Lufta me fotot e Enverit, betejë butaforike

KomentOpinion
268
0
sample-ad

Nga: Arben MANAJ

Ka raste kur më qesharak të duket reagimi për një veprim, sesa vetë veprimi. Kjo m’u kujtua kur shikoja antienverizmin e stisur ndaj portreteve të Enverit këto ditë në Tiranë.

Të trembesh nga më pak se një duzinë veteranësh e fanatikësh me fotografitë e Enverit dhe të demonstrosh një panik alla aramagedonian, a thua se u ngrit Enveri nga varri, tregon se hija e tij është më shumë dhe më e gjatë në mendjet e atyre që shohin fotot, sesa të atyre që i mbajnë fotot e tij nëpër ceremoni të lidhura me luftën.

E kuptoj shumë mirë neverinë dhe dhimbjen e atyre që kanë vuajtur padrejtësisht nga diktatura komuniste dhe sundimi politik i gjithanshëm i Shqipërisë nga Enver Hoxha dhe partia e tij.

E kuptoj që Enveri shumë nga kundërshtarët e tij politikë dhe klasën e përmbysur nga revolucioni i tij ideologjik që pasoi çlirimin e Shqipërisë, i eliminoi dhe nuk donte të linte asnjë shenjë të tyre publike, duke syrgjynosur dhe dënuar në mënyrë ekzemplare këdo që guxonte të shpaloste, jo më foto të armiqve të tij politikë, por as të shfaqte edhe iniuendon apo nëntesktin më të vogël të ideologjisë kundërshtare.

Ndaj përmbysja e regjimit të tij pas shembjes së komunizmit në shkallë kontinentale, i dha fund pikërisht mungesës së pluralizmit të ideve dhe ideologjive, që frenoi aq shumë zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit.

Të gjithë ata që u ngritën kundër komunizmit shqiptar pas rënies së Perdes së Hekurt, e bënë atë që në Shqipëri të mundësohej mendimi i kundërt, ideologjitë rivale dhe “lufta e të kundërtave”, si koncept filozofik dhe promotor zhvillimi.

Dhe atë që komunizmi nuk ia lejoj kapitalizmit dhe ithtarëve të tij për katër dekada e gjysmë, ia mundësoi ky i fundit, ideologjisë sunduese të Enver Hoxhës; pikërisht konkurrencën politike.

Faktikisht, përkrahësit e Enver Hoxhës, ose më saktë nostalgjikët e tij, janë aq të pakët në numër sa mund t’i mbajë një autobus i çdo linje interurbane.

Por të reagosh me një frikë të pasinqertë ndaj ringjalljes së Enverit, është politikë sa diletante, aq edhe rikujtesë e panevojshme e veprës së tij, përmes vëmendjes ose mosinjorimit të saj.

Në Shqipëri edhe ata që bërtasin se po ngjallet gogoli Enver, as vetë nuk e besojnë një pseudomakth të tillë.

Rezultatet elektorale seriale në Shqipëri e tregojnë më fort se çdo shfaqje a deklaratë politike, një fiktivitet të tillë.

Ashtu si zogistët sot, kanë të drejtë të mbrojnë dhe adhurojnë ish-Mbretin, gjë që nuk ua lejonte komunizmi, edhe nostalgjikët e Enverit të mbetur një grusht, le të mblidhen grushtbashkuar ndaj idhullit të tyre, si dëshmi e tolerancës së kapitalizmit dhe demokracisë ndaj dështimit ideologjik të tyre.

Toleranca ndaj tyre nuk ka përse të zëvendësohet me mosçlirimin nga një frikë e varrosur mbi dy dekada më parë, e cila sa të jetë jeta fizike e shqiptarëve të sotëm mbi dhe, ka po aq gjasa të jetësohet, sa edhe ringjallja fizike e Enverit nga nëndheu.

Mentaliteti enverist në shumë aspekte të jetës shqiptare është një nga sfidat rudimentare të shoqërisë. Dhjetë e njëzet shqiptarë të moshuar nuk do duhet të frikësojnë dhe të shmangin vëmendjen e të vdekshmeve të gjallë, nga hallet, sfidat apo avantazhet që ofron kapitalizmi shqiptar.

Shqiptarët e sotëm që shikojnë nga e ardhmja do duhet të merren me të gjallët, dhe të vdekurit, qoftë edhe mendërisht, le të merren me të vdekurit, që disa kërkojnë herë me naivitet e herë me malinjitet, medoemos, t’i ringrenë nga varri, si nevojë a kredo politike të ditës, apo fatkeqësisht, si dëshmi e mossuksesit politik në demokracinë konkurruese.

Lufta me fotot e Enverit është një betejë bufonike me tigra prej letre dhe një luks totalisht i panevojshëm politik. Shqip

Facebook Comments

POST A COMMENT.

17 + fourteen =