndryshuar këtë realitet, BE-ja duhet të konsiderojë futjen e sigurimeve të përbashkëta të depozitave dhe përshpejtimin e një linje emergjence për kreditimin e bankave në rrezik falimentimi. Këto masa do të transformonin imazhin publik të BE-së nga një mbrojtës i masave shtrënguese, në një mbrojtës të pasurisë. Depozitorët e bankave të eurozonës, për shembull, duhet të shohin njoftime që i sigurojnë se BE-ja është garant për kursimet e tyre.

Bashkimi Europian ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm drejt bashkimit bankar gjatë tre viteve të fundit: ka fuqizuar Bankën Qëndrore Europiane për të rregulluar bankat e mëdha të Europës dhe ka krijuar një autoritet qëndror për përballimin me falimentimet e bankave specifike. Gjithsesi deri më tani nuk ka krijuar një sistem të centralizuar për sigurimet e depozitave. Për më tepër, mekanizmi i emergjencës mbetet i paplotë dhe politikat e tij janë jo të përshtatshme për përballimin e falimentimit të bankave të mëdha. Gjermania ka drejtuar zërat opozitarë të këtyre masave, duke iu frikësuar faktit se gjermanëve do iu duheshin të bëheshin garant për depozitorët në Itali, Spanjë dhe gjetkë. Mbrojtësit e eurozonës duhet ta kundërshtojnë këtë logjikë duke theksuar se një bashkim monetar i qëndrueshëm, të cilin Gjermania e mbështet, ka nevojë për një bashkim bankar me sigurime depozitash të njehsuara dhe një rezervë fiskale të përbashkët.

Së fundmi, në terma afatgjatë BE-ja duhet të konsiderojë lëshimin e limituar të eurobondeve, një instrument që do lehtësonte borxhet e vendeve anëtare duke përdorur euron. Merkel dhe Schauble, ministri gjerman i financave, e kanë kundërshtuar vazhdimisht një lëvizje të tillë, duke iu frikësuar asaj që ata e quajnë “një bashkim borxhi”. Në fakt është e vërtetë që edhe një skemë eurobondesh e mirë-konceptuar do të krijonte disa rreziqe morale. Por avokatët e kësaj strategjie duhet të theksojnë benefitet e shumta. Eurobondet do siguronin stabilitet të tregut financiar, do të rrisnin rolin e euros si një monedhë globale, do të rrisnin likuiditetin e tregut europian të bondeve dhe do t’i jepnin më në fund eurozonës asetin e përbashkët për të cilin ka nevojë në raste krizash. Këto benefite të sigurta i tejkalojnë kostot e mundshme.

Një bastion vlerash

Teksa vendet europiane thellojnë integrimin ekonomik ata duhet t’i kujtojnë vetes se vlerat europiane duhen mbrojtur po aq sa stabiliteti financiar. Agresioni i Rusisë në Ukrainë shërben si një rikujtues dramatik i rreziqeve me të cilat përballen vendet europiane dhe, njëkohësisht, i paaftësisë së BE-së për të ravijëzuar politika të përbashkëta sigurie. Ky dështim nuk është pasojë e mungesës së mbështetjes publike. Sipas anketimeve të Eurobarometrit (sondazhe të rregullta të organizuara nga Komisioni Europian), pavarësisht zhgënjimit në rritje me BE-në, më shumë se 70% e europianëve duan që unioni të zhvillojë një politikë të përbashkët mbrojteje. Megjithatë qeveritë kombëtare i kanë injoruar vazhdimisht dëshirat e publikut dhe u kanë qëndruar bësnike industrive të fuqishme ushtarake të vendeve të tyre.

Për ironi të fatit, dëshira e Mbretërisë së Bashkuar për të rinegociuar kushtet e anëtarësisë së BE-së mund të ofrojë një mundësi të artë për ta adresuar këtë çështje. Teksa liderët europianë do marrin parasysh kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar për një sërë çështjesh, ata duhet ta shtyjnë atë të ngrihet në rolin e një lideri në lidhje më çështjet e sigurimit dhe me punët e jashtme. Si fillim, Mbretëria e Bashkuar mund të drejtojë përpjekjet për lobimin tek vendet anëtare për të bashkuar resurset ushtarake. Edhe pse ideja se Mbretëria e Bashkuar do të mbështeste një politikë mbrojtëse të përbashkët duket jo e besueshme, nuk është e pamundur. Teksa buxheti i saj ushtarak bie nga viti në vit, rritet mundësia që Mbretëria e Bashkuar të bëhet një fuqi ushtarake e dorës së dytë. Për këtë shkak mund të tundohet nga ulja e kostove dhe, njëkohësisht, rritja e prestigjit si një lidere e BE-së në politikat e jashtme dhe në ato të mbrojtjes.

Nuk mund të ketë politikë të besueshme europiane në fushën e sigurimit dhe të mbrojtjes pa Mbretërinë e Bashkuar, vendin që ende mbetet më i fuqishmi ushtarakisht në Europë (i rivalizuar vetëm nga Franca). Ftesa drejtuar Londrës për të marrë përgjegjësi më të mëdha në këtë fushë mund të justifikojë edhe përfshirjen e saj e ulët në fusha të tjera të integrimit europian, si dhe mungesën e saj në bashkimin financiar.

