Shqipëri-Luksenburg, marrëveshje për dy mijë shqiptarë që do përfitojnë pensionet

KryesorePolitike
242
0
sample-ad

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Ministri i Mbrojtjes Sociale i Luksemburgut, Romain Schneider, nënshkruan Marrëveshjen dypalëshe mbi Mbrojtjen Sociale. Kjo marrëveshje mundëson transferimin e pensioneve për rreth dy mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Luksemburg.

Luksemburgu bëhet shteti i dytë pas Belgjikës, që nënshkruan me Shqipërinë marrëveshjen, e cila u mundëson emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin Shqiptar apo anasjelltas.

“Në 1 janar 2015 nis zbatimi i reformës së pensioneve dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me këto marrëveshje dypalëshe është t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi se ku punoni, por për sa kohë që i deklaroni vitet tuaja të punës në Shqipëri apo në një vend tjetër të BE-së, ato do t’ju njihen të gjitha. Ky është një apel për qytetarët se që nga 1 janari, cdo muaj apo vit i deklaruar, sjell një pension më të lartë”, – nënvizoi Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në momentin kur do të kemi lidhur 6-7 marrëveshje të tilla me vende të tjera të BE-së, edhe procesi i fillimit të negociatave me vendet fqinje do të jetë më i lehtë”, tha Veliaj.

Ministri Veliaj shtoi se me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla me vende si Belgjika apo Luksemburgu bëjnë të mundur që një emigrant shqiptar në Greqi apo Itali, mjafton të ketë punuar qoftë dhe një muaj në një nga vendet dhe mund të përfitojë njohjen e kontributeve të pensionit të fituara në secilin prej vendeve të BE-së.

Ministri për Mbrojtjen Sociale i Luksemburgut, Schneider, tha se, “Nënshkrimi i marrëveshjes është hapi i parë, ndërkaq ajo duhet ratifikuar nga Parlamenti i Luksemburgut. Shumë shpejt do t’ia paraqesim Dhomës së Përfaqësuesve dhe Këshillit të Shtetit, e më pas do të diskutohet nga komisionet Parlamentare. Gjithsesi, procedura nuk zgjat shumë dhe besoj se marrëveshja do të hyjë në fuqi shumë shpejt”.

Sipas MMSR-së, negocimi, përafrimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për mbrojtjen sociale ndërmjet Shqipërisë dhe Luksemburgut, e më pas ratifikimi dhe zbatimi i saj në praktikë, do të realizojë mbështetjen në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të rreth dy mijë emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Luksemburg.

Ndërkaq Shqipëria përveç Belgjikës e Luksemburgut, ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me Turqinë, ndërkohë që vijojnë bisedimet me Gjermaninë, Cekinë, Rumaninë dhe Austrinë. Gjithashtu MMSR do të nënshkruajë shume shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë, dhe synon të bashkëpunojë me Italinë dhe Greqinë, vende ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

three + 7 =