PD paralajmëron protesta të fuqishme nëse Edi Rama nuk tërhiqet nga ritja e çmimit të energjisë

AktualitetKryesore
283
0
sample-ad

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike tashmë është një fakt. Rama, çuditërisht harroi premtimet e tij në 2013, për ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë. Ai harroi gjithashtu premtimet për ndihmë emergjente ndaj familjeve që nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë, për skema lehtësuese dhe mosnjohje të faturave abuzive. Të gjitha u harruan…”.

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi denoncoi rritjen e çmimit të energjisë që sipas tij do të prekë mirëqenien e çdo familje shqiptare. Boçi tha se kryeministri Rama harroi premtimet për uljen e çmimit të energjisë dhe për ndihmë ndaj familjeve që nuk kanë të paguajnë.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike tashmë është një fakt. Rama, çuditërisht harroi premtimet e tij në 2013, për ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë. Ai harroi gjithashtu premtimet për ndihmë emergjente ndaj familjeve që nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë, për skema lehtësuese dhe mosnjohje të faturave abuzive. Të gjitha u harruan. Ndërsa sot, e vërteta është që përfundimisht çmimi u rrit dhe kjo rritje do të na prekë të gjithëve”, tha deputeti i PD-së.

Ai sqaroi se rritja do të prekë 76% të konsumatorëve, të cilët do të paguajnë 24% më shtrenjtë energjinë.

“Do të prekë në radhë të parë 76% të konsumatorëve të cilët që nga 1 janari do të paguajnë 24% më shtrenjtë energjinë e tyre. Nga 7.7 në 9.5 l/kë/muaj, pa llogaritur edhe shtesën 20% të TVSH-së. Këto janë shtresat më të prekura të popullatës, dhe paratë për të paguar rritjen e çmimit do t`i heqin nga ushqimi dhe veshmbathja për kalamajtë dhe familjarët e tyre. Kompensimi i premtuar i qeverisë është qesharak kundrejt nevojave të vërteta të kësaj shtrese”, tha Boçi.

Ai deklaroi se për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, të gjithë qytetarët do të përballen me rritjen e çmimit të produkteve bazë.

“Por çmimi është rritur edhe për pjesën e mbetur të konsumatorëve; nga 1 janari 2015 shumë produkte bazike si buka, vezët, qumështi, etj do të jenë më të shtrenjta për të gjithë ne, si pasojë e rritjes shumë të madhe të çmimit të energjisë për prodhuesit”, tha deputeti Boçi.

Ai shtoi se opozita e kishte paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë. “Kjo është e vërteta e hidhur, të cilën opozita e kishte paralajmëruar me kohë që kur denoncuam megaskandalin financiar dhe moral të CEZ-it, ku 600 milionë euro të shqiptarëve përfunduan në xhepat e kompanisë çeke.
E kishim paralajmëruar me kohë kur denoncuam dhe vazhdojmë të denoncojmë keqadministrimin e kompanisë, në postet drejtuese të së cilës u vendosën persona me precedentë penalë, të parë abuzues me energjinë elektrike janë ata vetë”, tha ai.

Deputeti Boçi akuzoi Ramën se po tenton të shesë për suksese, dështimet e tij.

“E në këtë çast, kryeministri reket të argumentojë se çmimi energjisë në fakt na qenka ulur. Nuk ka situatë më qesharake se kjo që Rama ka futur veten e tij. Por tashmë i është bërë ves ky qëndrim. Siç ndodhi me rritjen e taksave individuale dhe tatim fitimit me 50%, kur përpiqej t`i mbushte mendjen shqiptarëve se në fakt i kishte ulur taksat për 95% të tyre; Siç ndodh me ofrimin falas të shëndetësisë, apo me legalizimet falas, etj etj.
Siç po ndodh rëndom kur dështimet përpiqet t`i shesë për suksese”, tha Boçi.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të tërheqë rritjen e çmimit të energjisë, pasi në të kundërt do të përballet me protesta.
“Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë rritjen e çmimit të energjisë. Përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi”, përfundoi deputeti Boçi.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

four − three =