Për të mos u zhgënjyer nga Europa

EditorialOpinion
206
0
sample-ad

[vc_row][vc_column width=”1/1″][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_single_image image=”2938″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_column_text]Nga: Arbër ZAIMI

Dështimet e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë dhe korrupsioni i pandalshëm që shtyp gjithçka me arrogancën e pushtetit mund të themi se janë shënjuesit kryesorë të “demokracive” shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. Të vendosur para këtij fakti, jo pak analistë drejtësidashës kanë përfunduar në një pozicion të pafuqisë, thuajse esencialisht. Sipas tyre, shqiptarët nuk e zotërojnë traditën, kriterin kulturor të Perëndimit, e për pasojë janë të paaftë për të bërë drejtësi të vërtetë. Shqiptarët, sipas tyre, janë fëmijë sa i përket kësaj sfere, madje fëmijë me tendenca rrugaçërore. E si fëmijë të tillë kanë nevojë për mësues të rreptë e të ashpër. Në këtë botëkuptim (i cili në vetvete është shumë fëminor), rolin e mësuesit të vetëm, rolin e shpresës, e luan Perëndimi.

Sigurisht, analistët në fjalë e dinë shumë mirë se në regjimin aktual korrupsioni është fenomen global. Por, me të drejtë, ata vënë re se nuk është njësoj paraqitja e korrupsionit në Gjermani, fjala vjen, dhe në Shqipëri apo Kosovë. Me të drejtë ata vënë në dukje se, edhe pse drejtësia në vendet europiane-perëndimore i ka mangësitë e veta, ajo prapë është shumë më funksionale sesa te ne shqiptarët.

Pra, këmbëngulin drejtësidashësit, ah sa mirë do të ishte sikur të na merrnin për dore e të na mësonin se ç’është drejtësia!

Hapi i parë është: Ah sikur të na e mësonin nëpër shkolla! Jo se ne s’kemi shkolla, po ç’shkolla kemi ne?! E kështu u arsimuan në qindra universitete me dhe pa prestigj ndërkombëtar qindra juristë e specialistë të së drejtës. Por, u vu re, me t’u kthyer në Shqipëri e Kosovë sikur i harronin të mësuarat… Hej bela!

Kjo nuk është mjaft, do të thoshte analisti. Duhet bashkëpunim i vazhdueshëm me Perëndimin, seminare, trajnime, shkëmbime eksperiencash. Dhe, për vite me radhë edhe këto ndodhën, por pa shumë efekt. Do ta kenë vallë fajin ligjet tona, sistemet vlerore “autoktone”? Epo mirë, ja edhe ato i ndërruam e i përshtatëm me Europën, përmes një procesi që i dha pushtetin legjislativ më të madh ndonjëherë makinës së fotokopjes. Por prapë…

Hapi i tretë, dhe ai përfundimtari, sipas analistit drejtësidashës, do të ishte dorëheqja prej sovranitetit tonë mbi pushtetin gjyqësor, dhe kalimi i këtij pushteti tek një mision i huaj perëndimor. Fundja, ata e rrëzuan socializmin dhe sollën demokracinë, ata e paqtuan Shqipërinë në ’97, ata e çliruan Kosovën. Të mos qe për ata, ku i dihet se ç’do të bëhej me ne. Pastaj, ne tek ata duam të integrohemi, përse të mos e marrin ata përsipër të vënë drejtësi për ne dhe te ne, qoftë edhe përkohësisht, sa të mësohemi?

Ky hap i tretë edhe pse ngjan si propozim shumë i vështirë për t’u realizuar, e gjeti zbatimin e vet në kushtet e krijuara në Kosovë. Kështu nisi eksperimenti më i madh i këtij lloji nga Bashkimi Europian, i quajtur EU-LEX. Në laboratorin ballkanik BE-ja zgjodhi të eksperimentojë dy institucione shumë të rëndësishme që në të ardhmen do të duhet ndoshta t’i aplikojë në gjithë Europën. Ato janë Institucioni i Mbrojtjes (apo ushtria e përbashkët), që eksperimentohet në Bosnjë, dhe Drejtësia (apo gjyqësori, prokuroria e policia e përbashkët) që eksperimentohet në Kosovë.

Shpresat e gdhendura prej opinionit të etur për drejtësi, ishin të mëdha. Në Kosovën e sapoçliruar brenda pak viteve u kalua nga një situatë e optimizmit thuajse euforik në një situatë të dëshpërimit, pasi shumë prej atyre që kishin aureolën e komandantit të luftës dolën të ishin uzurpues arrogantë të lirisë. Njëjtë kishte ndodhur pak vite më parë në Shqipëri, me ata që mbanin aureolën e “Prurësit të Demokracisë”.

Kështu që,EULEX erdh e u formësua si “last hope”, si alternativë e vetme prej popullit të stërzhgënjyer e besimhumbur. Por, sipas të rejave më të fundit, që vijnë nga brenda vetë EULEX-it, edhe aty korrupsioni paska bërë kërdinë. Një prokurore perëndimore akuzon kolegët e saj për pjesëmarrje aktive në të njëjtat skema për të cilat më përpara mendohej se i bënin vetëm shqiptarët e jo perëndimorët. E kolegët e saj i përgjigjen me kërcënime se kinse ajo po nxjerr material të klasifikuar. Ndërsa ajo përgjigjet se do të bëhet Julian Assange i EULEX-it. Në fakt, ky nuk është rasti i parë i tillë ndër zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, por është ndoshta rasti i parë në një nivel kaq të lartë në EU-LEX që del hapur me të tilla akuza. Çfarë po ndodh?

