Pse po e quajnë Qeverinë e porsaformuar "Mustafa 1"

KomentOpinion
329
0
sample-ad

Nga: Arbër ZAIMI

Qeverinë Mustafa disa po e quajnë “Mustafa – 1”, edhe pse numrat nuk përdoren herën e parë. Arsyet mund të jenë dy. Ose nuk e dinë, dhe bëjnë një gabim të përgjithshëm, ndikuar nga përdorimi i shpeshtë i formulës “Thaçi – 3” në muajt e fundit, ose janë dashamirës të Mustafës vetë, dhe urojnë e shpresojnë që të ketë edhe “Mustafa – 2” e kështu me radhë.

Për baraspeshë, ata që nuk shohin asnjë arsye për të qenë dashamirës ndaj Isa Mustafës, ndoshta gjejnë arsye ta quajnë qeverinë e re “Mustafa – 0”. Ka arsye për ta përdorur këtë emërtim.

Së pari, mënyra se si u ngjiz kjo qeveri. Gjashtë muaj deklarime të LDK-së e të Mustafës vetë kundër asaj që përfaqëson Hashim Thaçi e PDK-ja si mendësi e si realitet, u shumëzuan me zero pas një deklarate koprologjike të ambasadores Jacobson në rolin e “Dea ex machina”. Si duket, Mustafa u tremb kur dëgjoi të flitet për jashtëqitje. Njësoj si ata fëmijët që dalin me vonesë e me probleme prej stazhit anal (që përshkruhet nga Freudi), apo si ata pleqtë që, për shkaqe të ndryshme, nisin regresin drejt fëmijërisë e drejt stazhit anal.

Reagimi i atij që e vë veten në rolin e “fëmijës” ndaj qortimit të pavend të atij që e mban veten në rolin e “prindit” e shumëzoi me zero çdo përpjekje të atij fëmije që të mbajë veten pastër, në këtë nevojtore të madhe që është kthyer skena politike në Kosovë, e jashtëqitur siç është prej ndërkombëtarësh e lokalësh, prej grash e burrash, prej pleqsh e të rinjsh, prej serbësh e shqiptarësh, prej shoqërisë civile e medias, e sigurisht, biznesit. Pra, zero pastërti për Mustafën, dhe regresion në stazhin anal, në bindje të urdhrit.

Së dyti, barra e pasngjizjes. Me krenari të madhe dy baballarët e sapomartuar, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, lajmëruan se kishin gjetur fjalën e përbashkët, që nënkupton se Isa Mustafa i kishte ngrënë të gjitha fjalët që kishte thënë deri një natë më përpara. Shtatzënia mes të dyve, apo barra, që në fillim i kishte gjasat zero, por zeroja në Kosovë nuk është një numër i zbrazët.

Të habitur njerëzit mund të kenë pyetur veten se pse, pasi gjetën fjalën e përbashkët, e shtynë mbi dy javë thirrjen e seancës kushtetuese? Pse, edhe kur e thirrën seancën e jashtëzakonshme, nuk arritën ta zgjidhin qeverinë, por e shtynë edhe një ditë seancën? Pse kaq vonesa, kaq dështime, kur qenkan marrë vesh? Epo kjo qeverisje, pra qeveria “Mustafa – 0” është qeveria e prapaskenave. Dhe prapaskenat gjithnjë do të pjellin paparashikueshmëri për ne, publikun që sheh vetëm atë që del në skenën e shfaqjes.

Çfarë ka ndodhur në prapaskenë që shkaktoi këto vonesa? Epo, që çifti shterpë Mustafa – Thaçi të prodhojë diçka më shumë se zero, nevojitet një agjent i tretë. E cili është ky agjent i tretë? Lista Srpska, pa dyshim agjenti më pjellor politikisht në Kosovën e sotme. Kështu, qeveria – zero bëhet “menage a trois”, ku çiftit Mustafa – Thaçi i shtohet edhe Aleksandar Jabllanoviçi, i cili është deputet njëherazi në Parlamentin e Serbisë, por edhe në Kuvendin e Kosovës. Kërkesat e Jabllanoviçit janë strategjike e të menduara mirë, duke ditur se ai është drejtpërdrejt i dirigjuar prej Beogradit. Politika që ndjek “Srpska” prandaj është pjellore. Muaj pas muaji, ajo veç fuqizohet, në emër të një komuniteti prej 5% të popullsisë, i cili tashmë kontrollon 20% të territorit dhe të pushtetit në këtë vend të shkatërruar, dhe sigurisht që do të kërkojë të kontrollojë edhe më shumë, si i vetmi agjent me vlerë të numërueshme përbrenda koalicionit-zero.

