Arbitrariteti i pushtetit

Editorial
339
0
sample-ad

Nga: Xhovani SHYTI * – Zërat për ndërmarrjen e veprimeve arbitrare nga ana e institucioneve të pushtetit vijnë duke u shtuar. Policë e pranga për gjithçka, pagesa dy herëshe nga frika se mos i pushojnë nga puna edhe kur faji nuk është i qytetarëve klientë, por i vetë strukturave qeverisëse të këtij shteti.

Të strukturave zyrtare që, çuditërisht, nuk duan të njohin madje as firmat e as vulat e njëri tjetrit, por vetëm sjelljen arbitrare të përmbledhur në togfjalëshin: paguaj ndryshe…Po nuk u binde pasojat do të jenë ose ndërprerja e marrjes së shërbimit, ose pushimi nga puna në institucionet e administratës zyrtare shtetërore, ku punon.

Për çfarë? Pikërisht këtu nis ironia. Nëse nuk pranon të ripaguash faturën për po të njëjtin konsum energjie për të cilin ke paguar më pare?! Nuk është as metaforë dhe as fantazi gazetareske.

Raportimi më i freskët vjen nga Gjirokastra, pikërisht sot, por ka jo pak raste të tilla të ndodhura në Lushnje, në Fier, në Berat, në Shkodër, nëVlorë, madje-madje edhe në Tiranë.

“Ditët e fundit përpara zyrave  të OSHEE në Gjirokastër shikon me dhjetra qytetarë që presin për të paguar faturat e energjisë elektrike. Midis tyre ka nga  ata që janë vërtete debitorë, por ka edhe të  tjerë që edhe pse kanë paguar rregullisht konsumin e energjisë çuditërisht rezultojnë  debitorë dhe janë të detyruar të paguajnë për herë të dytë”, ka raportuar gazetari i “shtypi.net” në Gjirokastër, mëngjesin e sotëm.

Fjala është për qytetarë-klientë që për të vërtetuar shlyerjen disponojnë firmat e vulat e marra pas kryerjes së pagesave të çdomujorëshme, pranë arkave të ish-KESH-it, ish-CEZ-it, çrendësi ka si quhej, por edhe ndër arkat e Postës shqiptare e bankave.

Mirëpo OSHEE-ja e sotme pretendon të kundërtën, pra qënien ende debitorë të këtyre qytetrë-klientëve. Madje duke shfrytëzuar autoritetin e pushtetit, në rrugë arbitrare, pra anti-ligjore, punonjësit e OSHEE nuk u’a njohin klientëve as firmën e hedhur në librezë nga nënpunësja e postës, ku është kryer pagesa, as vërtetimin e Bankës ku janë derdhur lekët dhe asnjë dokument tjetër të natyrës zyrtare. E vetmja alternativë që u lënë punonjësit e urdhëruar të OSHEE është pagesa edhe kur ke paguar, ndryshe ndëshkim sipas “ligjeve në fuqi”.

R. Shabani, policë në komisariatin e Gjirokastrës thotë për “shtypi.net” se, edhe pse është pagues i rregullt i energjisë, që ka konsumuar në familje, në OSHEE rezulton debitorë për vitin 2011. Shabani i ka të gjitha letrat që vërtetojnë pagesën,por paguan prapë për vitin 2011, pasi nëse nuk paguan do të  pushohet nga puna.

Po të njejtën përgjigje jep edhe N. Nebiaj, nga  fshati Valar. Pasi tregon librezën e firmosuar në postë, ku ka kryer pagesat, ai paguan sërsisht energjinë e vitit 2013, pasi, padrejtësisht, rezulton debitor.

“U detyrova të paguj për herë të dytë, pasi më kanë kërcënuar djalin për largim nga puna e shtetit”, thotë Nebiaj, duke akuzuar OSHEE, se po i grabit në mes të ditës.

Absurde, sigurisht, por edhe një tjetër fakt për të vërtetuar sjelljen arbitrare të pushtetit, që kërkon ta sjellë rilindjen me pranga, duke mos njohur e respektuar të drejtat e takspaguesve. Pa respektuar ligjet në fuqi, por as vulat e firmat e strukturave të veta.

* Kryeredaktor i “shtypi.net”

Facebook Comments

POST A COMMENT.

13 − 2 =