Kompleksi i Qeverisë ndaj kundërshtarëve politikë

KomentOpinion
216
0
sample-ad

Nga: Mero BAZE

Në një kafene pranë stadiumit “Dinamo”, policia zbuloi dy ditë më parë një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në përpjekje për të ndaluar pronarin, policia pyet kamarierin dhe ai i tregon dikë që pinte kafe aty. I arrestuari nuk rezulton të ketë asnjë lidhje me lokalin, dhe as ndonjë kontratë qeraje me të. E vetmja lidhje është se dikur vëllai i tij ka qenë ortak me Arben Ristanin, i cili vazhdon të jetë pronar i loklait që kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

I akzuari kot ka dy ditë brenda, ndërsa Arben Ristani, i cili figuron pronar në hipotekë i lokalit, nuk është thirrur nga policia, nga frika se mos politizohet aksioni. Akoma deri tani nuk kemi më asnjë informacion se i kujt është biznesi në lokalin e Arben Ristanit, por i kujtdo që të jetë, kontrata e dritave është e pronarit të lokalit dhe ai duhet të pyetet i pari. Po të mos ishte Arben Ristani deputet, tani do ishte arrestuar dhe PD do të dilte të akuzonte qeverinë për arrestime politike. Tani që nuk po arrestohet, por po tolerohet në mënyrë kriminale, PD nuk po del të thotë që policia është selektive dhe pushteti po favorizon një deputet. I gjithë ky rreth vicioz vjen nga fakti që në të vërtetë policia ka ceduar vërtet nga ligji për të mbrojtur një deputet të PD-së, nga rregulli i përgjithshëm i parimit mbi të cilin ka nisur aksionin.

Emisioni “Fiks Fare” ka arritur të zbardhë gjithë pronësinë e Arben Ristanit, dhe mungesën e fajësisë së qyetarit të arrestuar, dhe tani ka dalë qesharake edhe qeveria, edhe opozita. Qeveria që arreston një njeri kot, që mos të arrestojë Arben Ristanin, dhe opozita që nuk proteston pse tolerohet një hajdut dritash dhe arrestohet një qytetar i pafajshëm.

Një rast tjetër i ngjashëm, që dëshmon kompleksin ndaj opozitarëve të dobishëm është ai i Eduard Ypit. Diçka të keqe më ndolli dje një intervistë e tij në një medie, ku sulmonte Ridvan Boden se ky i fundit paskësh bllokuar pagesat e firmave të ndërtimit në thesar. Zotëria në fjalë ka qenë hiç më pak se drejtor Thesari. Nuk dua të mbroj Ridvan Boden, por dihet se mungesa e parave për kompanitë e ndërtimit ishte politikë e Sali Berishës, që di të bëjë vetëm piramida. Dhe kur jepte ai ndonjë lek, ata që mezi i prisnin, duhet t’i lagnin fytin dhe t’i ngrohnin xhepin drejtorit të Thesarit, që t’i merrnin.

U tremba dje kur pashë se Eduard Ypi kishte sulmuar Ridvan Boden, pasi ky njeri ka gjithë jetën një parim. Në fund të viteve tetëdhjetë denonconte ish- zëvendësministrin e Brendshëm pse kishte liberalizuar të drejtën për një batanije më shumë në burg, dhe kërkonte të hiqej kjo lehtësi, se ata (edhe ai vet) nuk e meritonin. Në vitin 1996 i puthte këmbët Sali Berishës ditën që vodhi zgjedhjet, me shpresë se do ta lejonte parajsën e tij tek Banka Tregtare, ku bëri rrush e kumbulla lekët e “Popullit” të Xhaferit e Gjallicës. Në vitin 1997, pasi e pa që Sali Berisha mori fund, i puthi këmbët Bashkim Finos ta bënte drejtor SHIK-u në vend të Gazidedes që u arratis, natyrisht duke sulmuar Berishën. Kështu e shtyu duke qenë me radhë me gjithë pushtetet, deri sa në vitin 2009, pasi dha kontribut familjar kundër kundërshtarëve të Berishës, ky e rimori, duke e futur në punë drejtor Thesari tek Ridvan Bode. Kur e pashë që kishte sulmuar Ridvan Boden, më sëmboi diçka se do ta kishte rregulluar me këta socialistët. Dhe e paska rregulluar. Sot ata e votuan në parlament si anëtar të Bordit të Konkurrencës, një vend i nderuar teknicienësh.

Po e harroj një moment kameleonizmin e tij politik, por boll të marrim mënyrën si ai ka drejtuar Thesarin, ai duhet të ishte në burg. Burime nga Ministria e Financave më thonë se sistemi i Thesarit është lënë pa suport teknik prej shkurtit 2014 dhe kjo mund të shkaktojë një tërmet në rast se sistemi bie, pasi nuk ka më “backup”. Ky njeri që ka drejtuar atë institucion, kaloi më pas në një drejtori më pak të rëndësishme dhe tani arriti të marrë mbështetjen e socialistëve për në një bord institucionesh të pavarura, vetëm pse foli kundër ish- shefit të vet.

Ky është një kompleks i pashërueshëm i keqpërdorimit të njerëzve deri në vdekje, si spiunë dhe të pafytyrë, në vend që të përzgjidhen njerëz me dinjitet dhe profesionistë. Nëse Ridvan Bode është përgjegjës për atë që ka ndodhur, arrestohet Ridvan Bode, nuk shpërblehet një zvarranik, i cili për të qenë vartës i Bodes, është vetëposhtëruar disa herë. TemA

Facebook Comments

POST A COMMENT.

9 + 14 =