Kosovën e sotme e drejtojnë komunistët dhe UDB-ashët

IntervistaOpinion
751
0
sample-ad

Nga: Bahtir HAMZA

 Intervistë me patriotin mërgimtar, piktorin, poetin e protestës dhe humanistin kosovar Bahtir Hamza, i burgosur se këndoi në dasmën e një fqinjit këngë për Enver Hoxhën e Shqipërinë “…Udbashët shqiptar më spiunuan. Kur më pyesnin në hetuesi për Enver Hoxhën, unë u thoja se nuk e njihja, por më pëlqente ajo këngë si melodi. Në fakt nuk dija asgjë për Shqipërinë, e dija që Enveri ishte kryetari i shtetit shqiptar…”, thotë ndër të tjera njeriu që ka hapur ekspozita të njëpasnjëshme në Toronto, Njujork, Kili, Argjentinë, Peru,Gjermani,Egjipt,e Izrael…

  • I nderuar z. Bahtir, ju jeni njëkohësisht poet, piktor e mbi të gjitha një veprimtar i çështjes shqiptare të Kosovës, nga do të donit ta fillojmë këtë intervistë?

 

Bahtir Hamza: Nga të dëshironi ju.

  • Poezia juaj është një poezi proteste për çështjen e Kosovës dhe për të gjithë mërgimtarët shqiptarë kudo në botë, pse ndodh kjo tek poezia juaj.

 

Bahtir Hamza: Njeriu është një qenie shpirtërore e lidhur me shumë fije me dhimbjen e vuajtjen, dashurinë e padyshim mallin për atdhe. Edhe nëse nuk jam fizikisht në Kosovë, jam me shpirt e zemër me të, kudo ku ndodhem nëpër botë, qoftë edhe në burg. Natyrisht frymëzimin e kam marrë nga poetët tanë kombëtarë si Naim Frashëri, Gjergj Fishta e Filip Shiroka, Ndre Mjeda e Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci e Migjeni. Por Vaso Pashë Shkodrani me poezinë e tij, “O moj Shqipni” më frymëzon më shumë në poezinë time. E tërë qenia ime e ka ndjenjën e birit për atdheun, apo si i thoni ju këndej, për tokën e të parëve, ndaj Kosova dhe e vërteta e saj përbën thelbin e qënies time si poet mërgimtar, i cili ka në epiqendër të tij një të vërtetë rreth të cilës nuk mund të ketë të dytë. Duhet me e nda grurin nga egjra, nacionalistin nga komunisti dhe këtë nga UDB-ashët. E vërteta duhet të thuhet me çfarëdo çmimi. Duhet të shkojmë drejt barazisë mes realitetit dhe lirisë. Sot, Kosova është e robëruar nga rezoluta 1244 dhe ajo drejtohet nga njerëz që, të cilet kanë qenë komunista, të cilet  kanë qenë bashkëpunëtor të UDB-së Jugosllave. Këta njerëz e kanë zbehur karakterin tonë kombëtar, i’a kanë ulur vlerat patriotizmit të frymëzuar prej figurave të mëdha kombëtare si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradicës, Ajet e Hashim Gërgurit, Jaho Vesel Muharremit, Adem Demaçi, Fazli Graçevçi, Hazir Shales, Isa Hamza-Elshanit  e shumë të tjerë…

UDB-ashëve shqiptarë duhet t’u themi se kush janë, duhet t’ua dimë edhe veprimet e tyre, sepse kanë jetuar duke i shërbyer interesave të Serbisë e të ish Jugosllavisë si njerëz të shitur ose blerë me para. Shumë janë heronj të rrejshëm (artificial), të cilët sot marrin flamurin e nacionalistit. Në këto kohë unë dhe shumë atdhetar ndjehemi të zemëruar, sepse komunistët dhe udbashët shqiptaro-serbë, bëmat e pisllëqet e tyre përpiqen të na i atribojnë neve… Ligësia e këtyre njerëzve më ka shtyrë mua, për ti vënë vetes qëllimin,në mënyrë që ti njoh këta komunistë e udbashë, e gjithë bota, si njerëz që i kanë, prishur shumë punë çështjes kombëtare. Pra, kjo është çështja e imja si nacionalist, por edhe shumë atdhetarëve. Komunistët dhe udbashët shqiptarë u bënë më komunistë se jugosllavët, e superspiuna të Beogradit,duke na e dhunuar si moralisht, psikologjikisht e fizikisht jetën tonë. Kjo tregon se ata i kanë qëndruar besnikë etërve të tyre dhe e kanë realizuar platformën e tyre genocidiste. Jam i gatshëm të dëshmoj përpara kujtdo e për ti parë në sy këta udbashë. Dhuna serbe e ushtruar ndaj familjes time ka qenë me breza. Ajo fillon qysh me tim gjysh, babanë e më pas mua dhe familjen time, deri tek fëmijët e mi.Ne si familje nuk kemi qenë anëtarë të PKJ, as në fshat e as në komunë,krahinë e as në republikë. Në kohë të ndryshme, ndonëse me metoda të ndryshme nuk na nënshtruan dot, edhe pse na përzunë në emigracion. Ishtë dhuna ajo që  na degëdisi  në  rrugët e mërgimit.

