Loja e minoritarëve grekë me Himarën shqiptare

EditorialUncategorized
312
0
sample-ad

Në dekadën e dytë të tranzicionit postkomunist shqiptar, grekët me gjithë strukturat, organizatat dhe segmentet parapolitike e parashtetërore të tyre, kanë bërë ç’është e mundur ta zgjerojnë perimetrin e shfaqjes dhe prezencës së pakicës greke në viset jugore të Shqipërisë. Në dekadën e parë, ky qëllim u shpreh dhe u inkurajua së pari përmes interesimit zyrtar të diplomatëve grekë të akredituar në Gjirokastër e Tiranë e më pas edhe në Korçë. Njëkohësisht, në kuadër të këtij qëllimi qeveritë greke nga 1990 e gjer në vitet 2000, ngritën institucione të posaçme të ndihmës dhe donatimit, të rekrutimit dhe investimit të ndjenjës dhe frymës heleniste në krejt territorin e ortodoksisë shqiptare, duke tejkaluar lehtësisht dy zonat e njohura tradicionalisht të abitatizuara prej pakicës greke, të njohur më së shumti para viteve 1990 me emrin minoriteti grek dhe duke u shpërndarë në dy vektorë të rinj.

Në zonën e Korçës dhe në bregdetin e Vlorës, (nga Metoqi i Sarandës deri në Palasë, si fshat i fundmë i krahinës prej shtatë fshatrash të Bashkisë së Himarës). Historia politike dhe etnopolitike që gjeneroi emri dhe elementë të kësaj krahine në vitet e tranzicionit, është e njohur dhe aq e përgojuar në relacionet dhe marrëdhëniet greko-shqiptare.

Në këtë fundjavë, kryetari i PBDNJ-së, politikani më jetëgjatë i minoritetit grek në Shqipëri, me kredite dhe mbështetje të degraduar elektorale, zoti Vangjel Dule, në një mbledhje lokale të degës së OMONIA-s, duke qenë në një krizë të tejzgjatur partneriteti me qeverinë e Kryeministrit të së majtës, zotin Edi Rama, riktheu ankesat për mungesën e respektimit të të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Vini re, zoti Dule merr përsipër gjithmonë të avokatojë më shumë nga sa ka shtat dhe meritokraci politike! Është një politikan që për më tepër se gati 12 vjetët e fundit jeton përzënien politike me votë nga zgjedhësit e komunës, madje dhe të fshatit të vet në Goranxi të Dropullit, në Qarkun e Gjirokastrës. Për arsye të këtij degradimi përfaqësues, ai ia ka dalë të mbajë për disa vite afër një politikan minor të nxjerrë si kryesues të organizatës politike të minoritetit grek në Himarë. Është fjala për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe tashmë ende kryetar i OMONIA-s, zotin V. B. Një individ me identitet, përkatësi, integritet moral e politik të dyshuar që nga koha e diktaturës gjer në ditët aktuale të këtij tranzicioni, i cili në vjetët e qeverisjes së të djathtës së ish-kryeministrit Sali Berisha u trajtua jo vetëm naivisht si partner dhe përfaqësues i minoritetit dhe kryesues i një njësie administrative që nuk ka lidhje me përkatësinë minoritare të zonës, por për arsye të interesit politik mes Tiranës dhe Athinës.

Mirëpo, tashmë historia e përpjekjes së investuar të elementëve dhe një grupi familjesh filogreke në Himarë për të mbrojtur identifikimin si grekë apo minoritarë është e shumënjohur dhe e ekspozuar si dukuri mashtruese e periudhave tranzicioniste dhe e ngatërresave tipike ballkanase. Kjo histori tranzicioni e ka parahistorinë e vet qysh në fillesat e shtetit shqiptar. Atëherë kur qeveria e Kongresit të Lushnjës për arsye koniunkturash të brendshme dhe marrëdhëniesh me skenën ballkanike dhe atë europiane ia njohu administratës së shtatë fshatrave autonominë dhe ky privilegj nuk e pati jetën të gjatë, vetëm një vit. Në atë periudhë njëvjeçare administrata filogreke e Himarës firmoste borderotë e saj në Korfuz. Kësi situatash të shkuara dhe historish të pamerituara për unitaritetin administrativ të shtetit shqiptar, Greqia politike dhe sidomos organizatat e filogrekëve brenda saj e sidomos në diasporën greko-amerikane, janë përdorur dhe mbajtur në fuqi gjeneratë pas gjenerate për t’u përdorur si alibi dhe pretendim nervangritës për shqiptarët dhe shtetin shqiptar jo për 100 vjet rresht, por për 40 vitet e para dhe për 24 vjetët e fundit të historisë njëshekullore të shtetit. Ndryshe ngjet me thelbin e trashëgimisë historike himarjote, ndryshe ngjet me krenarinë e shumicës së popullsisë së kësaj krahine dhe ndryshe meriton të dëgjohet inteligjenca dhe sidomos elita e heshtur dekadë pas dekade e kësaj krahine. Kur themi “ndryshe”, kemi parasysh fatin administrues dhe qeverisës të krahinës, e cila pas vitit 1921 nuk e ka cenuar asnjëherë unitaritetin administrativ shtetëror shqiptar, madje as e ka provokuar atë, por përkundrazi e ka pranuar duke vuajtur edhe shpërfilljen edhe lënien në mjerimin infrastrukturor e rrethanat margjinalizuese.

