Familja e kryeministrit të Kosovës e zhytur në biznese të dyshimta

AktualitetKryesorePolitike
460
0
sample-ad

Kryeministri i ri kosovar, Isa Mustafa, është një biznesmen që ka aksione në biznese që ndërlidhin njerëz të fuqishëm në Kosovë. Lidhjet e bizneseve të Kryeministrit Mustafa dhe të djemve të tij janë të mëdha, një nga të cilët është duke u gjykuar.

Kryeministri i ri kosovar, Isa Mustafa nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dallon edhe në një aspekt rrënjësor – Mutafa është biznesmen dhe aksionet e tij i ka me emrin e tij e të të bijve, gjë që nuk e kishte Hashim Thaçi. Zyrtarisht, Thaçi nuk ka pasur kurrë biznese.

Por, cilat janë fijet biznesore të Isa Mustfaës e të bijve të tij, njëri nga të cilët u përball me drejtësinë në gjykatë ditën kur babai po i shugurohej për kryeministër nën një seancë që e udhëhiqte ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli. Isa Mustafa, një profesor ekonomie në Universitetin Publik dhe anëtarë i Akademisë edhe tash del se ka aksione dhe është person i autorizuar në një sërë biznesesh, shkruan gazeta Express.

Skuadra e futbollit të kryeqytetit është një klub ku ka aksione kryeministri Mustafa dhe disa përfitues të rregullt nga aktivitetet e prokurimit të Komunës së Prishtinës – komunë që e drejtoi për dy mandate Mustafa dhe ia mori nga duart Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. Mustafës, sa e drejtoi Komunën e Prishtinës, shpesh i dëftohej SHIK’u, e sidomos kur ndodhnin arrestime për korrupsion e tenderë në komunën e tij.

“KF Prishtina” bashkon Isa Mustafën me Ragip Mustafën e Ahmet Kurtollin – përfitues nga tenderët e monopolet në kryeqytet, por degëzimi biznesor i kryetarit të Komunës së Prishtinës nuk mbaron me kaq. Ai ka një rrjet të tërë njerëzish me lidhje biznesore e familjare, të cilët kanë përfituar nga buxheti dhe asetet e tjera të komunës.

Kryeministri i ri kosovar dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka qenë i lidhur me një licencë taksie, me monopolin e krijuar tash e më shumë se një dekadë në fushën e reklamave publike dhe me tenderët milionësh të dhënë për biznesmenin e “papërgjegjshëm”, ndaj vetë Komunës së Prishtinës, Ragip Mustafa.

Djemtë i ngjajnë babës

Salloni i veturave “Makcar”, gjendet në magjistralen Prishtinë-Shkup, në kilometrin e tretë. Kjo kompani, në pronësi të dy djemve të Kryeministrit Mustafa, Arbenit e Besnikut, është diler i BMW’së.

BMW-ja është kompani nga Gjermania, vend ky ku Isa Mustafa në vitin 2009 kishte pasur një sërë udhëtimesh zyrtare – me buxhetin e shtetit.

Përveç në kompaninë “Makcar”, që në deklarimin e parë të pasurisë, më 2010, Isa Mustafa pati thënë se ka 49% të aksioneve, ai po atë vit ka deklaruar se i ka edhe tri biznese të tjera. Mustafa është bashkëpronar me 20 % të aksioneve në “Universitetin Riinvest”, me 1.6 % të aksioneve në Klubin Futbollistik “Prishtina”, si dhe me 5 % të aksioneve në “Intereuropa Kosova L.L.C.”. Në këtë kompani ai ishte në ortakëri me Hazbi Hasanin dhe “Intereuropa D.D.”, kurse si person i autorizuar në biznes, pos djalit të tij, Arben Mustafa, ishte edhe Andrej Karish, shkruan Express.

Në deklarimet e mëvonshme në vitet 2011 dhe 2012, Mustafa specifikonte se pos në “Riinvest”, në kompanitë tjera, aksionet i përfaqësonin të bijtë e tij, Arbeni e Besniku. Pasuria e Isa Mustafës, me aksionet dhe profitet e paragjykuara të bizneseve të të bijve, e deklaruar vullnetarisht në AKK, është mbi 700 mijë euro.

Besnikun e kryeministrit e çoi në gjyq biznesi me bileta

Besnik Mustafa, djali i vocërr i Kryeministrit, në vitin 2010 do të merrte guximin t’i futej edhe sektorit të transportit ku edhe themelon kompaninë “Prime Travel”, derisa fillimin e punës së saj e kishte bërë pa marrë licencën nga ish-MTPT-ja, e drejtuar atë botë nga Fatmir Limaj, tash drejtues i subjektit “Nisma për Kosovën”

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, tre zyrtarë nga Banka për Biznes dhe dy biznesmenë, për gjashtë vepra penale të lidhura me anulimin e fluturimeve të më shumë se 1.600 udhëtarëve të mbetur në Aeroportin e Prishtinës në vitin 2009.

