Familja Zhiti pas humbjes së djalit: Pranoni nga ne këto fjalë…

AktualitetKryesore
304
0
sample-ad

Në foto: Atjon ZHITI, që aksidentalisht u nda nga jeta pak ditë më parë

“Do të donim t’i kujtonim një për një, me emra, do të donim t’i falenderonim për gjithçka, edhe për duartrokitjet me të cilat u përcuall Biri ynë, kuartetin e harqeve, i premtuar për datëlindjen e tij të 20-të, për karafilat e kuq që hodhën mbi arkmort studentë e bashkëmoshatarë…”.

Duam t’u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre që na u gjendën  në dhëmbjen e madhe që na ra befas, kur shtëpia jonë u mbush me dritën e qirinjve të vdekjes.

Djali ynë Atjon Zhiti ndërroi jetë para ca ditësh në një aksident rrugor pas një feste me shokë dhe shoqe. Shpejtësia e madhe si e dëshirave të tij, pengesat e rrugës si një mallkim i kobshëm e çuan në tragjedi, duke i ndërprerë pa mëshirë gjithçka që sapo kishte nisur…

Përmes pikëllimit të thellë e hutimit mortor i falenderojmë mediat elektronike dhe ato të shkruara që jo vetëm e dhanë lajmin e zi duke shpërndanë imazhe të studentit 19 vjeçar të filozofisë Atjon Zhiti, por në shumicë botuan shkrimin e fundit të tij, të cilin e priste, por nuk e pa dot. Po kështu botuan dhe artikuj të veçantë që i kushtoheshin atij, njëri e shihte si trishtim në të gjithë Shqipërinë, tjetri ulërimë oqeanike, se ndodhej buzë oqeanit kur mori kumtin, ndërsa një prift zbulonte një mision të shenjtë te Atjoni ynë, etj, etj.

Së pari ne u dëshirojmë çdo të mirë të gjithë atyre që na thanë fjalë ngushëlluese apo u përlotën bashkë me ne apo heshtën, që nga fqinjët tanë të mirë e deri tek të njohurit e largët e të pa njohurit, nga kudo, nga miqtë nga Shqipëria e Kosova, nga Italia, ku djali ynë studionte në Milano, në Universitetin “Sacro Cuore”, nga Anglia e Greqia, Zvicra, Franca, Austria, SHBA-ja, Belgjika, Austria, Izraeli, etj, mirënjohje të gjithë atyre që kaluan pragun e derës tonë për të trembur mortjen, shokët dhe shoqet e shumtë të Atjonit, që sillnin forcë jete, pedagogë, shkrimtarë, bashkëvuajtës, deputetë, klerikë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ambasadorë, ish ministra, ish Presidentë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku djali ynë shkonte me dëshirë, etj, etj, deri edhe alpinistët që iu ngjitën Himalajeve, pamë qiellin afër Zotin, na thanë, nuk dihen misteret e tij, kurse ne tani na mjafton një copëz tokë sa një varr dhe humnera e saj…

Do të donim t’i kujtonim një për një, me emra, do të donim t’i falenderonim për gjithçka, edhe për duartrokitjet me të cilat u përcuall Biri ynë, kuartetin e harqeve, i premtuar për datëlindjen e tij të 20-të, për karafilat e kuq që hodhën mbi arkmort studentë e bashkëmoshatarë, për tufat me lule e kurorat që na erdhën nga kudo, nga ministra e deri dhe nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Dhe ata që s’mundën të vijnë dot i kuptojmë…

Humbja që pësuam ne është e madhe dhe e gjithmontë, e pa qetësueshme kurrë, mbase vetëm kur të jemi pranë birit tonë, por do deshëm të thoshim tani se, kur besimi ynë në qiell u trondit së tepërmi, na u shtua besimi në njerëz…                                                                                                       

Shoqet dhe shokët e Atjonit i falenderojmë veçanërisht për gëzimet që kanë kaluar ata së bashku, për aventurat e pafajshme rinore, që e duan aq shumë, gjithmonë në kohë të tashme, për ato që thonë dhe shkruajnë për Atjonin e tyre, për takimet ku ai vazhdiumisht është…

Shokët dhe shoqet e Atjonit, një pjesë të cilëve kanë ardhur për pushimet e fundvitit nga universitete të ndryshme të botës, na thonë se Atjoni kishte një ëndërr dhe një përkushtim në arritjen e saj, ne e dimë cila është, shtojnë ata dhe buzëqeshin, është dhe jona, e dëshmojnë dhe ato pakëz shkrime që na la e arriti të botojë, e shpalosin dhe veprimtaritë e tij të porsanisura në Parlamentin Rinor Europian, si p.sh., në Riga, Barcelonë, etj, si dhe takimi i fundit për të të cilin po punonte, do ta kryenin në Shqipëri, në Korçë, i binduar se do të tregonte diçka të vyer nga vendi.

Ah, ne vetëm deshëm të përuleshim me nderim para dhëmbjes e mirësisë së të gjithëve atyre që na u gjendën, secili siç mundëte, në hatanë tonë dhe deshëm të thoshim diçka që e dinë të gjithë, por jo gjithmonë ndjehet, për fat të keq dhe harrohet, që nuk ka pasuri më të shtrenjtë e më të shenjtë se jeta dhe jeta e gjithsecilit është po aq dhe e të tjerëve që ka përreth dhe e duan, është lidhur dhëmbshëm, tmerrshëm, ulëritshëm dhe atë, jetën tënde, duhet ta ruash po aq shumë dhe për të tjerët, të rinjtë sidomos të ruhen nga gropat që ne kemi lënë rrugës, të mos i shndërrojnë në varre, se ky është fatkobi, apokalipsi…

Ndërkohë po e mbyllim, me sytë plot lotë, duke i dëshiruar kujtdo të mirën që do të donte vetë e që vlen për të gjithë, vite të rinj të begatë atdheut, me besimin se ëndrra e Atjonit dhe e të rinjve për një jetë më të bukur është gjithandej, ata po kulturohen për t’i bërë të vërteta vizionet dhe idetë, të cilat janë më të mira se sa tonat dhe do të dijnë t’i përmbushin më mirë se sa ne.

Amen!

Eda e Visar Zhiti   /  Tiranë, 29 dhjetor 2014

Facebook Comments

POST A COMMENT.

17 − four =