Korçë, restaurohet xhamia muze e Iljaz bej Mirahorit

KultureUncategorized
349
0
sample-ad

Restaurohet një prej monumenteve të kulturës nga më të rëndësishmit në Korcë, xhamia e Iljaz bej Mirahorit që dëshmon edhe fillesat e qytetit. Pas gati një viti punimesh që sollën edhe mbylljen e xhamisë, këtë fundjavë objekti i kultit për besimtarët myslimanë ishte gati dhe hapi dyert. Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi, tha se është realizuar projekti i restaurimit të xhamisë, duke i rikthyer asaj vlerat e dikurshme. Punimet restauruese përfshinë kryesisht ambjentet e brendëshme të xhamisë me suvatime, shtrimin e dyshemesë së re dhe përmirësim të gjendjes së dritareve, por edhe vendosjen e një ndriçimi modern si brenda edhe jashtë objektit. Gjithashtu u përmirësua edhe oborri dhe rrethimi tij.
Myftiu i Korçës nuk bëri të ditur vlerën e financimit të këtij projekti restaurimi, por ai sqaroi se gjithçka u krye me fondet e Agjensisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim TIKA.
Pjesë e këtij financimi nga pala turke, ishin edhe katër xhami të tjera në vendin tonë. Restaurimi i xhamisë, e cila është ngritur në vitin 1496, u krye nga specialistë turq. Ajo është nga të rrallat në Ballkan, sepse ka kupolë plumbi dhe një arkitekturë të vecantë. Njëkohësisht, njihet edhe si objekti monumental më i vjetër i qytetit, aq sa ndërtimi i xhamisë nga Iljaz bej Mirahori konsiderohet edhe si fillesa per themelimin e Korcës.
E shpallur monument kulture i kategorisë së parë, xhamia e Iljaz bej Mirahorit, një restaurim si ky ka kaluar në vitin 1994. Në rrjedhën e gjatë të viteve, xhamia ka humbur pjesë të rëndësishme të saj. Më parë është ndërhyrë edhe për riparimin e çatisë, ndërsa disa vite të kaluara, u ringrit edhe minareja e shkatërruar nga tërmeti.
Myftiu i Korçës thotë se projekti më i fundit i restaurimit, nuk ka mundur të përfshijë rehabilitimin e afreskeve që paraqesin Mekën dhe Medinën brenda xhamisë. Sipas tij, restaurimi I afreskeve mund të kryhet në një fazë tjetër, për të plotësuar një restaurim të përgjithshëm që i rikthen madhështinë një prej objekteve muzeale më të vizitueshëm të qytetit të Korcës.

Nga: Gëzim Ashimi

Facebook Comments

POST A COMMENT.

19 + eight =