Shkrimi që fitoi çmimin e parë të konkursit vjetor "Vangjush Gambeta"

AktualitetKryesore
315
0
sample-ad

Titulli i shkrimit që u nderua me çmimin e parë, nga juria e konkursit vjetor 2014 “Vangjush Gambeta”, titullohet: “Borxhe publike për të shlyer gjynahet e zyrtarëve”. Autori i tij është Xhovani Shyti. Ja çfarë trajtohet në të…

Paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë (BSH) do të zëvendësohen nga buxheti  i  shtetit, ka qenë njoftimi më i fundit , lidhur  me  perspektivën e shumës  përmbi 7 milion dollar  të grabitur në këtë  bankë, e që, ndonëse kanë kaluar disa muaj  nga hetimi ende  nuk  është  arritur ti zbulohet vendndodhja.

Në vazhdim  të mënyrës  sesi  do të operohet  për zvendësimin e  kësaj shume,  televizionit  ”top-channel” ,  ka njoftuar se BSH  do e ngarkojë të gjithë koston e parave të vjedhura drejtëpërdrejtë tek taksapaguesit nëpërmjet uljes së fitimit që ajo transferon në buxhetin e shtetit.

“Vjedhja e parave në arkën stok pakësoi kapitalin e Bankës së Shqipërisë me 713 milionë lekë ose 7.1 milionë dollarë. Në këtë situatë drejtuesit e saj kanë vendosur që ta rikuperojnë kapitalin e humbur, nga fitimi që Banka derdh në buxhetin e shtetit. Kjo do të thotë se vitin e ardhshëm buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 7.1 milionë dollarë, para të cilat mund të ishin përdorur për investime apo qëllime të tjera në shërbim të qytetarëve”, bënte të ditur televizioni TCH që së bashku me lajmin sipas të cilit  prokuroria ka hedhur dyshime se shifra e vjedhjes mund të jetë disa herë më e madhe, njoftonte edhe se: “…Nëse këto dyshime vërtetohen, atëherë vitin tjetër Qeveria jo vetëm që s’do të marrë asnjë lek fitim nga Banka e Shqipërisë, por mund të detyrohet edhe të marr borxh për të plotësuar kapitalin e humbur të Bankës, në kushtet kur prokuroria të paktën deri më tani ka dështuar të gjejë paratë…”.

Borxh shtetëror për të shlyer pasojat e kusureve që vijnë nga zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës, të cilët, herë nga paaftësia profesionale e herë nga dëshira e qejfi për ti shtuar të ardhurat personale në rrugë jo të ndershme, por duke abuzuar me detyrën, arrijnë të shkaktojnë gropa të zeza financiare në fondet publike dhe ekonominë e vendit.

Dhe këtu absurdi zë e ngrihet në përmasën e fenomenit. Sepse mbulimi i gropës së zezë financiare, të shkaktuar nga vjedhja e përmbi 7 milion dollarëve në Bankën e Shqipërisë, me fonde të rrjedhura prej buxhetit të shtetit,domethënë  me të ardhurat e takspaguesve, është më i fundit, por jo rasti i parë i këtij lloji.

Edhe një fond i akorduar nga institucione ndërkombëtare, ca vite më parë, shkoi  për të mbushur një tjetër gropë të zezë financiare të rrjedhur nga dëmshpërblimi që i duhej bërë punonjësve të administratës shtetërore të pushuar padrejtësisht nga puna e për të cilët, krahas të tjerave, gjykatat kishin vendimuar përfitimin e pagesës së mohuar, disa mujore apo disavjeçare, të tyre.

Por me të ardhura të dala nga buxheti i shtetit, domethënë me fonde të publikut,  janë përballuar edhe kosto të tjera të rrjedhur nga kapriçiot e zyrtarëve sarhosh. Dëmi vjetor i të cilëve, thuhet se shkon në rreth pesëqind milion lekë.

Sikurse prej po të njëjtave fondeve të publikut kanë dalë edhe shumat e duhura për të mbuluar gafat e prokurorëve e gjyqtarëve, të cilët për paaftësi profesionale, për përfitime, apo arsye të tjera, kanë dhënë dënime të pamerituara për njejrëz të cilët më pas kanë marrë pafajësi. E që ligjërisht, pikërisht për këtë arsye,duhej të përfitonin dëmshpërblimin kompensues për ditëqëndrimet e padrejta nëpër burgje.

