Reformat antipopullore dhe një opozitë frikacake

KomentOpinion
218
0
sample-ad

Nga: Mero BAZE

Ka një fushatë frustuese ndaj disa reformave të forta antipopullore të qeverisë. Janë ndoshta reformat më të dhimshme që po bëhen në këtë vend, pas reformës së liberalizmit të çmimit të bukës që ka bërë Aleksandër Meksi në korrik të vitit 1992, duke e çuar çmimin nga 4 lek, në 40 lekë brenda ditës.

Tani e ka radhën energjia elektrike. Në të vërtetë tregu i saj në Shqipëri, përveçse i shkatërruar nga gjithë qeveritë paraardhëse, është i mbidëmtuar duke mos qenë treg konkurrent dhe funksional. D.m.th, nga një anë kemi monopolin e një shoqërie tashmë sërisht shtetërore që na jep energji elektrike, nga ana tjetër kemi një raport të përmbysur kosto- çmim, pasi ajo është e mbytur nga humbjet. Por, kjo situatë nuk është aq e ngjashme me reformën e bukës. Reforma e bukës prekte çdo qytetar shqiptar, të cilët në vitin 1992 ishin thuajse të barabartë nga gjendja ekonomike, ndërsa reforma e energjisë elektrike, prek shtresat në nevojë dhe abuzuesit. Shumica e qytetarëve të Shqipërisë janë duke e paguar atë dhe falë tyre sistemi mbahet ende në këmbë.

Edi Rama ka marrë një risk të madh përsipër, rrisk i cili mund t’i kushtojë dhe nga pikëpamja elektorale. Por, reformat e mëdha natyrisht që kërkojnë një guxim të tillë.

Ajo që nuk kuptoj, është qëndirmi i opozitës, kasta drejtuese e të cilës përbën dhe kastën e milionerëve të vendit. Nëse ata mendojnë vërtet se reforma është antipopullore dhe do ketë pasoja katastrofike për Edi Ramën, nuk e kuptoj pse nuk e mbështesin atë. Kështu e kanë dhe më të lehtë, që me një gur të vrasin dy zogj, edhe Edi Ramën ta rrëzojnë, edhe reformën ta bëjnë, se u duhet kur të vijnë vet në pushtet.

Por, me sa duket, opozita kupton më shumë se ç’thotë. Ajo po kupton se reforma mund të mos prodhojë pakënaqësi kombëtare, por vetë në ato zona ku tolerimi i mospagimit të energjisë elektrike është bërë politikisht nga PD-ja për t’u blerë votën. Opozita me sa duket kupton që shumica e qytetarëve që paguajnë, janë të kënaqur që qeveria po i detyron të gjithë të paguajnë, dhe ka frikë se do mbetet e izoluar dhe pakicë pas këtij aksioni. Ndaj nxiton të trembë qeverinë të lërë në mes reformën. Kjo është e pashembullt. Nga mënyra se si flasin opozitarët, duket sikur duan të mbrojnë Edi Ramën dhe jo popullin. Nëse është e vërtetë që Edi Rama rrëzohet nga pushteti po burgosi ata që vjedhin energji dhe po ua preu atryre që nuk paguajnë, atëhere opozita s’ka pse e shëpton. Le të iki!

Aksioni i dytë ku po ashtu opozita po lufton me mullinjtë e erës, është ai kundër reformës së kontrollit mbi territorin. Qeveria ka ndërmarrë nëj fushatë të ashpër prishjesh gati të pashpirt, që po pastron rrugët kryesore nacionale, rrugët brenda qyteteve, dhe plazhet publike. Aksioni mund të ketë plot probleme. Mund të ketë dhe ndërhyrje klienteliste për ta shmangur atë nga objektivi real. Opozita në vend që të merret me këto, ngrihet në parim kundër kësaj masakre urbane që i është bërë vendit, duke marrë automatikisht në mbrojtje abuzuesit. Dhe përsëri e bukura është se thonë po vazhdoi kështu, qeveria do të rrëzohet. Tani kë hall qan opozita, hallin se do rrëzohet qeveria, apo se po rrëzohen ndërtesa pa leje?

 

Edhe këtu problemi real është se nga vendosja e kontrollit mbi territorin, vërtet krijohen të pakënaqur ekstrem që u prishet pasuria, por në tërësi aksioni mbështetet nga qytetarët korrektë dhe qeveria nuk humbet realisht pikë. Dhe këtu, sërisht opozita në vend që të marrë anën e ligjit dhe shpresës, përpiqet të bëjë gogolin me shpresë se do të trembë qeverinë ta lërë reformën në mes.

 

Reforma e tretë e fortë, që vërtet ha diskutime, është ajo e masave drastike në qarkullimin rrugor. Forcimi i Kodit të Qarkullimit Rrugor në disa pika është i nevojshëm, por fushatat plaçkitëse me gjoba, hanë plot diskutim. Fjala vjen, fushata për kontrollin e kutive të ndihmës së shpejtë bie pak erë klientelizmi, pasi policia duket sikur është orientuar tek disa kuti që shiten tek Megateku dhe nuk ta quajnë kutinë nëse e ke bërë vetë me sende të blera në farmaci. Mund të jetë dhe keqpërdorim i policëve që dalin në rrugë për të bërë planin e gjobave, por duket se është nëj fushatë si me të kap pa mendje, e paraprirë nga një fushatë ndërgjegjësuese për rëndësinë e kësaj kutie. Po aq formaliste duken kërkesat për zinxhirrë kur ka ende diell, apo për goma dimri në Durrës e Sarandë. Këtu opozita dhe mund të ndërhyjë të bëjë vëzhgimet e saj dhe të kalojë në anën e qytetarëve, por dhe këtu ajo vazhdon me gjuhën e kërcënimit absurd, se po vazhdoi kështu qeveria do rrëzohet! Nuk kam parë opozitë të tillë në botë të bërtasë çdo ditë duke paralajmëruar qeverinë të ketë kujdes se do rrëzohet, përveç kësaj tonës. Problemi i opozitës në qëndrimin ndaj reformave të forta, plot kosto elektorale si këto që po ndërmerr qeveria, është t’i mbështes ato, pasi edhe forcon shtetin, dhe dobëson qeverinë. Në këto reforma që janë vërtet antipopullore, më shumë trembet opozita që shikon, se qeveria që i bën. Këta me sa duket nuk janë të sigurt, se fitojnë dhe nëse qeveria ja sjell njerëzve në majë të hundës dhe janë gati të thonë lereni Shqipërinë siç e gjetët! Albanistan!

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seventeen − thirteen =