Njëri nga të akuzuarit është Besnik Mustafa, djali i kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në atë kohë punonte në BpB.

Për këtë akuzë ai u desh që të paraqitej në gjykatë pikërisht ditën kur babai po i zgjidhej Kryeministër.

Lidhje e LDK-së dhe e Mustafës me radio-taxit në kryeqytet

Që nga ardhja në krye të Prishtinës të Isa Mustafës, në vitin 2007, publikisht dihet që në tregun e radio-taksive ishin futur “London Taxi”, “City Taxi” dhe pak para se ta humbiste Prishtinën LDK’ja u licencua edhe “Golden Taxi”.

“London Taxi”, është kompani e lidhur me Fatmir Sejdiun, ish-kryetar i LDK-së të cilit në kohën kur iu dha licenca për këtë kompani, Isa Mustafa pos që e kishte shef partie, i shërbente edhe si këshilltar i tij për ekonomi.

Megjithëse Fatmir Sejdiu asnjëherë në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Anti-Korrupsion nuk i deklaroi bizneset e djalit të tij, lidhja me familjen Abazi, më saktësisht me biznesmenin Meriton Abazi mik i Bardhyl Sejdiut, e nxjerrë të “zbuluar”, këtë licencë. Kjo licencë e dhënë në atë kohë për djalin e shefit të Isa Mustafës, i dha mundësinë familjes presidenciale të Sejdiut qasje në asetet publike. Meriton Abazi, ishte ortak në kompaninë “London Taxi”, e cila është në emër të Shqipo Sejdiut, djalit të ish-presidentit Sejdiu. Në këtë kompani aksione kishin edhe Muhamet Berisha, Etrit Zeneli e Luan Berisha.

Një vit më vonë, në vitin 2010, do të jepej edhe një licencë tjetër për radio-taksi.

Me këtë licencë për kompaninë “City taxi”, është i lidhur ngushtë Isa Mustafa. Ky biznes i licencuar për të operuarit si radio-taksi u themelua nga Gëzim Idrizi e Burim Hasani, të dy me lidhje me krerët e tanishëm ose të dikurshëm të LDK-së.

Gëzim Idrizi shërbeu shoferi personal i Isa Mustafës, kurse Burim Hasani është nga familja Fona, nga e cila vjen edhe Isa Mustafa, dhe nip i Hazbi Hasanit. Hazbi Hasani, ishte ortak me djalin e madh të Isa Mustafës, Arbenin, në kompaninë “Intereuropa Kosova L.L.C.”.

Mustafa dhe përfitimet e donatorëve të LDK’së me monopolin e reklamave në kryeqytet

Isa Mustafa është aksionar në Klubin Futbollistik “Prishtina”. Në Këtë klub aksionar është edhe Ahmet Kurtolli, i cili së bashku me biznesmenin tjetër, Gëzim Salihu janë ortak në kompaninë “AMM”, e cila mbanin deri vonë monopolin e hapësirave reklamuese në kryeqytet.

Kjo kompani që nga viti 2000 mbajti të drejtën ekskluzive për vendosjes së reklamave në billboarde në kryeqytet, derisa edhe kontrata mbi të cilën ajo punon nuk është publikuar ndonjëherë nga Komuna e Prishtinës nën drejtimin e Isa Mustafës.

Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e kioskave ku do të kishte edhe hapësira reklamuese, shkruan gazeta Express.

Por, edhe në vitin 2006, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjeti parregullsi në kontratën me AMM-në. Auditorët që në vitin 2006 në mes tjerash gjetën se çmimet e kësaj kontrate, të lidhur mes komunës në fjalë dhe “AMM-së” janë për 50% ma të ulëta se tarifat komunale ekzistuese. Ndër shkeljet e tjera që ishin gjetur në këtë kontratë, ishte se në panot e ekspozuara reklamohet duhani dhe alkooli edhe përkundër asaj se në rregulloren komunale për taksa e tarifa është e ndaluar të reklamohen këta artikuj, se ishin lëshuar dy akt-vendime të kundërligjshme mbi këtë kontratë, njëra për vendosjen e posterit të Bill Klintonit, ndërsa tjetra për promovim të albumit muzikor. “Për asnjërën nuk janë përdorur procedura të prokurimit. Mos-respektimi i kushteve të kontratës për artikujt që dëmtojnë shëndetin, mungesën e transparencës dhe devijim nga rregullat për taksa dhe tarifa”, ishin disa nga gjetjet e ZAP për kontratën, deri tash sekrete, në mes të Komunës së Prishtinës dhe financuesve të LDK-së, Kurtolli e Salihu.

Kompania AMM më vonë u ekspozua si financuese e LDK-së, partia që tradicionalisht udhëheq me qeverinë lokale në Prishtinë.

