A mjaftojnë vetëm prangat për ta rilindur Shqipërin?!

Editorial
336
0
sample-ad

Nga:  Xhovani SHYTI – Për ta rilindur shtetin  shqiptar pas 2013, të bërë sallat në gjithë strukturën e vet bazike institucionale, por edhe sociale etj., Qeveria e ka parë të domosdoshme ta fillojë me marrjen e masave drastike ndaj të gjithë atyre qytetarëve të cilët kanë marrë shërbime, sipas saj:  jo në rrugë ligjore, por duke ndjekur rrugë abusive. Bukur fort, mirëpo a mjaftojnë vetëm prangat?

Është një pyetje që provokon debate dhe sjell përgjigje të ndryshme. Ka që argumentojnë se pas prangave vjen rilindja. Përgjithësisht këta janë të lidhurit si mishi me thoin me partitë që qeverisin dhe argumentin më shumë e kanë dëshirë sesa mjet vlerësimi për të vërtetën.

Ka të tjerë që qeverisjen, sipas metodës së dhunës e në emër të mbrojtjes së autoritetit të ligjit e shtetit, e quajnë amatorizëm, kollajllëk. Këta janë të shumtët dhe gjykojnë me kokën e tyre. Duke argumentuar se kanë qenë qeveritë e po këtij shtet që kanë stimuluar sallatizimin ndaj dhe përgjegjësia është e dyzuar.

Logjika e dytë është më e pranueshmja, jo vetëm sepse bëhet fjalë për të mbrojtur të pambrojturit nga arbitrariteti i qeverisë, por sepse kemi të bëjmë me sjellje ligjërisht të pajustifikuara. Nga njera anë abuzuesit e prangosur dhe nga ana tjetër zyrtarët apo ish zyrtarët, që kanë stimuluar kulturën e përvetësimit të pamerituar,por që vazhdojnë t’i gëzojnë trofetë e ndereve ati-ligj.

Të prangosurit vërtetë janë mosrespektues të ligjeve, por ama kultura e tyre është kultivuar përpara syve të qeverisësve. E zyrtarëve të shkuar, apo aktual çrendësi ka. Mu përpara hundës së po këtyre organeve e institucioneve shtetërore, që janë akoma më shumë përgjegjëse për këtë situatë. Që janë përgjegjës kryesorë për kultivimin e kulturës së preferimit të dhënies së 500 lekëve nën dorë për Lalën dhe jo të 50 000 lekëve për Salën (është fjala për qeverinë e Sali Berishës, periudhë në të cilën edhe ka dalë shprehja).

E zyrtarëve të po këtij shteti, që, megjithse janë përgjegjës dhe përfitues të miliona të ardhurave nga rryshfetet e marra nën dorë, nuk po u hyn dhe nga sa duket as që kanë për t’ju hedhur prangat, si gjithë të prangosurve të derisotëm e të atyre që do të vijojnë.

Të prangosurve për mospagim faturash të energjisë elektrike e lidhje të paligjshmë, që, në fakt, janë stimuluar nga punonjësit e paguar nën dorë të KESH-CEZ-it.

Të prangosurve për ndërtimet pa leje, që në fakt janë bërë duke paguar po nën dorë punonjësit e administratës zyrtare të po këtij shteti.

Të prangosurve për mospagim të detyrimeve financiare tatimore, që në fakt i’a kanë bërë pagesat e reduktuara nën dorë inspektorëve, shefave, drejtorëve etj. zyrtarëve, të cilët, sakaq vazhdojnë të bëjnë qejfe me këto të ardhura të paligjëshme.

Mund të vazhdonim edhe me raste nga sfera të tjera të jetës. Por palët janë të pozicionuara në po të njejtin raport. Pra ca me pranga ndër duar e nëpër burgje, nga që i kanë shmangur proçedurat ligjore, dhe i janë bindur presionit të zyrtarëve për ti bërë privatisht e me pagesa nën dorë këto proçedura, dhe këta të fundit me xhepat, kasafortat e numrat e llogarive plot. Me të ardhura të fituara në rrugë antiligjore, e që do vazhdojnë ti gëzojnë përderisa qeverisësit kërkojnë ta rilindin vendin e sallatizuar për më shumë se dy dekada, duke aplikuar vetëm teorinë e prangave për më të pambrojturit.

Janë pranga, natyrisht të domosdoshme për të sjellë rilindjen, por që nuk do të kenë rezultat nëse nuk korigjohet shënjestra. Nëse nuk shtrëngojnë më së pari duar zyrtarësh, të lartë, të mesëm e të vegjël, përfitues të nëndorës e përgjegjës të katrahurës shqiptare.

Nga që përherë zyrtarët kanë dalë pa lagur e të ndëshkuarit kanë qenë të dobëtit, po ndodh që fenomeni i pagesave nën dorë të zyrtarëve që kanë në dorë dhënien e shërbimeve të vazhdojë lulëzimin edhe në këtë epokë të Qeverisë së Rilindjes.

Të Qeverisë që, më së pari, duhet të ofrojë mundësi për hapje vëndesh pune e lehtësi biznesi, mundësi shëndoshjeje të të ardhurave e financave familjare, dhe pastaj pranga.

Sepse përvojat botërore, me raste të ngjashme, mësojnë se urdhërat e parë që kanë dhënë burrat e shtetit, pas zotimit për të sjellë rilindje, kanë qenë ato të ngritjes së pagave e të hapjes së vëndeve të reja të punës. Me të vetmin qëllim: shëndoshjen më së pari të financave dhe ngritjen masivisht të mirëqënies. Dhe në fund prangat për atë pjesë që e ka vesë abuzimin dhe shkeljen e ligjit.

 Xhovani SHYTI  / Kryeredaktor i “shtypi.net”

Facebook Comments

POST A COMMENT.

12 + eighteen =