Nga fondet e buxhetit  të shtetit, domethënë  të  taksapaguesve,  u  dëmshpërblye  edhe  ish kryeministri Fatos Nano,  për periudhën disavjeçare të burgut  të kryer gjatë kohës  kur qeveriste Partia Demokratike,  pasi u shpall  i  pafajshëm  nga po të njëjtat gjykata që e  dënuan,  por  që vepronin në  kohën  kur  nga  i  burgosur  në  Bënçë  Nano  ishte konvertuar në Kryeministër.

Por  po  nga buxheti i shtetit,  domethënë  me fondet publike  u  dëmshpërblyen edhe   pjesëtarë të ish nomeklaturës komuniste të dënuar në fillimvitet ’90-të, e  të shpallur të pafajshëm  kur  raporti politik ndryshoi balancën e pushtetit qeverisës. Sikurse me fonde të marra borxh e që i kanë rënduar dhe do ti rëndojnë supeve të taksaguesve  janë shlyer e do të shlyen ish të dënuarit e të persekutuarit përgjatë kohës së komunizmit, por edhe do të kompensohen pronarët.

Sikurse kanë dalë po prej buxhetit të shtetit, fondet publike të të ardhurave të duhura për të realizuar dëmshpërblimin e personave që nëpërmjet dhënies së rryshfetit  kanë arritur të sigurojnë leje ndërtimesh të paligjëshme, duke cënuar projektet urbane që kanë detyruar e detyrojnë prishjen e tyre…

Janë  shuma të konsiderueshme borxhesh të marra nga qeveritë e shkuara që jo vetëm nuk  e kanë përmirësuar situatën ekonomiko-financiare të vendit, por, përkundrazi e  kanë  shpënë  në  të  tillë gjëndjeje sa detyrojnë borxhmarrjen edhe prej qeverisësve të rinj. Borxhmarrje të detyrueshme për të  normalizuar situatat e kolapsit ndër  sektorë të veçantë, shumat  jo të vogla të të cilave janë një tjetër barrë për buxhetitn e shtetit, domethënë për  fondet  publike .

Sikurse kanë njoftuar burimi zyrtarë i Ministrisë së Energjitikës  dhe asaj të Financave, pas kërkesës së bërë, Banka Botërore (BB) ka vendimuar  dhënien e  shumës 150 milion dollar  për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).Borxhi i marrë ka si objekt eliminimin e humbjeve në rrjet,por edhe zbutjen e situatës së vështirë financiare të kësaj korporate, borxhi i përgjithshëm i të cilës , sipas të dhënës  së saj zyrtare, shkon në rreth 550 milion USD. Borxhe  të krijuar nga keqmenaxhimi, por edhe nga përfitimet e paligjëshme të drejtuesve të saj ndër vite. Edhe ky  borxh i marrë, sikurse dhe i mëparshmi prej 95 milion dollarë, dhënë kompanisçeke “CEZ-Albania” për të ndarë  përfundimisht hesapet , do të shlyen nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, domethënë me fondet e publikut.

Ka  edhe  të  tjera sfera të  jetës  ku  është  vepruar  dhe vazhdon të veprohet  ngjashmërisht  si  me shlyerjen e dëmshpërblimit  të shumës së  parave të grabitura në Bankën e Shqipërisë,  shumë  që do ti rëndojë supeve  të  taksapaguesve dhe  jo portofolit të zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive apo skema administrative antiligjore.

Megjithse një ditë pas publikimit të lajmit kyretari i Komisionit  parlamentar  të Ekonomisë, deputeti Erion Brace,  pohoi se:  “Banka e Shqipërisë nuk do të marrë asnjë lek nga buxheti i shtetit”, kjo nuk e ndryshon thelbin problematik të fenomenit të qenë present ndër dekadat e shkuara. Domethënë mbushjen, me paratë e takspaguesve të gropave të zeza financiare të shkaktuara nga zyrtarët gjynahqarë të administrates shtetërore, të cilët,  jo nga mosnjohja e ligjit, e shkelin atë me vetëdije për përfitime vetiake.

* Shkrimi është publikuar në gazetat “Tema” dhe “Koha Jonë”, si dhe në gazetën on-line “shtypi.net”, në muajin tetor 2014.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

sixteen + 3 =