Mustafa dhe me tenderët e biznesmenit të papërgjegjshëm, Ragip Mustafës

Isa Mustafa dhe biznesmeni Ragip Mustafa, ndonëse kanë të njëjtin mbiemër nuk janë kushërinj. I pari tash është Kryeministër, kurse i dyti kontraktor tradicional i komunës së Prishtinës që deri vjet u udhëhoq vetëm nga LDK’ja. Sa Isa Mustafa e drejtoi këtë komunë, megjithëse kompania Ragip Mustafës qe shpallur e papërgjegjshme dhe ka bërë ndërtime ilegale në këtë komunë, Isa Mustafa vazhdoi ta mbante afër në biznese e te tenderët publik këtë biznesmen.

Isë e Ragip Mustafën i lidh futbolli duke qenë se ata janë bashkaksionarë në Klubin Futbollistik “Prishtina”, por jo vetëm.

Në komunën e Prishtinës nën drejtimin e Mustafës, biznesmeni Ragip Mustafa, që është pronarë i kompanive “Beni Dona Plast” dhe “Olti Trasing”, me këto dy kompani, vetëm nga viti 2007 ka marrë tenderë dhe hise në tenderë, si pjesë e konzorciumeve, shuma që kapin vlerën prej 3.4 milionë eurove. Këtu përfshihen vetëm tenderët e mëdhenj dhe të mesëm, pa analizuar tenderët e tjerë, ku bizneset e Mustafës marrin hise që nga furnizimi i shkollave me xhama e deri te tenderët për organizimin e ndejave.

Kompania “Beni Dona Plast”, sipas gjetjeve të Auditorit (ZAP), ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës, por megjithatë del që ajo është favorizuar duke iu vazhduar kontrata kundërligjshëm.

Kjo kompani bën edhe ndërtime kolektive pa leje. Ragip Mustafa, në lagjen Ulpiana, rruga “Imzot Nikë Prela”, ka ndërtuar objekt kolektiv pa leje ndërtimi. Ajo ndërtesë është shumë e dukshme, dhe mban mbishkrimin “Beni Dona”. Ky biznesmen, “rrugëtimin e favorizmit” nga Komuna e Prishtinës e kishte nisur që në vitin 2005, kur ishte kryetar Ismet Beqiri, tash kryetar gati tradicional i Grupit Parlamentar të LDK-së në Parlamentin e Kosovës.

ZAP në vitin 2006 gjeti se për parkingjet publike nëpër trotuare, Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar kompanitë “Beni Dona Plast” dhe “LTG”. Këto dy kompani i mbetën borxh komunës në vlerë prej 164,480 eurosh. “Nga viti 2005, Komuna ka pasur kontratë me ndërmarrjen “Beni Dona”, për dhënien në shfrytëzim të vendeve për parkim publik në rrugët e qytetit. Kjo kontratë është vazhduar edhe njëherë deri me 30.06.2006. Nga zyrtarët përgjegjës në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, është thëne se kontrata është vazhduar edhe për vitin 2007. Mirëpo, kjo nuk është ofruar si dëshmi ekipit të auditimit”, shkruajnë auditorët.

Bizneset, aksionet dhe lidhjet aktuale të Isa Mustafës

Në regjistrin e Bizneseve kosovare del që Isa Mustafa ende ka pronësi në: ,,Instituti Riinvest”, Klubi Futbollistik F.C. “PRISHTINA” dhe shoqërinë aksionare “BPrAL RIINVEST”. Në këtë të fundit pronarët janë edhe : Muhamet Mustafa, Sejdi Osmani, Ymer Havolli, Idriz Smaili, Driton Statovci, Lule Ahmedi, Yll Haxhimusa, Nysret Musliu, Arian Shala, Gent Beqiri, Lutfi Zharku , Hazir Gashi , Naim Hoxha , Lumir Abdixhiku, Artane Rizvanolli, Fadil Aliu, Alban Zogaj e Alban Hashani, kurse drejtorë janë shënuar Idriz Smaili, Sejdi Osmani , Gent Beqiri , Dukagjin Pupovci , Luan Shllaku , Naim Hoxha , Mimoza Godanci , Albina Kelmendi e Fatos Hamza.

Te Futbollistik F.C. “PRISHTINA” Kryeministri Mustafa ka si bashkë-aksionarë edhe këta biznesmenë: Hashim Deshishku, Ragip Mustafa, Sheqir Ejupi, Hakif Gashi, Fikret Maqastena , Fatos Hoxha , Ahmed Kurtolli, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ahmet Beselica, Beqir Çerkezi, Besim Morina, Afrim Muqiçi, Arbnor Morina , Ismet Begolli, Rahman Haradini e Naim Ejupi.

Mustafa del që në dhjetor 2014 është person i autorizuar edhe në “NLB – BANKA E RE E KOSOVËS”, ku persona fizik janë Albert Lumezi, Vullnet Latifi e Lavdim Koshutova, kurse drejtorë të bankës Borut Stanie, Remzi Ejupi, David Benedek e Alojz.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

nineteen + 18 =