Mirëpo, politikani dropullit Vangjel Dule, duke ia njohur vlerën bindjes pragmatiste të himarjotëve filogrekë gjatë dy dekadave të fundit të tranzicionit, po ushqen iluzionin se mund t’i japë edhe më tepër jetëgjatësi kartës së përdorjes së Himarës si vatër e re e prezencës së minoritetit grek në zonën bregdetare të Shqipërisë. Ky iluzion, kësaj here, nuk përkon me të njëjtat rrethana dhe nevoja ekonomiko-sociale e politike as për bregasit e Himarës, as për shtetin e vet amë, Greqinë që ende do të përpëlitet në krizën ekonomike të mbërritur si katastrofë në vitin 2009.

E gjithë historia e incidenteve etnopolitike që patën për protagonist që nga vitet 2000, ish-kryebashkiakun e Himarës dhe që shpesh shkaktuan tallazitje marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Greqisë, në thelbin e saj, mbart dy qëllime dhe një eklipsim të drejtash. Dy qëllimet janë: të krijohet perceptimi dhe ideja e plotë edhe në institucionet ndërkombëtare edhe në kancelaritë ndërkombëtare se minoriteti grek në Shqipëri nuk është ai që ka njohur shteti shqiptar i para viteve 1990, qoftë si prezencë gjeografike, qoftë edhe si shifër demografike dhe së dyti, të investohet jo vetëm përmes propagandës dhe ankimtarisë politike të përfaqësuesve politikë të pakicës për një nivel të ulur të drejtash dhe respekti ndaj minoritarëve grekë në Shqipëri. Për shkak të paseriozitetit të klasës sonë politike dhe qeverisësve të Shqipërisë së tranzicionit, për shkak të ndërgjegjes kombëtare të munguar të këtyre qeverisësve, tashmë Greqia ia ka dalë të eklipsojë historinë e prezencës së mohuar e refuzuar të minoritetit shqiptar në territorin e saj. Sikundër ia ka dalë lehtësisht të korruptojë, si asnjë shtet tjetër fqinj, pjesën më vendimmarrëse të klasës sonë politike të tranzicionit, në disfavor të interesit dhe perspektivës së të drejtave shqiptare brenda saj. Ka ngjarë plotësisht siç është profetizuar në shekullin e shkuar nga Kampbell, të cilin e citon zonja Edith Durham në librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike: “Ngjarjet e ardhshme i hedhin hijet që më parë”.

Po pse krerët politikë dhe partiakë të minoritarëve të vërtetë grekë në Shqipëri këmbëngulin ta njohin e kenë si minoritare Himarën?

Them Himarën se, ata diabolikisht në gjithë artikulimin e tyre shprehen: “himarjotët ndihen grekë dhe janë të tillë”. Artikullshkruesi dhe gjithë grigja e tij familjare, por disa qindra të tjerë bashkëpatriotë të mi në shtatë fshatrat e Himarës kur ridëgjojnë kësi refrenesh politike të pamuzikalitet, nënqeshin dhe madje edhe përqeshin. Këtë ndjenjë e kam riprovuar para disa vitesh në një përballje me një gazetar grek, i cili duke më njohur si himarjot, me gjuhën e vet më drejtohej: “Je ndër të paktët himarjotë që njoh që nuk e pranon këtë cilësim!” Përgjigjja ime ishte: “Kolegu im, njohkeni pak himarjotë! Më dëgjo pak, kur ekzistonte etniteti im himarjot nuk ekzistonte etnia jote! Pse duhet të vetëquhem si ty, kur jam vetja ime me trashëgimi që në zanafillat e Mesdheut dhe Arbërisë!”.

Përpjekja dhe sidomos rikëmbëngulja greke për t’ia dhënë një status të patrashëguar Himarës është një djallëzi nacionaliste greke. Personalisht e lexoj si një pistë tërheqëse për një fat të keq trazues të kësaj krahine në ardhmërinë e saj. Zonat që përdoren vijueshmërisht si pika sherresh dhe pretendimesh nacionaliste mes shteteve, janë të destinuara të mbartin dhe udhëtojnë nëpër një fat me dilema dhe paqartësi të rrezikshme politike. Himara nuk ka pse e qas më shumë e më gjatë, këtë fat të pameritueshëm të vetes, sepse e largon nga identiteti i vetvetes dhe infekton diversitetin e brendshëm identitar të krahinës. Protagonistët filogrekë të saj, nevojitet t’i japin ndërgjegjes krahinëdashëse një drejtorientim më europianist dhe të rreshtin procesin e indoktrinimit të mëtejshëm grekonacionalist. Në të kundërt, ankesa e tyre më jetëgjatë, ajo e së drejtës për pronat e pamarra plotësisht që nga viti 1991 e gjer më sot si dhe procese të tjera për mirëjetesë dhe ruajtje të identitetit lokal, do të eklipsohen dhe injorohen sikundër ngjau në gjithë vjetët e deritanishëm të tranzicionit. Kësi nevojash jetike dhe trashëgimie për truallin dhe përkatësinë himarjote, bregasit kudo ku janë, nuk mund t’i ndihë e as përfaqësojë protagonizmi periferik dhe provincial i ardhur nga Dropulli apo Athina, por nga vetë Himara që fatmirësisht e ka historinë më të madhe se shtati gjeografik i saj dhe madje jetëgjatësinë disa qindra shekuj, më të hershme se të gjitha shtetet ballkanike.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

four × 4 =