Pyetje: Si ishte jeta juaj në Kosovë, para se të shkonit në emigracion?

Bahtir Hamza: Rregjimi komunist i Titos ishte një rregjim, i cili i luftonte për vdekje nacionalistët shqiptar. Ai rregjim ishte asimilues dhe përjashtues për shqiptarët e Kosovës. Të drejtat tona të mohura i kemi fituar me protesta e demostrata dinjitoze më 1968. Dhe 1981. Republika nuk na u dha, por universiteti e pasaporta ishin shumë pak. Për atë rregjim nëse nuk ishe komunist ose bashkëpunëtor i udbashëve të fusnin në burg ose të jepnin një pasaportë si një njeri që nuk ishe dakort me rregjimin. Unë u burgosa, se këndova në dasmën e një fqinjit tim këngë për Enver Hoxhën, e për Shqipërin. Kënga fillonte: “Moj parti ta lumsha synin..”, e tjera…Udbashët shqiptar më spiunuan. Kur më pyesnin në hetuesi për Enver Hoxhën, unë u thashë se nuk e njoh, por më pëlqente ajo këngë si melodi. Në fakt nuk dija asgjë për Shqipërinë e dija që Enveri ishte kryetari i shtetit shqiptar. Kjo ngjarje më shkëputi nga studimet e mia në universitetin e Prishtinës, Dega Shkencave Natyrore-Matematikore. Isha një djalosh i apasionuar mbas Foklorikt dhe këngës popullore e u përfshiva në Sh.K.A.”Shota Galica” mepas Sh.K.A.”Bajram Curri”. Nga burgu më kanë dëguar në shërbimin Ushtark Jugosllav,pas një incidenti me një kapiten ushtarak serb, i cili më fyeu, qysh ditën e parë të ushtrisë dhe e pësoi nga unë, sepse e godita me kondakun e pushkës. Por, e vërteta ishte se unë nuk e dija serbishten si të gjithë ushtaret e tjerë shqiptar. E vërteta ishte se ushtarët shqiptarë përbuzeshin dhe nuk kishin pozicione në ushtri e ishin gjithmonë nën presion, sepse serbët nuk kishin besim.

Emigracioni ishte e vetmja rrugë, që na ofronte rregjimi i Titos. Ky rregjim i asimilonte shqiptarët duke iu afruar identitet fetar me hapjen e xhamive, fshat më fshat e qytet më qytet, pa bërë asnjë investim për shkolla e spitale. Babanë e kam njohur në moshën 15-vjeçare, sepse ai përndiqej se kish luftuar përkrah çetave nacionaliste të Shaban Polluzhës. Zanati i dytë ishte bërë,për atë të muratorit në Lubjanë, ndërsa kish diplomën për mësues matematike, që nuk mund ta ushtronte për arsye politike. Drenicën time të dashur e lashë fill pas demostratave të vitit 1981. Veprimtaria ime si anëtar i Lëvizjes Demokratike Kombëtare Shqiptare me Hazir Shalen, kryetar kish rënë në sy të udbashëve e kështu mora rrugën e mërgimit.

  • Z. Bahtir cili është kontributi juaj real për çështjen e Kosovës?

