PD hedh poshtë ftesën e mazhorancës për rikthimin në parlament

AktualitetFlash
337
0
sample-ad

Ftesa e kryetarit të parlamentit Ilir Meta për rikthimin e opozitës në seancat plenare, është refuzuar nga Partia Demokratike. Kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, e ka hedhur poshtë ftesën e kreut të Kuvendit Ilit Meta për tu rikthyer në Parlament pasi në seancën e nesërme do të votohen komisionet e kërkuara nga opozita. Në një deklaratë për mediat ai theksoi se votimi i komisioneve është detyrim kushtetues.
“Kryetari i Parlamentit doli sot para shqiptareve për të mbrojtur ortakun e pushtetit dhe me broçkulla hipokrite ftoi opozitën në parlament pasi paska lindur një klimë e re bashkëpunimi. I bëjmë të qartë bashkëkryetarit të mazhorancës se ngritja e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita është detyrim kushtetues i kryetarit të Parlamentit. Është ai personalisht përgjegjës për bllokimin prej më shumë se 6 muajsh të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, për këtë bllokim për më shumë se 10 seanca plenare, ku grupi parlamentar i PD ka kërkuar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, – tha Paloka.

“Para se bashkëkryetari të ftojë opozitën për të shijuar klimën e re mes tyre, duhet të kërkojë ndjesë publike para qytetareve dhe para partnereve ndërkombëtare për kthimin e parlamentit në një çiflig personal, ku Kushtetuta zbatohet sipas dëshirës së kryetarit dhe jo sipas rregullave të një demokracie funksionale. Qëndrimi i sotëm i kryetarit të Parlamentit tregon qartë se opozita ka plotësisht të drejtë kur kërkon një marrëveshje me mbikqyrje ndërkombëtare, në mënyrë që zbatimi i Kushtetutës të mos jetë peng i humorit dhe as i klimës mes dy bashkëkryetarëve të mazhorancës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
“E vërteta e qëndrimit të Edi Ramës ndaj dekreteve të Presidentit për në Gjykatën e Lartë, të cilën doli për ta mbrojtur sot bashkëkryetari, është se atyre nuk u interesojnë kriteret ligjore të kandidateve, as Kushtetuta, as një gjykatë me profesionale dhe efiçente dhe e pakorruptuar. E vërteta është se atyre u intereson të çojnë në drejtësi njerëzit e bindur politikisht. Partia Demokratike i bën thirrje gjithë faktorit ndërkombëtar të ndjekë nga afër bllokimin antikushetutes që po i bëhet Gjykatës së Lartë dhe presionit që i bëhet Presidentit të Republikës për të bërë Pazar në përzgjedhjen e kandidateve për në Gjykatë të Lartë”, – u shpreh në konferencën për shtyp Paloka. Ai tha se Partia Demokratike inkurajon Presidentin e Republikës që të vijojë të zbatojë me rigorizitet Kushtetutën e vendit dhe ligjin e ri të Gjykatës së Lartë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seven + 8 =