Në këtë prizëm mund të ndihmojë shumë edhe rritja e bashkëpunimit në fusha të tjera, si për shembull në politikat energjitike. Rruga më e mirë për t’iu kundërvënë varësisë energjitike europiane ndaj Rusisë është krijimi i një bashkimi të vërtetë energjitik europian, një ide që u mbrojt nga Tusk pranverën e kaluar. Nëse krijohet, ky institucion do të negociojë kontratat e gazit për të gjithë vendet anëtare të BE-së dhe do të koordinojë veprimet në rast të një ndërprerjeje të gazit nga Rusia. Një bashkim energjitik do të ndihmonte njëkohësisht edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe në krijimin e rrugëve të reja për të importuar gaz natyror nga ofrues të tjerë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Megjithëse progresi në këtë fushë ka qënë i ngadaltë, kryesisht për shkak të konflikteve të interesit dhe debateve në lidhje me ndarjen e barabartë të barrës, kërcënimi që paraqet agresioni i Putin mund ta bindë Europën të bashkohet.

Kërcënimet e brendshme ndaj integritetit të BE-së mund të rezultojnë gjithaq të rrezikshme sa ato të jashtmet dhe, për këtë arsye, Bashkimi Europian duhet të veprojë në mënyrë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit brenda kufinjve të saj. Disa vende anëtare kanë pësuar një regres demokratik në vitet e fundit. Mbi të gjithë, Hungaria paraqet një test kritik për Europën e bashkuar. Që nga ardhja në pushtet në vitin 2010, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka eliminuar gjithë kontrollet demokratike, ka cënuar pavarësinë e gjyqësorit, ka shkatërruar pavarësinë e medias, ka instaluar besnikë të tij në institucionet më të rëndësishme dhe ka ndryshuar ligjet elektorale për të favorizuar partinë e tij. Në korrik Orban deklaroi publikisht synimin e tij për të braktisur demokracinë liberale dhe për të ndërtuar një shtet joliberal, duke cituar Kinën, Rusinë, Singaporin dhe Turqinë si modele të suksesshme. Megjithë këto zhvillime BE-ja ende nuk ka reaguar në mënyrë konkrete. Tentativat e Bashkimit Europian, kryesisht lëshimi i raporteve kritikë dhe ngritja e një sërë aksionesh ligjore në gjykatat europiane, kanë dështuar në ndalimin e rrugës së ndërmarrë nga Orban dhe kanë ngritur dyshime të thella rreth aftësisë dhe vullnetit politik të unionit për të mbrojtur vlerat që thotë se përfaqëson.

Bashkimi Europian duhet të ketë një qëndrim shumë më të ashpër dhe kritik ndaj regjimit të Orban. Komisioni Europian duhet të vërë në zbatim të ashtuquajturën proçedurë të artikullit të shtatë, e cila do të pezullonte të drejtën e votës së Hungarisë për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm të vlerave themelore të BE-së. Çka është edhe më e rëndësishme, liderët europianë duhet të denoncojnë veprimet e Orban. Për një kohë të gjatë, liderët e Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, grupi politik në të cilin bën pjesë edhe partia e Orban, e kanë mbrojtur qeverinë e Orban nga kritikat, për interesa meskine. Këta liderë, ndër të cilët janë Juncker, Merkel dhe Tusk, duhet të deklarojnë patjetër se taktikat e Orban tradhëtojnë parimet e tyre dhe të Europës.

Deri më sot Orban e ka përdorur kriticizmin europian në favor të tij, duke shfrytëzuar një retorikë populiste që e akuzon Brukselin për futjen e hundëve në punët e brendshme të Hungarisë. Por nëse liderët europianë të qendrës së djathtë, anëtarë të të njëjtës familje politike me Orban, do u bashkohen zyrtarëve të BE-së në denoncimin e veprimeve të tij, atëherë Orban do të vihej me shpatulla pas murit.

Bashkim Europian vetëdeklarohet si një bashkim vlerash demokratike dhe ka pasur një ndikim gati magnetik mbi vendet fqinjë, të cilët ndërkohë kanë kaluar në tranzicione demokratike. Protestat pro-demokracisë në Ukrainë, të cilat rrëzuan qeverinë e korruptuar të Yanukovych në shkurt të vitit 2014, ishin një shenjë e qartë se vendet që aspirojnë demokracinë e shohin BE-në si një bastion të lirisë. Por nëse Bashkimi Europian toleron qoftë edhe vetëm një shtet anëtar të bjerë në autokraci, atëherë vlera e anëtarësisë në BE do të zvogëlohet në mënyrë të pakthyeshme.

Magjia europiane

Skeptikët kanë dekada që planifikojnë funeralin e BE-së, por dëri më sot bashkimi ka refuzuar të vdesë. Gjatë krizës së fundit të BE-së qeveritë kombëtare edhe njëherë zgjodhën përkushtimin ndaj projektit europian. Gjithsesi kjo rritje e shpejtë e fuqisë së BE-së ka sjellë disa politika të gabuara dhe jo-produktive, të cilat cënuan mbështetjen publike dhe e lanë BE-në në një agoni të thellë. Qytetarët europianë sot injorojnë mjaft nga arritjet ose i marrin ato si të mirëqëna, dhe e barazojnë organizatën me vuajtje ekonomike dhe lidership të plogësht. Bashkimi duron, por e ka humbur magjinë.

Përballja kaotike me kriza të ndryshme e ka konsumuar BE-në që ne njohim. Kalimi nga një problem në tjetrin e ka dëmtuar kredibilitetin e Brukselit dhe të qeverive kombëtare. Prandaj është e nevojshme një axhendë e re, e qartë dhe afatgjatë. Për të patur një Europë të rilindur dhe të gatshme për shekullin XXI. është e nevojshme që liderët europianë të theksojnë me vendosmëri (në ekonomi, çështjet e sigurisë dhe në vlerat demokratike) se Europa është më e fortë kur qëndron e bashkuar.

Solli në shqip Akri Çipa

Facebook Comments

POST A COMMENT.

2 × five =