Bahtir Hamza: Unë u instalova në Zvicër e formova klubin,kulturor kombëtar Azem Galica-Drenica, me të cilën krijuam kontakte të fuqishme me personalitete të shquara ndërkombëtare. Kongresmeni amerikan Xhozef Deguardi më frymëzoi për të kuptuar, se çështja e Kosovës nuk fitohet me lëvizje paqësore duhej filluar nga lufta me armë në dorë. Ibrahim Rrugova e ndërgjegjësoi perëndimin, se Kosova ishte një çështje e pazgjidhur në ish Jugosllavi e dhuna e Milosheviçit ndaj shqiptarëve, nuk mund të ishte vetëm çështje brendshme. Lëvizja paqësore ishte shumë e lodhshme dhe e pashpresë .Unë me gruan time Brigita Vagner dhe me shokët e mi, Sabit Veseli Himën dhe Rramazanin i’u vumë punës për të çuar armë në Kosovë. Qysh nga viti 1991-1992 deri më 1994 kam çuar armë në Kosovë, për të filluar luftën për çlirimin e saj. Armët e blera në Paris i transportonim me autobuzët e linjave të shoqërisë “Jat”. Ato dërgoheshin në Podujevë, Llap, Drenicë, por hidhëroheshim shpesh, kur na lajmëronin se armët tona shiteshin me 3000 marka kallashnikovi. Brigita Vagner ose siç e mori emrin “Shota gjermane” ,e ndjera gruaja ime, kishte një guxim të paparë për tu përballur me torturat e milicisë serbe, sepse ajo si qytetare zvicerane qarkullonte më lirshëm në Kosovë, me makinën mbushur plot me armë të cilat i kish blerë me parat e saja. Sa e sa herë jemi përballur me udbashët shqiptarë, që sot janë në pushtet.

  • Për pikturën tuaj dimë shumë pak, ç’mund të na thoni?

Bahtir Hamza: Kalvari im në mërgim bëri që unë të studioj në Zyrih të Zvicrës për hoteleri dhe turizëm,ndërsa në Toronto të Kanadasë kam mbaruar universitetin për Teknologji ushqimore. . Kur emigrova në Kanada u ktheva tek një pasion im i fjetur i pikturës të cilën ma kish diktuar mësuesi im në Drenicë. Kisha shijuar pikturat e mia në rini, por kurrsesi se kisha menduar se do të vinte dita që ta riktheja pasionin tim. U ushtrova në një shkollë dy-vjeçare shumë të mirë për pikturë e kështu falë dhe shkollës time nisa të mendoj për një lloj teknike të pikturës e cila do t’i rezistonte ujit dhe temperaturave të ulëta dhe shumë të larta. Nisa me ekspozita të njëpasnjëshme në Toronto, në Njujork, në Kili, Argjentinë,në Peru,në Gjermani,në Egjipt,në Izrael,….. Piktura ime është ndërplanetare, aty do të shohësh një botë tokësore dhe me shumë galaktika, me një kolorit, i cili ndryshon nga reflektimi i dritës. Piktura ime ka në përbërje katër ngjyra bazë, ngjyrë akuarel,të ujit ,të vajit dhe ngjyrat spraj.Teknika ime veçant është përgatitja e e një lënde shumë rezistente, e cila ngjason tjegullës së pjekur në furrë  Shpresoj që piktura ime të njihet edhe në Shqipëri…

  • Mund të keni një opinon tuajin për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë?

 

Bahtir Hamza: E theksoj që ne duhet të ishim përqendruar tek dhuna që ushtruan serbët përpara dhe mes ndeshjes në akuzat tona drejt UEFA-s. Nuk ndodh kund që të futen tifozat e vendit organizator të ndëshkojnë njësoj sikur t’i që u dhunove me serbët dhunues. Shqipëria krijon inferioritet të paqenë me këdo e kjo psikologji vetakuzuese është vështir të kalojë për pak kohë, duhen vite. UEFA është një korporatë bastes dhe i intereson që të ketë ndeshje e jo ekipe definitikisht të dënuar sipas rregullores. Imagjinoni,kur Serbët treguan atë agresivitet në një ndeshje futbolli, po ne shqiptarët e vilajetit të Kosovës çkemi hequr në 124 vjet.

Pyetje: Planet tuaja për të ardhmen?

Bahtir Hamza: Artisti është një qenie spontane, e ndërkohë që atij i lypet frymëzimi për një krijim të ri, një ftesë të vjen diku nga larg ose diku ke lënë pengje dashurie, sepse unë kam një botë të mbushur plot surpriza e emocione të papara. Pikturën padyshim e ushtroj gati çdo ditë me poezinë ndonëse i kam botuar nja 15 libra. Kam ende në dorë edhe nja 10 të tjera me poezi, por plan afatgjatë kam romanet  me titull “Maratona e kurtizaneve shqiptare” është një simbolikë, e cila, kur ta lexoj lexuesi do jetë edhe e vërteta tronditëse, por edhe një mesazh për brezat që do të vijnë.Librin historik  me temë  Udbashët serbo shqiptar,të strukturave shtetërore  të Jugosllavisë,dhe shqiptaro serbët e shtetit shqiptar do të jetë,një liber me të vërteta të pakontestueshme ,sepse materiali arkivor është marrë nga burime shumë të besueshme amerikane.

Intervistoi: Kastriot Kotoni

Facebook Comments

POST A COMMENT.

nine − five =