Na u rrëzua edhe shpresa e fundit? Mos vallë europianët që i pritëm me aq ngazëllim erdhën e u bënë njësoj si ne, në vend që të na bënin ne si ata. Mos vallë ndodhi pak a shumë e njëjta gjë që ndodh me emigrantët, të cilët në perëndim janë qytetarë model, e sa herë kthehen për pushime kthehen edhe te zakonet e vjetra?

Sigurisht, të gjithë ata që e kanë paraqitur EULEX-in si “last hope” do të vazhdojnë ta mbrojnë këndvështrimin e tyre. Rëndësi ka teoria, jo faktet. Por, për ne të tjerët, është i ditur edhe që para akuzave të prokurores Bamiah, se EULEX nuk e ka kryer misionin e vet, atë të prurjes së drejtësisë europiane ndër ne. E kemi vënë re ndër vite aftësinë e EULEX-it për të lënë të paprekur peshqit e mëdhenj, madje shpesh edhe peshqit e mesëm. Janë të njëjtët peshq, të cilët ankoheshim se nuk do të binin kurrë në rrjetën e drejtësisë shqiptare…

Është naive të besosh se, meqë drejtësia funksionon në Gjermani, po të sjellësh këtu prokurorë, hetues e gjyqtarë gjermanë, do të funksionojë njësoj. Edhe pse EULEX në Kosovë është imun ndaj ligjit, edhe pse paguhet disafish më shumë sesa ç’i paguajnë të njëjtët njerëz në vendet prej nga vijnë.

Drejtësia është një funksion sovran i një bashkësie, i një komuniteti, i një kombi. Normat që drejtësia i imponon vetes dhe subjekteve të saj, aty ku janë realisht të zbatueshme, rrjedhin prej nevojave dhe vullneteve të vetë asaj bashkësie. Shpesh thjeshtohet e thuhet se drejtësia atje ku funksionon është e lidhur me llogaridhënien, pra nëse s’ka drejtësi ka reagime popullore kundër etj. Mirëpo kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. Pjesa tjetër është se, në të gjitha vendet ku ka drejtësi funksionale, pjesëtarët e sistemit të drejtësisë janë përgjithësisht pjesëmarrës në besimin e përgjithshëm se ai vend, që është vendi i tyre, gëzon një farë shenjtërie dhe i pajis me misionin për ta bërë më të mirë, më të drejtë, më funksional. Pra, nga gjyqtarët, prokurorët, hetuesit etj., pritet që të kenë jo thjesht respekt ndaj ligjit si të tillë, si koncept abstrakt, por dëshirë për të përmirësuar/mirëmbajtur kombin e atdheun e tyre në tre elemente të tij, atë kulturor, atë territorial dhe atë institucional.

Nëse e shkëput një gjykatës sado profesional prej këtij ambienti ku mbizotëron besimi, apo ideologjia (le ta quajmë atë etatiste, atdhetare a çkado), atëherë ai është thjesht një individ. I hedhur në një shoqëri ku mbizotëron individualizmi ekstrem dhe pragmatizmi banal, në një shoqëri ndaj së cilës ai nuk ndien asnjë detyrim subjektiv, gjasat janë që edhe ai do të sillet ndryshe. Funksioni i “Tjetrit të Madh” që është komuniteti yt imagjinar, në rastin e komb-shteteve, kombi yt, republika jote (diku tjetër feja), është i pazëvendësueshëm. Prej tij dalin imperativat.

Nuk është Europa dhe asnjë entitet tjetër kurvë. Kjo sharje vjen vetëm prej atyre që e kanë parë Europën si hyjni, e tash që shohin që s’është ashtu, e anatemojnë. Europa është thjesht një bashkësi kombesh, ndërtuar mbi disa parime e disa interesa. Gabimi ynë është se në Europë gati-gati po duam të shkojmë vetëm si individë. E si individ në Europë të pranojnë thjesht si imigrant.

Për të mos u zhgënjyer nga Europa është e nevojshme të dihet se kurrë nuk mund të importojmë vlera, qofshin këto të demokracisë apo të drejtësisë. Mund të mësojmë nga ta, mund të kërkojmë ndihmë, ama gjithçka duhet bërë vetë. Shteti duhet ndërtuar nga ne, bashkë me institucionet që ndërlidhen me të, e ndër to edhe drejtësia. Por asnjë prej këtyre strukturave nuk mund të ndërtohet pa pasur atë themelin e fortë, që është bashkësia e komuniteti republikan. Pa filluar të operojmë si bashkësi e tillë, si komb (siç kanë vepruar dhe veprojnë shtetet funksionale në Europë), ne nuk do të mund të ndërtojmë asgjë tjetër, përveçse mure të holla mbi bazament rëre. Këto mure të holla mbase do të përbëjnë arsye ngazëllimi nga pasuesit e M.Foucault-së, i cili thoshte se kudo që sheh mure synon të bëjë dritare. Por këto mure të holla s’do të mbajnë dot asnjë çati.

Sa për sqarim, së fundmi, le të kuptohet se nuk është përkatësia komunitare kriteri i vetëm as i mjaftueshëm për të ndërtuar shtet dhe drejtësi funksionale, për t’u integruar në botën e shtet-kombeve. Por, pa këtë kriter nuk është e mundur të kesh një shtet-komb e as një sistem të drejtësisë, siç dëshmojnë kimerat e hibridët e importuar në Ballkan apo në Irak. Shqip

[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

15 − seven =