Së treti, e shkallës zero është edhe paraqitja vlerore e kësaj qeverie. Kjo qeveri është paraqitur si qeveri që do të arrijë kompromise të thella, që do të ndërmarrë vendime të vështira. Cilat do të jenë ato? Le t’i rendisim disa: Kompromisi mes luftës dhe paqes. Kompromisi mes pushtuesve dhe të pushtuarve. Kompromisi mes të dhunuarve dhe viktimave. Kompromisi mes pasurisë dhe varfërisë. Kompromisi mes ligjit dhe krimit. Kompromisi mes deles dhe ujkut. Kompromisi mes ndyrësisë dhe dëlirësisë. Kompromisi mes shqiptarëve dhe serbëve. Kompromisi mes Europës dhe Rusisë. Kompromisi mes Amerikës dhe Europës. Kompromisi mes SHIK-ut dhe UDB-së. Kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit. Kompromisi mes korrupsionit dhe EULEX-it. Kompromisi mes emigrantëve dhe policëve. Kompromisi mes dhunuesve dhe indiferentëve. Kompromisi mes së hirtës dhe së zezës. Kompromisi mes idiotësisë dhe naivitetit. Kompromisi mes qeverisë dhe popullit. Kompromisi mes privatizuesve dhe të papunëve. Kompromisi mes pronarëve dhe punëtorëve – e kështu me radhë.

Me pak fjalë, në vazhdim të praktikave 15-vjeçare në Kosovë, kompromis mes së mirës e së keqes, i cili, në fakt është thjesht anulim i së mirës, anulim i vlerave, dhe në njëfarë mënyre, nxjerrje e Kosovës prej botës së njerëzve dhe rikthimi i saj në kopshtin e Edenit, reduktimi i saj në një popull adamik, i cili ende nuk di t’u vërë emra vlerave. A nuk është e tillë qasja e shumë “opinionistëve” që hedhin baltë mbi gjithçka, apo edhe vetë qasja e ambasadores, e cila, para disa javësh, tha “nuk e kuptoj pse refuzojnë të komunikojnë me PDK-në, kur këtu të gjithë janë të korruptuar”. Barazimi i madh, barazimi total, të gjithë njësoj, s’ka të mirë e të këqij, s’ka të drejtë e të padrejtë, s’ka dritë e errësirë, ka vetëm muzg. S’ka pozitivë e negativë, ka vetëm zero. E kësisoj, të baraslarguarit e ulën peshoren nga ana tjetër, duke mundësuar qeverinë “Mustafa – 0”.

Qeveria “Mustafa – 0” ka për të bërë zero përparime në ekonomi, në sovranitet, në drejtësi e në gjithçka tjetër, pikërisht sepse është zero, dhe i ka këmbët e lidhura. Përbërja e kësaj qeverie, për t’u analizuar do kapacitete si ato të Fan Nolit te vjersha “Sulltani dhe Kabineti”.

Por zero përparime, nuk do të thotë zero regres, dhe këtu qëndron mashtrimi te doktrina e zeros, apo e baraslargimit që përmendem më sipër. Kjo qeveri barabësh i ka brenda gjithë derbederët, ujqërit dhe derrat që janë në gjendje ta çojnë Kosovën në çfarëdo shkallë regresi, me kusht që të fitojnë pozitë e pushtet të thellë. E përveçse i ka brenda saj shumë të tillë, ka edhe jashtë një tufë që pret gojëhapur të ushqehet me bukën e atyre të pangrënëve që si opsion të vetëm shohin mërgimin.

Në kushte të tilla do të ravijëzohet skena politike tash e mbas në Kosovë, një aleancë e zeros që mbulon krimet e që tenton të shpëlajë figura si Thaçi e Veseli, dhe kundër saj një opozitë e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, e cila duhet të fillojë menjëherë bashkëpunimin mes subjekteve parlamentare e joparlamentare, mes të gjithëve atyre që do t’u shkojë thika në asht, prej qeverisë “Mustafa – 0”.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × two =